Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në qershor 2022, Kryeministri Edi Rama ka paraqitur zyrtarisht kërkesën në emër të qeverisë së Republikës Shqipërisë, për pranimin në Qendrën Zhvillimore të OECD-së.

Bordi Qeverisës i kësaj Qendre, ka analizuar kërkesën dhe në nëntor 2022 ka marrë vendimin për të vijuar me procedurat e vlerësimit të kërkesës së qeverisë shqiptare.

Sot, në 30 janar 2023, në mjediset e selisë qendrore të OECD-së në Paris u zhvillua një seancë e hapur e drejtuar nga Presidenti i Bordit Qeverisës të Qendrës, ambasador Escudero dhe Drejtorja Ekzekutive e Qendrës Znj. Arnadottir, ku një përfaqësi e institucioneve shqiptare e përbërë nga:

Z. Dritan Tola Ambasador i Shqipërisë në Francë, Portugali dhe OECD

Znj. Natasha Ahmetaj Zëvendës Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Znj. Elsa Dhuli Drejtor i Përgjithshëm i INSTAT

Znj. Olta Manjani Zëvendës Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Z. Ilir Beqaj Drejtor i Përgjithshëm i SASPAC

prezantoi kërkesën e qeverisë së Shqipërisë, profilin e vendit, zhvillimet më të fundit sociale dhe ekonomike, ecurinë në përballimin tri krizave të njëpasnjëshme dhe progresin në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përfaqësues të vendeve të ndryshme si: Japoni, Itali, Slloveni, Ceki, Brazil, Peru, Marok dhe Paraguaj, bën pyetje të ndryshme lidhur më çështje të demografisë, turizmit të qëndrueshëm, financave lokale, aftësive, edukimit, barazisë gjinore, ndryshimeve klimatike etj.

Me rëndësi ishte pozicioni pozitiv që mbajti përfaqësuesi i EU gjatë mbledhjes së Bordit lidhur me kërkesën e qeverisë shqiptare.

Deri në fund të muajit mars 2023, pritet të formalizohet pozitivisht kërkesa e qeverisë shqiptare në një mbledhje të Bordit Ekzekutiv të OECD-së.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.