Takimi publik i Kryeministrit Edi Rama në Lushnje për ciklin kombëtar Bashkia që Duam:
Shumë faleminderit për mikpritjen!
Shumë faleminderit për besimin dhe për mbështetjen tuaj!
Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu, në rrugëtimin tonë të këtij cikli takimesh publike për Bashkinë që Duam, sepse ne detyrimet tona i kemi ndaj jush dhe një nga detyrimet është që ne t’ju flasim dhe t’ju dëgjojmë dhe pasi t’ju dëgjojmë, mos të harrojmë të mbajmë mend gjithçka që ju na thoni dhe mbi të gjitha, ato që na ndihmojnë të kuptojmë se ku duhet të bëjmë më shumë dhe si duhet t’i bëjmë gjërat, apo dhe ku kemi gabuar.
Ne nuk jemi të përsosur dhe asnjë qeveri nuk është e pagabueshme. Qeveria jonë ka bërë dhe gabime dhe ne jemi shumë krenarë që kemi ditur të reflektojmë, kemi ditur të kërkojmë edhe ndjesë dhe kemi ditur të reagojmë. Ashtu sikundër, unë jam shumë krenar që në këtë territor, qoftë në Lushnje, qoftë në Divjakë, në këto dy bashki, ne kemi bërë një transformim të madh. Por ky transformim do të ishte i pamundur, nëse nuk do kishim këtu dy djem që i keni zgjedhur juve dhe nëse s’do kishim këtu edhe përfaqësues të denjë të Partisë Socialiste që e përfaqësojnë këtë komunitet në Parlament, të cilët janë të lidhur me ju ngushtësisht.
Më vjen shumë mirë që sot, në krahun tim të djathtë në qeveri është Erioni, sepse ia njoh shumë mirë ndershmërinë, por edhe këmbënguljen e madhe, ashtu sikundër ishte koha për ta ndarë pak me Divjakën, se Divjaka na u bë si kryeqytet i të gjithë halleve dhe i të gjitha energjive tona. Në fakt, e vërteta është se qoftë në Divjakë, qoftë këtu, transformimi flet vetë. Nuk diskutohet që edhe në Divjakë, edhe këtu ka ende shumë për të bërë. Nuk diskutohet që hallet e problemet nuk kanë të sosur, por mjafton të kthesh kokën rreth e rrotull dhe të kujtohesh si ishte ky territor vetëm 4 vite më parë dhe kushdo që nuk ka kohë të rrijë të mendojë gjatë ku është dallimi mes nesh dhe atyre që sot janë arratisur nga detyra për të përfaqësuar demokratët e Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë, – megjithëse demokratët e Lushnjës në fakt nuk janë krejt të papërfaqësuar, se, ndodhi si ndodhi, unë nuk e di si ndodhi, por i vetmi me dy pare mend në kokë na doli Myslym Murrizi. Sidoqoftë do kisha dashur ta kisha thënë unë, jo ai, atë shprehjen “u nisën për të rrëzuar Edi Ramën dhe rrëzuan mua”, se në fakt ky ishte revolucioni. Mjafton të bëni krahasimin, kjo që është sot jemi ne, ajo që ishte dje janë ata.
Për ta bërë më mirë nesër, kush mund ta bëjë?
Ne që e sollëm deri këtu, sot, apo ata që e lanë aty ku e gjetën dje?
Me ata ka vetëm të shkuar, kurse ne dhe ju jemi e vetmja fuqi e bashkuar që mund të sjellë të ardhmen.
I numëroi kryetari i bashkisë gjërat që janë bërë dhe zëvendëskryeministri çka është bërë në nivelin kombëtar, për të lehtësuar njerëzit e punës nga taksat, për t’i mbështetur. Njësoj siç flasim për ndryshimin e territorit, mund të flasim për ndryshimin në jetën e secilit. Nuk e diskutoj që askush sot nuk merr rrogën që do donte të merrte, ose që ne do donim të jepnim. Duhet të jetë më e lartë, por, nga infermieret te mësueset dhe tek të gjithë me radhë, mjafton të bëjnë dy llogari, sa taksa paguanin nga rroga përpara sesa ne të merrnim besimin e shumicës dhe sa paguajnë sot. Deri dje paguanin më shumë taksa infermieret dhe mësueset sesa kryeministri dhe zëvendëskryeministri. Sot është e kundërta dhe këtë e bëmë. Mjafton të bëjmë llogari sa rrogë merrnin dhe sa marrin. Patjetër që sëbashku do të bëjmë që të marrin dhe më shumë nesër, por hap pas hapi.
Nga ana tjetër dua t’ju siguroj të gjithëve se e ndjej dhe e lexoj nga shumë mesazhe që marr, e dëgjoj nga shumë njerëz që takoj, që druhen se mos ne tërhiqemi. Nga çfarë mund të tërhiqemi ne? Nga kontrata që kemi me ju?! Nga kontrata që kemi me shumicën e shqiptarëve që na e dhanë votën për të qeverisur të vetëm, pikërisht se erdhi dita që të qeverisim me njerëzit dhe jo me partitë që pushtetin e njerëzve e kthyen në një tepsi të madhe?
Ne nuk mund të tërhiqemi nga ky detyrim!
Ashtu sikundër ne nuk mund të tërhiqemi nga detyrimi që kemi marrë në bazë të kontratës së zgjedhjeve për ta çuar deri në fund reformën në drejtësi. Është aty ku fle lepuri i madh i frikës së atyre që sot kanë ikur nga parlamenti dhe vijnë te dera e Parlamentit për të protestuar, ndërkohë që ishin brenda në parlament, tani vijnë te dera dhe thonë jemi populli, se iu gënjen mendja se do fshihen mes popullit kur të vijë dita që të japin llogari përpara drejtësisë, por kjo nuk ka për të ndodhur.
Shumëkush sot me të drejtë është i paduruar është dhe i mërzitur, sepse priste që gjërat të lëviznin më shpejt dhe priste që sot disa prej tyre të mos ishin më rrugëve, por të ishin aty ku e kanë vendin për të gjitha ato që kanë bërë. Mirëpo në sistemin që kemi zgjedhur miqtë e mi, nuk është qeveria që i bën këto, është drejtësia. Qeveria bën, ose nuk bën atë që duhet për të pasur një sistem drejtësie të drejtë. Ne kemi bërë atë që duhet, por dhe atë që askush nuk e imagjinonte dot më parë dhe e kemi bërë falë forcës tuaj.
Kemi nisur një reformë në drejtësi për të cilën ishim gati të prishnim edhe qeverinë me ata që kishim më parë në krah, sepse ata nuk e donin reformën në drejtësi. Ashtu sikundër sot, vërtet që askush ende nuk ka shkuar të japë llogari përpara drejtësisë nga politikanët, por janë dhjetëra e dhjetëra gjykatës e prokurorë nga ata që drejtësinë e kishin kthyer në ndërmarrje fitimprurëse që janë.
Shumëkush thotë, pse, kaq ishte, sa për t’i pushuar ata nga puna? Jo, nuk ishte kaq. Kjo është faza kur po pastrohet pallati i drejtësisë, po ndahen gjykatësit e prokurorët e ndershëm, që kanë integritet profesional dhe që do të marrin në dorë sistemin e ri që ne kemi ngritur, nga ata që do të përgjigjen përpara sistemit të ri për të gjitha ato që kanë bërë, të jeni të sigurt, qofshin gjykatës, qofshin prokurorë, qofshin politikanë, qofshin biznesmenë, qofshin kush qofshin, sepse Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë pafund vendi ku kush bën zullume ia del dhe kush është i ndershëm dhe i drejtë, shpeshherë nuk arrin dot të kapë fundin e muajit.
Ata zgjodhën të ikin. Ne nuk mundet veçse të urojmë udhë të mbarë, pavarësisht se udha e tyre është e mbrapshtë dhe në udhën e tyre të mbrapshtë ata do të pendohen, por është puna e tyre.
Zgjodhën të ikin dhe unë besoj që shqiptarët nuk kanë humbur asgjë. Përkundrazi.
Ashtu sikundër ne kemi zgjedhur të mos bëjmë debate me ta në asnjë televizion, në asnjë radio, në asnjë instancë. Boll janë çmendur njerëzit duke dëgjuar ato debate shterpë, shaj e shaj, shpif e shpif, që meruan familjet shqiptare çdo natë, kudo ku çojnë telekomandë.
Boll! Boll! Boll!
Nuk kemi debat me ta.
Ne debatin e kemi me njerëzit.
Opozita jonë nuk janë ata.
Opozita jonë janë hallet dhe problemet e njerëzve.
Ne betejën e kemi me punësimin e më shumë njerëzve.
Ne betejën e kemi me nxjerrjen e të gjithëve na varfëria.
Ne betejën e kemi me injorancën dhe me plagët që ata i krijuan dhe i inspektuan në trupin e Shqipërisë. Nuk kemi betejë ne me ta.
Ata e braktisën fushë betejën, që është beteja e ideve, programeve, e alternativave në Parlament. E braktisën sepse jo vetëm ata duan rrëmujë, jo vetëm ata duan tym, mjegull, kaos, që të përzihen mes popullit dhe të mos i shohë më kush dhe papritur e pakujtuar t’ju duken si popull dhe si përfaqësues populli, por edhe ata e dinë që betejat me ne nuk i fitojnë dot.
Jemi në prag të zgjedhjeve dhe ata me ne zgjedhjet nuk i fitojnë dot. S’kanë se si i fitojnë, jo sepse blejmë zgjedhjet, por sepse ne thjesht jemi më të mirë, më të zotë, më të fortë se ata.
A ishte apo s’ishte një vit e gjysmë më parë, kur ua dhamë gjithçka kërkuan. Morën gjysmën e qeverisë, morën Ministrinë e Brendshme, të gjitha ministritë me administratë të madhe, ku ata mendonin se ne influenconim zgjedhjet. Si kurrë më parë, administrata u kyç nëpër zyra dhe kushdo që doli dhe u pa në një fushatë, i kujtdo partie, u ndëshkua. Morën dhe disa drejtori të mëdha. I morën të gjitha ato që kërkuan. Mund të kërkonin edhe më shumë. Mund të merrnin edhe më shumë. Ato kërkuan, ato morën.
Ua dhamë ato vetëm për një qëllim; Kush fiton qeveris. Kush humbet bën opozitë. Zgjedhjet nuk mund të kontestohen dhe nuk shahet më Shqipëria në gjuhë të huaj. Për këto ua dhamë. Humbën. E kaluan verën të trullosur nga humbja. Filluan ato hesapet e tyre me njëri-tjetrin dhe filloi përsëri avazi i vjetër, zgjedhjet “na i morën”, “na i vodhën”, “na i blenë” dhe nxi e shkri Shqipërinë në gjuhë të huaj. Turp! Turp sa s’ka!
Ato që ndodhën dhe të gjitha ato që bëhen, para që paguhen, energji që konsumohen, nuk dëmtojnë qeverinë, dëmtojnë çdo shqiptar që jeton këtu me punën, çdo shqiptar që ka një biznes, një dyqan, një hotel, çdo shqiptar që pret të rritet konsumi, turizmi, që pret të rritet numri i vizitorëve. Dëmtojnë çdokënd këtu në Divjakë, në Berat, Fier, Vlorë, Sarandë, Tiranë e kudo, sepse dekurajojnë ata që vijnë në Shqipëri. Nëse në të gjithë këto vitet e fundit kemi pasur rritje të turizmit, që do të thotë që kemi pasur rritje të ekonomisë, të punësimit, të shitblerjeve brenda vendit, të njerëzve që merren me sipërmarrjen, nëse turimi goditet, goditen njerëzit, goditet ekonomia e të gjithë atyre që jetojnë me sipërmarrje të lidhura me turizmin.
Goditen shpresat dhe perspektiva e shumëkujt që pret të ketë një punë të paguar më mirë dhe punën e paguar më mirë mund ta kemi duke rritur më shumë ekonominë dhe investimet. Goditet çdokush dhe kjo goditje nuk pyet a je socialist, a je demokrat, a ke votuar për PS, apo për PD. Kjo goditje të vjen dhe të merr përpara, pavarësisht bindjeve të tua politike, sepse prek aty ku s’preket, prek drejtpërdrejtë ekonominë tënde familjare, prek bukën e fëmijëve të tu. Ata qorra që i binin me kokë murit të Kryeministrisë, të nxitur nga qorrat që kishin pas, s’kanë çfarë i bëjnë as murit të Kryeministrisë, as qeverisë, por në fakt i kanë rënë këmbëve, ekonomisë, duke e penguar të ecë ashtu siç duhet gjatë këtyre ditëve, gjatë këtyre javëve dhe duke çuar një mesazh jashtëzakonisht të keq jashtë Shqipërisë, mos ejani në Shqipëri të bëni turizëm, mos ejani të investoni, se në Shqipëri, shikoni që njerëzit iu bien mureve me kokë. Ky është dëmi që ata bëjnë.
Prandaj iu them atyre që u shkojnë pas, kujt i shkoni pas?
Lulit i shkoni pas?
Jo, ata i shkojnë mbrapa Lulit, se Luli i shkon mbrapa Monikës dhe këtu në Lushnje, sidomos, është vend i duhur për të thënë, ej, Monika që ngre sytë nga qielli thotë o Zot, mbroji shqiptarët nga blerja e votës, por kemi provën që Zoti nuk fut hundët në zgjedhje, se po të merrej me zgjedhje Zoti, Monikës do i kishte rënë rrufeja, larg qoftë, se po të merrej me zgjedhje, gjëja e parë, çfarë do bënte Zoti? Do kyçte Monikën në shtëpi, minimumi.
I shkohet mbrapa atyre? Për ku? Pas Berihait? Përse?
Del Luli thotë po përgatitet arrestimi i filanit. Mos! Mirë, po kur sheh që ka dhe njerëz që janë gati t’i bien me kokë murit, duke mbyllur sytë për Lulin, atëherë është përgjegjësi shumë e madhe.
Duhet realisht të bëjmë çmos që edhe atyre njerëzve t’u hapim sytë dhe t’ju themi që është dëm patjetër, për cilësinë e demokracisë dhe të qeverisës që të kesh një opozitë kaq të çoroditur. Por nga ana tjetër opozitën nuk e zgjedhim. Ju që e zgjidhni, mblidheni mendjen dhe mos e zgjidhni më ashtu siç është se ndryshe dëmtoni veten.
Është koha që të bëhemi bashkë dhe të mbrojmë çka kemi ndërtuar, jo për qeverinë. Qeverisë ata nuk kanë çfarë i bëjnë fare. Çfarë do i bëjnë qeverisë? Do i bien me kokë mureve? Apo do dali ai, se e kemi edhe emrin njësoj, më ka hyrë dhe në fushën e bojërave, çfarë do i bëj? Do i gjuaj me shiringë? Çfarë do bëjnë? Asgjë.
Flijeni mendjen njerëz, ata nuk dëmtojnë dot qeverinë. Ata dëmtojnë drejtpërdrejtë ju. Ata e kanë me të gjithë ju sepse thjesht dhe vetëm, ata nuk dinë të bëjnë asgjë nga ajo që kanë bërë më parë. Nuk janë fëmijë të vegjël që thua e bëri fëmija gabimin, do rritet, do kuptojë. Janë burra që ç’të të them. Janë rrugës së pensionit dhe sa herë kanë pasur diçka në dorë, kanë bërë të njëjtën gjë. Çfarë kanë pasur në dorë e kanë marrë e kanë prishur. Më tregoni një vend. Më tregoni një rast, kur morën në dorë diçka dhe e rregulluan. Më tregoni një, më thoni një. Kur? Ku? Më tregoni një qytet që e morën në dorë dhe e rregulluan. Më tregoni një komunë që e morën në dorë dhe e rregulluan. Më tregoni Shqipërinë, kur e morën në dorë dhe e rregulluan.
Patjetër që Shqipëria, për t’u bërë ajo që duam, ka ende shumë punë, do ende shumë durim, do ende shumë sakrifica. Patjetër që ne nuk jemi të përkryer. Nuk kemi rënë nga qielli, por të krahasosh ne me ata, është gabim dhe mbi të gjitha është t’i biesh këmbëve të tua. Pavarësisht se, si do të doje ti të ishte. Pavarësisht se mund të jesh i djathtë apo mund të jesh i majtë. Ku hyn këtu e majta dhe e djathta? Nuk hyn fare. Këtu nuk është punë të majtësh dhe të djathtësh. Këtu është punë njerëzish që shohin, që dëgjojnë, që dinë drejtimin dhe njerëzish që nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk dinë drejtimin, por janë si ai i mbyturi që të mbyt. Kush shkon pas tyre shkon pas të mbyturit që të mbyt.
Ata janë të mbytur. Si mund të shkosh mbas të mbyturit për të shpëtuar?
Nuk shkon dot. Po shkove mbytesh.
E fundit që kam, është ajo që thashë në fillim dhe që u përpoqa të them gjatë gjithë kohës. Unë e di shumë mirë që nuk mund të jemi dot krenar pra jush se sa mirë janë zyrat e shërbimeve të qeverisë edhe këtu në Lushnje.
Ka disa që funksionojnë mirë, ka të tjera që funksionojnë keq. Edhe këtu edhe në gjithë Shqipërinë, ne po bëjmë çmos që të përmirësojmë shërbimin. Nuk e kam harruar që kur ju kam thënë që na e jepni votën vetëm, që ti nxjerrim jashtë parazitët dhe grabitqarët nga zyrat e shtetit he aty të jenë njerëzit që ju shërbejnë ju siç e meritoni, nuk e kam harruar, por e di shumë mirë që ende sot, nuk ka ndryshuar sa duhet. Ama në ndërkohë, sot, cilido që shkon në një zyrë dhe nuk e gjen dot të drejtën, nuk është vetëm.
Mjafton që të çojë një sinjal tek www.Shqipëriaqëduam dhe menjëherë në krah ka qeverinë dhe menjëherë qeveria reagon. Para se të vinim këtu, ishim tek shkolla Kongresi i Lushnjës, ish shkollë muzike e famshme. Kanë filluar prapë kurset e muzikës sepse një prind u angazhua dhe na shkruajti tek “Shqipëria që duam” Idetë shpesh herë janë tamam si veza e Kolombit, por do thoni ju, pse u desh që një prind të kujtohej, të shkruante, pse nuk i shkon mendja qeverisë, ministrisë, deputetëve që ne ju paguajmë, por kjo është bukuria e demokracisë. Bukuria e demokracisë qëndron në faktin që qytetarët të mos jenë të pushtetshëm vetëm ditën që zgjedhim, por të jenë të pushtetshëm gjatë gjithë kohës. Shumica të mos mendojë për qytetarët, parlamenti të mos mendojë për qytetarët vetëm ditën kur zgjidhet, por të mendojë gjatë gjithë kohës dhe ata që qeverisin, gjatë gjithë kohës t’i dëgjojnë qytetarët sepse nuk i dinë të gjitha dhe shpeshherë, një njeri i zakonshëm që nuk e njeh që nuk e di se kush është, që e takon rastësisht, të jep një ide që gjithë qeveria, gjithë parlamenti nuk e ka dhe sot atje ka rilindur gjithë tradita e muzikës. Po jap një shembull, por mund të jap dhe plot shembuj të tjerë. Këtu kemi dikë që mund të na tregojë konkretisht se si ka funksionuar për të platforma e bashkëqeverisjes.
– Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Rudina. Kam shkruar tek bashkëqeverisja për një problem që kisha në familjen time për një mbi faturim. Sahati na shënonte 540 kë mirëpo ne na kishte ardhur mbi 4000 kë. Bëmë disa ankesa dhe pas gjithë verifikimeve që kishin bërë, nuk na u zgjidh problemi. Dëgjuam për platformën e bashkëqeverisjes dhe djali im shkroi për problemin që kishim. Për dy javë në vjen përgjigja dhe kur erdhi fatura e radhës na erdhi me debi 0. Unë kisha që në 2002 që nuk po e zgjidhja dot këtë problem dhe i falënderoj shumë të gjithë gocat e platformën që e bënë të mundur këtë gjë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit|! Gocat e platformës janë shumë të zonja, por platforma nuk do ekzistonte nëse ju nuk do kishit votuar që Partia Socialiste të qeverisi pa të tjerë në prehër. Po të kishim të tjerë në prehër, gocat do ishin pa punë dhe ata në prehër nuk do merreshin me hallet e njerëzve po do vazhdonin të merreshin me ato që janë marrë gjithmonë. Ndërkohë që patjetër do jetë kështu, që administrata do reagojë shumë më shpejtë dhe shumë më mirë për qytetarët, por sa kohë kjo nuk ndodh, njerëz të zakonshëm si zonja, nga 2002, ku përplasen dhe ku përplaseshit më parë? Si e zgjidhnit më parë? Nuk e zgjidhnin dot. Ose duhet të paguanin, ose duhet të kërkonin ndonjë krushkë ose duhet të shkonin direkt tek Monika dhe tek Luli, tek partitë e tyre. Ndërkohë që sot është shumë e thjeshtë, mjafton një sinjal, 2-3 minuta punë dhe menjëherë qeveria, ministri përkatës në rastin konkret ka qenë ose është Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës që ka reaguar dhe zonja ka zgjidhur një problem që kishte 15 vjet. Kështu ne bëjmë çdo ditë. Zgjidhim çdo ditë qindra e qindra raste. Mijëra raste kemi zgjidhur që kur ka filluar kjo punë. Janë raste njerëzish, duken raste të parëndësishme, por që për një familje janë shumë të rëndësishme.
– Faleminderit Kryeministër. Kam pasur një hall të madh me vajzën time për arsye shëndetësore dhe mu largua jashtë shtetit. Më dha një provim të klasës së nëntë dhe kishte dy provimet e letërsisë dhe të matematikës. Nuk po i jepte dot, nuk gjetëm zgjidhje, nuk na jepnin drejtim. U drejtuam platformës qeverisëse dhe na zgjidhën hallin. Na lanë ditën për provimet. Pastaj vajza vazhdonte vitin e parë, por nuk ishte e regjistruar. Ishte si dëgjuese. Vajta përsëri tek platforma dhe u zgjidh halli. Brenda 5 ditësh më kthyen përgjigje.
Kryeministri Edi Rama: Dhe rasti më i freskët. Rasti më i freskët është që kemi pasur dy protesta së fundmi. Vajzat dhe djemve të të gjithë këtij populli, vajzat dhe djemve të socialistë apo demokratë dhe një protestë të këtyre të arratisurve. Protesta e studentëve ishte një protestë e vërtetë me probleme të vërteta dhe me qëllime prej vërteti dhe ne e dëgjuam me shumë vëmendje atë protestë dhe morëm masat që të reagojmë ashtu siç duhet. Studentët në atë protestë, vendosën në rendin e ditës së qeverisë diçka që ne nuk e kishim në rendin e ditës, por që ishte shumë e rëndësishme. Sot, falë faktit që Shqipëria ka një qeveri që nuk i vret protestuesit, por protestuesve u jep të drejtë kur kanë të drejtë, familjet shqiptare që kanë fëmijë studentë paguajnë tarifë të përgjysmuar. Ata që i kanë fëmijët me 9-10 paguajnë zero sepse paguan qeveria 100% të tarifës së tyre dhe u jep dhe 100 mijë lekë bursë. Ata që janë me ndihmë ekonomike paguajnë zero sepse paguan qeveria për fëmijët e tyre dhe u jep edhe 100 mijë lekë bursë në muaj. Dhe për gjithë fëmijët që janë me kategori të vençatë e kështu me radhë, paguajmë ne dhe u japim edhe 100 mijë lekë bursë në muaj. Kjo është qeveria e lindur nga vullneti për të qeverisur bashkë me njerëzit. Ndërkohë ajo protestë, tregoi qartë se kush është qeveria dhe kush është opozita.
Studentët e thanë shumë qartë. Qeveria ka të meta, qeveria nuk ka bërë aq sa duhet për ne, por ne nuk kërkojmë largimin e kësaj qeverie se vetëm kjo qeveri mund të na zgjidhë ato që kërkojmë ndërkohë e thanë shumë qartë. Luli, Mona dhe të tjerët të mos guxojnë të afrohen se nuk duam t’ju shohim as bojën e t’ju dëgjojmë as erën. Dhe kjo është opozita e parë që unë di, jo në Shqipëri, por dhe me të lexuar e me të parë, që nuk pranohet nga protestuesit. Sepse nuk është opozitë e njerëzve, për njerëzit dhe me njerëzit, por është një grusht i bashkuar thjeshtë dhe vetëm për ëndrrën e pamundur të rimarrjes së pushtetit të vjetër e për t’i ikur drejtësisë.
Kjo është arsyeja pse ata janë të dënuar të dështojnë dhe sado mund ta dëmtojnë Shqipërinë në këtë rrugë, asgjë tjetër nuk mund të bëjnë sepse ne nuk na ndalin dot dhe kur them ne, nuk flas për vete, nuk flas për ne në podium e në tribunë por flas ju dhe ne. Ne të bashkuar me të gjithë shqiptarët që duan tja dalin kësaj lufte të gjatë mes së mirës që mund ta ndërtojmë të gjithë sëbashku dhe të keqes që na ka zënë rrugën për kaq shumë vite e që na vjen vërdallë nëpër këmbë. Do të doja shumë që të vazhdonim sot si në rastet e tjera, por siç e dini, siç mund ta keni marrë vesh, kemi parlament sot, sepse ne nuk duam konflikt. Ne nuk duam përballje nga ato përballje primitive që kanë ata në kokë dhe parlamenti i çliruar më në fund prej tyre do të jetë vendi ku do mund të flasim për ju, do jetë vendi ku mund të flasim për problemet reale të njerëzve, do jetë vendi ku do mund të flasim për çështje që njerëzve u intereson t’i dëgjojnë dhe jo vendi e lagu nuk e lagu, jo vendi “kriminel, kriminel, hajdut, hajdut, drogë, drogë”. Jo vendi ku “hajdutët bërtasin kapni hajdutin”, por një vend ku higjiena do të jetë e garantuar.
Shumë faleminderit të gjithëve!