Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

DEKLARATË E PËRBASHKËT E LIDERËVE

TË GJASHTË VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR (BP6)

“REFORMA, RRITJE, INTEGRIM: SË BASHKU BËJMË EVROPËN REALITET!”

SAMITI I LIDERËVE PËR PLANIN E RRITJES

Tiranë, më 27 nëntor 2026

 

Ne, Liderët e Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6), të mbledhur në Tiranë më 27 nëntor 2026, riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për të çuar më tej përpara, me vullnet të plotë, perspektivën evropiane të rajonit tonë, përmes reformave për rritje ekonomike, integrimit ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian dhe bashkëpunim më të ngushtë për mirëqenien e qytetarëve tanë.

Riafirmojmë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi ynë strategjik dhe se, përparimi drejt anëtarësimit duhet të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar vetëm në merita individuale, përmbushjen e kritereve të përcaktuara të Kopenhagës dhe zbatimin e reformave të nevojshme e me ndikim pozitiv. Jemi të vendosur të përparojmë drejt anëtarësimit të plotë, përmes angazhimit të qëndrueshëm politik, bashkëpunimit rajonal dhe zbatimit efektiv të reformave. Jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, nën frymën e mirëkuptimit konstruktiv, në harmoni me kriteret e anëtarësimit në BE për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe të bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian, me synimin për të kapërcyer çka e mban Ballkanin Perëndimor (BP6) nga përparimi drejt negociatave të anëtarësimit, dhe për përshpejtimin e proceseve.

Duke i konsideruar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Instrumentin e tij për Reforma dhe Rritje si instrumente kyç nxitës të përshpejtimit të konvergjencës ekonomike, mbështetjen e reformave strukturore dhe afrimin e ekonomive tona me Bashkimin Evropian dhe integrimin në Tregun e Vetëm të BE-së, njohim progresin e arritur deri më tani dhe nënvizojmë rëndësinë e shndërrimit të angazhimeve për reforma, në rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset tona.

Nënvizojmë se përshpejtimi i konvergjencës ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbetet thelbësor për garantimin e mirëqenies së qëndrueshme, konkurrueshmërinë dhe suksesin e procesit të zgjerimit. Ndonëse ekonomitë tona kanë shënuar progres në ngushtimin e hendekut në zhvillim me BE-në, ritmi i konvergjencës duhet të përshpejtohet më tej, përmes reformave të vazhdueshme, integrimit më të thellë të tregjeve rajonale, aksesit gradual në Tregun e Vetëm të BE-së dhe zbatimit efektiv të Planit të Rritjes. Duke konsideruar se vetë anëtarësimi në BE është katalizator i fuqishëm për transformim dhe konvergjencë ekonomike, riafirmojmë edhe angazhimin për përparimin me transformimin e gjelbër dhe digjital, si dhe me eliminimin e barrierave ndaj tregtisë dhe investimeve.

Duke u mbështetur në rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë edhe në Përfundimet e Kryesisë së Samitit 2026 në Budva, si dhe në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028, nënvizojmë se integrimi gradual në Tregun e Vetëm të BE-së dhe integrimi ekonomik rajonal janë procese plotësuese dhe nuk zëvendësojnë dhe as nuk paragjykojnë procesin zyrtar të anëtarësimit në BE, i cili vijon të rregullohet nga kuadri i përcaktuar për negociatat, angazhimet specifike të secilit partner, meritat individuale dhe kriteret për anëtarësim. Mundësitë për integrim gradual duhet të jenë të hapura për secilin mbi bazën e kritereve objektive, transparente dhe të barabarta, duke reflektuar progresin dhe nivelin e përgatitjes së secilit partner.

Duke njohur rëndësinë e konkurrueshmërisë, transformimit të qëndrueshëm industrial, investimeve të qëndrueshme, reduktimit të barrierave dhe përfitimet përkatëse për ekonomitë tona, si dhe të integrimit më të thellë në zinxhirët evropianë të vlerës, theksojmë gjithashtu nevojën për zhvillimin e nismave për intensifikimin e bashkëpunimit, të cilat sjellin përfitime konkrete për rajonin tonë, shtetet anëtare dhe Bashkimin Evropian, si dhe kontribuojnë për një Evropë më të fortë, më konkurruese dhe më të qëndrueshme.

Integrimi ekonomik rajonal duhet të shërbejë si një hap drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe jo si alternativë apo zëvendësim i procesit individual të anëtarësimit të secilit partner.

Në këtë frymë, mirëpritëm Konferencën e Dytë “Horizont i Ri për Investimet” BE–Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë më 25–26 nëntor 2026, ku u bënë bashkë investitorë, biznese, institucione financiare dhe autoritete publike nga Bashkimi Evropian dhe rajoni ynë. Ne angazhohemi për ndjekjen praktike dhe krijimin e kushteve mundësuese për shndërrimin e mundësive për investime dhe partneriteteve të biznesit në projekte të besueshme, si dhe për investime private dhe mundësi punësimi, në përplotësim të objektivave të Planit të Rritjes.

Mirëpresim çeljen e negociatave mes Komisionit Evropian dhe Vendeve të Ballkanit Perëndimor  për  marrëveshjet sektoriale  që synojnë  shtrirjen në rajonin tonë të regjimit të BE-së “Roaming si në shtëpi” (“Roam Like at Home”). Ne angazhohemi të ndërmarrim hapat e nevojshëm, në përputhje me kërkesat përkatëse të BE-së, për përfundimin e marrëveshjeve sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset e rajonit tonë, si dhe ata që vijnë nga vendet e BE-së në rajonin tonë, të përfitojnë nga shërbime të pandërprera dhe të përballueshme të komunikimit celular, me t’u përmbushur kushtet përkatëse.

Mirëpresim Paketën e Zgjerimit 2026 të BE-së dhe pohojmë se progresi i secilit partner drejt anëtarësimit në BE duhet të vlerësohet dhe të njihet mbi bazën e meritës të secilit, në përputhje me kriteret e përcaktuara të BE-së dhe vlerat evropiane, të mishëruara në Traktatin për Bashkimin Evropian. Mbështesim përparimin e mëtejshëm të secilit prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE, në mënyrë që asnjëri prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor të mos mbetet pas në procesin e anëtarësimit.

Gjithashtu, mirëpresim publikimin e shumëpritur të Komunikatës “Përgatitja për një Bashkim Evropian të zgjeruar” të Komisionit Evropian, së bashku me dokumentin “Rishikimi i Politikave për Përgatitjen për Zgjerim” që e shoqëron atë, dhe mbështesim propozimet e paraqitura në to. Plani i Rritjes dhe integrimi gradual në Tregun e Vetëm të BE-së duhet të përforcojnë procesin drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ndërsa procesi i integrimit evropian dhe procesi i anëtarësimit përparojnë, mundësia për integrim gradual duhet të pasqyrojë, gjithnjë e më shumë, nivelin e përgatitjes së secilit partner për të. Në këtë drejtim, mirëpresim propozimin e Komisionit Evropian për të nisur Dialogjet mbi Integrimin Gradual me partnerët e zgjerimit, me qëllim përcaktimin e qartë të mundësive dhe fushës së veprimit të nismave.

Mbi këtë bazë, dhe duke marrë në konsideratë rezultatet e Diskutimeve të Ministrave për integrimin evropian, ekonominë dhe turizmin, të zhvilluara paraprakisht në Tiranë, biem dakord për prioritetet e mëposhtme:

  1. Riafirmojmë angazhimin tonë për zbatimin e plotë dhe në kohë të Agjendave tona të Reformave dhe të shtatë prioriteteve për integrimin e tregjeve, në kuadër të Planit të Rritjes. Përgjegjësia e vendeve për reformat, institucionet efektive dhe pjesëmarrja e zgjeruar e bizneseve dhe shoqërisë janë thelbësore për shndërrimin e reformave prioritare në rezultate, me ndikim në mirëqenien e qytetarëve tanë. Prioritet të veçantë do t’i japim shtetit të së drejtës, të drejtave themelore, administratës publike dhe qeverisjes ekonomike me pjesëmarrje, teksa përmirësojmë klimën e investimeve, mundësinë për punësim dhe rritjen e qëndrueshme.
  2. Do të sigurojmë përdorimin efektiv të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, me qëllimin për të kthyer potencialin transformues të reformave në investime strategjike, duke përfshirë ato në ndërlidhje, energji, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, dhe për kohezionin social, si dhe angazhohemi për realizimin e tyre në kohë. Ne inkurajojmë mobilizim në kohë, të parashikueshëm dhe të bazuar në performancë të mbështetjes së disponueshme nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e zhvillimit, si dhe lidhjen më të mirë mes prioriteteve të reformave dhe projekteve të investimit.
  3. Mirëpresim qasjen, ende në zhvillim e sipër të BE-së ndaj Integrimit Gradual dhe punën për “Orientimin mbi Integrimin Gradual”. Përmes nismës “Autostrada drejt Tregut të Vetëm” (Single Market Highway), Dialogut Industrial BE–Ballkani Perëndimor dhe diskutimeve sektoriale me Komisionin Evropian, synojmë të krijojmë lidhje më të ngushta ndërmjet bizneseve tona dhe zinxhirëve evropianë të vlerës, të identifikojmë mundësi konkrete dhe me përfitim të ndërsjellë për pjesëmarrjen në Tregun e Vetëm përpara anëtarësimit, si dhe të tërheqim investime dhe biznese evropiane. Ne theksojmë rëndësinë, që politikat e reja të BE-së në fushën e industrisë dhe prokurimit publik të kontribuojnë në forcimin e integrimit të deritanishëm të ekonomive të Ballkanit Perëndimor në zinxhirët evropianë të vlerës dhe integrimin e mëtejshëm të tyre në Tregun e Vetëm të BE-së. Në këtë drejtim, nënvizojmë rëndësinë e njohjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor si partnerë ekonomikë të besuar të Bashkimit Evropian dhe përfshirjen e tyre në kuadrin e preferencave evropiane, duke marrë parasysh perspektivën e tyre të anëtarësimit dhe lidhjet e konsoliduara ekonomike me BE-në. Ne vlerësojmë mbështetjen që jep, sipas rastit, Akademia e Tregut të Vetëm, përparimin e punës me Marrëveshjet për Vlerësimin e Konformitetit dhe Pranimin e Produkteve Industriale (ACAAs), si dhe eliminimin e barrierave ndërmjet tregjeve tona.
  4. Riafirmojmë angazhimin tonë për bashkëpunimin rajonal dhe për Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028, për përparimin dhe përfundimin e punës me marrëveshjet dhe vendimet përkatëse, si dhe angazhimin tonë të përbashkët për zbatimin efektiv të marrëveshjeve tashmë të përfunduara, përfshirë ato në fushën e mobilitetit, njohjen e kualifikimeve dhe lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve rajonale për mobilitet, veçanërisht për lëvizjen e të rinjve dhe aksesin e tyre në arsim dhe punësim. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal janë thelbësor për përfitimet konkrete për bizneset dhe qytetarët, si dhe për të forcuar gatishmërinë e rajonit tonë për Tregun e Vetëm të BE-së. Kjo përbën gjithashtu, një kusht të domosdoshëm për integrimin gradual në disa nga elementët e Tregut të Vetëm. Në përputhje me parimet e Planit të Rritjes, asnjë partner i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të pengojë aksesin në Tregun e Vetëm të BE-së për pesë partnerët e tjerë.
  5. Riafirmojmë angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit për Korridoret e Gjelbra (Green Lanes) dhe për përshpejtimin e modernizimit të njëmbëdhjetë pikave prioritare të kalimit kufitar dhe pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, veçanërisht ato ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së, si dhe të pesë pikave të tjera të kalimit, brenda rajonit. Bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të BE-së fqinjë me BP6, si dhe partnerët rajonalë, veçanërisht përgjatë korridoreve strategjike të Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T), sjell kohë pritjeje më të shkurtra në kufi, kosto më të ulëta tregtare dhe transport më të shpejtë të mallrave, duke forcuar ndërlidhjen e rajonit tonë dhe integrimin e tij në Tregun e Vetëm të BE-së.
  6. Mirëpresim progresin mbi pjesëmarrjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimin e infrastrukturës për pagesat e menjëhershme, përfshirë TIPS Clone, për kë merr pjesë. Ne mbështesim punën me hapat e mbetur mbi gatishmërinë e sistemeve ekonomike të secilit, për t’i bërë pagesat ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.
  7. Po punojmë për të thelluar integrimin tonë në ekonominë digjitale të BE-së, përmes shërbimeve digjitale të sigurta dhe ndërveprueshmërinë, si dhe për progresin me portofolet digjitale të identitetit dhe shërbimet e besuara elektronike. Ne mirëpresim zhvillimet e reja në kuadër të nismës “WiFi për Ballkanin Perëndimor” (WiFi4WB), Qendrat e Inovacionit Digjital dhe “Fabrikat” e Inteligjencës Artificiale, si dhe e mirëpresim me interes forcimin e bashkëpunimit në fushën e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital, në mënyrë që bizneset, institucionet publike dhe qytetarët të përfitojnë nga teknologjitë e reja.
  8. Vlerësojmë se tregjet konkurruese dhe të ndërlidhura të energjisë, si dhe tranzicioni i gjelbër, janë thelbësore për konvergjencën tonë ekonomike dhe angazhohemi të forcojmë bashkëpunimin për integrimin e tregjeve të energjisë, energjinë e rinovueshme dhe dekarbonizimin industrial, për të adresuar njëkohësisht efektet e legjislacionit ekzistues, dhe atij të ri në zhvillim të BE-së në fushën e mjedisit dhe qëndrueshmërisë, përfshirë Mekanizmin e BE për Rregullimin e Kufirit të Karbonit (CBAM), tek konkurrueshmëria e industrive tona dhe integrimi i tyre në zinxhirët evropianë të vlerës. Ftojmë BE-në dhe institucionet financiare evropiane të ofrojnë mbështetje teknike dhe financiare të posaçme për investimet, sistemet dhe kapacitetet e nevojshme për të lehtësuar përmbushjen e kërkesave rregullatore, duke marrë në konsideratë flukset ekzistuese tregtare, si dhe për të siguruar një tranzicion të drejtë, të parashikueshëm dhe konkurrues.
  9. Vlerësojmë se turizmi është një mundësi e rëndësishme për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e lidhjeve brenda rajonit dhe me BE-në. Duke mirëpritur Strategjinë e re të BE-së për Turizmin e Qëndrueshëm, mbështesim promovimin e përbashkët të turizmit të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin në kuadër të Kornizës “Destinacioni Evropë” (“Destination Europe”), si edhe atë me Komisionin Evropian të Turizmit, dhe mundësitë për promovim të përbashkët në kuadër të Programit të Tregut të Vetëm, aty ku plotësohen kriteret e përfitimit prej tij. Ne angazhohemi të vijojmë përpjekjet për të mundësuar lëvizjen më të lehtë brenda rajonit dhe ndërmjet rajonit dhe BE-së, për promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të destinacioneve turistike dhe të trashëgimisë sonë natyrore e kulturore, sikurse edhe nëpërmjet bashkëpunimit në kuadër të Hapësirës së Përbashkët Evropiane të të Dhënave për Turizmin.
  10. Duke parë përtej vitit 2027, theksojmë nevojën për mbështetje financiare të përshtatshme, efektive dhe të parashikueshme nga BE-ja për reformat, investimet dhe konvergjencën, teksa Bashkimi Evropian miraton Kuadrin Financiar Shumëvjeçare 2028–2034. Ne i kushtojmë vëmendje Instrumentit të propozuar “Global Europe” dhe mirëpresim paketën financiare të Komisionit Evropian për anëtarësimin e Malit të Zi, që e konsiderojmë një shembull të rëndësishëm të planifikimit të hershëm financiar. Me këtë qasje, inkurajojmë zhvillimin në kohë të dialogut me secilin prej nesh në Ballkanin Perëndimor, teksa procesi i anëtarësimit dhe integrimit avancon, për të siguruar kështu vazhdimësinë e mbështetjes aktuale të para-anëtarësimit dhe instrumentet e ardhshme, si dhe për të siguruar financim të ri shumëvjeçar të drejtë dhe të parashikueshëm.
  11. Theksojmë rëndësinë e forcimit të sinergjive ndërmjet Planit të Rritjes, Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, Instrumentit për Reforma dhe Rritje, asistencës aktuale të para-anëtarësimit dhe instrumenteve të ardhshme të financimit të BE-së. Do të vijojmë përmirësimin e koordinimit mes prioriteteve kombëtare të investimeve me objektivat strategjikë evropianë, veçanërisht në fushat e energjisë, transportit, digjitalizimit, mbrojtjes së mjedisit, modernizimit industrial, inovacionit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
  12. Vlerësojmë kontributin e rëndësishëm të organizatave rajonale, si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA, Komuniteti i Transportit dhe Komuniteti i Energjisë, si dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve të tjerë për zhvillim, që mbështesin integrimin rajonal dhe evropian, si dhe inkurajojmë punën për maksimizimin e sinergjive dhe forcimin e bashkëpunimit që sjell ndikim.
  13. Nënvizojmë rëndësinë e ruajtjes së dialogut të rregullt politik dhe të angazhimit të palëkundur për zbatimin efektiv të Planit të Rritjes, Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028, dhe prioritetet e dala nga Diskutimet e Ministrave, të zhvilluara paraprakisht në Tiranë, përfshirë mbi konkurrueshmërinë, bashkëpunimin industrial, turizmin e qëndrueshëm dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së, si hapa konkretë drejt arritjes së synimit tonë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe integrimin evropian.

 

Do të vazhdojmë të bejmë së bashku Evropën realitet!

Miratuar në Tiranë, Shqipëri, më 27 nëntor 2026.

Lideret e Gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6)

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.