Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Novosela e Vlorës, e njohur historikisht si vatra e përmbytjeve katastrofike, këto ditë reshjesh ofron një panoramë normale, falë investimeve dhe punës me zhbllokimin e kanaleve kryesore, pas dekadash taposjeje nga hedhurinat.

Në Novoselë, u ndal Kryeministri Edi Rama, i cili u njoh nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli me situatën e krijuar nga reshjet, e cila është në kontroll të plotë.

“Jemi në Novoselë, aty ku situata e përmbytjeve është një histori e treguar vit pas viti, por kanali është në çdo moment informues për situatën e nivelit të reshjeve dhe nivelit të Vjosës. Ajo që kemi parë këto ditë është që niveli i Vjosës arriti maksimumin para dy ditësh me 7.2 metra. Aktualisht është 6.7 metra me një rritje të lehtë gjatë ditës së sotme për arsye të nivelit të lartë të prurjeve që ka patur në zonën e Tepelenës dhe të Memaliajt. Pavarësisht kësaj, situata ka qënë nën kontroll dhe nuk ka patur problem. Gjithashtu, janë evakuuar të gjitha familjet, (10 familje) që kanë ndërtuar në shtratin e lumit.”

Ndërsa vlerësoi punën e bërë, Kryeministri Rama tha se  nëse këtu nuk do ishin bërë gjithë këto punë me gjithë zhbllokimin e kanaleve dhe me investimet, me reshjet e këtyre ditëve, situata do të ishte dramatike.

Kryebashkiaku Leli tregoi për investimet e reja që pritet të nisin dhe që do të mbrojnë zonat pranë nga përmbytjet. “Ajo që dua t’u tregoj është vetëm pak metra më larg, ngjitur me urën. Është investimi i ri që do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Është 490 milionë lekë të vjetra, i cili është tenderuar është zgjedhur firma fituese dhe presim pushimin  e reshjeve që të fillojë investimi. Kjo mbron të gjithë zonën e fshatit Vitore që ka qënë një nga zonat më të përmbytura dhe më  problematike në të gjithë territorin. Gjithashtu, në pjesën e zonës së Mifolit ishte gjithashtu një pjesë që përmbytej gjatë çdo rasti reshjesh, u investuan 1 vit e gjysmë më parë rreth 900 milionë lekë të vjetra nga qeveria shqiptare.” – u shpreh Leli.

Investimet do të vazhdojnë, ndërkohë që Ura e Mifolit me segmentet e rrugës në hyrje e dalje të saj, do të kthehen në shëtitore e njëkohësisht pikë turistike së shpejti. Për këtë, Kryeministri Rama sugjeroi hartimin e një projekti të veçantë. “Kjo është monument historie. Kështu që mund të bëjmë një projekt modest. Duke qënë se kjo është urë këmbësore, ta heqim këtë shtresën asfaltike, ta shtrojmë bukur, me ndriçim dhe pjesës poshtë i bëhet një super dysheme me një material, gurë p.sh. dhe bëhet një shëtitore.”- sugjeroi kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.