Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim Presidentin e Senatit të Francës z. Jean-Pierre Bel
Ndërsa shprehën kënaqësinë për këtë takim, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Senatit të Francës z. Jean-Pierre vlerësuan miqësinë dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe shprehën angazhim për çuarjen më tej të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Perspektiva evropiane e Shqipërisë ishte në fokus të këtij takimi, për të cilën zoti Jean-Pierre Bel e siguroi Kryeministrin Rama se ka mbështetjen e Francës. Dhe lidhur me këtë, zoti Jean-Pierre Bel tha se vendimin e dhjetorit për statusin e vendit kandidat për Shqipërisë nuk e ka parë si një “Jo”, por si vazhdim të një procesi dhe si dhënien e më shumë kohe për konsolidimin e reformave.
Kryeministri Rama i shprehu z. Jean-Pierre Bel mirënjohje për mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë në vite dhe e falënderoi për mbështetjen që angazhohet t’i japë edhe në vijim. Në takim, Kryeministri Rama e njohu zotin Jean-Pierre Bel me reformat e ndërmarra nga Qeveria në përmbushjen e të gjitha detyrave dhe kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian, veçanërisht në luftën kundër kriminalitetit, luftën kundër korrupsionit, krijimin e një administrate profesioniste dhe të pavarur, reformën në sistemin e drejtësisë, si dhe reforma në fusha të tjera të rëndësishme, dhe në këtë kuadër kërkoi edhe mbështetjen e Francës. Kryeministri theksoi se reformat e ndërmarra kanë nisur tashmë të japin edhe efektet e tyre të para pozitive, siç janë ato në luftën kundër kriminalitetit dhe reforma në polici.
Kryeministri Rama dhe Presidenti i Senatit të Francës diskutuan edhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimin në fushën ekonomike. Kryeministri theksoi se Shqipëria mbart potenciale të mëdha dhe është një vend shumë i përshtatshëm për investime, ndaj investitorët francezë janë të mirëpritur për të investuar dhe për ta shndërruar Shqipërinë në një portë hyrëse të investimeve franceze në rajonin tonë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.