4.5 milionë vizitorë të huaj hynë në Shqipëri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më shumë se qershori i vitit që shkoi.
Rritja e qëndrueshme e turizmit në Shqipëri është vlerësuar pozitivisht edhe nga Komisionit Europian i Udhëtimeve.
Të dhënat e raportit të Komisionit Europian tregojnë se vendi ynë ka parë rritjen më të fortë të tregut në 6 muajt e parë të vitit 2024, duke u mbajtur vendin e parë në Ballkan. Raporti i Komisionit Europian të Udhëtimeve tregon një rritje prej 86% që nga viti 2019, e ndjekur nga Serbia me 48% dhe Mali i Zi me 31%. Këto vende, thuhet në raport, po perceptohen gjithnjë e më shumë si destinacione tërheqëse nga udhëtarët.
Ndërkohë edhe numri i shqiptarëve të Kosovës që edhe këtë vit kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Shqipëri është rritur. Nga janari deri në qershor janë regjistruar 1,7 milionë hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25% më shumë se vjet.
Gjithashtu ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, 61% nga 1 vit më parë.