Revolucioni digjital 2020 po vijon me shtrirjen e shërbimeve online, duke lehtësuar ndjeshëm procedurat për qytetarët përmes portalit e-albania.al
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sot ofrohen në kohë reale dokumente me vulë elektronike, të tilla si; Konfirmimi për gjendjen aktive të mjetit; Vërtetim për lejen e drejtimit; Autorizim për rifitimin e lejes së drejtimit, për të cilat shpenzoheshin muaj të tërë dhe u kushtonin para nga xhepi qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot zyrat e DPSHTRR-së në kryeqytet, të cilat gjithashtu së shpejt do të transformohen tërësisht, sëbashku me mjediset e jashtme, përmes një projekti të ri. Mirlinda Karcanaj, Drejtore e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit [AKSHI], shpjegoi se me procedurat e thjeshtuara online, një leje drejtimi, e cila më parë bëhej për 15 deri 20 ditë, tani bëhet brenda ditës, në vetëm 30 minuta. Ndërsa shansi për korrupsion është zero.
“Është përmirësuar totalisht sistemi i lejeve të drejtimit. Jo vetëm janë blerë pajisje cilësore me teknologji bashkëkohore për printim, por 5 sisteme të izoluara që nuk komunikonin me njeri-tjetrin, janë integruar në një sistem të vetëm. Është automatizuar komplet procesi i brendshëm i punës. Aplikimi bëhet në kohë reale dhe procedura tani është shumë e thjeshtë. Infrastruktura është totalisht e re. Një leje drejtimi, e cila më parë bëhej për 15-20 ditë tani bëhet brenda ditës në vetëm 30 minuta. Një lehtësi e madhe për jetën e qytetarit, nuk ka asnjë shans për korrupsion. Po bëjmë dixhitalizimin e dosjeve. Kemi bërë lidhje me sistemin e Policisë së Shtetit, po ndërveprojmë me sistemin e mbikëqyrjes financiare për vlerësimin e siguracionit në kohë reale. Është përmirësuar totalisht sistemi i targave. Përveçse janë automatizuar proceset e brendshme të punës, tani targat kërkohen edhe online shumë shpejt në kohë reale.”
Znj.Karcanaj theksoi se nga 1 janari i këtij viti janë “rreth 90 mijë aplikime, 3 herë më shumë se e njëjta periudhë vitin e kaluar. Do shtojmë edhe 30 shërbime deri në fund të 2020 dhe me një vlerësim paraprak themi se u lehtësojmë 90 vite pritje qytetarëve në këtë sportel.”
Të njëjtën gjë pohoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i cili tha se radhët në sportel në një ditë të zakonshme pune janë reduktuar ndjeshëm. Ndërsa Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se në periudhën janar-shkurt ka patur mijëra aplikime për dokumente me vulë elektronike, ndërsa ndërveprimi brenda platformës ka qenë plotësisht i suksesshëm.
Kryeministri Rama theksoi se hapi i radhës duhet të jetë mbyllja graduale e sporteleve për qytetarët. “Duhet të shkojmë drejt mbylljes së sporteleve për qytetarët. Tani kalojë koha e trajnimit dhe deri nga fundi i marsit, duhet t’i mbyllim pak nga pak sportelet dhe qytetarët të gjitha këto shërbime i merr nga shtëpia, ose nga posta, ose nga njësia administrative, por nuk ka nevojë që të vijë të rrijë në radhë.”