Deri në muajin nëntor të vitit 2014 rezultojnë 92.521 persona më shumë të punësuar. Shifra që i referohet të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore u bë sot publike sot nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, në ceremoninë e çeljes së Zyrës së re të Punës në Laç, ku ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë Laç Artur Bardhi dhe përfaqësues të biznesit.
Laçi është qyteti i dhjetë në Shqipëri që ka një Zyrë të re e moderne Pune, duke ofruar më shumë mundësi për qytetarët që të gjejnë një punë.
Në këtë aktivitet ndër të tjera Kryeministri Edi Rama u shpreh:
“Sot, ne kemi 10 zyra punësimi. Faktikisht, kjo e Laçit është e 10-ta në zinxhirin e zyrave të punësimit që do të zgjatet më tutje me zyrat e punësimit në Kukës, Lezhë e Shkodër dhe pastaj do të shtrihet në të 61 bashkitë e reja të vendit. Sigurisht që, zyra e punësimit nuk është çelësi magjik për të zgjidhur problemin dhe për t’i hapur rrugën punësimit. Ashtu sikundër, nga ana tjetër, zyra e punësimit është një mundësi e re padyshim, pasi zyra e punësimit është ajo pikë takimi e munguar, për të realizuar komunikimin mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve. Eksperiencat tona të këtij rrjeti të ri zyrash punësimi flasin qartë për nevojën e tyre, por edhe dëshmojnë qartë se sa e madhe bëhet kjo mundësi e re, atëherë kur në këtë pikëtakim realizohen kontaktet e duhura mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve.
Sot, në faqen e zyrtare të Shërbimit të Kombëtar të Punësimit ka 2.230 vende të lira pune në 65 qytete të vendit. Në shkallë vendi, qysh nga dita e parë e punës tonë janë shpallur 30.583 vende të lira dhe përmes zyrave të punësimit janë punësuar 16.490 punëkërkues, të cilët sot figurojnë në librat e llogarive të shtetit, qoftë si të punësuar të siguruar dhe qoftë si taksapagues të rregullt. Zyra e Punës në Tiranë ka punësuar deri tani 2.938 persona, Zyra e Punës në Durrës ka punësuar deri tani 2.813 persona, Zyra e Punës në Vlorë ka punësuar deri tani 1.593 persona dhe Zyra e Punës në Fier ka punësuar deri tani 1.540 persona.
Nga ana tjetër është me fort rëndësi të theksohet se zyra e punës është vetëm një hallkë e gjithë procesit të krijimit të vendeve të reja të punës dhe të punësimit të njerëzve në gjithë territorin e vendit.
Zyra e punësimit në Laç është një nga zyrat e para që riorganizohet me fonde minimale, por të buxhetit të shtetit.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm se kjo e punësimit është sfida më e madhe. Është sfida jonë më reale në përpjekjen për të luftuar varfërinë, në përpjekjen për të luftuar stresin social dhe në përpjekjen për të krijuar kushte që të gjithë ata që duan të jetojnë me një punë të ndershme, ta kenë mundësinë e kësaj pune.
Dëshiroj të theksoj edhe një të dhënë tjetër, po kaq të rëndësishme. Shifra e fundit e marrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pra, jo e nxjerrë nga ndonjë anketë dhe as nga ndonjë llogari spekulative, por e nxjerrë nga libri i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, libri i pensioneve të ardhshme të këtij shteti flet për 92.521 vetë më shumë të regjistruar në sigurimet shoqërore si njerëz të punësuar rishtas, apo si njerëz që deri përpara se të regjistroheshin kanë qenë skllevër të punës në të zezë dhe që në konceptin demokratik dhe europian të punës janë sot të punësuar, pasi kanë jo vetëm rrogën që çojnë në shtëpi, por kanë edhe të drejta të garantuara, ashtu si dhe pensionin e garantuar.
Unë jam i bindur që ashtu si dhe unë, edhe ju jeni të vetëdijshëm se kjo është një sfidë e vështirë dhe posaçërisht për këto zona është një sfidë edhe më e vështirë. Por jam po ashtu i bindur që çelja e kësaj zyre nuk është vetëm një ogur i mirë, por është edhe një hap i rëndësishëm përpara, në përpjekjen tonë për të krijuar kushte që kush do të jetojë me një punë të ndershme ta ketë mundësinë që ta kërkojë dhe ta gjejë atë punë të ndershme.”
Ministri Veliaj ftoi çdo sipërmarrës të shfrytëzojë mundësitë që ofron shteti nëpërmjet fondit të nxitjes së punësimit, ndërsa apeloi sipërmarrësit që të përfitojnë nga oferta e qeverisë që deri në datën 31 mars të paguajnë të gjitha sigurimet shoqërore të prapambetura duke ulur me 80 për qind gjobën e tyre për vonesën.
Në ditën e saj të parë të punës kjo Zyrë e hapur në qytetin e Laçit regjistroi kërkesën e një kompanie të industrisë së përpunimit të peshkut për 60 punonjës, kryesisht gra dhe vajza.
***
Më pas Kryeministri Edi Rama shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban Englantina Gjermeni dhe Kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tusha inspektuan përfundimin e dy projekteve të rëndësishme komunitare. I pari, përfundimi i rikonstruksionit të një godine 4 katëshe në qendër të qytetit e ndërtuar që në vitet ‘60, i realizuar sipas një projekti inovator që gërsheton rehabilitimin urban me përdorimin e teknologjisë termoizoluese për reduktimin e konsumit të energjisë.
Projekti, i financuar nga MZHB me vlerë prej 14 milionë lekë, konsiston në termoizolimin e fasadës, termoizolimin e tarracës, gjithashtu përfshin edhe ndërrimin e dritareve, duke përdorur materiale termoizoluese.
Pas këtyre ndërhyrjeve përfitues janë 22 familje banorë të kësaj godine. Ata do të kenë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike, pasi parashikohet që konsumi i energjisë elektrike dhe asaj me gaz do të reduktohet me 54%. Gjithashtu rivitalizimi i fasadës sjell dhe një pamje më cilësore të qytetit.
Kryeministri Rama dhe Ministrja Gjermeni panë nga afër edhe përfundimin e rikonstruksionit të 36 shtëpive të komunitetit rom dhe egjiptian, po në qytetin e Lezhës. Projekti është financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, me vlerë 11.5 milionë lekë. Rikonstruksioni ka përfshirë zëvendësimin e dyerve dhe dritareve, riparimet e çative dhe riparimin e rrjeteve elektrike.
Kryeministri Rama së bashku me Ministren Gjermeni dhe Kryetarin e Bashkisë Tusha inspektuan edhe ecurinë e punimeve për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit. Prej disa muajsh kanë nisur ndërhyrjet urbane për rivitalizimin e sheshit qendror “Besëlidhja”, rikualifikimit të lulishtes, si dhe të lumit të qytetit. Këto ndërhyrje do të krijojnë një zonë të integruar me gjithë elementët, që pritet të sjellin ridimensionim urban dhe funksionalitet social të hapësirave.
Një tjetër ndalesë e Kryeministrit Edi Rama, shoqëruar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishte shkolla 9-vjeçare në Tale, Komuna e Shënkollit në Lezhë. Ajo është një ndër 10 objektet publike të cilat përfshihen në projektin “Alterenergy” të financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA. Ky projekt ka për qëllim sigurimin e një niveli të qëndrueshëm të energjisë si në prodhim ashtu edhe në konsum për komunitetet e vogla në zonën bregdetare të Adriatikut. Parashikohet rikonstruksioni i 10 objekteve publike për të siguruar eficiencën e energjisë dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme në to. Koha e implementimit të projektit përfundon në Gusht 2015.
Shkolla 9 vjeçare në Tale është përzgjedhur si projekt pilot për të demonstruar rezultatet e pritshme që do të arrihen nëpërmjet investimit për masat e eficencës së energjisë dhe sigurimit të burimeve të rinovueshme. Përmes këtij projekti, në objekt arrihet ulja e humbjeve të energjisë si rezultat i termoizolimit; ulja e humbjeve si rezultat i zëvendësimit të dritareve; kursimi i energjisë si rezultat i përdorimit të ndriçimit efecient; rritja e fluksit të ndriçimit dhe përdorimi i paneleve diellore. Në total energjia e kursyer nga kjo ndërhyrje arrin në masën 45%