Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rindërtimi i godinave të dëmtuara nga tërmeti po vijon në fazën e parë të tij në godinat e pabanueshme, por me nivel dëmi të ulët, për të mundësuar rikthimin e të prekurve nga tërmeti në 1679 apartamente deri në 26 mars.

Kryeministri Edi Rama ishte sot, në zonën e Plazhit në Durrës, për të ndjekur  nga afër ecurinë e punimeve në këtë fazë. Sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, Kryeministri ishte në një prej godinave, e klasifikuar si DS2 për nga shkalla e dëmtimit dhe ku në tre katet e prekura po punohet intensivisht, për t’u rikthyer në kushte të banueshme. Ndërkohë vazhdojnë miratimet e lejeve për këtë kategori godinash, bazuar në projekte të përputhura rigorozisht me standardet ligjore të ndërtimit.

“Shkalla e dëmit në këtë godinë është DS2. Janë 64 leje nga sistemi i lejeve dhe nga të gjitha aplikimet e subjekteve. 44 leje janë për godina banimi dhe 20 janë godina shërbimi. Do të rikthehen në kushte të banueshme, siç është ky apartament i përfunduar,”- u shpreh Varfaj, teksa inspektuan një apartament të rikthyer plotësisht në gjendje banimi.

Gjithashtu, Varfaj u shpreh se vijojnë aplikimet online për programin e Rindërtimit, ku aktualisht punohet me 61 sportele për aplikimin e banesave për rindërtim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.