Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve të Arta të Lungomares, në Vlorë:

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

Është kënaqësi që sot të jem këtu në Vlorë, me një mik të rëndësishëm dhe vërtetë të dashur të shqiptarëve, Komisionerin Hahn, të cilit i uroj edhe publikisht mirëseardhjen në këtë qytet emblematik për historinë, për njerëzit, por edhe për transformimet e mëdha të viteve të fundit.

Mirë se kanë ardhur në qytetin tonë edhe të gjithë pjesëtarët e ekipit të Komisionerit, për të parë një punë të përbashkët, një vepër që do kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e Komisionit Europian, që është vetëm pjesa e parë e një zhvillimi të mëtejshëm, pasi Lungomarja do të shtrihet qoftë në krahun jugor me një fazë tjetër, relativisht të vogël në përmasë, deri tek tuneli, qoftë në krahun perëndimor me fazën e dytë të rëndësishme deri në fund të Pyllit të Sodës.

Të dyja këto segmente, ne do t’i nisim menjëherë duke filluar nga viti i ardhshëm, ashtu sikundër do nisim vitin e ardhshëm, edhe Bulevardin e Ri që do të sjellë një transformim po kaq të madh përgjatë gjithë trupit të qytetit. Do të vijojmë investimin për qendrën historike të Vlorës, e cila do t’i japë qytetit një mundësi për të shfaqur një pjesë të rëndësishme të identitetit të vet dhe më tutje, me transformimin e gjithë aksit që na çon përmes Rradhimës në Orikum, me ndërhyrjen që po përgatisim edhe për vijën bregdetare të Orikumit.

Ndërkohë, sëbashku me ministrin e Infrastrukturës, i cili ju bën të fala të gjithëve, por e kishte të pamundur të ishte këtu, sot, për shkak të disa angazhimeve të tjera, ne jemi në diskutim për të finalizuar edhe projektin e rrugës nga Orikumi, përmes Llogarasë deri poshtë në Himarë, për të cilën po diskutojmë dy variante. Variantin e transformimit të rrugës ekzistuese në një rrugë me standarde të certifikuara nga BE dhe variantin e një aksi pjesërisht të ri me tunel në Llogara. Por kjo është në diskutim, kështu që mos më kërkoni që sonte, ku është tuneli. Padurimi i këtij qyteti është historik, se po mos kishte qenë Vlora e paduruar, nuk do ishte shpallur pavarësia në 1912.

Nga ana tjetër, kjo është vetëm një pjesë e vogël e transformimeve që ka sjellë Rilindja Urbane në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me afro 500 projekte, që do të vazhdojnë edhe gjatë këtij 4 vjeçari, duke u shtrirë më thellë, në zonat periferike dhe në zonat rurale.

Tanimë, Vlora e jo vetëm, por të gjitha qytetet ku ne kemi ndërhyrë me këto projekte, janë prova e një fakti kuptimplotë që Rilindja Urbane është një program që nuk vjen për të zbukuruar në kuptimin sipërfaqësor të fjalës, por vjen për të nxitur ekonominë, për të nxitur turizmin, për të nxitur punësimin dhe zhvillimin social, duke krijuar hapësira të përbashkëta për komunitetet, që për shumë vite mbetën pa mundësinë për të shijuar bashkëjetesën mes njerëzve. Nëse dikush do më shumë prova, mjafton që të kalojë me një sy të shpejtë çmimet e metrit katror në të gjitha zonat ku është ndërhyrë, nga Tropoja deri në Konispol; sa vlenin pasuritë e njerëzve përpara këtyre ndërhyrjeve dhe sa vlejnë pasuritë e tyre pas këtyre ndërhyrjeve. Janë pasuri të patundshme, vlera e të cilave është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe do vazhdojë të rritet.

Mjafton kaq, për të kuptuar që këto janë investime që influencojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen jo shumë të largët të komuniteteve, të familjeve dhe të fëmijëve tanë.

Edhe njëherë, shumë faleminderit Komisioner për praninë tuaj! Një urim të përzemërt për të gjithë artistët që i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë, për të marrë pjesë në konkursin për artin në Lungomare. Pavarësisht çmimeve, unë jam i bindur që në fund fare, çdo ide, çdo projekt ka vlerën e vet dhe siç ka treguar edhe historia, ka raste që ato vepra që marrin çmime nuk shënohen më në kujtesën e njerëzve e ato që nuk marrin çmime gjejnë vend në kujtesën e tyre. Kështu që kush do marri çmim, ta ketë këtë parasysh, kush nuk do marri çmim, mos ta harrojë këtë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.