Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!

Sot rimarrim ciklin e platformës së bashkëqeverisjes, e cila ka vazhduar natyrisht çdo ditë, funksionoi edhe gjatë periudhës së pushimeve dhe më vjen shumë mirë të them që janë mesatarisht 1000 çështje, kryesisht ankesa të qytetarëve për pengesa, për zvarritje në procesin e marrjes së dokumenteve në zyrat e shtetit, të nivelit qendror apo vendor, por edhe të tjera kërkesa ose angazhime të natyrave të ndryshme. Nga ana tjetër është me shumë rëndësi të theksohet që përtej të gjitha paragjykimeve, apo edhe situatave jo fort pozitive, të krijuara nga komente apo përqeshje publike nëpër media, është e qartë që besimi i qytetarëve tek platforma vazhdon rritet, sepse platforma është e tëra në dispozicion të tyre dhe sepse, hap pas hapi, rastet e vazhdueshme të zgjidhjeve dhe le të themi të suksesit të ndërveprimit mes qytetarëve dhe qeverisë përmes platformës kanë bërë punën e tyre.

Kjo që bëjmë çdo javë, duke thirrur qytetarë që janë protagonistë, në sensin e angazhimit në platformë dhe të zgjidhjes së problemeve të tyre me mbështetjen e menjëhershme të qeverisë, ndihmon pikërisht që ata që na ndjekin, njerëzit e zakonshëm, kudo ku janë, të shohin përmes rasteve konkrete, përmes të ngjashmëve të tyre, sesi kanë ndërvepruar me platformën dhe sesi kanë marrë zgjidhje.

E nisim me rastin e parë dhe siç e kemi bërë gjithmonë, po ftoj një nga koordinatorët, në këtë rast Egestën që ka ndjekur rastin e Zotit Hysen.

Egesta, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rastet që prezantohen në vijim janë trajtuar në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë dhe kryesisht lidhen me çështjet e pensioneve. Kështu Zoti Xhelja i është drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes me dy ankesa; Ankesa e parë ka konsistuar në problematikën e pensionit të tij, në mosnjohjen e rreth 10 viteve punë, gjë e cila ka ndikuar në masën e pensionit mujor që ka përfituar. Ankesa u trajtua nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u rivlerësua masa e pensionit, u shtua periudha e sigurimit, si dhe u akordua shuma përkatëse kreditore në llogarinë e Zotit Xhelja. Gjithashtu nga koordinatorët është ndjekur edhe ankesa e dytë e tij, e cila ka gjetur zgjidhje, për pajisjen me legalizim të një objekti informal për të cilin ata kishin bërë vetëdeklarim që në vitin 2005. Pas njoftimit të bërë dhe pagesës përkatëse, në shtator të vitit 2019, Zonja Manushaqe, bashkëshortja, ka përfituar lejen e legalizimit.

Zonja Manushaqe Xhelja: Ju falenderoj shumë që na dhatë mundësinë që morëm certifikatën e pronësisë. Ju falenderoj edhe për pensionin e burrit tim, se nuk do e zgjidhja asnjëherë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit juve, sepse, realisht, angazhimi i drejtpërdrejte i qytetarëve ndihmon shumë në përpjekjen e përbashkët dhe në detyrën tonë për ta shtyrë administratën maksimalisht që të bëjë detyrën. Nga ana tjetër ndihmon shumë për të zbuluar edhe individë, apo struktura të vogla dhe nga larg edhe të padukshme të administratës që pengojnë për të marrë masa ndëshkimore për individë që nuk e kanë bërë detyrën si duhet, për të riparë mënyrën e funksionimit të strukturave. Më vjen shumë mirë, besoj që është një nga arsyet kryesore për të pasur, le të themi, kënaqësi për punën e Platformës së Bashkëqeverisjes, fakti që pensionistët arrijnë përmes platformës, me shumë shpejtësi, të zgjidhin shpeshherë një problem që për ta është jetik, problem që lidhet me dinjitetin, por dhe me një të drejtë ekonomike, përllogaritjen e pensionit. Faktikisht, struktura përkatëse ka përmirësuar shumë punën e saj, por është ende larg së qeni një strukturë që reagon dhe përgjigjet në kohë reale në të gjithë territorin e vendit. Fatkeqësisht, në një numër të caktuar zyrash në territor, pensionistët nuk e marrin përgjigjen e mbi të gjitha nuk marrin përkushtimin që meritojnë, mirëpo duke iu drejtuar platformës, ata i kapërcejnë të gjithë pengesat dhe menjëherë kanë një mik shumë të fortë në krah, që është drejtpërdrejtë qeveria. Kështu ajo që kanë pritur më kot, nganjëherë për vite të tëra, bëhet realitet vetëm në një numër të kufizuar ditësh dhe thirrja ime për të gjithë pensionistet që kanë problem me përllogaritjen e pensionit është, mos humbni kohë të shkoni në zyra, mos prisni zgjidhjen në rast se ajo nuk ju vjen menjëherë, por direkt tek shqipëriaqeduam.al. Është platformë që ka zgjidhur çdo rast problematik të pensionistëve me nevojën për të rillogaritur pensionin e tyre.

Egesta, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në vijim, Zonja Mevlude, përfituese fillimisht e një pensioni të pamatshëm të përkujdesit ndaj bashkëshortit, më pas e një pensioni familjar dhe tashmë e pensionit të pleqërisë, prej kohësh kishte kërkuar rillogaritje e këtyre dosjeve, por nuk kishte gjetur zgjidhje. Pas delegimit të ankesës në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, ankesa e saj u gjet e drejta, u rivlerësua masa e pensionit dhe Zonjës Mehmetukaj iu dha e drejta që i ishte mohuar prej vitesh.

Zonja Mehmetukaj: Jam e nderuar që vij pranë jush me një kënaqësi të madhe dhe me falenderimet më të mëdha që u zgjidh problemi im. Kam punuar 30 vjet në Spitalin Ushtarak. 2 vjet u përkujdesa për burrin, pasi e kisha të sëmurë dhe mora një pension shumë të vogël. Pastaj burri nuk jetoi më. Mora gjysmën e pensionit të burrit dhe më vonë mbusha moshën dhe mora pensionin tim. Një pension jashtëzakonisht i ulët prej 4800 lekë, që unë kisha punuar dhe kisha bërë dhe shkollë të lartë dhe me aq. Nuk fola sepse mendoja që nuk do zgjidhjen problemi. Vajta tek sigurimet shoqërore. Le që nuk më priti njeri, por nuk donte të dinte njeri fare. Më vonë shkruaja tek portali, më pritën jashtëzakonisht mirë, sikur të isha nëna e tyre. Problemi im u pa, u shqyrtua dhe unë e fitova të drejtën time. Mora dhe një pagesë plus dhe pensioni u shtua. Nuk gjej fjalë për të falënderuar për këtë. Më duket sikur kam lindur dhe një herë, edhe pse jam 74 vjeçe. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Në fakt, qëkur ne erdhëm në qeveri, shumë njerëz vinin tek selia, prisnin aty kur mblidhej grupi parlamentar dhe përgjithësisht nuk është se arrinin të zgjidhnin ndonjë gjë, duke vendosur ato vajzat dhe kompjuterët aty në dispozicion të qytetarëve, pa i pyetur as çfarë tesera kanë, as nga vijnë, as si quhen, në kuptimin e njohjes, kemi arritur të zgjidhim dhe aty shumë gjëra, plus që deputetët tanë në zyrat e tyre kanë në dispozicion një staf të vogël për qytetarët. Po kështu, në zyrat e postës, po kështu në shumë zyra të tjera ku bëhet shërbim, ka në dispozicion një kompjuter për t’ju drejtuar platformës, në rast se në zyra nuk merret shërbimi i dëshiruar. Kjo na ka ndihmuar shumë që të kemi një hapje shumë të madhe, por ajo që është më e rëndësishmja është që platforma nuk ka limit territorial. Ajo mund të aksesohet direkt nga xhepi, nga telefoni, mund të aksesohet jashtë shtetit për çdo qytetar që ka një pasaportë apo Kartë Identiteti të Shqipërisë. Nga ana tjetër më vjen shumë mirë të theksoj që në rastin e pensionisteve që rillogarisin pensionin, jo vetëm që pensioni rillogaritet dhe rritet siç u takon, por merren të gjitha ato teprica, të cilat padrejtësisht kanë mbetur në arkën e shteti e nuk janë dhënë në kohë. Kështu që zonja ka marrë të gjithë shumën e munguar për shumë vite. Mirë do ishte që të gjithë ata që e kanë këtë problem të ndiqnin shembullin e zonjës, apo të zonjës para saj, që trajtuan këtë çështje.

Egesta, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një qytetare nga Pogradeci tashmë i ka besuar Platformës së Bashkëqeverisjes. Zonja Fatmira Pllaha i është drejtuar platformës, pasi ka punuar dhe ka dhënë kontribut prej 41 vitesh, por pensioni është përcaktuar për një periudhë minimale sigurimi prej 15 vitesh. Nga ana e institucionit është orientuar që të ndjekë rrugën gjyqësore, por pa sukses. Ankesa u trajtua dhe nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë dhe pas disa verifikimeve të kryera. U rivlerësua masa e pensionit, u shtua në periudhën e përgjithshme të sigurimit rreth 27 vite pune të munguara, si dhe u akordua një shumë e konsiderueshme kreditore në llogarinë e saj. Sot ka ardhur vajza e Zonjës Fatmire, Matilda, për të treguar rastin e nënës së saj.

Zonja Matilda: Unë jam vajza e Fatmirës. Ajo më dërgoi këtu, për të shprehur falënderimin për Kryeministrin dhe për gjithë institucionin që u përfshi në  zgjidhjen e problemit të pensionit të saj. Nëna ime prej 9 vitesh ishte shumë e shqetësuar, sa herë që vinte periudha që merrte pensionin. Ajo ka punuar një jetë të tërë dhe nuk arrinte që të gëzonte pensionin e saj. Para 4-5 muajsh, më zë syri në televizion një zonjë, e cila me të njëjtat kushte kishte përfituar pensionin. I them bashkëshortit tim, a mundesh të aplikosh? Aplikoi dhe brenda 1 jave na u kthye përgjigja që çështja ka filluar të shqyrtohet dhe brenda 3 javësh na vjen përgjigja dhe shohim që pensioni ishte miratuar dhe i ishte rritur trefish dhe do merrte edhe një shpërblim. Kam ardhur këtu për të falënderuar për nënën time, për të gjithë këtë sistem që ka ndërmarrë që gjërat të zgjidhën nëpërmjet një mesazhi.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin që keni marrë dhe unë e kam shprehur në çdo rast që është vërtetë kënaqësi dhe me shume respekt që të kemi këtu çdo javë qytetarë që e kanë zgjidhur hallin e tyre dhe e kanë zgjidhur mbasi janë torturuar nëpër labirintet e pafundëm të administratës, qytetarë që marrin mundimin, jo më për vete, por për të tjerët, që të kuptojnë drejtpërdrejte nga dëshmitë e të pranishmëve se Platforma e Bashkëqeverisjes është reale, se ndihmon njerëz të zakonshëm që nuk kanë njohje, nuk kanë partira, nuk kanë kanale të tjera dhe nuk duan, ose nuk kanë as mundësi që të kalojnë përmes rrugëve të errëta, ku ndonjëherë i josh një pjesë e kalbur e administratës, duke u kërkuar ryshfet. Kështu që nuk ka nevojë për ryshfet, nuk ka nevojë për miq, nuk ka nevojë për parti, nuk ka nevojë për asgjë tjetër, mjafton thjesht dhe vetëm një mundim i vogël, pak minuta, për të drejtuar ankesën që vjen drejtpërdrejtë në duart e vajzave dhe djemve që janë këtu, ndërkohë që informohet drejtpërdrejtë ministri apo ministrja përkatëse, për të ndjekur çështjen. Në një farë mënyre, çdo qytetar që i drejtohet platformës ka një akses të drejtpërdrejtë e të menjëhershëm që nuk e ka asnjë deputet që mund të marri në telefon, të kërkojë një takim me mua apo një ministër, e nuk e realizon dot në mënyrë të menjëhershme për arsye të impenjimeve të tjera. E nga ana tjetër më vjen vërtetë shumë mirë për faktin që të gjitha këto dëshmi dhe e gjithë puna që bëhet nga skuadra e platformës ka rritur shumë presionin mbi administratën, duke përmirësuar nivelin e reagimit dhe nivelin e shërbimit, pavarësisht se është ende larg së qeni ajo që duam ne e pavarësisht se është ende jo uniformë, ka zyra ku mund të marrësh shërbim të menjëhershëm, një shërbim cilësor dhe ka zyra ku nën të njëjtën ombrellë të të njëjtit institucion nuk është e njëjta gjë. Mjafton të shikoni diferencat mes hipotekës së Tiranës dhe disa zyrave të hipotekës tek-tuk e në tërësi të zyrave të hipotekës, që jam i bindur së shpejti do të kenë një transformim të mëtejshëm me ndërtimin e strukturës së unifikuar të Kadastrës shtetërore.

Fatmiri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në fillim të janarit të këtij viti, ish zyrës vendore të pasurive të paluajtshme Shkodër iu adresua aplikimi i Zotit Brahim Brahimi, qytetar i këtij qyteti, me kërkesën e tij për regjistrimin e pronës së tij dhe lëshimin e certifikatës. Afati përfundimtar në të cilin ish zyra vendore e pasurive të paluajtshme Shkodër duhet të vepronte ishte fundi i janarit 2019, por jo vetëm ky afat nuk u realizua, por as ankimi administrativ që zotëria bëri në maj të atij viti pranë drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Shkodër. Do të ishte hapi i tretë dhe përfundimtar, ai i adresimit të ankesës së tij në Platformën e Bashkëqeverisjes, që do t’i mundësonte, falë ndërhyrjes dhe potencialit që ka platforma, emetimin e certifikatës së pronës.

Zoti Brahimi: Unë kisha bërë dokumentet për pronësinë. Më kanë sorollatur 3 vjet. Iu drejtova platformës dhe brenda 3 javëve më kthyen përgjigje dhe mora certifikatën. Ju uroj shëndet dhe suksese ty dhe ekipit.

Kryeministri Edi Rama: Duhet të mos ngurrojë askush, ashtu sikundër nga ana tjetër, kjo është e ardhmja, në sensin që duhet të arrijmë e do të arrijmë hap pas hapi në pikën që kontakti me zyrat minimizohet, deri sa të zerohet dhe gjërat të zgjidhe në rrugë elektronike. Por në ndërkohë duhet të jemi bashkë, duhet të ndërveprojmë maksimalisht me të gjithë qytetarët, sepse pa qytetarët dhe pa ngulmimin e tyre është shumë e vështirë të shtyhet një makineri e rëndë dhe e cila ishte mësuar thjesht dhe vetëm të rrinte në vend, të harxhonte energji pafund e të torturonte qytetarët për t’i marrë lekë. Kjo është ajo që ishte, sot është shumë më mirë sesa ishte, por pa diskutim që nesër do të jetë shumë herë më mirë sesa është sot. Kështu që ky ndërveprim është i domosdoshëm, siç është i domosdoshëm ndërveprimi për informalitetin. Kemi vënë në dispozicion një aplikacion për të gjithë qytetarët dhe vërej që herë pas here ka komente të natyrës, jo spiunët, jo nuk bëhet me spiunë, jo shteti etj.. Shteti janë të gjithë. Shteti nuk është vetëm qeveria, nuk janë vetëm bashkitë, shteti është në radhë të parë, tek vetëdija dhe dinjiteti i çdo qytetari që refuzon të pranojë në shtetin ku ai bën pjesë, situata dhe shfaqje abuzive dhe për të cilat, ai vihet në lëvizje. Natyrisht, qytetari nuk mundet dot të përballet vetë me dikë që abuzon për arsye të tij, por ka jo vetëm detyrimin, por dhe të drejtën që të vërë në lëvizje atë pjesë të shtetit që duhet të reagojë.

Lediana, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantojmë në vijim ka të bëjë me zgjidhjen e një problematike sa i përket likuidimeve të prapambetura të punonjësve të një shoqërie, konkretisht shoqëria aksionere “Duhan Cigare Shkodër”, e cila është me vetëfinancim. Ka patur një problem administrativ përsa i përket likuidimit të detyrimeve dhe pagesave të punonjësve të saj. Për këtë arsye, vetë administratorja e shoqërisë është drejtuar dhe ka kërkuar ndihmë Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë për të ndërhyrë e për të gjetur një zgjidhje kësaj problematike. Grupi i posaçëm i punës kreu verifikimet, arriti në një konkluzion dhe Ministria e Financave dhe e Ekonomisë akordoi fondin e nevojshëm për likuidimin e detyrimeve financiarë dhe pagesave të këtyre punonjësve, duke mbuluar si pagat e prapambetura, ashtu dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të 7 punonjësve të kësaj shoqërie.

Zonja Gentiana: Rasti jonë ka qenë sa i veçantë, aq dhe i komplikuar. Pasi kemi ezauruar të gjitha mundësitë ka qenë e pamundur sigurimi i një fondi për shlyerjen e pagave e detyrimeve ndaj punonjësve e kreditorëve të tjerë. Unë vendosa t’i drejtohem platformës. Në diskutime mes miqve më thonin që është e vështirë. Nëse ti do i drejtohesh platformës, përgatitu që të vijë urdhri i shkarkimit nga puna. Unë pata besim, iu drejtova platformës dhe ja ku jam sot, me problemin e zgjidhur, me paga e detyrime të shlyera. Ju falenderoj pa masë ju dhe platformën e të gjithë që kanë punuar për këtë, që kanë pasur përkushtim për çdo njoftim të ri që kemi ndarë. Jam shumë e kënaqur që sot, gjithë qytetarët kanë një mundësi, kanë një derë ku të trokasin për problemet e tyre.

Kryeministri Edi Rama: Rasti tjetër është një nga ato raste që ia vlen të trajtohet sepse platforma nuk bën asnjë dallim dhe nuk i kategorizon rastet dhe shqetësimet e qytetarëve me nivele madhësie të parë nga larg. Natyrisht që të jetosh në një godinë ku një kat më poshtë zhvillohet aktivitet industrial është një tmerr për ata që jetojnë zhurmën, apo tymin, apo ndotjen e një aktiviteti ekonomik, në këtë rast industrial, mobileri nën dhomën e gjumit, që mund të duket sikur ç’punë ka platforma me këtë, si mund të merret qeveria me këtë punë, por zgjedhja që kemi bërë ne është që të mos e quajmë të vogël asnjë rast shqetësimi që prek qoftë një qytetar të vetëm, qoftë një familje të vetme. Unë personalisht jam një platformë më vete në këtë sens, edhe pse përgjithësisht ankesat që më vijnë, përsëri ia delegoj skuadrës së platformës për t’i ndjekur në rrugë institucionale, por e rëndësishme është që asnjë qytetar të mos ndihet i padëgjuar, asnjë njeri i zakonshëm të mos ndihet i shpërfillur, pavarësisht se rasti që mund të përbëjë shqetësimin mund të duket krejt i vogël dhe i parëndësishëm për këdo tjetër, përveç atij.

Fatbardha, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot do të prezantoj rastin e zotit Flamur Zaimi nga Tirana. Zoti Zaimi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes në emër të banorëve të pallatit në rrugën “Ali Visha” në Tiranë. Shqetësimi i tyre kishte të bënte me faktin se prej disa kohësh në katin e parë të parë të pallatit të tyre ushtronte aktivitetin një mobilieri, që shkaktonte ndotje të madhe akustike, gjithashtu edhe të ambientit përreth. Rasti u trajtua menjëherë nga Inspektoriati shtetëror i mjedisit të pyjeve, ujërave dhe turizmit, të cilët kryen verifikimin në terren dhe panë që aty ushtronte aktivitetin një mobilieri në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe i pa pajisur me leje mjedisore. Kundrejt subjektit u mor masa administrative gjobe dhe pezullim i plotë i aktivitetit, deri në pajisjen me leje mjedisore. Rasti u mbajt nën monitorim nga Inspektoriati në ditët në vijim, derisa u bë e mundur transferimi i këtij subjekti në një ambient jashtë qendrës së banuar.

Zoti Flamur Zaimi: Jam administrator i dy pallateve tek rruga “Ali Visha”. Faleminderit që ekziston platforma e bashkëqeverisjes për të zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve. Ashtu siç e tha dhe koordinatorja, në katin e parë kishte vite që banorët ankoheshin, por asgjë nuk ishte zgjidhur. Menduam t’i shkruanim platformës dhe në një kohë rekord brenda 2 javëve morëm një përgjigje pozitive, derisa aktiviteti u pezullua dhe u largua. Kemi dhe probleme të tjera tek pallati tjetër që ndoshta janë dhe më të mëdha, por mendojmë që me anë të platformës t’i zgjidhim dhe ato, në të ardhmen.

Kryeministri Edi Rama: Rasti i fundit lidhet me aktivitetet shqetësuese  përsëri, konkretisht me një subjekt të lëvizshëm që shqetësonte njerëzit në hapësirën publike.

Fatbardha, koordinatore  e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër vjen nga qyteti i Durrësit. Zonja Blerina Papajani iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, në emër të banorëve të pallatit në zonën e plazhit “Iliria” Durrës. Shqetësimi i tyre kishte të bënte me faktin se prej disa kohësh në ambientet e përbashkëta përpara pallatit të tyre, ishte stacionuar një mjet i lëvizshëm, subjekt që tregtonte prodhime ushqimore, duke shkaktuar ndotje të madhe të mjedisit dhe zënie të hapësirës publike. Rasti u trajtua nga policia bashkiake Durrës, të cilët menjëherë kryen verifikimin, bënë të mundur penalizmin e subjektit dhe largimin e këtij mjeti, duke liruar hapësirën publike.

Zonja Blerina Papajani: Siç u tha e tha edhe nga zonja Fatbardha, problemi ishte zënia e hapësirës publike para pallatit. Ishte një problem shumë i madh për të gjithë banorët. Në emër të tyre, unë si përfaqësuese iu drejtova, platformës, për zgjidhjen e problemit, pasi nuk mund t’i dilnim vetëm ballë për ballë personit i cili kishte vënë këtë objekt të lëvizshëm. Historikisht ishim kërcënuar nga ky person kështu që nuk mund të përballeshim me të. Atëherë ju  drejtuam platformës dhe fatmirësisht problemi na u zgjidh dhe unë ju falënderoj në emër të gjithë pallatit për këtë.

Kryeministri Edi Rama: Duke qenë se ra fjala për plazhin, pavarësisht se në rastin konkret bëhet fjalë për një vendbanim, unë dua të nënvizoj se ne kemi filluar një proces të një reforme tërësore për vijën bregdetare.

Eksperiencat e viteve janë të mjaftueshme për të kaluar në një stad tjetër. Rritja edhe këtë vit e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri, përtej vështirësive dhe dëmit që solli 6 mujori i parë i vitit, ka bërë që seriozisht të angazhohemi për të angazhuar të gjithë shoqërinë që të kuptojmë se vijën bregdetare nuk mund ta lëmë më tutje në një situatë të ndërmjetme.

Është vendosur goxha rregull në raport me të shkuarën, por është larg së qeni vijë bregdetare që administrohet, ashtu siç duhet në funksion të së ardhmes së vendit, në funksion të  mbrojtjes së një pasurie të madhe natyrore, në funksion të zhvillimit, në funksion të harmonizimit të të gjithë institucioneve në përpjekjen e tyre për të patur një zhvillim të qëndrueshëm dhe kështu me radhë. Unë kam shumë besim se së shpejti, ne do të kemi gati këtë paketë ndërhyrjesh në ligj, përsa i përket kontrollit dhe administrimit të vijës bregdetare dhe do të përgatitemi shumë fort që sezoni i ardhshëm të ketë një ndryshim të madh të mëtejshëm.

Kemi garantuar sezone më të pastra se me parë, por sidoqoftë pastërtia mbetet një sfidë.

Kemi garantuar sezone më të qeta se më parë, por zhurmat mbeten një sfidë dhe hapësira publike e plazheve mbetet një sfidë. Kështu që për t’i garantuar të gjithëve akses dhe mundësi atyre që vijnë të pushojnë dhe kanë mundësinë të rrinë në hotele, atyre që shkojnë në plazh dhe thjeshtë kanë nevojë për hapësirën e tyre të rërës dhe të detit dhe që nuk ka arsye pse duhet të paguajnë privatë që zënë hapësirat me çadra dhe shezllon dhe patjetër atyre që duan të kenë pjesën e tyre të merituar të gjumit, pa qenë nevoja të kërcejnë në krevat nga zhurma e diskove të kudondodhura.

Kemi kaluar 50 mijë adresimet në platformë dhe kemi një problem që vazhdojmë ta kemi për të patur më shumë reagim dhe më shumë shpejtësi nga pushteti vendor që zë një pjesë të mirë të shqetësimeve, por çka është më e rëndësishmja është që jemi në afro 115 mijë përdorues, të cilët janë shumë për një periudhë të shkurtër kohe.

Natyrisht që edhe më shumë do të bëhen dhe duhet të bëhen për të patur sa më shumë ndërveprim me njerëzit dhe për të patur sa më shumë sukses në përpjekjen e përbashkët, njerëzit për të zgjidhur problemin e tyre, ne për të përmirësuar situatën, në ato pika ku shfaqen problemet.

E faktikisht janë 788 zyrtarë që nga drejtorë deri tek specialistë që janë ndëshkuar dhe janë ndëshkuar pikërisht sepse nuk i janë përgjigjur si duhet qytetarëve. Pra, sot një njeri i zakonshëm nuk ka nevojë për miq, nuk ka nevojë për parti, nuk ka nevojë të fusë dorën në xhep. Nuk ka nevojë fare as të lodhet, duke shkuar, duke ardhur tek një zyrë. Mjafton t’i drejtohet platformës dhe jo vetëm merr të drejtën, por e ndëshkon atë individ që i bëhet pengesë dhe me të drejtë sepse ligji e ndëshkon atë individ, por që ligji ta ndëshkojë, duhet që çështja të bëhet publike, në këtë rast duke e adresuar çështjen në instancën më të lartë, jo duke heshtur, jo duke pritur, jo duke u tërhequr dhe ankuar, por duke bërë thjesht dhe vetëm detyrën ndaj vetes për të marrë atë që të takon dhe më shumë se kaq përmes detyrës ndaj vetes, një detyrë për shoqërinë.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.