Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 01 Mars 2017 
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.64/2012, “PËR PESHKIMIN”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pas pikës 1, të nenit 4, shtohet pika 1/1, me këtë  përmbajtje:
“1/1. “Anije aktive peshkimi”, anijet e peshkimit që kanë kryer veprimtari peshkimi (një ose disa ditë) gjatë një viti kalendarik. Një anije peshkimi, e cila nuk ka kryer veprimtari peshkimi gjatë një viti kalendarik konsiderohet “joaktive”.”
Neni 2
Pika 5, e nenit 32, riformulohet, si mëposhtë vijon:
“5. Forma, përmbajtja dhe mënyra e administrimit të RAP-it, si dhe dokumentacioni, procedurat dhe afatet që duhen respektuar për aplikimin për regjistrim dhe/ose ankim të vendimit për refuzimin e regjistrimit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 3
Neni 37 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 37
1. Ndalohen peshkimi, mbajtja në bord, transitimi në barkë dhe anije, zbarkimi i qëllimtë dhe hedhja në treg ose për konsum, në çdo periudhë, zonë e me çfarëdo lloj mjeti a pajisjeje, i këtyre organizmave ujorë:
a) Korani i lumit – Salmo letnica lumi;
b) Trofta – Salmo trutta magrostigma; Salmo marmoratus;
c) Blinjte -Acipenser sturio; Acipenser naccarii;
ç) Peshkaqenët – Cetorhinus maximus, Carcharodon carcharias;
d) Lopa e detit – Mobula mobular;
dh) Gurëshpuesi (dateri) – Lithophaga lithophaga;
e) Sfungjerët (spongidae);
ë) Gjitarët e detit (balenat, delfinët dhe fokat);
f) Breshkat e detit; (Carretta carretta, Chelonia mydas dhe Dermochelys coreacea);
g) Breshkat e ujit të ëmbël (Emys orbicularis, Mauremys caspica);
gj) Zogjtë detarë.
Me vendim të Këshillit të Ministrave,  kësaj liste i shtohen lloje të tjera që mund të përcaktohen si të rrezikuara.
2. Kapitenët e anijeve të peshkimit lëshojnë menjëherë zogjtë detarë të kapur në mënyrë aksidentale nga mjetet e peshkimit.
3. Për sa është e mundur, ekzemplarët e specieve sipas shkronjave “a” deri në “d” dhe “f” deri “h”, të pikës 1, të këtij neni, të kapur në mënyrë aksidentale nga mjetet e peshkimit, trajtohen me kujdes në bordin e anijes së peshkimit dhe lëshohen të gjallë në ujë e të padëmtuar.
4. Kapitenët e anijeve të peshkimit nuk zbarkojnë në tokë speciet e mësipërme, me përjashtim të rasteve kur bëjnë pjesë në një program të miratuar për shpëtimin dhe mbrojtjen e tyre ose në rast se është e nevojshme për të mundësuar shërimin e tyre, kur ato janë të plagosura, pasi inspektorati që mbulon fushën e peshkimit të jetë i informuar përpara se anija e peshkimit të hyjë në port.
5. Përjashtohen nga pika 1, e këtij vendimi, llojet e mbrojtura të organizmave ujorë sipas kushteve të nenit 30, të ligjit nr.103/2016, “Për akuakulturën.”.
Neni 4
Neni 121 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 121
Autoriteti i inspektimit të peshkimit
1. Autoriteti i inspektimit të peshkimit është inspektorati që mbulon fushën e peshkimit.
2.  Inspektorët që mbulojnë fushën e peshkimit kryejnë inspektimin mbi baza jodiskriminuese, në det, në porte, gjatë transportit, gjatë procesit të përpunimit dhe në tregun e shitjes së peshkut e të nënprodukteve të tij.
3. Ministri përcakton rregullat përkatëse për kompetencat e inspektorëve që mbulojnë fushën e peshkimit, për inspektimin e peshkimit, si pjesë përbërëse e inspektoratit shtetëror kompetent, bazuar në këtë ligj dhe në ligjin nr.10433, datë 10.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
4. Ministri harton e miraton rregulloren dhe manualin e detyrave e të përgjegjësive të inspektorëve për peshkimin, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror.”.
Neni 5
Në nenin 122 bëhen shtesat, si mëposhtë vijon:
a) Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje :
“3. Inspektorët që mbulojnë fushën e peshkimit kryejnë inspektimet duke shkaktuar sa më pak shqetësime apo pengesa për anijen e peshkimit, aktivitetin e subjektit të peshkimit apo për mjetet e transportit dhe aktivitetet e tyre për magazinimin, përpunimin dhe marketimin e zënieve.”;
b) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Inspektorët që mbulojnë fushën e peshkimit bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, organet tatimore dhe doganore, Policinë Bashkiake, Rojën Bregdetare, kapiteneritë e porteve, QNOD-in, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit si dhe çdo autoritet tjetër përgjegjës, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 6
Neni 125 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 125
Vëzhguesit dhe monitoruesit
1. Ministri cakton specialistë të sektorit të peshkimit, të ministrisë ose strukturave të saj të vartësisë, të enteve kërkimore publike e private, me detyrën vëzhgues, i cili:
a)  duhet të pajiset me një dokument identifikimi, të lëshuar nga ministri, i detyrueshëm për t’u mbajtur me vete në çdo kohë gjatë kryerjes së detyrës. Këtë dokument vëzhguesi ka për detyrë t’ua tregojë pronarëve të subjekteve ose kapitenëve të anijeve të peshkimit, kur kërkojnë të hipin në një anije peshkimi që ndodhet në ujërat shqiptare, ose kur kërkojnë të kryejnë intervista në lidhje me aktivitetin e peshkimit në territorin shqiptar;
b) i caktuar sipas këtij ligji, gëzon të njëjtën mbrojtje si inspektori i peshkimit.
2. Vëzhguesi ka për detyrë:
a) të vëzhgojë zënien, trajtimin dhe përpunimin e burimeve ujore e veprimtaritë e lidhura me to, si dhe të regjistrojë të dhënat në lidhje me këto veprimtari;
b) të grumbullojë dhe të regjistrojë informacionin biologjik e informacionet e tjera të lidhura me aktivitetin që rregullohet nga ky ligj;
c) të grumbullojë mostra të burimeve ujore të peshkuara;
ç) të raportojë në drejtori për të gjitha vëzhgimet dhe informacionin e marrë sipas këtij neni;
d) të kryejë edhe aktivitete të tjera, të cilat përcaktohen nga drejtoria e peshkimit;
dh) në rast se vëzhguesi vepron në zbatim të rregullave të një marrëveshjeje ndërkombëtare, të ndërmarrë ato aktivitete, për të cilat është rënë dakord ndërmjet ministrisë dhe autoritetit përkatës të këtij autoriteti, të shprehur në marrëveshje, por që nuk janë në kundërshtim me shkronjat “a” deri në “ç”, të kësaj pike.
3. Ministria i kërkon personit mbajtës të lejes së peshkimit profesional ose kapitenit të një vendi tjetër të:
a) pranojë një vëzhgues peshkimi në bordin e anijes së peshkimit;
b) pranojë vëzhguesit e peshkimit në çdo pronë dhe në mjediset e përdorura për shfrytëzimin e burimeve ujore detare;
c) lejojë vëzhguesit e peshkimit, të përmendur në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, të kenë akses në të gjitha pjesët e strukturave tokësore, anijet e peshkimit dhe lokaleve, si dhe te të dhënat, dokumentet për burimet ujore detare që gjenden atje;
ç) sigurojë akomodim të arsyeshëm për vëzhguesit e peshkimit, të përmendur në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike;
d) lejojë vëzhguesit e peshkimit, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, të përdorin të gjitha pajisjet e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tij ose të saj.
4. Monitoruesit janë pjesë e strukturës së ministrisë dhe mbledhin informacione apo statistika, siç kërkohet nga drejtoria e peshkimit, në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian dhe Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun, sipas specifikimeve të nenit 93 dhe mund:
a) të hipin në bordin e çdo anije peshkimi, me qëllim të mbledhjes së informacionit të  peshkimit;
b) të intervistojnë dhe të marrin informacione të tilla nga pronarët, kapitenët dhe peshkatarët e anijeve të peshkimit shqiptare të regjistruara
5. Monitoruesit e peshkimit u nënshtrohen kërkesave të konfidencialitetit, sipas nenit 96 të këtij ligji.
Neni 7
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META 
### 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.64/2012, “PËR PESHKIMIN”, TË  NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
### 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E REZOLUTËS NR.BG/6-434, “NË LIDHJE ME RRITJEN E PËRGJITHSHME  TË 5-TË TË BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM (IDB) DHE ARKËTIMIN E 50% (PJESA E ARKËTUESHME E PARAVE) TË KAPITALIT TË NËNSHKRUAR TË BANKËS ISLAMIKE  PËR ZHVILLIM SIPAS RRITJES SË 4-T TË PËRGJITHSHME TË KAPITALIT DHE DISA NËNSHKRIMEVE TË TJERA TË VEÇANTA”, TË VITIT 2013, TË BORDIT TË GUVERNATORËVE  TË BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM (IDB)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit, “Për miratimin e rezolutës nr.BG/6-434, “Në lidhje me rritjen e përgjithshme të 5-të të Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) dhe arkëtimin e 50% (pjesa e arkëtueshme e parave) të kapitalit të nënshkruar të Bankës Islamike për Zhvillim sipas rritjes së 4-t të përgjithshme  të kapitalit  dhe disa nënshkrimeve të tjera të veçanta”, të vitit 2013, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Islamike  për  Zhvillim (IDB)”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
### 
P R O J E K T L I GJ
PËR
MIRATIMIN E REZOLUTËS NR.BG/6-434, “NË LIDHJE ME RRITJEN E PËRGJITHSHME TË 5-TË TË BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM (IDB) DHE ARKËTIMIN E 50% (PJESA E ARKËTUESHME E PARAVE) TË KAPITALIT TË NËNSHKRUAR TË BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM SIPAS RRITJES SË 4-T TË PËRGJITHSHME TË KAPITALIT DHE DISA NËNSHKRIMEVE TË TJERA TË VEÇANTA”, TË VITIT 2013, TË BORDIT TË GUVERNATORËVE TË BANKËS ISLAMIKE  PËR  ZHVILLIM (IDB)
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Miratimin e rezolutës nr.BG/6-434, “Në lidhje me rritjen e përgjithshme të 5-të të Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) dhe arkëtimin e 50% (pjesa e arkëtueshme e parave) të kapitalit të nënshkruar të Bankës Islamike për Zhvillim sipas rritjes së 4-t të përgjithshme të kapitalit dhe disa nënshkrimeve të tjera të veçanta”, të vitit 2013, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Islamike  për  Zhvillim (IDB), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Pagesa prej 2,13 milionë ID të paguhet me këste të barabarta, përgjatë një periudhe 20-vjeçare, 2016-2035, me një kosto vjetore për buxhetin e shtetit prej 106 500 (njëqind e gjashtë mijë e pesëqind) ID, në përputhje me termat dhe kushtet e pagesës të specifikuara në rezolutë.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
### 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HUAN E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT TË KONKURRUESHMËRISË” 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të konkurrueshmërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
### 
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HUAN E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT TË KONKURRUESHMËRISË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të konkurrueshmërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
### 
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9634, DATË 30.10.2006, “PËR INSPEKTIMIN E PUNËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9634, datë 30.10.2006, “Për inspektimin e punës”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Kudo në ligj, emërtimi “kontrollor pune” hiqet.
Neni 2
Neni 2 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Inspektorat”, inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës, organizimi dhe funksionimi i të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
2. “Inspektim në punë”, çdo formë kontrolli për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, sipas legjislacionit të punës, i bërë nga inspektorati, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin për inspektimin.
3. “Legjislacion i punës” janë:
a) konventat e ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë;
b) ligji nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
c) ligji nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i ndryshuar;
ç) ligji nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, i ndryshuar;
d) ligji nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
dh) ligji nr.108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar;
e) i gjithë legjislacioni që ngarkon Inspektoratin e Punës për sigurimin e zbatueshmërisë së tyre;
ë) aktet nënligjore në zbatim të shkronjave “b”, “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 3, të këtij neni.”.
4. “Ministër”, ministri, i cili mbulon çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin e punës.
5. “Person fizik”, “Person juridik” apo “Subjekt”, çdo person fizik apo juridik, sipas përcaktimit të bërë në Kodin Civil.
6. “Inspektor pune”, inspektori i inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës.”.
7. “Mirëqenie në punë”, të gjitha lehtësitë sociale që duhet t’u krijojë punëdhënësi punëmarrësve, si: shërbimi i ushqimit, shërbimi i shëndetit në punë, shërbimi i kohës së lirë, shërbimi i transportit të punëmarrësve si dhe shërbimi i personelit.
8. “Kushte pune”, elementet që lidhen me mjedisin, në të cilin një punëmarrës ushtron veprimtarinë e vet, si dhe elementet sociale e administrative, të tilla si pagat, kohëzgjatja e punës, puna e natës, pushimi javor dhe ai vjetor.
9. “Degë e veprimtarisë ekonomike”, çdo degë, ku punësohet punëmarrësi, përfshirë dhe shërbimin publik.
10. “Punësim informal”, marrëdhënie punësimi që nuk u nënshtrohet, si nga ana ligjore ashtu edhe në praktikë, kërkesave të legjislacionit të punës dhe ligjit për procedurat tatimore dhe ku  punëmarrësi nuk përfiton të drejtat e tij, që burojnë nga këto ligje.
11. “Aksesueshmëri e personave me aftësi të kufizuar” mënjanimi i pengesave sociale, mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në vendin e punës.”.
Neni 3
Pika 6, e nenit 13, shfuqizohet.
Neni 4
Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 7, pas fjalëve “… gjatë procesit të punës …” shtohen “…në përputhje me ligjin për inspektimin …”;
b) Pika 9 shfuqizohet.
Neni 5
Neni 15 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 15
Mjetet e ndërhyrjes në rastin e shkeljeve të legjislacionit të punës
Inspektori, me qëllim përmirësimin e gjendjes dhe shmangien e shkeljeve të dispozitave ligjore, të cilat i janë ngarkuar për zbatim Inspektoratit Shtetëror që mbulon fushën e punës, procedon administrativisht, në përputhje me ligjin për inspektimin,:
1. Për respektimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës e të punësimit për detyrimin e punëdhënësit:
a) për të përfunduar me shkrim kontratën individuale të punës, për ata punëmarrës që nuk e kanë një dokument të tillë në çastin e kontrollit, dhe kontratën kolektive;
b) për korrigjimin e atyre neneve të kontratës individuale, të cilat parashikojnë kushte më të disfavorshme se ato të parashikuara në legjislacionin dhe kontratën kolektive të punës;
c) për të paraqitur dokumentin e degës përkatëse të tatimeve për deklarimin dhe pagesën e kontributeve për sigurimet e detyrueshme shoqërore e shëndetësore për të gjithë punëmarrësit;
ç) për të respektuar punësimin e personave me aftësi të kufizuar, sipas legjislacionit në fuqi.
d) për të respektuar punësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, grave shtatëzëna dhe nënave të reja;
dh) për detyrimet e parashikuara në ligj për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit;
e) për detyrimet ligjore për punën e natës;
ë) për të respektuar pajisjen me leje pune për punëmarrësit e huaj, në përputhje me ligjin nr.108/2013, “Për të huajt”;
f) për respektimin e pagës minimale, të miratuar nga Këshilli i Ministrave;
g) për të paraqitur dokumentet e deklarimit të punëmarrësve të punësuar dhe të larguar rishtazi, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
gj) për respektimin e lirive dhe të drejtave sindikale.
2. Për respektimin e dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve për detyrimin e punëdhënësit:
a) për marrjen e lejes nga inspektori i punës para vënies në punë të ndërmarrjes ose të një pjese të saj, në përputhje me Kodin e Punës;
b) për riparimin e defekteve që vërehen gjatë funksionimit të pajisjeve apo përdorimit të metodave të punës, për të cilat inspektori vlerëson se ka shkaqe të arsyeshme dhe se ato përbëjnë një kërcënim për shëndetin apo sigurinë e punëmarrësve;
c) për kryerjen e kontrolleve teknike të instalimeve të aparaturave e të makinerive;
ç) për modifikimin e instalimeve të nevojshme brenda një afati të caktuar kohor;
d) për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në vendin e  punës, sipas ligjit nr.93/2014, “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, dhe akteve nënligjore të tij.
Ministri përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë nxjerr udhëzimin për detyrimet që kanë subjektet publike dhe private për zbatimin e kësaj shkronje.”.
Neni 6
Neni 16 shfuqizohet.
Neni 7
Neni 19 riformulohet, si më poshtëvijon:
“Neni 19
Inspektori i punës duhet të respektojë Kodin e Etikës për punonjësit e inspektorateve shtetërore në Republikën e Shqipërisë.”.
Neni 8
Në nenin 22 bëhen këto ndryshime:
a) Pika 4 shfuqizohet.
b) Pika 5 riformulohet, si më poshtë vijon:
“5. Punëdhënësi duhet të marrë leje nga Inspektorati  i Punës para vënies në punë të ndërmarrjes apo të një pjese të saj si dhe për çdo ndryshim teknologjie prodhimi, për mënyrën e organizimit të punës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
Neni 9
Neni 25 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 25
Detyrimet e punëmarrësit
Punëmarrësi respekton urdhrat dhe udhëzimet e punëdhënësit për masat e sigurisë e të shëndetit në punë, përdor të gjitha pajisjet e punës dhe mjetet mbrojtëse individuale si dhe merr pjesë aktive në formim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
Neni 10
Në kreun V bëhen këto ndryshime:
a) Emërtimi i kreut ndryshon dhe bëhet “Detyrimi i inspektoratit për informim dhe këshillim”;
b) Emërtimi i nenit 26 ndryshohet dhe bëhet “Informimi dhe këshillimi”.
Neni 11
Në nenin 33 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Shkronja “b”, e pikës 1, riformulohet, me këtë përmbajtje:
“ b) për shkelje të dispozitave të legjislacionit të punës, përjashtuar ato të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, inspektori i punës vendos gjobë nga 10 deri në 50-fishin e pagës minimale, sipas parimit të proporcionalitetit, në përputhje me ligjin për inspektimin.”;
b) Në pikën 2, pas fjalëve “Për shkelje…”, shtohen “…të parashikuara në nenin 35, të këtij ligji, …”;
c) Pika 3 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“3. Kur inspektori i punës kundërshtohet apo pengohet në kryerjen e detyrës, subjekti sanksionohet në masën nga 10 000 deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, në përputhje me ligjin për inspektimin.”.
Neni 12
Neni 35 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 35
Masa urgjente
1. Inspektori i punës vendos masën urgjente, në përputhje me ligjin për inspektimin,:
a)  në rastet e konstatimit të punësimit informal;
b) në rast se vazhdimi i aktivitetit përbën rrezikshmëri të menjëhershme, të rëndë, të paevitueshme për sigurinë e shëndetin e punëmarrësve dhe është i nevojshëm evakuimi i tyre nga vendi i punës.
2. Marrja e masës urgjente ose vendosja e saj si dënim plotësues bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.
3. Ankimi ndaj vendosjes së masës urgjente bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.”.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META 
### 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9634, DATË 30.10.2006, “PËR INSPEKTIMIN E PUNËS”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9634, datë 30.10.2006, “Për inspektimin e punës”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.