Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, në çeljen e Zyrës së re të Punës:
Të nderuar pjesëmarrës,
Dua ta përgëzoj Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për ngritjen e një zyre të tillë të shërbimeve të punësimit. Kjo hapësirë është shëmbëlltyra e parë e cilësisë së re që ne do t’i japim, hap pas hapi, marrëdhënies së shtetit me qytetarin, i cili troket në zyrën e shtetit për të marrë shërbimin që kërkon.
Plani i ministrit Veliaj për ngritjen e zyrave të kësaj cilësie, për shërbimet e punësimit edhe në qytete dhe zona të tjera të Shqipërisë, meriton vlerësimin më të lartë.
Plaga e papunësisë, sidomos e papunësisë së të rinjve në Shqipëri, është e thellë. Dhimbjet e saj janë shumë të forta në trupin e brishtë të shoqërisë sonë. Nuk ka dyshim, se as kjo hallkë e parë dhe as i gjithë zinxhiri i shërbimeve të punësimit pranë qytetarëve në kërkim të një pune, nuk është baras me shërimin e një plage si kjo, por vetëm një element i projektit tonë të përgjithshëm dhe kompleks për punësim.
Hapja e vendeve të reja të punës është prioriteti ynë më i madh, që ka të bëjë me ndryshimin thelbësor të modelit të zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Por, ndryshimi rrënjësor i shërbimeve të punësimit, pa asnjë dyshim, do të ketë ndikimin e vet shumë pozitiv, në drejtim të përmbushjes me sukses të këtij prioriteti madhor.
Eksperienca më shumë se e bukur, e shkëlqyer, e Gjermanisë, por edhe eksperienca e vendeve të tjera normale, ku zyra të tilla janë pika referimi të patjetërsueshme në rrugën e punëkërkimit, tregon qartë rëndësinë që ka funksionimi i Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe i filialeve të tij, për orientimin e duhur të punëkërkuesve, si edhe për vetë politikat që nxisin punësimin.
Vullneti për importimin nga Gjermania, falë mbështetjes bujare të Agjencisë Federale të Punësimit dhe të drejtuesit të saj zotit Weiser, si një eksperiencë e prekshme që e kemi sot këtu, para syve, përmes këtij shembulli të parë, është një shprehje konkrete enjë ambicie shumë kurajoze dhe e vullnetit tonë të palëkundur për t’u ndarë më në fund, pas kaq shumë vitesh, nga farsa e deridjeshme e këtij shërbimi, që vetëm hëngri para nga xhepat e popullit dhe nuk dha mbrapsht asgjë tjetër, përveç korrupsion dhe banalitet.
Unë e shoh veçanërisht pozitive dhe shumë shpresëdhënëse hapjen e kësaj zyre, për aq sa ajo që sot, që nesër, do të jetë adresa e besueshme e një të riu, e një të reje; e një studenti dhe studenteje në pragun e daljes nga rruga e gjatë e studimeve; e një punëkërkuesi të hershëm apo në tërësi e shqiptarëve që jetojnë e studiojnë jo vetëm këtu, por edhe jashtë vendit, e ndërsa duan të kthehen në vendin e tyre kanë nevojë për orientim dhe informim në lidhje me mundësitë e punësimit që ofron, sot, tregu i punës.
Nga ana tjetër, me lejoni të shtoj që kjo zyrë, – që është dallëndyshja e parë që lajmëron një stinë tjetër në marrëdhëniet e shtetit me qytetarin në raport me punëkërkimin, por edhe në qasjen tonë ndaj qytetarit në raport me dinjitetin që qytetari meriton kur troket në derën e shtetit, – shënon edhe hapjen e një faqeje të re në raport me punëkërkimin, si një proces që nuk mund të mbetet një proces i orientuar thuajse tërësisht drejt kërkimit të një pune në shtet, por duhet me patjetër të transformohet në kërkimin e një pune në sektorin privat.
S’kam dyshim se si për çdo gjë do të ketë mohues, për të cilët hapja e një zyre shërbimi për punësimin, fare thjesht, si gjithmonë, do të konsiderohet asgjë, përballë problematikës shqiptare shumë komplekse në këtë fushë dhe në të gjitha fushat. Ashtu siç mund të ketë të tjerë që këtë Zyrë apo të gjithë zinxhirin e këtyre zyrave në vijim mund ta konsiderojnë gabimisht si zgjidhjen e menjëhershme dhe përfundimtare të problemit të punëkërkimit.
Përballë të dyja këtyre palëve, unë do të thosha se realiteti nuk qëndron as në një krah, as në krahun tjetër, por qëndron tek një mundësi e shtuar, së cilës punëkërkuesit duhet t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe punëdhënësit duhet t’i japin besimin e duhur. Roli ynë, roli i Shërbimit Kombëtar të Punësimit është roli i ndërmjetësuesit midis punëkërkuesve nga njëra anë dhe punëdhënësve nga ana tjetër, duke disponuar informacionin e nevojshëm për punëkërkuesit dhe duke bërë orientimet e nevojshme drejt punëdhënësve. Pra, kjo është një zyrë.
Sot vendoset guri i parë në themelin e një muri të munguar, ku jo vetëm punëkërkuesit, por edhe punëdhënësit kanë një adresë që bashkërisht do ta bëjmë të besueshme. Puna e kësaj Zyre dhe zinxhiri i këtyre zyrave, që do të krijohen hap pas hapi, është e rëndësishme të thuhet se do të kenë rezultate. Rezultatet do të jenë të matshme. Do të maten dhe monitorohen, sepse shoqëria jonë dhe për më tepër, punëkërkuesit nga njëra anë dhe punëdhënësit nga ana tjetër nuk kanë nevojë për më shumë burokraci, por për më shumë zgjidhje, përmes mundësive që shteti ka detyrimin të krijojë në funksion të objektivave të këtyre dy palëve që nuk mund të bëjnë dot pa njëra-tjetrën.
Dhe së fundmi, kam shumë dëshirë në këtë valë punësh, në këtë valë risish, në këtë valë transformimi të sapofilluar, që për mohuesit që na gjenden gjithmonë pranë, në udhëtimin tonë dhe që me siguri, edhe për këtë Zyrë do të thonë si ka mundësi u mblodhën gjithë ata njerëz për të hapur një zyrë, të tregoj një anekdotë të jetuar.
Në një nga debatet, si gjithmonë të ndezura, të Kryeministrit të njohur anglez, Benjamin Disraeli, me politikanin, por edhe Kryeministrin e parë që njihet si Kryeministri më i moshuar anglez, Willian Eçleston, ky i fundit i thotë Kryeministrit: “Zotit Disraeli nuk mund të jetë mjaftueshmërisht i sigurt për asgjë në ato që pretendon”. Dhe Disraeli i përgjigjet: “Shpresoj të isha i sigurt për të paktën një gjë, sa ç’është kundërshtari im i sigurt për të gjitha”.
E, unë jam thuajse i sigurt për vendosmërinë tonë në rrugën e transformimit dhe modernizimit të shtetit shqiptar dhe hapja e kësaj Zyre është në radhë të parë, shprehja e kësaj vendosmërie. U deshën 20 vjet për të hapur një zyrë që, sikundër e tha dhe miku im i shtrenjtë, Frank Weiser, u hap në 100 ditë. Jo çdo gjë që s’është bërë 20 vjet mund të bëhet në 100 ditë, por ka shumë gjëra që në 20 vjet nuk janë bërë dhe po bëhen në 100 ditë.
Unë kam bindjen se kjo Zyrë do të na vlejë të gjithëve edhe si një eksperiencë për të mësuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë, por është e sigurt se, cilado të jetë eksperienca, kjo Zyrë në vetvete është një eksperiencë e mirë që sot, do të na vlejë për të na mësuar se çfarë mund të bëjmë më mirë ne qeveria, çfarë mund të bëjnë më mirë punëdhënësit, çfarë mund të bëjnë më mirë punëkërkuesit. Sigurisht, jam i bindur, që do t’i vlejë edhe Agjencisë Federale të Punësimit të mësojë se çfarë mund të bëjë më mirë, për të na ndihmuar ne shqiptarëve.
Ju faleminderit!
***
Është hapur sot Zyra e parë moderne e Punësimit në Tiranë. Hapja e vendeve të reja të punës është prioriteti i madh i qeverisë, që ka të bëjë me ndryshimin thelbësor të modelit të zhvillimit ekonomik të vendit.
Në këtë ceremoni përshëndetën, përveç Kryeministrit Edi Rama, edhe Drejtuesi i Agjencisë Federale të Punësimit Frank Weiser, si dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi.