Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Panairin e Punës:

Përshëndetje të gjithëve,

Së pari, ky është proces i jashtëzakonshëm transformimi në drejtimin e duhur të një sektori publik ku shteti dhe qeveria janë të angazhuar për të krijuar mundësi punësimi nën lidershipin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Dua ta them që në fillim se, është e sigurt që është një proces ku është zbuluar punëtori më i mirë i këtij qyteti. Dhe, si punëtori më i mirë i këtij qyteti, ai nuk është më sot Ministri i Mirëqenies Sociale, por është kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që duke i vënë në krye të bashkisë së Tiranës, një kryepunëtor të rikthehet në drejtimin e duhur, të bëhet pjesë e procesit historik të përpjekjes për Rilindjen Shqiptare dhe të bëhet ndër të tjera lokomotiva e punësimit real.

Sot duke qenë se është dita e parë që ministri nuk është më në detyrë, dua t’i shpreh të gjithë mirënjohjen dhe respektin për punën e palodhur që ka bërë, edhe për faktin se nën drejtimin e tij qasja e qeverisë shqiptare ndaj punësimit dhe në tërësi qasja e qeverisë shqiptare ndaj temës së mirëqenies sociale, ndryshoi në mënyrë radikale, u vu nën drejtimin e duhur. Tani, ne jemi në gjendje që të shkojmë më tutje, mbi këtë bazë jashtëzakonisht solide që është vendosur, dëshmi e së cilës është edhe ky Panair i Punës.

Kam dëgjuar këto ditë që, sapo u lajmërua çelja e Panairit të Punës, filloi kori i kukuvajkave, që është një shfaqje elektorale, bëhet për fushatë. Madje, kam arritur të kem edhe një episod me dikë që çonte një mesazh e ankohej se ishte pa bukë, ishte pa shpresë dhe pa asnjë mundësi dhe donte punë një orë e më parë. E mora në telefon dhe i thashë shko tek Panairi i Punës dhe provoje shansin tënd. ‘Unë,- tha,- të shkoj në atë shfaqje elektorale, pse çfarë jam unë që të më përdorni për fushatë.’

Në rregull, por ndërkohë, e vërteta është se, siç dëshmuan disa nga të rinjtë që folën këtu, vetëm në dy ditët e para janë ndërmjetësuar në këtë panair mbi 800 kontakte. Janë mbi 800 persona që do fillojnë punë. Ndërkohë që, në këtë Panair, siç është lajmëruar, duke marrë një më një të gjitha dëshmitë e kompanive, janë në dispozicion 5500 vende të reja pune.

Por, sigurisht, ajo çka ne po përpiqemi dhe çka të gjithë bashkë duhet të ndryshojmë është qasja ndaj nevojës për punë. Puna nuk vjen të të trokasë në shtëpi, të të zgjojë nga gjumi dhe të të thotë po të pres aty poshtë te kafja, bëhu gati dhe pastaj hajde të bëjmë muhabet, ja ku më ke. Puna duhet kërkuar, duhet kërkuar me këmbëngulje. Padyshim, që siç provojnë historitë e suksesit të zyrave të punës, siç provon historia e suksesit të këtij Panairi, kush këmbëngul dhe kush ka aftësi reale për të ofruar e gjen një punë. Por, ajo që ne duhet të dallojmë qartë është se nëse dikush kërkon thjesht një rrogë, apo kërkon një punë përmes të cilës të marrë rrogën; këtu ka shumë punë për të bërë, për ta thyer mendësinë se në Shqipëri, punën mund ta gjesh vetëm nëse ke miq në qeveri, nëse miq në shtet dhe mund ta quash punë, vetëm nëse ta jep shteti. Sepse, kemi hasur në shumë histori njerëzish, këto 18 muaj, që janë të dëshpëruar kur shprehen në kërkim të një pune dhe pastaj, kur ne përmes zyrave të punës i orientojmë që të shkojnë dhe të kërkojnë, thonë jo, ne nuk duam lëmoshën në privat, duam punë në shtet. Që kjo përkthehet nuk duam punë në privat, ne duam një rrogë shteti dhe pastaj, edhe po të rrimë pa punë, s’ka asnjë problem.

Sigurisht që, Shqipëria është larg së qeni vendi ku papunësia është një problem i zgjidhur. Shqipëria është një vend me papunësi të lartë. Rajoni ynë është një vend me papunësi të lartë. Papunësia sot, sidomos papunësia e të rinjve, është një plagë e hapur në shumë vende të BE, mjafton të shikojmë fqinjin tonë Italinë.

Pa asnjë dyshim që, Shqipëria sot është një vend që ende nuk ofron mundësi të barabarta për të gjithë, që ende nuk ofron punësim real për të gjithë, që ende nuk ofron shpresë e entuziazëm për të gjithë. Por, siç tregojnë jo shifrat, sigurisht shifrat tregojnë, por siç tregojnë historitë jetësore të mijëra e mijëra e mijëra njerëzve që sot janë në punë dhe 18 muaj më parë nuk ishin në punë, Shqipëria sot po merr kthesën në drejtimin e duhur dhe pa as më të voglin dyshim, Shqipëria është në rrugën e Rilindjes. Por, kush ka menduar, kush ka besuar, kush ka imagjinuar, gabimisht, se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte që të ndryshonim qeveritë, mjaftonte që të ndryshonim flamurin e partisë që qeveris dhe Rilindja do të ndodhte vetë, ka parë absolutisht një gjë që nuk ekziston. Ashtu sikundër, kush përpiqet që të thotë ku i keni këto, ku i keni ato, ku e keni këtë, ku e keni atë dhe përpiqet ta thotë që në ditën e parë të ndryshimit, i merr shqiptarët për budallenj. Mundohet që duke shfrytëzuar problemet reale, hallet reale dhe pa as më të voglin dyshim, edhe një dëshpërim që është real në shumë njerëz, të bëjë politikën e llojit më të ulët. Politikën që s’ka asnjë ide, s’ka asnjë program, s’ka asnjë alternativë, por ka vetëm një rrugë; Rrugën e ‘shpif, shpif, shpif se me siguri diçka do të mbetet’, ‘hidh baltë, hidh baltë, hidh baltë se me siguri dëshpërimi do të shtohet’ dhe ‘gënje, gënje, gënje se me siguri do të gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën tënde’.

Sot ka një fakt, një fakt shumë të thjeshtë, të cilit të gjithë këta nuk i referohen. Fakti është se bilanci është i qartë, janë në punë të regjistruar dhe i paguajnë taksa këtij shteti, 93 mijë persona më shumë se ç’ishin një vit më parë, krahasuar dhjetori i 2014-s me dhjetorin e 2013-s. Atëherë është rritur punësimi apo ka rënë punësimi? Sepse numrat flasin qartë. Ashtu siç flet qartë edhe një statistikë e INSTAT-it që,- përkundër atyre që përpiqen të manipulojnë duke thënë, jo këto nuk janë vende të reja pune, këta nuk janë njerëz të punësuar, këta janë thjesht njerëz të formalizuar, -thotë se janë 83 mijë, sipas anketës së forcave të punës, më shumë njerëz në punë në Shqipërinë e sotme, sesa në Shqipërinë e 18 muajve më parë. Kjo është anketa e punës e tremujorit të fundit të viti 2014.

E pra, këto janë shifra që nuk tregojnë që Shqipëria nga një vend i rrënuar është bërë një vend i lumtur, nuk tregojnë që Shqipëria nga një vend ku s’kishte më asnjë shpresë për punë, është bërë vendi ku gjithkush mund ta gjejë punën sapo të dalë nga shtëpia, por këto janë shifra që tregojnë se Shqipëria është kthyer në drejtimin duhur dhe se në këtë drejtim ka ende shumë e shumë punë më tepër për të bërë.

Ashtu sikundër, kjo reformë rrënjësore dhe në shumë plane që është bërë nga Ministria e Mirëqenies Sociale, por që po bëhet nga të gjitha ministritë, për të vendosur në drejtimin e duhur vendin përmes reformash të thella, nganjëherë edhe të dhimbshme, nuk është një ilaç magjik, nuk është një shkop magjik që çon të vdekurin nga varri dhe e bën të thyejë rekordin botëror në vrap apo në not, por është e vetmja rrugë për të operuar me kurajë dhe pa u trembur nga vështirësitë, një organizëm si ai i Shqipërisë që deri përpara 18 muajsh ishte i kapur në të gjithë përbërjen e vet dhe në të gjitha organet e veta nga një kancer që e bënte të pamundur frymëmarrjen dhe ecjen përpara. Kanceri nuk mund të zhduket me propagandë, as nuk mund të zhduket me psikoterapi, as nuk mund të zhduket me aspirina, ose aq më pak mund të zhduket me makijazh. Kanceri për t’u zhdukur kërkon operacion të thellë, rrënjësor, kurajoz dhe pa asnjë dyshim kërkon edhe një vullnet të hekurt për të përballuar gjithë fazën e operacionit.

Më lejoni t’ju them se historia e shumë vendeve, të cilat kanë nisur reforma, kanë zhvilluar dhe përfunduar reforma të një natyre transformuese si reformat tona, flet qartë se rezultatet e reformave nuk vijnë as të gjitha menjëherë dhe as kur procesi është në fazën e operacionit të vet, ashtu siç vijnë hap pas hapi më pas, kur organizmi fillon të rigjenerohet. Është njësoj si në sallën e operacionit ku po operohet një i sëmurë rëndë, të ankohesh pse po përdoren bisturitë, pse ka gjak, pse i sëmuri nuk jep shenja jete dhe pse mjekët nuk e kanë ngritur në këmbë dhe nuk e anë çuar në shtëpi dhe pse ai nuk po vrapon. Kjo është një marrëzi dhe është një ligësi, janë që të dyja bashkë. Marrëzia dhe ligësia janë pjesë e pandashme e një politike që për vite të tëra i ka mbajtur shqiptarët me iluzione, i ka mbajtur shqiptarët me injeksion artificiale optimizmi, i ka mbajtur shqiptarët me gënjeshtra dhe me qëllimin e vetëm për të mbajtur sa më gjatë pushtetin e vet.

Faktikisht, në 2014-n u trefishua fondi i akorduar nga qeveria për programet e nxitjes së punësimit, krahasuar me 2013-n. 2014 ishte viti i rritjes më të lartë, historike, të financimit të qeverisë, të financimit të drejtpërdrejtë për nxitjen e punësimit. Kjo do të thotë që u veprua në drejtimin e duhur apo u vazhdua në drejtimin e gabuar? Jo! Kjo do të thotë që është në drejtimin e duhur. Por ndërkohë nga ana tjetër, nëse shifra në vetvete për nxitjen e punësimit në vitin 2014, ishte 2,7 milionë dollarë, a është kjo një shifër marramendëse që do të na plotësonte të gjitha nevojat? Absolutisht jo! Ama pa asnjë dyshim është një shifër që tregon vullnetin që u rikonfirmua një vit më vonë dhe që faktikisht tregoi se gjerat janë në drejtimin e duhur përderisa zyrat e punës funksionojnë, përderisa zyrat e punës japin punë dhe përderisa biznesi i cili përfiton nga fondi i nxitjes së punësimit, arrin që të punësojë më shumë njerëz. Vetëm nga Fondi i Nxitjes së Punësimit, u punësuan vjet, 4 mijë persona. Pra, 2.7 milionë dollarë që punësuan 4 mijë persona. A është ky maksimumi? Absolutisht ky nuk është maksimumi, por kjo është një arsye për të shpresuar dhe për ta parë me më shumë kurajo dhe me më shumë besim të nesërmen apo është një arsye për të thënë nuk ia vlen, sepse këtu gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar. Pa dyshim që, kjo është një arsye për ta parë me më shumë kurajë dhe me më shumë besim të nesërmen. Faktikisht, e nesërmja, 2015-ta që ne jetojmë sot, solli një rritje tjetër, nga 2.7 milionë që ishte vjet në 4.5 milionë sivjet, dollarë, për të nxitur punësimin. Nëse vjet, vetëm me Fondin e Nxitjes së Punësimit, u punësuan 4 mijë njerëz, këtë vit, me këtë fond do mundësohet punësimi i më shumë e 6 mijë njerëzve, duke stimuluar 360 sipërmarrje shqiptare, 360 biznese të cilat falë këtij bashkëpunimi dhe kësaj nxitje që marrin nga injeksioni financiar i buxhetit do ta çojnë më tej rritjen e numrit të të punësuarve. Tani më lejoni t’ju kujtoj që kur ne morëm në dorë qeverinë dhe kur ajo që quhej Ministria e Punës ishte një furrik ku parkohej furgoni i ndonjë parie të vogël të koalicionit dhe ku gjithmonë hynte një ministër me bark të madh dhe dilte një ministër me bark edhe më të madh, shteti paguante për të mbajtur në punë si zyrtarë të kësaj ministrie dhe të ashtuquajturave zyra të punës më shumë njerëz sesa punësonte, në fund të vitit. Pa hyrë këtu, a ishte punësimi i atyre njerëzve real, apo ishte një punësim klientelist, pa hyrë këtu a ishte ai punësim i njerëzve i vërtetë, apo ishin shifra pas të cilave fshihej manipulimi dhe korrupsioni. Le t’i marrim për të vërteta. Po si mundet shteti të mbajë në këmbë një administratë të tërë dhe ajo administratë t’i kushtojë më shumë sesa vlera që përftohej nga puna e asaj administrate?! Si mundet që administrata e merret me papunësinë dhe me punësimin të kishte më shumë njerëz, se ç’arrin të punësojë?! Dhe, kjo ndodhte jo shekullin e kaluar, as dhjetë vjet më parë, kjo ndodhte vetëm 18 muaj më parë.

E pra, nëse e do ta shikojmë atë që po ndodh me sytë e të ardhmes, padyshim që jemi ende larg asaj që duam dhe që do të arrijmë. Por, nëse do ta shikojmë me sytë e të djeshmes së afërt, padyshim që jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por kemi të gjitha arsyet të besojmë se më tutje këtë që ndodh sot do ta shikojmë vetëm si farën e një zhvillimi që do të jetojmë nesër.

Ne kemi ndërtuar dhe vënë në lëvizje me këtë Fond, mekanizma që nuk ekzistonin përpara; duke pasur në fokus arsimin profesional, duke pasur në fokus nxitjen e punësimit nëpërmjet trajnimit dhe formimit në punë, duke pasur në fokus nxitjen e punësimit për gratë dhe vajzat, duke pasur në fokus nxitjen e punësimit për të rinjtë, duke pasur në fokus nxitjen e punësimit për një kategori të posaçme punëkërkuesish që janë në vështirësi ekonomike, duke pasur në fokus nxitjen e punësimit për personat me aftësi të kufizuar, duke pasur në fokus nxitjen e praktikave profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar.

Më lejoni të kthehem një moment tek arsimi profesional. Arsimi profesional ishte katandisur në një tjetër furrik, ku parkoheshin nxënësit më të dëshpëruar, që faktikisht jo vetëm nuk mësonin ndonjë gjë më shumë nga ajo shkollë profesionale por siç hyni dilnin, por dilnin edhe më të pashpresë. Një arsim profesional, ku klasat për elektricistët ishin vetëm me fotografi të llampave dhe mësuesit thoshin: “Ky është poçi. Ky ndizet me atë çelësin aty, çelësi ishte në mur dhe drita i vjen nga ai teli aty dhe teli ishte jashtë klasës dhe e shihnin nga penxherja”.

Pra, arsim profesional, bazuar në një teori të përgjithshme krejtësisht të sipërfaqshme dhe pa asnjë lidhje me praktikën dhe me tregun e punës. Çfarë bëmë ne? Ne morëm modelin dual gjerman, një model që e kanë marrë shumë vende dhe që kanë pasur sukses dhe e lidhëm shkollën profesionale me sipërmarrjen.

Nuk ka më njerëz që shkojnë në arsimin profesional dhe që marrin teori në hava që nuk i duhen askujt, pasi nuk kanë asnjë praktikë dhe asnjë sipërmarrje nuk i merr në punë. Por, ka një arsim profesional që lidhet drejtpërdrejtë me sipërmarrjen, ku 60 % e kohës kalohet në klasë, 40 % e kohës në javë kalohet në ndërmarrje. Çfarë ndodhi? Ndodhi, që vetëm vitin e parë, ne na u rritën me 40% kërkesat për arsim profesional dhe bazuar mbi statistika, këto kërkesa jo vetëm që do të rriten përsëri e përsëri në vitet e ardhshme, ashtu si do të rritet investimi ynë për arsimin profesional, ashtu siç do të rritet numri i shkollave profesionale, ashtu siç do të rritet sinergjia e arsimit tonë profesional me ndërmarrjen, por statistikat tregojnë dhe diçka tjetër; një nxënës që përfundon arsimin profesional, djalë apo vajzë, ka 20% më shumë mundësi më shumë për punë se sa një që mbaron gjimnazin, e vërtetuar nga praktika e punësimit të të rinjve. Ka vetëm 1% më pak mundësi se sa ai që mbaron universitetin. Kjo është vlera e jashtëzakonshme e arsimit professional. Vlerë, të cilën vende që ne i shikojnë me admirim dhe na duket se janë në një planet tjetër, e kanë vendosur në bazën e transfomimit zhvillimit të tyre. Ato vende që ne shohim sot, nuk janë bërë as për një ditë, as për një javë, as për 18 muaj. Është një njësoj si t’i thuash një mjeku sot që ke kancer dhe që duhet të operohesh dhe të të thotë jo, se kam frikë të bëj operacionin dhe të shpresojë në hava se situata do të ndryshojë, duke pirë aspirina ose duke vënë pudër që të dukesh më i bukur, ne e kemi bërë këtë. E kemi bërë këtë për shumë vite. Kemi humbur shumë kohë. I kemi parë rezultatet, kemi parë se çfarë ka sjellë kjo qasje, kjo pavendosmëri që reformat e shtetit i ka shtyrë për nesër. Ka sjellë një vend ku vetëm shtet nuk ishte, vetëm institucione nuk ishte, dhe vetëm marrëdhënie reale mes shtetit dhe qytetarit nuk ishte.

Këto reforma janë reforma që jo vetëm nxisin sektorët, por ndërtojnë shtetin. E historia e shtetndërtimit tregon qartë se për të ndërtuar shtetin ka vetëm një rrugë dhe është kjo rrugë, rruga e përballjes dhëmb për vend me vështirësitë dhe e një durimi të hekurt për t’i përballuar ato.

Sot, pas 18 muajsh, kemi 11 zyra të reja pune, por jo zyra të reja në kuptimin zyra të bukura. Unë habitem sepse ne na shajnë edhe pse duam që gjërat të jenë të bukura. Në qoftë se do që diçka të jetë e bukur të thonë: “Shiko ky merret me fasadën”.

Nuk e kuptoj dot se si mundet që të shahesh pse do që gjerat t’i bësh të bukura dhe pse i bën gjerat bukur, në dukje. Pa hyrë në shumë shpjegime, por t’ju bëj një pyetje të gjithëve ju; Keni parë ju ndonjë qytet, keni parë ju ndonjë lagje, keni parë ju ndonjë vendbanim të shëmtuar ku njerëzit jetojnë mirë? Keni parë ju ndonjë mjedis të shëmtuar ku njerëzit ndjehen mirë, janë të mirëqenë, janë të lumtur? Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes bukurisë dhe mirëqenies, mes pastërtisë së një hapësire dhe mirëqenies, mes cilësisë së një mjedisi dhe mirëqenies së një njeriu dhe të njerëzve që jetojnë në atë mjedis.

Këtu ka njerëz që i kanë parë ato që quheshin zyra pune, zgëqe që për t’i gjetur ishte punë më vete. E, pastaj për të gjetur rrugën që të dilje nga ato ishte një andrallë më vete.

Unë i kam parë, zyra pune në katin e tretë të një pallati, brenda një lagjeje, ku pasi e lije makinën 50 metra larg, duhet të ecje duke bërë vallen e shpatave një hap këtu e një hap atje, sepse mund të bije në gropë.

Përfytyroni një njeri që kërkon punë t’i hyjë asaj valleje e çfarë do të gjejë në atë zyrë. Ndërkohë që, këto 11 zyra pune kanë sjellë rezultatet e para. A janë të mjaftueshme? A e kanë zgjidhur zyrat e punës, në Durrës, në Vlorë, në Kavajë, në Fier, Laç, Gjirokastër, Berat në Elbasan apo Kukës problemin e punësimit. Jo nuk e kanë zgjidhur problemin e punësimit. Por e kanë zgjidhur çështjen e punësimit të një grupi njerëzish që janë shumë pak në krahasim me numrin e njerëzve që do të donin të kishin zgjidhje për këtë çështje, por janë shumë më tepër, se sa hiçi i 18 muajve më parë.

E pra, më lejoni ta mbyll me një shprehje të Shën Franceskut të Assisit i cili thotë: “Fillo duke bërë çfarë është e nevojshme që më pas të mund të bësh çfarë është e mundur. E papritur do të kuptosh se do të realizosh të pamundurën”.

Ne kemi shumë më tepër mundësi, por ato mundësi nuk do të kemi mundësi t’i kthejmë në realitet në qoftë se nuk do të bëjmë atë që është e nevojshme. E duke bërë atë që është e nevojshme sot, ne do t’i krijojmë vetes mundësinë, që të shfrytëzojmë mundësitë që kemi dhe papritur siç thotë Shën Francesku do të realizojmë të pamundurën, atë që sot duket e pamundur.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.