Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“AI në përafrimin e legjislacionit të BE”, ishte eventi i zhvilluar në mjediset e COD në kryeministri, ku u prezantua moduli i AI i zhvilluar brenda platformës së integrimit europian dhe anëtarësimit, e cila përdoret çdo ditë nga më tepër se 1400 ekspertë integrimi.

Kryeministri Edi Rama, teksa falënderoi për punën dhe përkushtimin e tyre, skuadrën e negociatorëve të Shqipërisë tha se “me këtë model do të jemi të gatshëm që gjithçka ta mbyllim brenda afatit shumë ambicioz që kemi përcaktuar bashkë me Komisionin dhe që nga pikëpamja teknike ne të konsiderohemi gati brenda vitit 2027.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Në radhë të parë mirë se keni ardhur këtu dhe për ata që nuk ju njohin, juve jeni skuadra e negociatorëve të Shqipërisë në përpjekjen për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, brenda vitit 2030.

Sot është një ditë tjetër shumë e bukur për të gjithë ne, e cila lidhet drejtpërdrejtë me punën e të gjithëve ju dhe unë këtu dua në radhë të parë t’ju falënderoj dhe një herë për punën tuaj dhe për faktin që e nderoni këtë vend, përkundër të gjithë shabllonit të shtrembër, sipas të cilit administrata shqiptare nuk meriton respekt. Dje ishte një tjetër moment historik në proces, kështu quhen dhe në gjuhën  e Brukselit, kështu quhen dhe në gjuhën e vendeve që negociojnë, momentet kur hapet një derë tjetër. Shqipëria mori letrën e presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Europian, ku na thuhet se vendi ynë është gati t’i çelë negociatat edhe për grup kapitullin e tretë: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Letra i kërkon Bashkimit Europian paraqitjen e pozicionit negociues për 8 kapitujt, 8 fusha. Kjo letër pasoi me shumë shpejtësi dhe – dua ta theksoj që në procesin tonë të negociatave kemi hyrë në një shpejtësi shembullore dhe ju këtu jeni dëshmitarët më të besueshëm për të dëshmuar që kjo shpejtësi shembullore lidhet me rezultate, lidhet me qëmtimin skrupuloz të kushteve, janë krijuar apo s’janë krijuar kushtet që të hapet një derë tjetër.

Në 29 janar Shqipëria mori letrën e presidencës polake dhe për grupkapitullin e dytë të tregut të brendshëm për 9 fusha të tjera. Dua të them që me këto dy letra dhe me këto dy dyer të reja të hapura, ne faktikisht bëhemi të dytët në rajonin tonë, në aspektin e distancës me derën e madhe të Bashkimit Europian.

Mos harroni se nga e kemi nisur.

Një pjesë e juaja nuk kanë qenë se për fatin tuaj të mirë jeni më të rinj sesa kaq, kur e kemi nisur si vrima e fundit e kavallit. As vrimë jo, por me tapë, e mbyllur. Nuk na qaste njeri dhe nuk na jepnin as statusin e kandidatit. Kemi luftuar me shpirt ndër dhëmb dhe dhëmb për dhëmb me fatin e parashkruar keq nga trashëgimia e mëparshme. Kemi luftuar me paragjykimet, mosbesimin dhe me cinizmin e ndonjë vendi anëtar dhe pastaj falë jush në radhë të parë, kemi arritur që në procesin e “Screening” të ndryshojmë komplet, 100%, gjithçka në perceptimin e partnerëve në Bruksel për cilët jemi ne.

Kështu që, besoj që jemi në një kulm dhe sfida e këtij kulmi është të ruajmë ritmin. Të ruajmë ritmin për të cilin jemi mbledhur dhe këtu sot sepse në ndërkohë siç e kam thënë kohë më parë dhe siç e kemi përsëritur me Majlindën apo me Adean kemi dëshiruar që të përgatitemi që kur të vijë kjo fazë, ne të kemi në dorë një armë më shumë duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale.

Mbase e keni dëgjuar, mbase nuk e keni dëgjuar. Të nesërmen e daljes e OpenAI me Chat GTP kam kërkuar Mira Muratin, hera e parë që i dëgjoja emrin dhe pastaj dhe pastaj jam venë në kontakt me të. Dhe i kam kërkuar nëse me inteligjencën artificiale mund të na ndihmonte të bënim përshpejtimin e hyrjes së Shqipërisë në Europë. Dhe kur i thashë do na ndihmosh Shqipërinë të futet më shpejtë në Europë, filloi të qeshte se kujtoi se bëra ndonjë batutë dhe kur ia shpjegova na u vu në dispozicion, qoftë për modelin që tanimë është funksional siç do ta shikojnë dhe të tjerët të përshpejtimit të procesit të transferimit të gjithë legjislacionit europian në legjislacionin shqiptar për të cilin vendet më parë kanë harxhuar vite e vite të tëra, edhe vendet në rajon kanë angazhuar armata të tëra me përkthyes dhe me juristë për të përkthyer, për të korrektuar, për të paradraftuar e kështu me radhë. Ndërkohë që ne me këtë model do të jemi të gatshëm që gjithçka ta mbyllim brenda afatit shumë ambicioz që kemi përcaktuar bashkë me Komisionin dhe që nga pikëpamja teknike ne të konsiderohemi gati brenda vitit 2027. Për t’i dhënë kohë pastaj procesit politik, për t’i dhënë kohë ratifikimit në parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian të, se më bëhet mishi kokërr, të Shqipërisë anëtar, vendi i ri anëtar i Bashkimit Europian dhe në këtë mënyrë brenda një harku dy vjeçar që ne pak a shumë parashikojmë për procesin politik dhe për ratifikimet. Maja e 2030 të na gjejë me flamurin tonë në rresht, i pari se në gjuhen e Europës fillon me A emri, në gjuhën tonë fillon me SH dhe tani kemi ardhur në një fazë ku të huajt na shohin si A në çfarë bëjmë kurse brenda vetes Sh, Sh, Sh. Histori e njohur që e përndjek Shqipërinë denbabaden, por që edhe për këtë arsye, me anëtarësimin në Bashkimin Europian do të mbarojë.

Nuk dua të zgjatem më shumë sepse këtu jam bashkë me Majlindën, me Adean, me Lindën drejtoren e AKSHI-t dhe besoj që ato mund t’i thonë më mirë gjërat që unë lashë pa thënë.

Edhe njëherë shumë faleminderit për punën, përkushtimin, durimin dhe mos e harroni asnjëherë që ju jeni pararoja e një populli të tërë atje në tryezat e Brukselit në ato dhomat pa dritare, se nuk kanë dritare ata në dhoma, futu atje e mbyllu atje. Në ato dhoma pa dritare ku duhet të përballosh shumë herë më tepër pyetje sesa në çdo dhomë tjetër pa dritare dhe duhet të dalësh me kokën lart sepse përndryshe nuk të qasin më, nuk funksionon që të të mbajnë aty, të lënë dhe të thonë “Ik tani dhe shihemi kur të jesh gati” dhe falë jush kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi. Dy dyer të hapura në dy javë janë një risi në gjithë procesin, të paktën për sa i përket rajonit dhe janë shprehja më kuptimplotë e të vërtetës që ky vend po përparon me shpejtësi për tu bërë vend anëtar i Bashkimit Europian. Pse? Jo se unë vesh atlete kur takohem me ta, as se ata janë bërë zemër butë, se harrojeni që tu zbutet ndonjëherë ajo zemër, as se përtojnë të shohin çfarë bëjmë ne çdo ditë, harrojeni nuk ndodh, çdo gjë, çdo gjë e çdo gjë dhe vlerësojnë faktet ama, vlerësojnë provat ama, vlerësojnë të dhënat dhe shifrat ama, nuk bëjnë vlerësime mbi të tjera parametra dhe të gjitha faktet, të gjitha shifrat, të gjitha provat thonë që ky vend meriton të afrohet e të afrohet e të afrohet nga ata dhe ata po e afrojnë, po e afrojnë dhe po e afrojnë.

Kjo është historia që po shkruajmë ne. Të gjitha çfarë ne jetojmë në të përditshmen do të harrohen, do t’i marrë era. Ajo që do të mbetet është arkitektura e shtetit të ri europian shqiptar dhe flamuri ynë atje në oborrin e Bashkimit Europian!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.