Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 09 dhjetor 2015
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, ndËrmjet KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE
PËR PROJEKTIN “LËVIZ ALBANIA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Lëviz Albania”, sipas tekstit të marrëveshjes dhe aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN e MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIKO-TEKNIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për bashkëpunimin ekonomiko-teknik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN,  PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT IPA, PËR VITIN 2014,  PËR SHQIPËRINË 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, për programin e veprimit IPA, për vitin 2014, për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMEVE NË MARRËVESHJEN E HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “INFRASTRUKTURA BASHKIAKE I – FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIME PËR QYTETET LEZHË, GJIROKASTËR, SARANDË DHE FIER”, DHE NË MARRËVESHJEN E HUASË A, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “INFRASTRUKTURA BASHKIAKE II – FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIME PËR QYTETET BERAT, FIER, KAMZË, KUÇOVË, LUSHNJË DHE SARANDË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të ndryshimeve në marrëveshjen e huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Infrastruktura bashkiake I – furnizimi me ujë dhe kanalizime për qytetet Lezhë, Gjirokastër, Sarandë dhe Fier”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin, në parim të ndryshimeve në marrëveshjen e huasë A, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Infrastruktura bashkiake II – furnizimi me ujë dhe kanalizime për qytetet Berat, Fier, Kamzë, Kuçovë, Lushnjë dhe Sarandë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN, KOHËZGJATJEN E QËNDRIMIT NË DETYRË DHE SHPËRBLIMIN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË ARSIMIT TË LARTË DHE KËRKIMIT SHKENCOR (KALKSH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH), si organ këshillimor për politikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, pranë ministrit përgjegjës për arsimin.
2. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët duhet të jenë personalitete të njohura të fushave akademike.
3. Anëtarët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor emërohen me urdhër nga ministri përgjegjës për arsimin për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtë riemërimi pa kufizim dhe shkarkohen prej tij.
4. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, sipas kërkesave apo propozimeve të ministrit përgjegjës për arsimin, shqyrton dhe këshillon ministrin lidhur me:
a) hartimin e strategjive e të programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore;
b) fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik;
c) standardet për hapjen, riorganizimin, pezullimin, mbylljen dhe akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë ose programeve të studimeve;
ç) kriteret për dhënien e titujve dhe gradës shkencore;
d) zhvillimin e politikave të veçanta dhe mënyrat e financimit të tyre;
dh) statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik;
e) çdo çështje tjetër që kërkohet nga ministri përgjegjës për arsimin.
5. Ministri përgjegjës për arsimin, me qëllim realizimin e misionit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor me urdhër mund të ngrejë komisione të përhershme apo të përkohshme me anëtarët e këtij këshilli, për studimin e çështjeve e të problematikave të veçanta.
6. Ministri përgjegjës për arsimin, me qëllim realizimin e misionit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor me urdhër mund të caktojë nëpunës të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në cilësinë e sekretariatit teknik të KALKSH-it.
7. Kryetari i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor apo në mungesë një anëtar i caktuar prej tij me urdhër thërret mbledhjet dhe i drejton ato, cakton rendin e ditës, drejton diskutimet, bashkërendon punën, si dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara në rregulloren e funksionimit të brendshëm të KALKSH-it.
8. Njoftimi për mbledhjet, rendi i ditës, si dhe çdo ndryshim në datën e kohën e vendosur për mbledhjet i njoftohen çdo anëtari nga sekretariati i KALKSH-it ose nëpunës të ngarkuar me urdhër të ministrit.
9. Ministri përgjegjës për arsimin miraton me urdhër të tij rregulloren e funksionimit të brendshëm të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.
10. Anëtarët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor shpërblehen për pjesëmarrje në mbledhjet e këtij Këshilli, sipas akteve nënligjore në fuqi.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
12. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.424,  DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR SISTEMIN E AKREDITIMIT, ORGANIZIMIN DHE VEPRIMTARINË E INSTITUCIONEVE TË SIGURIMIT TË JASHTËM TË CILËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 60, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 138 e 142, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, të miratuar me vendimin nr.424, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në nenin 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në shërbim të politikave të arsimit të lartë ministria përgjegjëse për arsimin mund të kërkojë vlerësimin e jashtëm të cilësisë së institucioneve e të programeve të studimit nga agjenci të tjera vlerësimi, që janë anëtare me të drejta të plota të Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ose të Regjistrit Evropian të Agjencive të Sigurimit të Cilësisë (EQAR). Vlerësimi i jashtëm dhe konsulenca për kryerjen e këtij vlerësimi nga këto agjenci kryhet me qëllim akreditimin e programit/programeve të studimit apo të institucionit të arsimit të lartë. Vlerësimi i jashtëm nga këto agjenci kryhet në përputhje edhe me standardet e procedurat vendase për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.”.
b) Në fund të pikës 1, të nenit 5, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1 Agjencia e huaj, pjesë e ENQA-s e EQAR-it, kontraktohet drejtpërdrejt nga ministria përgjegjëse për arsimin, në përputhje me tarifat e përcaktuara në këtë rregullore për vlerësim të jashtëm të cilësisë së programit/programeve të studimit apo të institucionit/institucioneve të arsimit të lartë dhe konsulencë për kryerjen e këtij vlerësimi.”.
2. Në nenin 9/1 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 1, fjalët  “… tabelat nr.1 dhe nr.2, …” zëvendësohen me   “… tabelat nr.1.1 dhe tabela nr.2.1 …”.
b) Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
“3. Pagesat për konsulencë për agjencitë e huaja të vlerësimit kryhen në bazë të tarifës ditore 700 euro/dita për çdo ekspert të huaj të angazhuar, por jo më shumë sesa 10 ditë pune për çdo ekspert të huaj. Ekspertëve të huaj të angazhuar nga agjencia e huaj e vlerësimit u mbulohen shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë.
4. Pagesat për agjencitë e huaja të vlerësimit për akreditimin e programit/programeve të studimit apo të institucionit të arsimit të lartë bëhen mbështetur në pagesat mbi bazë eksperti, sipas pikës 2, të këtij neni, ku agjencia e huaj e vlerësimit mund të ketë shumicën e ekspertëve në grupet e vlerësimit. Ekspertëve të vlerësimit të angazhuar nga agjencia e huaj e vlerësimit u mbulohen shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI DHE ASFALTIMI I RRUGËS NR.5, LOTI 2 DHE 3, SARANDË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të  ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës nr.5, loti 2 dhe 3, Sarandë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Sarandë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit 55 638 387 (pesëdhjetë e pesë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e shtatë) lekë.
4. Vlera e shpenzimeve procedurale të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban për vitin 2015.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Sarandë.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Sarandë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë dhe Bashkia Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SHËTITORES KRYESORE ANËS DETIT, HIMARË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shëtitores kryesore anës detit, Himarë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Himarë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit  43 906 145 (dyzet e tre milionë e nëntëqind e gjashtë mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 43 906 145 (dyzet e tre milionë e nëntëqind e gjashtë mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekësh, si dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban për vitin 2015.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Himarë.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI DHE ASFALTIMI I RRUGËS NGA MUZEU HISTORIK – SPITALI, VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008,  “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës nga Muzeu Historik – Spitali, Vlorë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë totale të shpronësimit prej 18 146 972 (tetëmbëdhjetë milionë e njëqind e dyzet e gjashtë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit, prej 18 146 972 (tetëmbëdhjetë milionë e njëqind e dyzet e gjashtë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompesohen, për efekt shpronësimi, pasi të paraqesin dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
   Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE,  QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR  “BY-PASS VLORË (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-Pass Vlorë, (shtesa)”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “objekt”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 9 832 636 (nëntë milionë e tetëqind e tridhjetë e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, nga të cilat:
– për pasurinë “truall”, me sipërfaqe shpronësimi 180 (njëqind e tetëdhjetë) m2, me vlerën 1 494 000 (një milion e katërqind e nëntëdhjetë e katër mijë) lekë;
– për pasurinë “objekt”, me sipërfaqe 149 (njëqind e dyzet e nëntë) m2, me vlerën 8 338 636 (tetë milionë e treqind e tridhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit, prej 9 832 636 (nëntë milionë e tetëqind e tridhjetë e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi  i  kalimit  të pronësisë,  për  pasuritë  e  shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për  zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SEKRETARIATIT KOMBËTAR TË NISMËS PËR TRANSPARENCË  NË INDUSTRINË NXJERRËSE (EITI -SHQIPËRI), NË KUADËR TË ANËTARËSIMIT NË ORGANIZIMIN NDËRKOMBËTAR EITI – INTERNATIONAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sekretariati për Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI- Shqipëri) është institucion qendror, person juridik, në varësi të ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe industrinë, që ushtron funksionet në kuadër të anëtarësimit në organizmin ndërkombëtar “EITI-International”. Sekretariati organizohet si drejtori e përgjithshme dhe e ka selinë e tij në Tiranë.
2. Misioni i sekretariatit është përmbushja e prioriteteve dhe strategjive kombëtare për transparencë në industrinë nxjerrëse. Sekretariati koordinon përpjekjet kombëtare, në zbatim të standardit global EITI, që rrjedhin si detyrim nga anëtarësimi, për të siguruar transparencë të plotë të të gjitha taksave dhe pagesave që kryhen nga industritë e naftës, gazit, minierave dhe burimeve të tjera natyrore, me kontribut material në buxhetin e shtetit, proceseve respektive si dhe përgatitjen e menaxhimit të projekteve, në lidhje me këto fusha.
3. Sekretariati e zhvillon veprimtarinë e tij bazuar në standardet e përcaktuara nga “EITI-International” si dhe në përputhje me legjislacionin vendas. Standardi teknik, dokumentacioni përkatës dhe mënyra e raportimit përcaktohen nga EITI-International, ndërsa veprimtaria administrative e sekretariatit mbikëqyret, rregullohet dhe miratohet nga ministria përgjegjëse për energjinë dhe industrinë dhe institucionet e tjera, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
4. Sekretariati (EITI-Shqipëri) ushtron veprimtarinë në marrëdhënie me të gjitha subjektet e përfshira në sektorin e industrive nxjerrëse. Vendimmarrja në sekretariat realizohet në përputhje me standardin global EITI, nëpërmjet grupit ndërinstitucional të punës, i cili ngrihet me urdhër të Kryeministrit dhe funksionon si një platformë tripalëshe, me përfaqësues nga shoqëria civile, institucionet shtetërore përkatëse dhe shoqëritë që ushtrojnë aktivitetin në industri.
5. Detyrat dhe objektivat e sekretariatit, në zbatim të kërkesave të  standardeve EITI, janë:
a) Ngritja e strukturës së nevojshme, në mbështetje të programit të veprimeve të miratuara për EITI-Shqipëri;
b) Publikimi i raporteve EITI, garantimi i procesit të auditimit dhe plotësimi i procedurave për hartimin e raportit të miratimit;
c) Përcaktimi, në bashkëpunim me grupin ndërinstitucional të punës dhe ministrinë e linjës, i objektivave kombëtare të zbatimit të EITI-t;
ç) Rishikimi i bazës ligjore, për të reflektuar në legjislacionin përkatës kërkesat e standardit EITI, si dhe për të evidentuar pengesat e ndryshme për zbatimin e tij;
d) Identifikimi i burimeve të qëndrueshme të financimit, për zbatimin e planit kombëtar për EITI-n, si dhe monitorimi i tyre;
dh) Publikimi dhe shpërndarja e raporteve;
e) Ndjekja e një strategjie komunikimi dhe informimi, referuar standardit global EITI dhe strategjisë kombëtare për transparencë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
ë) Ngritja e kapaciteteve/trajnimi i punonjësve shtetërorë, i shoqërisë civile, ku përfshihet edhe media, si dhe grupeve të interesit, të lidhura me EITI-n.
f) Trajnimi i nëpunësve të EITI-t, në përputhje me programin e zbatimit kombëtar për EITI-Shqipëri.
g) Raportimi, para grupit ndërinstitucional të punës, në mënyrë periodike, për ecurinë e realizimit të veprimtarive të programit dhe të hapave të anëtarësimit.
gj) Zgjerimi i fushës së veprimit të EITI-t edhe në fusha të tjera të burimeve natyrore.
h) Evidentimi dhe realizimi i projekteve të ndryshme, në lidhje me transparencën dhe antikorrupsionin në industrinë nxjerrëse dhe atë hidroenergjetike.
6. Sekretariati, për të realizuar misionin dhe objektivat e tij, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e tij me grupin ndërinstitucional të punës të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) dhe me institucione të tjera, publike dhe/ose private, me grupet e interesit, shoqërinë civile, median vendase dhe/ose të huaj. Përveç stafit teknik të përhershëm, sekretariati, kur e sheh të arsyeshme, për të realizuar misionin dhe objektivat e tij, mund të kontraktojë shërbime këshillimi nga ekspertë të jashtëm, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Sekretariati raporton në çdo mbledhje të grupit ndërinstitucional të punës të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) dhe çdo vit, në mënyrë periodike, përgatit informacion me shkrim për Kryeministrin, për ecurinë e realizimit të programit të veprimeve dhe të raportit vjetor të EITI-t.
8. Sekretariati financohet nga:
a) buxheti i shtetit (fonde të destinuara për programin e veprimeve të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI);
b) burime financiare nga palë të treta, të destinuara për programin e
veprimeve të EITI-t, nga fonde të institucioneve ndërkombëtare, të shteteve të veçanta dhe të organizatave të ndryshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe “Udhëzimet globale EITI për financim të institucioneve”;
c) donacione të subjekteve fizike dhe/ose juridike, nga sektori privat, vendas dhe/ose i huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe “Udhëzimet globale EITI për financim të institucioneve”.
Buxheti i EITI-t miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë dhe industrinë.
9. Sekretariati e përdor buxhetin për fondin e pagave të punonjësve dhe për shpenzime të tjera, në funksion të përmbushjes së misionit dhe të detyrave të tij.
10. Drejtuesi i sekretariatit përfaqëson sekretariatin në marrëdhënie me të tretët. Marrëdhëniet e punës së drejtuesit të sekretariatit rregullohen me legjislacionin për nëpunësin civil.
11. Struktura organizative e sekretariatit miratohet me urdhër të Kryeministrit. Pagat e nëpunësve të sekretariatit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
12. Funksionimi i sekretariatit bazohet në rregulloren e funksionimit, e cila hartohet nga strukturat e tij dhe miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë dhe industrinë.
13. EITI-Shqipëri punëson, pranë strukturave të tij, staf ekspertësh teknikë, të cilët përzgjidhen në përputhje me legjislacionin për nëpunësin civil dhe procedurat e përzgjedhjes së EITI-International, me kritere teknike të përcaktuara, sipas karakteristikave të projekteve që do të menaxhohen. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të sekretariatit rregullohen me  legjislacionin për nëpunësin civil.
14. Vendimi nr.540, datë 7.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen dhe funksionimin e sekretariatit, për ndjekjen e procedurave të anëtarësimit të Shqipërisë, si vend zbatues, në Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI)”, të ndryshuar, shfuqizohet.
15. Ngarkohet ministri i Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE TË SIPËRFAQES SË TOKËS BUJQËSORE PREJ 926.55 HA, NË PRONËSI SHTETËRORE, DHËNË NË PËRDORIM KOMUNAVE BUÇIMAS, ÇËRRAVË DHE UDENISHT DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.244, DATË 4.4.2012, NR.417, DATË 8.6.2011, DHE NR.534, DATË 1.5.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe të shkronjës “b”, të nenit 14, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 926.55 (nëntëqind e njëzet e gjashtë pikë pesëdhjetë e pesë) ha, në pronësi shtetërore, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, dhënë në përdorim komunave Udenisht, Buçimas dhe Çërravë sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.
2. Sipërfaqja e tokës bujqësore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të administrohet sipas ligjit nr.8318, datë 1.4.1988, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”, të ndryshuar, ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, dhe vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”.
3. Në vendimin nr.244, datë 4.4.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Buçimas, të qarkut të Korçës”, hiqet e drejta e përdorimit të pronës sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Në vendimin nr.417, datë 8.6.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Çërrave të qarkut të Korçës”, hiqet e drejta e përdorimit të pronës sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Në vendimin nr.534, datë 1.5.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Udenisht të qarkut të Korçës”, hiqet e drejta e përdorimit të pronës sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.
6. Ngarkohen ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ministri i Punëve të Brendshme dhe Këshilli i Qarkut të Korçës për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË  PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR “MAMINAS-GJIRI I LALËZIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
12. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Maminas-Gjiri i Lalëzit”.
13. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
14. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 6 684 254 (gjashtë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër) lekësh.
15. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 684 254 (gjashtë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
16. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
17. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
18. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
19. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij vendimi.
20. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
21. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
22. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, NË FUSHËN E TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vendimi nr.429, datë 15.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.