Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
* * *
-Modernizim i Infrastrukturës Rrugore sipas Standardeve të Bashkimit Europian
Nga ndërtimi i autostradave moderne te korridoret strategjike, Shqipëria drejt një rrjeti rrugor të sigurt, të integruar dhe konkurrues në nivel europian
Modernizimi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri përmes investimeve të reja që shkurtojnë distancat dhe çlirojnë potencialet zhvillimore të zonave të begata të vendit, ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i qeverisë, i jetëzuar përmes projekteve ambicioze,që kanë rivitalizuar gjatë periudhës 2019 – 2026, rreth 1000 kilometra të rrjetit rrugor kombëtar, teksa rreth 40 kantiere janë të hapura aktualisht në të gjithë vendin.
Ndërkohë që transformimi urban i qyteteve është një rrugëtim që vijon me projekte të reja që zhvillohen paralelisht në rrugë, lagje dhe sheshe të bashkive në mbarë vendin, duke përfshirë si infrastrukturën e rrugëve kryesore, ashtu dhe atyre dytësore që mundësojnë aksesin e lehtësuar në zonat e banuara.
Rrugët ndërqytetëse një infrastrukturë e rëndësishme e komunikimit, janë gjithashtu pjesë e transformimit urban përmes investimeve të reja.
Në tërësi, modernizimi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri po zhvillohet mbi një vizion të qartë: ndërtimin e një rrjeti rrugor sipas standardeve të Bashkimit Europian, që garanton siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet në lëvizje.
Projektet strategjike të ndërmarra në të gjithë vendin, nuk synojnë vetëm zgjerimin e rrjetit ekzistues, por transformimin e tij në përputhje me normat dhe praktikat më të mira europiane, duke e bërë Shqipërinë pjesë funksionale të korridoreve rajonale dhe kontinentale të transportit.
Konkretisht, projekte të tilla si lidhja Tiranë–Tuneli i Kërrabës dhe segmentet Elbasan–Rrogozhinë e Elbasan–Qafë Thanë, të cilat pritet të përfundojnë në vitin 2027 dhe që aktualisht kanë ecuri mbi 60%, janë shembuj të qartë të këtij orientimi drejt standardeve të BE-së.
Po kështu, akset Elbasan–Banjë, Korçë–Ersekë, Berat–Skrapar dhe Berat–Ballaban janë ndërtuar për të përmbushur kërkesat bashkëkohore për infrastrukturë të sigurt dhe të qëndrueshme.
Ndërtimi i bypass-eve dhe unazave urbane, si ato të Fierit, Vlorës, Tepelenës dhe Shkodrës, së bashku me Unazën e Madhe të Tiranës dhe segmentin e parë të Bypass-it të Tiranës (Vaqarr–Kashar), është bërë sipas standardeve bashkëkohore në menaxhimin e trafikut dhe reduktimin e ndotjes në zonat urbane.
Në të njëjtën kohë, projektet madhore si Rruga e Arbrit, Thumanë–Kashar dhe segmentet e Korridorit Blu (Balldren–Milot, Milot–Thumanë, Kashar–Lekaj, Lekaj–Fier) janë konceptuar si pjesë e rrjeteve të integruara europiane, duke respektuar parametrat teknikë të autostradave moderne, përfshirë kapacitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë.
Vepra inxhinierike si Tuneli i Llogarasë, Ura e Kukësit dhe viaduktet e Rrugës së Kombit përfaqësojnë nivelin më të lartë të standardeve të ndërtimit, duke garantuar jo vetëm funksionalitet, por edhe jetëgjatësi dhe siguri maksimale për përdoruesit.
Një rëndësi të veçantë kanë edhe akset turistike, si Orikum–Dukat, Palasë–Dhërmi, Kardhiq–Delvinë dhe rruga e Ksamilit, si dhe projekte si Bypass-i i Sarandës dhe rruga e Komanit, të cilat janë ndërtuar duke respektuar standardet europiane për akses, siguri dhe mbrojtje të mjedisit.
Ndërkohë, projektet në veri dhe verilindje, si Bulqizë–Martanesh, Maqellarë–Peshkopi, Maliq–Lozhan dhe Ura e Bacallekut–Kthesa e Bërdicës, po lehtësojnë ndjeshëm aksesin e zonave dhe po sjellin standarde të njëjta infrastrukturore në të gjithë territorin e vendit.
Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës dhe segmenti Ndroq–Plepa janë ndërhyrje që synojnë përballimin e flukseve të larta të trafikut, duke përmbushur kriteret europiane për kapacitet dhe siguri.
Transformimi i infrastrukturës rrugore nuk është vetëm një proces ndërtimi, por një standardizim i plotë sipas modeleve të Bashkimit Europian. Ai krijon një rrjet modern, të sigurt dhe të integruar, që i shërben zhvillimit ekonomik, rrit konkurrueshmërinë e vendit dhe përshpejton rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.