Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga takimi i Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Portalit të ri u-transparenca.al, një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e Arsimit të Lartë, pjesë e kërkesës së studentëve, përfshirë në Paktin për Universitetin:

Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe për mundësinë e këtij komunikimi, pasi faktikisht kemi jetësuar një tjetër nga pikat e protestës studentore, që lidhet me transparencën.

Qysh në vitin 2005, ministrat e Arsimit të vendeve të Bashkimit Europian vendosën që të pranonin në unanimitet një rekomandim të Këshillit Europian, për hartimin e një udhërrëfyesi standard për garantimin e cilësisë të Arsimit të Lartë në Europë. Një prej pikave kryesore të këtij rekomandimi ishte pikërisht krijimi i një mekanizmi raportimi periodik për veprimtarinë, cilësinë dhe financat e universiteteve europiane. Këto u kthyen në të dhëna sistematike, që pasqyrohen në portale të dedikuara, siç është Platforma Europiane e Transparencës, apo edhe platformat digjitale të universiteteve më vete.

E keni parasysh në 2005-ën se me çfarë ka koinciduar në Shqipëri ky rekomandim për garantimin e cilësisë, me shpërthimin e universiteteve private, boom-in e licencimit dhe me shqyerjen e dyerve të universiteteve publike. Qysh atëherë, për thuajse një dekadë nuk u mendua, jo më të veprohej për një mekanizëm transparence, si një nga kushtet themelore, jo thjesht për të pasur arsim cilësor, por dhe për të garantuar ndërveprimin e shëndetshëm mes të gjithë faktorëve që i japin jetë botës universitare.

Në këtë rast, ne kemi vënë në dispozicion të universiteteve një instrument garancie, që sigurisht duhet të përdoret nga universitetet dhe që do të monitorohet nga qeveria, për aq sa i takon qeverisë, sepse kjo nuk është një detyrë e qeverisë, është detyrë e universiteteve në kuadrin e autonomisë universitare, por shpresoj që do të monitorohet edhe nga të gjitha instancat që rregullojnë jetën e brendshme të universitetit, si dhe nga vetë studentët.

Portali jep mundësinë e një pasqyre të dhënash shumë të detajuara, të cilat më në fund mblidhen në një pikë. Nuk është se të dhënat nuk kanë ekzistuar deri më sot, por kanë qenë të shpërndara në disa dritare dhe ka qenë e pamundur për një individ të interesuar që t’i ndjekë, apo të ketë një pasqyrë të vetme për të marrë dijeni. Edhe për instancat vendimmarrëse të universitetit është një mekanizëm shumë i thjeshtë, shumë i dobishëm, që lehtëson shumë procesin vendimmarrës, pasi i jep mundësinë çdo vendimmarrësi të jetë i mirëinformuar.

Po ashtu, besoj se është me vlerë që, natyrshëm, pika më delikate e çdo organizate dhe e çdo institucioni që shpenzon, që është buxheti, të publikohet në të gjithë elementët e vet dhe jo vetëm si buxhet vjetor, por edhe si buxhet afatmesëm, duke dhënë mundësi për të pasur një pamje më të gjerë dhe pak më të largët në kohë, sesa pamja e aktualitetit të shpenzimeve.

Të gjitha informacionet e portalit kanë një vlerë tjetër për arsyen se nuk janë statistika të vdekura, por janë informacione që lidhen me jetën aktive të universitetit dhe me jetën aktive të çdo studenti. Përveç të dhënave statistikore mbi shpenzimet, apo informacionin mbi procedura të caktuara prokurimi, portali ka informacione të hollësishme, pra, ka mundësi për të dhënë informacione të hollësishme mbi programet e shkëmbimit studentor, sëbashku me të gjitha procedurat përkatëse, mbi bursat, mbi stimujt e ndryshëm financiarë. Po ashtu mbi marrëveshjet dypalëshe apo shumëpalëshe të institucionit me institucione të tjera, mbi kuotat e parashikuara dhe mbi mundësitë e reja që do të krijohen në bazë të një tjetër aspekti të Paktit që ne po trajtojmë, për të lehtësuar futjen e universitetit në treg dhe për t’iu krijuar hapësirë universiteteve për të ardhura dytësore, duke shfrytëzuar në radhë të parë, nevojat që ka qeveria, që kanë ministri të ndryshme për konsulenca, për studime, për projekte, gjë që e kemi adresuar dhe madje duke shkuar edhe më larg, duke krijuar kushtet që universitetet të krijojnë subjektet e tyre fitimprurëse.

Me Universitetin Bujqësor të Tiranës me të cilin kemi një bashkëpunim nga ku jo vetëm universiteti përfiton, por dhe ne mësojmë, për hir të të vërtetës, kemi diskutuar për nevojën dhe mundësinë e ndërtimit të një ndërmarrjeje të mirëfilltë fitimprurëse, e cila të administrojë fermën universitare, që do të ndërtohet me fondin e dedikuar, 1 milionë euro, nga qeveria, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si pjesë e këtyre ndërveprimeve që kanë filluar dhe që do të intensifikohen me universitetet.

Krijimi i portalit të transparencës nuk është as qëllim në vetvete dhe as fundi i një procesi informimi dhe komunikimi të ndërsjellë. Në duam që në këtë portal të krijojmë mundësi për komunikim dhe ndërveprim mes individëve të papërfaqësuar në instancat vendimmarrëse, instancave vendimmarrëse, vetë rektorateve dhe dekanateve, por edhe vetë Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë, që do të thotë që çdo individ të ketë mundësi që përmes portalit të shprehë opinionet e tij, të japë idetë e tij, apo të bëjë ankesat e tij, të cilat janë transparente dhe të hapura për publikun brenda në universitet dhe për publikun jashtë, për komunitetin e prindërve të interesuar e kështu me radhë, duke përfshirë dhe institucionet tona, Ministrinë e Arsimit, përkatësisht.

Më vjen shumë mirë të them që, edhe nga një takim që patëm para se të vinim këtu me ministrat e përfshirë në procesin e Paktit për Universitetin, kemi një ndërveprim pozitiv me universitetet dhe po krijojmë të gjitha dosjet e nevojave dhe të projekteve për universitetet. Që do të thotë që jemi pothuajse gati të rikthehemi përsëri në universitete, jo më me grupet e vogla të punës së përbashkët, që janë ndërtuar dhe që po funksionojnë, por në auditorë për të treguar se çfarë kemi bërë sëbashku dhe për të informuar se cila është faza tjetër.

Ideja është që deri në fillim të vjeshtës, ne të kemi gatishmëri për të hartuar planin konkret të financimit të projekteve dhe njëkohësisht të avancojmë për të bërë projekte aty ku na mungojnë. Po marr shembullin e Universitetit të Arteve, që në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, nën bashkëdrejtimin e rektorit me ministren, po harton projektin për transformimin e plotë dhe çuarjen në një standard të ri të sallës së madhe, që është edhe një hapësirë me një vlerë të caktuar nga pikëpamja e trashëgimisë tonë kulturore. Por edhe të gjithë kapitujt e tjerë të një dosjeje, ku adresohen probleme të infrastrukturës, ku adresohen probleme të sistemeve të funksionimit që nga ngrohja, ku adresohen probleme të instrumenteve të mjeteve didaktike e kështu me radhë.

Siç e kam thënë qysh në kohën kur askush nuk dëgjonte dhe nuk pranonte të fliste, kjo i takon një procesi ku ne do të kryejmë investimin më të madh, seç është investuar në 30 vjet të marra sëbashku, për universitetin, nga pikëpamja e infrastrukturës, laboratorëve dhe mjeteve didaktike. Edhe këto bashkëpunime mes me ministrive dhe universiteteve e fakulteteve përkatëse, që janë fakultete specialitetesh, si Gjeologjia, Kultura, apo Inxhinierinë e Ndërtimit e me radhë, do të krijojnë këtë sinergji dhe do të na japin mundësinë të zhvillojmë këtë program financimi masiv.

Ne spostuam hapësirën fiskale që kishim për rrugën Thumanë-Kashar, që është një nga veprat më komplekse dhe të kushtueshme, në funksion të Paktit për Universitetin dhe të infrastrukturës së universitetit. Ideja është që në këto dy vite të këtij mandati të kemi një kantier në të gjithë sistemin tonë universitar, në çdo universitet, në çdo fakultet në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë ku ka universiteteve, në aspektin e infrastrukturës fizike, për laboratorët dhe mjetet e tjerë didaktike.

Ndërkohë që paralelisht po punojmë me infrastrukturën e konvikteve dhe është e sigurt që brenda kësaj periudhe do të rindërtojmë të gjitha konviktet, duke i sjellë në një standard shumë më të mirë, sesa standardi ku ishin në momentin kur studentët ngritën me të drejtë shqetësimin e tyre.

E fundit dhe që e konsideroj shumë të rëndësishme, ishte një vlerë e shtuar e protestës së studentëve, nuk kishte të bënte me kërkesat e tyre, por ishte një kërkesë e shtuar prej nesh, është punësimi i studentëve në administratë. Kemi filluar me 373 të parët, tanimë ata janë pjesë e administratës. Studentë që kanë përfunduar me 9-ta dhe me 10-ta. Po përgatitet thirrja e dytë dhe të gjitha vendet e lira të punës, në nivel specialistësh në administratën publike dhe në pjesën e administratës që nuk hyn në shërbimin civil, p.sh., hipoteka, ALUZINI, apo të tjera, do të jenë në dispozicion të atyre që kanë mbaruar me 9-ta dhe me 10-ta vjet, parvjet dhe pastaj do të shtrihemi edhe më tutje, me një renditje preferenciale, nga ata që kanë mbaruar jashtë, tek ata që kanë mbarur universitetin publik dhe pastaj tek ata që kanë mbaruar universitetin privat.

Është një rrugë e hapur tanimë, tërësisht objektive. Ankesat që kemi pasur janë adresuar të gjitha. Faktikisht është verifikuar që në asnjë rast, sepse portali është i hapur, është transparent, nuk ka kapërcim, pra, vendin e punës nuk e përcakton as ministri, as një komision, por e përcakton vetëm rezultati. Kush ka rezultat më të mirë zgjedh i pari. Kush ka rezultat më pak të mirë zgjedh pas tij. Në këtë mënyrë përfitojmë reciprokisht. Përfitojnë ata që kanë rezultate të shkëlqyera, apo shumë të mira dhe nuk kanë më arsye të mendojnë që këto rezultate janë kot, se nuk futesh dot në punë në shtet, sepse aty ta zë rrugën miku, leku, partia, apo tepsia. Përfitojmë shumë edhe ne, sepse kjo është një mënyrë shumë konkrete, shumë efikase për t’ia mbyllur rrugën prurjeve nga tepsia dhe për t’ia dhënë këtë mundësi shqiptarëve më të mirë, që janë ata që janë përgatitur më mirë dhe janë më të gatshëm për të shërbyer në administratën e shtetit shqiptar.

Është një proces që do vazhdojë. Për pak ditë do ketë një thirrje tjetër për një numër të rinjsh të diplomuar me 9-ta dhe me 10-ta në Shërbimin tonë Diplomatik, në një fazë të dytë që po i bëjmë ristrukturimit të Shërbimit, për të goditur të gjithë këto pasojat e rënda të nepotizmave e të klientelizmave të së shkuarës. Kemi bërë një pastrim që nuk mjafton. Duhet të shkojmë më thellë. Përsëri, edhe aty thirrja do të jetë për ata që janë më të mirët. Nuk do të ketë rrugë për të tjerë që t’i kalojnë, t’i parakalojnë, t’i kapërcejnë.

Ndërkohë kemi përfunduar procesin për bibliotekën digjitale, një tjetër angazhim i Paktit për Universitetin, kërkesë e protestës kjo dhe çështje thjesht ditësh. Teknikisht po bëhen përgatitjet për t’iu dhënë akses të gjithëve në këtë bibliotekë me miliona tituj shkencorë dhe me qindra mijëra libra, që është biblioteka që përdorin studentët në Europë apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo i jep një frymëmarrje të jashtëzakonshme kërkimit shkencor dhe një mundësi të jashtëzakonshme të gjithë atyre që në universitet nuk janë për të kaluar kohën, apo për të shtyrë vite në Tiranë duke ngelur, por janë për të dalë nga universiteti, të gatshëm dhe të denjë për veten, për familjen dhe shoqërinë.

Një tjetër element për të cilin kemi diskutuar edhe sot para se të vinim këtu, është Karta e Studentit. Faza e parë, përgatitjet kanë kohë që kanë nisur. Nuk është një gjë kaq e lehtë sa duket në pamje të parë, një sistem i tërë organizativ, por fazën e parë të implementimit do ta nisim me Bashkinë e Tiranës, këtu në kryeqytet ku është edhe masa më e madhe e njerëzve. Mbi atë bazë, mbi atë model do të shtrihemi edhe në qytete të tjera universitare, duke garantuar një ndërveprim mes Kartës së Studentëve shqiptarë me Kartën Europiane të Studentit, gjë për të cilën po punon ministria, në mënyrë që karta të mund të vlejë në një hap të dytë, në një kohë të dytë, edhe jashtë vendit, në ato vende që e kanë nënshkruar paktin mes vedi të universiteteve të BE-së.

Këto janë për momentin të dhënat dhe kjo është për momentin ecuria e zbatimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin.

Dua t’ju uroj punë të mbarë të gjithë anëtarëve të rinj të bordeve. Bordet ndryshuan tërësisht, si reflektim i një tjetër kërkese të studentëve, por edhe si reflektim i faktit që nuk u treguan në lartësinë e duhur në raport me përgjegjësitë e detyrimet e tyre. Sot besojmë që jemi në një stad tjetër dhe kemi një cilësi më të mirë, duke pasur parasysh që të gjithë anëtarët dhe anëtaret e bordeve të rinovuara janë jo vetëm njerëz të nderuar, sepse ashtu ishin edhe ata të tjerët, por nuk i ka sjellë askush me zor në këtë proces dhe janë të vetëdijshëm që vijnë në borde edhe si rezultat i kërkesës dhe i nevojës së ngritur përmes protestës nga studentët. Kjo besoj rrit vetëdijen dhe përgjegjshmërinë në raport me Bordin, që nuk është thjesht një strukturë për të marrë një bonus dhe për të kaluar radhën, por është realisht një element jashtëzakonisht i rëndësishëm i funksionimit të jetës universitare dhe i garantimit të autonomisë universitare, si liri dhe si përgjegjësi. Liri për të vendosur dhe përgjegjësi. Jo vetëm liri, se kështu si vajti puna deri përpara pak kohësh lirinë universitetet dhe përgjegjësinë qeveria. Detyrat universitet dhe pastaj për t’u përgjigjur duhet të përgjigjet qeveria. Jo, duhet të përgjigjemi bashkërisht dhe secili duke bërë pjesën e vet.

Ka tre kërkesa të studentëve, të cilat nuk mund të realizohen dot nga ne, por janë kërkesa kyçe. Qeveria nuk mundet dot të marrë përsipër realizimin e tyre deri në fund, por thjesht mund të bëjë mbështetjen për realizimin e tyre.

Konviktet ne mund t’i rindërtojmë edhe pa pyetur universitetin. Një investim fizik për një sallë, apo për një laborator mund ta bëjmë edhe pa kërkuar më shumë sesa leje nga universiteti, por vettingun apo vlerësimin e titujve akademikë, ne nuk e bëjmë dot, nëse universiteti nuk e merr përsipër.

Vlerësimin e performancës së pedagogëve nga studentët, ne nuk e bëjmë dot, nëse universiteti nuk e merr përsipër.

E treta, tregtinë e librave apo teksteve të pedagogëve në këmbim të notës, ne nuk e ndalim dot, nëse universiteti nuk e merr përsipër.

Ajo që mua më shqetëson është që janë 3 pika, mbi të cilat sundon heshtja prej disa muajsh.

Kam parë nga afër një eksperiencë pozitive në Korçë. Universiteti i Korçës me shumë kurajë, por edhe në mënyrë shumë të admirueshme ka ndërtuar një proces për këtë temë, të vlerësimit të titujve akademikë. Nga ana tjetër kam parë një segment agresiv në universitet kundër reformës së Arsimit të Lartë qysh në ditën e parë që, duke reaguar kundër reformës, kundër ligjit të Arsimit të Lartë, në emër të një transformimi ndryshe, i ikën si djalli temjanit këtyre tre pikave.

Për vlerësimin e titujve akademikë, ne morëm përsipër të ndihmojmë për logjistikën, të krijojmë kushtet për logjistikën, jo të bëjmë vlerësimin e titujve akademikë. Qeveria, Ministria e Arsimit nuk mund ta bëjnë në kushtet që jemi, me legjislacionin që kemi hartuar dhe me qasjen që kemi zgjedhur, vlerësimin e titujve akademikë, sepse është një themel i moralit të jetës universitare. Dhe themelin e moralit të jetës universitare duhet ta garantojë vetë universiteti. Autonomia universitare është një hapësirë ku përgjegjësia ndaj moralit të jetës universitare i takon pikërisht universitetit.

Vlerësimin e performancës së pedagogëve nga studentët, është shumë e thjeshtë, e bën gjithë bota universitare demokratike, është një instrument që nuk krijon asnjë hapësirë për gjueti shtrigash, nuk krijon asnjë mundësi për hakmarrje të ngelësave, që ju i keni jo me shumicën e duhur, por nuk i keni pak, por ama ju jep mundësi të tjerëve, të gjithë studentëve që të shprehen dhe i jep mundësi institucioneve vendimmarrëse, Këshillit, Senatit, Bordit etj. që të marrin disa të dhëna mbi si ndihen studentët dhe çfarë studentët mendojnë për X, Y, Z fakultet apo auditor.

Përsa i përket teksteve, në këtë aspekt dua t’ju them që ne po presim me shumë padurim, do të thoja, që universiteti të veprojë dhe nuk do të doja që ne të kundërveprojmë. Nuk do doja që t’i drejtohem Parlamentit e t’i kërkoj ndihmë  për të ndërhyrë, por studentët kanë të drejtën e Zotit, të prindërve dhe të të ardhmes së tyre që të jenë të shqetësuar, po përdor një shprehje për eufemizëm, me faktin që jo të gjithë pedagogët meritojnë të paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nga tarifat e tyre dhe t’ju shfaqen përballë si doktorë, si profesorë, si asistentë e si çfarë, ndërkohë që janë thjesht sharlatanë. Kanë shumë të drejtë dhe është e padrejtë për masën tjetër, masën e shëndetshme të pedagogëve.

Jo për politikë, as për diplomaci, unë e besoj që është pjesa më e madhe që janë aty me meritë dhe janë aty, sepse kanë çfarë t’i japin më të rinjve dhe realisht, në kushte të vështira, për të cilët përgjegjësia nuk është e universitetit, por është e qeverive të të gjitha kohërave, po të doni futeni dhe qeverinë tonë, kanë bërë e bëjnë maksimumin. Përzierja e këtyre dy lloj specieve në një dhe mbajtja nëpër fakultet dhe universitete e sharlatanëve është një përgjegjësi e madhe, që nuk mund të mbahet mbi shpatullat e kësaj bote universitare që ne po ndryshojmë hap pas hapi. Mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe e të gjithëve ne, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveritë e universiteteve karshi prindërve që paguajnë dhe karshi taksapaguesve që sot paguajnë tarifat e plota të studentëve me 9-ta e me 10-ta, të studentëve me ndihmë ekonomike, atyre me aftësi të veçanta, atyre me prindër invalidë, duke ju dhënë edhe 100 mijë lekë bursë çdo muaj nga taksapaguesit.

Gjithë kjo është një sakrificë, nuk është diçka e thjeshtë. Ashtu sikundër është një sakrificë që të paguhen 50% e tarifës për të gjithë, përfshirë dhe ata që ngelin, por kjo do mbarojë, siç e kemi thënë, në sezonin e ardhshëm akademik. Që kjo sakrificë të përbuzet në pikën që pedagogë që kanë mashtruar me titujt e tyre të paguhen edhe ata nga taksapaguesit dhe të jenë shkaku që fëmijët e prindërve shqiptarë nuk marrin arsimin që meritojnë, nuk ka ku rri, as në qiell, as në tokë.

Në këtë aspekt, unë do t’ju ftoja që të ketë një reagim dhe të ketë një proces. Mund të konsultoni rastet kur kjo ka ndodhur, ose po ndodh. Unë përmenda Korçën, mund të ketë dhe ndonjë rast tjetër, por në tërësi kjo nuk po ndodh. Unë nuk dëshiroj që të vijë momenti që të duhet t’i drejtohemi Parlamentit për të kërkuar një zgjidhje alternative.

Kjo nuk do kalojë. Kjo nuk do harrohet. Ne, studentët nuk i tradhtojmë dhe sidomos në këtë pikë nuk mund t’i tradhtojmë, të bëjmë sikur nuk e kuptojmë, sikur nuk e dimë, sikur harruam, sepse problemi është aty dhe është brenda në universitet. Mund të shfaqet, mund të zhduket në varësi të vëmendjes që ka, por është aty, shfaqet dhe zhduket në sytë e opinionit publik, por për të qenë është aty çdo ditë. Çdo ditë hyjnë në dyert e universiteti sharlatanë, të cilët cenojnë rëndë moralin e jetës universitare.

Po ashtu, ne po bëjmë një reflektim dhe besoj që shumë shpejt do kemi disa konkluzione lidhur me gjuhën shqipe në universitet. Shikojmë një situatë të përgjithshme dramatike me gjuhën shqipe, në tërësi. Gjuha shqipe u hoq fare nga programi i shkollës së mesme, ne e rifutëm, por shikojmë një agresion të madh kundër gjuhës shqipe, në tërësi. Agresion i prodhuar nga kohërat që jetojmë dhe duam që ta fusim gjuhën shqipe edhe në universitet, në të gjitha degët. Nuk ka mundësi të mos dish të shkruash shqip dhe të jesh gjeolog i mirë.

Gjithashtu po bëjmë dhe një reflektim mbi anglishten. Ka një farë rregulli që duhet marrë provimi, por është shumë e vështirë të besohet që kush nuk di shqip, duke qenë shqiptar, të dijë anglisht. Është shumë e vështirë të besohet se nuk kuptohet nëpërmjet cilës gjuhë e ka mësuar anglishten, kur shqipen nuk e zotëron. Kështu që këto të dyja do të jenë pjesë e këtij reflektimi. Ne do ta fuqizojmë patjetër kushtin për të qenë zotërues i gjuhës angleze, duke filluar nga vetja, pra, duke dhënë ne kontribut dhe duke ndërtuar një sistem, përmes së cilit studentët të kenë mundësi ta mësojnë, apo ta përmirësojnë dijeninë e tyre mbi gjuhën angleze. Nuk është e rastësishme që ata që janë më të mirët, ata lexojnë anglisht, nuk ka se si të jetë e rastësishme. Flas për studentë. Biblioteka dixhitale është në dispozicion, por nuk është shqip, është anglisht dhe nuk mund ta imagjinojmë që të kemi një bibliotekë globale shqip, të pakën jo në shekullin e XXI. Në shekullin e XXII ose XXIII, nëse Shqipëria do të bëhet më në fund qendra e botës, siç e kanë menduar të gjithë ata që e kanë lënë mbrapa, mbase do ketë një bibliotekë globale në gjuhën shqipe, por sot për sot nuk kemi mundësi t’i referohemi kësaj mundësie dhe duhet të përqendrohemi tek anglishtja.

Këto reflektime janë në proces dhe kur të kemi konkluzionet e duhura, ne do të themi se çfarë do të bëjmë, por gjuha shqipe me patjetër duhet të zërë vendin e vet në universitet.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.