Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Procesi i vaksinimit të mësuesve është intensifikuar, ndërkohë që javën e ardhshme pritet të nisë edhe vaksinimi masiv. Aktualisht numri i të vaksinuarve ka arritur në 52 mijë. Nga Kamza, ku Kryeministri Rama ishte për të parë nga afër ecurinë e procesit të vaksinimit të mësuesve, u shpreh se pavarësisht turbullirës së krijuar, “të gjithë kryeministrat e atyre vendeve që e pezulluan, po e bëjnë vetë, për të thënë që është në rregull”.

Ministrja Manastirliu dha lajmin se javën tjetër do të nisë vaksinimi masiv falë blerjes së dozave nga distributorët e autorizuar.

“Këtu në Kamëz kemi rreth 1000 mësues që janë duke u vaksinuar. Në total, numri i mësuesve të vaksinuar është mbi 14 mijë. Në gjithë vendin tashmë është duke u realizuar ky proces në mënyrë që të 38 mijë mësuesit të vaksinohen.  Edhe të gjithë ata që kanë evituar herën e parë kanë ardhur për t’u regjistruar dhe ne i kemi vendosur të parët në listë, siç kanë qenë”.

Në gjithë vendin janë kryer mbi 52 mijë vaksinime deri më tani me synim këputjen e zinxhirit të infektueshmërisë nga virusi COVID-19.

“E kam në majë të gjuhës lajmin, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, që janë pika më e dobët e çdo familjeje nga pikëpamja e dashurisë dhe e kujdesit, por dhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika më e dobët. Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshet dhe gjyshërit është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes time në punë gjatë gjithë kësaj periudhe. Me ndihmën e Zotit dhe me ndihëm e miqve e me këmbënguljen tonë besoj që lajmi i mirë do dalin nga goja më në fund”, – tha Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.