Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
* * *
Transformimi i arsimit në vend po shënon tashmë një fazë të re, ku kryefjalë është cilësia, modernizimi dhe përafrimi me standardet europiane.
Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore me ekspertizën e Universitetit të Kembrixhit do të garantojë standarde më të larta në hartimin, administrimin dhe vlerësimin e provimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e afruar sistemin shqiptar me praktikat më të avancuara europiane.
Në arsimin e lartë, fokusi kryesor mbetet ndërkombëtarizimi, rritja e cilësisë dhe forcimi i lidhjeve me universitetet europiane. Në këtë kuadër, po punohet për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë, me synimin për të krijuar një kuadër më fleksibël që nxit bashkëpunimet ndërkombëtare, programet me diploma të përbashkëta dhe të dyfishta, si dhe mobilitetin akademik të studentëve dhe pedagogëve. Një model konkret është bashkëpunimi mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Teknologjik të Kompienjit në Francë ku ofrohen programe bachelor dhe master me diplomë të dyfishtë, e po ashtu bashkëpunimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Austrisë, që po zbatojnë një proces të thellë reformimi sipas standardeve austriake, duke ofruar programe me diploma të përbashkëta dhe duke modernizuar modelin e menaxhimit akademik.
Paralelisht, Ministria e Arsimit po mbështet një sërë investimesh strategjike në infrastrukturën universitare, ndër të cilat ndërtimi i Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ndërtimi i Fakultetit të Gjeologji-Minierave, Muzeut të Fakultetit të Gjeologji-Minierave dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe ndërtimi i fushës së futbollit dhe pistës së atletikës në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Ndërkohë, përmes konkursit ndërkombëtar për hartimin e masterplanit të kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, po hidhen bazat për zhvillimin afatgjatë të një kampusi universitar modern sipas standardeve europiane.
Investimet në infrastrukturë, teknologji dhe kurrikulë po ndërtojnë një sistem arsimor që i përgjigjet më mirë kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Reforma në kurrikulë, përmes qasjes STEAM, po orienton arsimin drejt zhvillimit të aftësive praktike, mendimit kritik dhe inovacionit.
Gjatë mandateve qeverirëse nga viti 2013-vijim janë ndërtuar mbi 450 shkolla në të gjithë vendin me kushtet optimale dhe të tjera inistitucione të arsimit janë duke ju nënshtruar ndërhyrjeve. Zbatimi i 40 projekteve infrastrukturore, ndërtimi i shkollave të reja, terreneve sportive dhe laboratorëve inteligjentë po përmirëson ndjeshëm kushtet e mësimdhënies. Objektivi për 1000 laboratorë inteligjentë vendos teknologjinë në qendër të edukimit dhe i përgatit nxënësit për sfidat e ekonomisë digjitale.
Këto investime, së bashku me përmbylljen e të gjitha detyrimeve të Shqipërisë në kapitujt 25 dhe 26 të negociatave me Bashkimin Europian, konkretisht kapitujt dedikuar Kërkimit Shkencor dhe Arsimit, e vendosin arsimin në qendër të procesit të modernizimit dhe integrimit europian të vendit.