Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Maj 2019: 

V E N D I M
PËR

MARRJEN E MASAVE DHE MONITORIMIN E VEPRIMTARISË, SJELLJES APO PËRDORIMIT TË BURIMEVE NJERËZORE, FINANCIARE DHE LOGJISTIKE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE, GJATË PROCESIT ZGJEDHOR PËR ZGJEDHJET VENDORE PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, pika 7, 63, pika 4, 78, pika 5, e 88, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2019, me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.
2. Në kuptim të këtij vendimi:

– Administratë shtetërore është administrata nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas nenit 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ku përfshihen institucionet e përmendura në pikën 2, të nenit 4, të këtij ligji, ndaj të cilëve ky vendim do të zbatohet;
– Punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve zbatohet ky vendim, sipas statusit të tyre, janë nëpunës civilë dhe punonjës administrativë, në përputhje me përkufizimet e dhëna në nenin 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe punonjës të tjerë civilë, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës;
– Funksionarë kabineti janë nëpunës të administratës, sipas përkufizimit të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, ndaj të cilëve nuk zbatohet ky vendim;
– Punonjës policie, punonjës të shërbimit të jashtëm, të përmendur në nenin 3, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe punonjës të tjerë, statusi i të cilëve ose elemente të tjerë rregullohen me ligje të posaçme, janë punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve, përveç dispozitave të përgjithshme të këtij vendimi, do të zbatohen edhe dispozitat e veçanta për secilën prej kategorive të përmendura, për çdo rast, në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë vendim.
3. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
4. Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
5. Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil.
6. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
7. Nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në kuptim të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar, i ndalohet:
a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat;
b) të manifestojë me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht;
c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike apo të kandidatëve.
8. Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet:
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
b) të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
9. Punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet:
a) të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës;
b) anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike apo të kandidatëve.
10. Punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit i ndalohet:
a) të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit;
b) anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike apo të kandidatëve;
c) të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike ose kundër kandidatëve në zgjedhje.
11. Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura i ndalohet:
a) të jetë anëtar i partive politike, i organizatave ose shoqatave me karakter politik;
b) të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre apo nga kandidatët.
12. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
13. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të organizojnë menjëherë punën dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të veprimtarisë së tyre institucionale, mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës shtetërore, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore, të çdo niveli, për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019.
14. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Për efekt të zbatimit të kësaj pike, përveç masave të tjera, titullarët janë të detyruar që të publikojnë të dhënat e tyre të kontaktit në faqen zyrtare të internetit, duke kërkuar denoncimin e çdo rasti të përfshirjes ose nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
15. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre verifikojnë dhe analizojnë të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, si dhe mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë institucionale, gjatë periudhës përpara fillimit dhe gjatë fushatës zgjedhore, në funksion të evidentimit të përdorimit ose jo të tyre për qëllime elektorale.
16. Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa dhe realizojnë monitorimin e zbatimit të tyre, për të garantuar mospërdorimin e:
a) burimeve njerëzore të institucionit në funksion të veprimtarisë së fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje, në zbatim të nenit 14, të ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
b) fondeve të institucioneve për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
c) mjeteve dhe materialeve në inventar të institucionit për veprimtaritë e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara për këto zgjedhje;
ç) zhvillimit të fushatës zgjedhore në institucionet publike apo realizimit të propagandës politike në to;
d) veprimtarisë shtetërore për të favorizuar subjekte të caktuara zgjedhore;
dh) detyruar, në fushatë zgjedhore, të administratës së institucionit brenda ose jashtë orarit të punës, si dhe të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda ose jashtë orarit mësimor.
17. Në zbatim të përcaktimeve të pikës 4, të nenit 63, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, titullarët e ministrive ose drejtuesit e institucioneve të varësisë marrin masa për pezullimin nga detyra të nëpunësve civilë të institucioneve të tyre, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019. Për nëpunësit e tjerë, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, merren masa, sipas rastit, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga detyra në rastet kur rezultojnë që janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019.
18. Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet si dhe karburanti, në përdorim të titullarit apo institucionit të administratës shtetërore, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara në zgjedhje apo të kandidatëve.
Bën përjashtim nga ky ndalim përdorimi i automjeteve të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.
Strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor, për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe, menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Automjeti të zhbllokohet pas ekzekutimit të masës së marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në këtë rast, struktura e Policisë së Shtetit bën referim në organet kompetente për përdorimin e të mirave publike në favor të subjekteve zgjedhore.
19. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në zbatim të detyrimeve të tij për organizimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të marrë masa dhe t’i parashtrojë Kryeministrit mospërfshirjen në rendin e ditës të projektvendimeve në lidhje me koncesione, kontrata apo angazhime të tilla politike, ekonomike apo sociale që nuk vijnë në zbatim të programit analitik të çdo ministrie/institucioni, siç është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
20. Ministritë dhe institucionet e varësisë, me qëllim shmangien e keqpërdorimit dhe keqinterpretimit të aktiviteteve institucionale me fushatën elektorale, të publikojnë në faqen e tyre zyrtare:
a) deri në datën 30 qershor 2019, të dhënat për aktivitetet publike, të programuara për muajin qershor, që kanë lidhje me veprimtarinë e institucionit;
b) listën e projekteve të nisura prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, në ushtrim të punës dhe të veprimtarisë së institucionit, të cilat janë në proces përfundimi, si dhe të gjitha procedurat publike konkurruese të realizuara gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të fundit.
21. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë t’u krijojnë vëzhguesve dhe shoqatave të regjistruara në KQZ, si vëzhguese të procesit zgjedhor, akses të plotë për të marrë informacion në lidhje me detyrimet ligjore të administratës publike në procesin zgjedhor. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë informojnë publikun në mënyrë të vijueshme për monitorimin e realizuar në kuadër të këtij vendimi.
22. Për koordinimin e procesit të monitorimit, sipas këtij vendimi, krijohet Task-Forca që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:

– Ministrin e Brendshëm;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
– Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë;
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë:
– Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
– Avokati i Popullit;
– Një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;
– Një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, në raste kur Task-Forca e gjykon të nevojshme marrjen e asistencës teknike lidhur me çështje të procesit zgjedhor.
23. Task-Forca mbështetet nga një sekretariat teknik i përbërë, përkatësisht, nga një nëpunës i kabinetit të Kryeministrit, kabinetit të Zëvendëskryeministrit, aparatit të Këshillit të Ministrave.
Çdo institucion i përfaqësuar me anëtarë në përbërje të Task-Forcës cakton një punonjës kontakti që asiston sekretariatin teknik gjatë veprimtarisë së tij.
Sekretariati teknik përpunon të gjithë informacionin e mbledhur dhe ia referon Task-Forcës.
24. Task-Forca mblidhet me njoftim nga kryetari periodikisht të paktën një herë në javë ose sa herë që vlerësohet e nevojshme prej tij ose të paktën prej 2 anëtarëve. Në mbledhjet e saj Task-Forca, sipas rastit, cakton detyra më të detajuara për secilin anëtar, si dhe, nëse e konsideron të nevojshme, miraton një plan veprimi apo masash për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në këtë vendim.
Çdo institucion shtetëror dhe institucion i pavarur, pjesë e Task-Forcës, raporton, me shkrim, periodikisht lidhur me zbatimin e masave e të detyrave të ngarkuara, si dhe për problematikat e hasura gjatë procesit të monitorimit sipas këtij vendimi.
25. Ngarkohen Policia e Shtetit dhe/ose Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave t’i raportojnë, me shkrim, Task-Forcës çdo rast kur konstatojnë përdorim në procesin zgjedhor të mjeteve financiare të krijuara nga veprimtari të paligjshme.
26. Task-Forca, brenda sferës së veprimtarisë së saj, kur e gjykon të nevojshme, mund t’i kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacion, me shkrim, për veprimtari në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, për të cilat ky i fundit merr dijeni nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.
27. Task-Forca, nëpërmjet zyrës së shtypit të Kryeministrit, komunikon me publikun për çështjet e shqyrtuara dhe masat e marra.
28. Task-Forca të ushtrojë funksionet dhe të përmbushë detyrat e sipërpërmendura deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
29. Titullarët e ministrive urdhërojnë ngritjen e grupeve të monitorimit/inspektimit për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi dhe në funksion të informimit të Task-Forcës, duke përcaktuar edhe detyrat konkrete dhe veprimtarinë që do të mbikëqyrin këto grupe.
30. Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Monitorimin e sjelljes dhe të veprimtarisë së administratës shtetërore, sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj)Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;
h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi.
31. Moszbatimi i rregullave dhe i detyrimeve të parashikuara në këtë vendim passjell përgjegjësi disiplinore dhe ligjore, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
32. Ngarkohen anëtarët e Task-Forcës, ministrat, titullarët e institucioneve të administratës shtetërore, Departamenti i Administratës Publike dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL”, APLIKUESIT “CONCORD INVESTMENT”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “Concord Investment”, sh.p.k.
2. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1, e 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhet shtesa, si më poshtë vijon:
Në listën e shkronjës “C”, të titulluar “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën ISIL (Da’esh) dhe Al-Qaida”, shtohet individi i renditur në shkronjën “a”, sipas shtesës bashkëlidhur këtij vendimi, në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues të organizatës ISIL (Da’esh) dhe Al-Qaida.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË DIBËR, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE MAQELLARË, TË PRONAVE ME NR.112, “SHKOLLA 9-VJEÇARE MAQELLARË”, NR.128, “SHKOLLA FILLORE KËRÇISHT I POSHTËM”, DHE NR.129, “SHKOLLA FILLORE KËRÇISHT I EPËRM”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “b”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme, publike, të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Dibër, për njësinë administrative Maqellarë, të pronave me nr.112, “Shkolla 9-vjeçare Maqellarë”, nr.128, “Shkolla fillore Kërçisht i Poshtëm”, dhe nr.129, “Shkolla fillore Kërçisht i Epërm”, sipas formularëve, plan-rilevimit dhe lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryetari i Bashkisë Dibër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT) DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR GRANTIN WBIF, PËR PROGRAMIN E FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për grantin WBIF, për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV, në shumën 1 800 000 (një milion e tetëqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (MARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR MASAT SHOQËRUESE NË KUADËR TË PROGRAMIT TË FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Marrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit, (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për masat shoqëruese në kuadër të programit të furnizimit me ujë të zonave rurale IV, me një grant në shumën 2 000 000 (dy milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (HUAMARRËSI), FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E FURNIZIMIT ME UJË TË ZONAVE RURALE IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit, (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e programit të furnizimit me ujë të zonave rurale IV, me një hua në shumën 40 000 000 (dyzet milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 74, dhe të pikës 2, të nenit 76, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.
2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020, të jetë nota 6.5 (gjashtë pikë pesë).
3. Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim.
4. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon:
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
5. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare e përllogaritur sipas këtij vendimi të jetë nota 7.5 (shtatë pikë pesë). Nota mesatare e kandidatëve që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë përllogaritet sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi.
6. Programet e studimit të fushës së mësuesisë përcaktohen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.
8. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
9. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRJASHTIMIN NGA DETYRIMI PËR PAJISJE ME LEJE PUNE DHE CERTIFIKATË REGJISTRIMI NË PUNË PËR SHTETASIT E MALIT TË ZI DHE TË MAQEDONISË SË VERIUT, TË PËRKATËSISË ETNIKE SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 71, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përjashtimin nga detyrimi për pajisje me leje pune apo certifikatë regjistrimi në punë, për shtetasit e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, të përkatësisë etnike shqiptare, që janë me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këta shtetas gëzojnë të drejtën e punësimit e të vetëpunësimit, sikurse edhe shtetasit shqiptarë, përjashtuar rastet kur punësimi lidhet posaçërisht me pasjen e shtetësisë shqiptare, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Deklarimi për punësimin e shtetasve, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij vendimi, bëhet në zyrën përkatëse të punësimit nga vetë shtetasi apo nga punëdhënësi i tij.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe strukturat në varësi të saj për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I NI S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË RISHIKUAR, TË PËRDITËSUAR, TË MONUMENTEVE TË NATYRËS SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në zbatim të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së rishikuar, të përditësuar, të monumenteve të natyrës shqiptare, të rivlerësuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.676, datë 20.12.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (MARRËSI), BASHKISË TIRANË, (AGJENCIA ZBATUESE E PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR SHËRBIMET E EKSPERTIT NDAJ AGJENCISË ZBATUESE TË PROJEKTIT, NË KUADËR TË PROJEKTIT TË TRANSPORTIT TË GJELBËR NË TIRANË, QË FINANCOHET NGA NJË FOND I VEÇANTË I SIGURUAR NGA QEVERIA FEDERALE GJERMANE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Marrësi), Bashkisë Tiranë, (Agjencia zbatuese e projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për shërbimet e ekspertit ndaj agjencisë zbatuese të projektit, në kuadër të projektit të transportit të gjelbër në Tiranë, që financohet nga një fond i veçantë i siguruar nga qeveria Federale Gjermane, me një grant në shumën prej 1 670 000.00 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (GIZ), PËR PROJEKTIN RAJONAL “RUAJTJA DHE PËRDORIMI I QËNDRUESHËM I BIODIVERSITETIT NË LIQENET E PRESPËS, OHRIT DHE SHKODRËS/SKADAR (CSBL)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin rajonal “Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës/Skadar (CSBL)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRITERET E USHTRIMIT, TË MIRATIMIT E MONITORIMIT TË VEPRIMTARIVE KËRKIMORE-SHKENCORE NË ZONAT E MBROJTURA MJEDISORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 61, të ligjit nr.81, datë 4.5.2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kritereve për ushtrimin, miratimin dhe monitorimin e veprimtarive kërkimore-shkencore në zonat e mbrojtura mjedisore.
2. Ushtrimi i veprimtarive kërkimore-shkencore në zonat e mbrojtura kryhet në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për biodiversitetin, faunën e florën e egër dhe zonat e mbrojtura.
3. Kërkesa për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në zonat e mbrojtura mjedisore mund të paraqitet nga subjektet/individët, si më poshtë vijon:
a) Institucionet e arsimit të lartë;
b) Institucionet dhe qendrat ndërinstitucionale të kërkim-zhvillimit;
c) Institucionet e kërkim-zhvillimit pranë ministrive;
ç) OJF-të e specializuar në këtë fushë;
d) Studiues/hulumtues;
dh) Studentët vendas apo të huaj;
e) Çdo person tjetër i interesuar në fushën e kërkimit shkencor.
4. Subjektet/individët, të cilët kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë kërkimore-shkencore, paraqesin kërkesën me shkrim për miratim pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM).
5. Kërkesa me shkrim shoqërohet nga tre shtojca, të cilat janë pjesë përbërëse e këtij vendimi:
a) Shtojca nr.1, që pasqyron detaje mbi aplikuesin/t;
b) Shtojca nr.2, që pasqyron detajet mbi veprimtarinë kërkimore-shkencore;
c) Shtojca nr.3, vetëdeklarimi.
6. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, brenda 10 ditëve pune, nga data e dorëzimit, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e paraqitur, sipas kritereve të mëposhtme:
a) Kapacitetet shkencore dhe studimore të subjekteve/individëve, të përcaktuar në pikën 3, të vendimit;
b) Eksperiencën në fushën e studimit, për të cilën aplikohet;
c) Dokumentin që vërteton se aplikuesi është student dhe qëllimi i kërkesës për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore është në kuadër të ndjekjes së programeve të studimit të ciklit të parë, të dytë e të tretë;
ç) Në rastet e aplikimit të personelit akademik, ky i fundit duhet të paraqesë dokumentin nga punëdhënësi i tij, që vërteton se aplikuesi është personel akademik;
d) Kërkesat e përcaktuara në shtojcat nr.1 e nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
7. Në rast se nga ana e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura konstatohet se kërkesa e paraqitur nga subjekti kërkues/aplikuesi nuk plotëson kërkesat e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, kërkesa i kthehet subjektit kërkues/aplikuesi për të bërë plotësimet e nevojshme brenda 5 ditëve. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vendos për miratimin ose jo të kërkesës brenda 5 ditëve, nga përfundimi i këtij afati.
8. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, gjatë shqyrtimit të kërkesës së subjektit për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, mban në konsideratë planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur përkatëse, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, si dhe kuadrin ligjor në fuqi për trashëgiminë kulturore.
9. Në rast se në zonat e mbrojtura mjedisore, ku do ushtrohet veprimtaria kërkimore-shkencore, përfshihen objekte apo zona të trashëgimisë kulturore, merret edhe mendimi i ministrisë përgjegjëse për kulturën.
10. Pas shqyrtimit të kërkesës nga ana e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe pasi ajo e gjen atë në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e biodiversitetit, të faunës e florës së egër, zonave të mbrojtura dhe kërkesat e këtij vendimi, kjo e fundit miraton të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore.
11. Në rastet kur kërkesa bëhet për zonat, të cilat janë përcaktuar si qendra historike, zona arkeologjike dhe zona të mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njofton ministrinë përgjegjëse për kulturën për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore.
12. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njofton ministrinë përgjegjëse për mjedisin, administratën rajonale të zonave të mbrojtura (AdZM) dhe bashkinë përkatëse, brenda territorit administrativ të së cilës ndodhet zona e mbrojtur, për të drejtën e subjektit për ushtrimin E veprimtarisë kërkimore-shkencore.
13. Subjekti, gjatë ushtrimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore, shoqërohet nga stafi i AdZM-së dhe rangersat e zonës së mbrojtur mjedisore ku kryhet veprimtaria. Në rast se stafi i AdZM-së dhe rangersat konstatojnë shkelje në veprimtarinë kërkimore-shkencore, AdZM-ja ushtron kompetencat në përputhje me pikën 4, të neni 66, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”.
14. Monitorimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore kryhet në përputhje me kushtet e kërkesës së miratuar dhe përfshin këto elemente bazë:
a) Respektimi i kushteve të vëna në planin e menaxhimit të zonës së mbrojtur;
b) Metodologjia e studimit, llojet dhe organizmat biologjikë, sasia e kampionimit dhe shpeshtësia e daljes në terren të jetë e njëjtë me ato në shtojcat nr.1 e nr.2, të cilat janë miratuar sipas kërkesës së subjektit;
c) Verifikimi i mjeteve dhe pajisjeve të përdorura nga subjekti gjatë procesit të veprimtarisë kërkimore-shkencore, siç janë deklaruar në metodologjinë e studimit të përcaktuar në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
15.Në përfundim të ushtrimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore, aplikuesit i lind detyrimi që të përmbushë kërkesat në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për mbrojtjen e biodiversitetit, të faunës e florës së egër dhe zonave të mbrojtura. Konkretisht, aplikuesi duhet të dorëzojë në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura raportin përkatës, me rezultatet e arritura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
16. Tarifa e hyrjes për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në zonat e mbrojtura mjedisore llogaritet sipas aktit nënligjor për të ardhurat e gjeneruara nga tarifat, masa dhe kriteret e përdorimit të tyre, që autorizon ligji nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”.
17. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura mban dhe administron regjistrin e kërkesave për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, sipas formatit të miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
18. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.994, DATË 9.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E REGJISTRIMIT TË AKTEVE TË MARRJES SË TOKËS NË PRONËSI”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, dhe të neneve 24, 30 e 47, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.994, datë 9.12.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Identifikimin e organit që e ka lëshuar AMTP-në, që përfaqësohet nga firma ose emër, mbiemër, me shkrim dore, i kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, për aktet e lëshuara deri më 15.8.2008, ose nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, për AMTP-të e lëshuara, në zbatim të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.
Në rast se në një AMTP janë të pasqyruara emrat e të gjithë anëtarëve të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, konsiderohet i identifikuar organi që e ka lëshuar AMTP-në, edhe nëse nuk është pasqyruar nënshkrimi i kryetarit, por kanë nënshkruar shumica e anëtarëve të komisionit.
Për formatet e AMTP-ve, ku parashikohet vetëm firma ose nënshkrimi i kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, por kjo firmë mungon, do të konsiderohet i identifikuar organi që e ka lëshuar atë, vetëm nëse vërtetohet me dokumentacion të lëshuar nga DAMT të tillë, si: procesverbale të marrjes së këtyre AMTP-ve në dorëzim nga DAMT-ja apo të dorëzimit të tyre në ish-ZRPP nga kjo e fundit.”.
2. Shkronja “b”, e pikës 2.2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Kur gjatë verifikimit rezulton se AMTP-ja, me anë të cilës është kryer regjistrimi, ka mangësi, konstatimet e kryera nga punonjësit që përpunojnë praktikat i referohen me shkrim drejtorit të Drejtorisë Vendore të ASHK-së, duke treguar hollësisht mangësitë e konstatuara.
Regjistrimi në origjinë (fillestar) i tokës bujqësore me AMTP-në është me mangësi në rastet, si më poshtë vijon:
i) kur në AMTP mungon një apo më shumë elemente të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
ii) kur AMTP-ja është me korrigjime te shënimi pronësi apo përdorim (në rastet kur AMTP-ja është lëshuar për territoret e ish-NB-ve), tek numri i ngastrës, ose tek sipërfaqja dhe emërtimi i ngastrës.
Nuk do të konsiderohen mangësi rastet kur në Drejtorinë Vendore të ASHK-së është i depozituar dokumenti i fitimit të pronësisë mbi tokën bujqësore (AMTP) për territoret e ish-kooperativave bujqësore dhe në të konstatohet se fjalët “në pronësi” janë shkruar me shkrim dore mbi fjalët “në përdorim”, të fshirë me vizë. Mbi shënimin me shkrim dore duhet të jetë firma dhe/ose vula zyrtare e ish-komunës.
Në rastin kur dokumentacioni i pronësisë së fshatit, i depozituar në Drejtorinë Vendore të ASHK-së, është i shoqëruar me deklarimin e anëtarëve të komisionit të ndarjes së tokës në fshat, se ky veprim është bërë në mungesë të formularëve të pronësisë, procedohet me regjistrimin. Në të kundërt, Drejtoria Vendore e ASHK-së i drejtohet zyrtarisht bashkisë që të konfirmojë nëse AMTP-ja është lëshuar nga komisioni i ndarjes së tokës së fshatit. Bashkia, pas verifikimit të dokumentacionit që disponon dhe pas verifikimit faktik të tokës bujqësore që zotërohet nga familja bujqësore, i përgjigjet zyrtarisht Drejtorisë Vendore të ASHK-së. Ky konfirmim, dërguar me shkresë zyrtare nga bashkia, nuk ka të bëjë me konfirmimin e përmbajtjes së AMTP-së.
iii) kur AMTP-ja nuk administrohet në Drejtorinë Vendore të ASHK-së ose administrohet fotokopje, fotokopje e noterizuar apo me shënimin “dublikatë”.
iv) konsiderohen të rregullta AMTP-të e lëshuara nga komisionet e ndarjes së tokës përpara datës 15.8.2008, që janë të shoqëruara me më tepër se një certifikatë të përbërjes familjare, në të njëjtin fshat, në datën 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, dhe në datën 1.8.1991, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke llogaritur ndryshimet në numrin e pjesëtarëve të saj deri më 1.10.1992, fakt ky i pranuar nga përfituesit me deklarim noterial se nuk janë trajtuar me AMTP tjetër, duke i konsideruar si një familje bujqësore me dy certifikata të përbërjes familjare. Në këtë rast, bashkia, pas verifikimeve që bën në dokumentacionin që disponon dhe pas verifikimit faktik të tokës bujqësore që zotërohet nga familja bujqësore, duhet të konfirmojë faktin se kjo AMTP është lëshuar nga komisioni i ndarjes së tokës në fshat për të dyja familjet dhe se nuk janë trajtuar me AMTP tjetër.
Shkresa, së bashku me dokumentacionin e fitimit të pronësisë, deklarimin noterial dhe certifikatat e gjendjes civile depozitohen në Drejtorinë Vendore të ASHK-së nga bashkia, sipas përcaktimit në shkronjën “c”.”.
3. Në paragrafin e dytë, të shkronjës “ç”, të pikës 2.2, shtohet fjalia:
“Formati i AMTP-së dublikatë është sipas modelit që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS (ASHK) DHE AGJENCIA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA), TË PASURISË NR.25/2, ZONA KADASTRALE 8525, ELBASAN, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE GJYQËSORE DHE GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të pronës me numër pasurie 25/2, zona kadastrale 8525, me emërtimin “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan”, me vendndodhje në lagjen “5 Maji”, Elbasan, sipas të dhënave të kartelës së pasurisë dhe planvendosjes, që i bashkëlidhen këtij vendimi, nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht, te:
a) Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), për Drejtorinë Rajonale Elbasan, kati i parë (teknik), kati i dytë (teknik) dhe një sipërfaqe prej 451 (katërqind e pesëdhjetë e një) m2 e katit përdhe, sipas planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), sipërfaqja prej 250 (dyqind e pesëdhjetë) m2 e katit përdhe, sipas planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në listën bashkëlidhur vendimit nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të trojeve dhe ndërtesave të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të gjykatave të apelit”, të ndryshuar, të hiqet prona me nr.pasurie 25/2, zona kadastrale 8525, me emërtimin “Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Elbasan”.
3. Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë atë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Drejtësisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dhe Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
5. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË TË PASURISË ME NUMËR 33/76, ZONA KADASTRALE 8523, ME SIPËRFAQE TRUALLI 7 726 M2 DHE SIPËRFAQE NDËRTESE 7 307 M2, ME VENDNDODHJE NË ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të pasurisë me numër 33/76, zona kadastrale 8523, me sipërfaqe trualli 7 726 m2 (shtatë mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë) dhe sipërfaqe ndërtese 7 307 m2 (shtatë mijë e treqind e shtatë), pronë shtet, me vendndodhje në Elbasan, sipas kartelës së pasurisë dhe hartës treguese, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES SË KRYETARIT, NËNKRYETARIT DHE ANËTARËVE TË KOMITETIT PËR PAKICAT KOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 20, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1. Miratimin e procedurave të përzgjedhjes së kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komitetit për Pakicat Kombëtare (në vijim, KPK), nëpërmjet një procesi të pavarur, transparent e gjithëpërfshirës.
2. Përzgjedhja e kandidaturave për kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e KPK-së kryhet nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura e publike të konkurrimit, nga Kryeministria, bazuar në pikën 4, të nenit 20, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
3. Për kryerjen e procedurave të përzgjedhjes për kryetarin/nënkryetarin, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre komisionin ad-hoc, i cili përbëhet nga 3 (tre) anëtarë të caktuar prej tij.
4. Kandidatët për kryetar dhe nënkryetar të KPK-së duhet të plotësojnë këto kritere:
a) Të jenë persona që u përkasin pakicave kombëtare, sipas përcaktimit në pikën 2, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”;
b) Të jenë personalitete të shquara, me kontribute të spikatura në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare;
c) Të kenë eksperiencë pune jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare.
5. Shpallja e vendit të lirë për pozicionin kryetar dhe nënkryetar të KPK-së bëhet jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e përfundimit të mandatit të kryetarit dhe/ose nënkryetarit në detyrë, në Buletinin e Njoftimeve Publike, në faqen zyrtare elektronike të Kryeministrisë dhe të KPK-së, për një periudhë 30-ditore.
6. Njoftimi për shpalljen përmban kriteret e përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, dhe afatin e dorëzimit të dokumentacionit.
7. Komisioni ad-hoc bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit, harton listën e kandidatëve të kualifikuar për kryetar dhe/ose nënkryetar të KPK-së, sipas renditjes së pikëve të grumbulluara, dhe ia propozon Kryeministrit.
8. Procesi i përzgjedhjes dhe i emërimit të anëtarëve të KPK-së zhvillohet pas emërimit të kryetarit dhe të nënkryetarit të këtij institucioni.
9. Të drejtën e propozimit të një kandidati për pozicionin e anëtarit të KPK-së e gëzon çdo shoqatë e regjistruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.8788, datë 7.5.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar, që në statutin e saj ka të përcaktuar si objekt të veprimtarisë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicës kombëtare përkatëse, sipas përcaktimit në pikën 2, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
10. Personat që u përkasin pakicave kombëtare, sipas përcaktimit në pikën 2, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, mund të aplikojnë si kandidatë, individualisht dhe që mbështeten, me rekomandim, nga të paktën pesë individë, që janë personalitete me kontribute të pakicës kombëtare përkatëse.
11. Shpallja për vendet vakante për pozicionin e anëtarit të KPK-së publikohet në faqet zyrtare të Kryeministrisë dhe të Komitetit për Pakicat Kombëtare për një periudhë 30-ditore.
12. Në shpallje përcaktohen kriteret e përgjithshme që secili aplikant duhet të plotësojë, sipas legjislacionit në fuqi për rekrutimin e personave në administratën publike. Për shkak të specifikës së pozicionit, aplikanti për pozicionin e anëtarit duhet të plotësojë këto kritere të posaçme:
a) Të njohë gjuhën e pakicës kombëtare përkatëse (vetëm për ato pakica kombëtare që kanë gjuhën e tyre);
b) Të ketë eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave.
13. Për kryerjen e procedurave të përzgjedhjes së anëtarit të KPK-së, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre komisionin ad-hoc, i cili funksionon pranë KPK-së, kryesohet nga kryetari i saj dhe ka në përbërje një përfaqësues nga jeta akademike dhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Komitetin Këshillimor të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës, në cilësinë e anëtarëve.
14. Komisioni ad-hoc kualifikon aplikantët që plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe të posaçme. Aplikantët e kualifikuar i nënshtrohen një testimi me shkrim lidhur me njohuritë për legjislacionin, praktikat dhe situatën faktike të çdo pakice kombëtare përkatëse. Gjithashtu, me secilin nga kandidatët e kualifikuar zhvillohet edhe një intervistë e strukturuar me gojë. Në shpalljen për kandidim për pozicionin e lirë të anëtarit të KPK-së përcaktohen edhe modalitetet për zhvillimin e proceseve të parashikuara në këtë pikë.
15. Komisioni ad-hoc, në fund të këtij procesi, liston kandidatët sipas pikëve të marra në total dhe, nëpërmjet kryetarit të tij, i propozon Kryeministrit dy kandidaturat që kanë marrë vlerësimin më të mirë, sipas renditjes për secilën pakicë kombëtare.

16. Kryeministri përzgjedh, nga emrat e dërguar, kandidatin më të përshtatshëm për pozicionin e anëtarit të pakicës kombëtare përkatëse dhe e emëron atë për një mandat katërvjeçar.
17. Kryetari, nënkryetari dhe anëtarët në detyrë vijojnë të ushtrojnë funksionet deri në zgjedhjen e kryetarit, të nënkryetarit dhe të anëtarëve të KPK-së, sipas këtij vendimi.
18. Procedura për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarit të shpallet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
19. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të shpallet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga emërimi i kryetarit dhe i nënkryetarit.
20. Ngarkohen Kryeministria dhe Komiteti për Pakicat Kombëtare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË FILLIMIT TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT NGA NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE AUTORITETET KONTRAKTORE NË VARËSI TË TYRE, PËR PERIUDHËN 1 DERI 30 QERSHOR 2019

 

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për periudhën 1 deri 30 qershor 2019.
Përjashtohen nga ky rregull:
– prokurimet me vlerë të vogël;
– procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.
2. Ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE PRIORITARE PËR PROKURORIN E PËRGJITHSHËM, NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 103, të ligjit nr.97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 32, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm, në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’i përcjellë menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet prioritare, si dhe t’ua bëjë ato të njohura drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve, në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se një muaj nga data e miratimit të këtij vendimi.
3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të ndjekë në vazhdimësi mënyrën e zbatimit të këtyre rekomandimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KËRKESAT E RUAJTJES SË SIGURISË DHE MBROJTJEN E SHËNDETIT TË PUNONJËSVE NË MINIERA DHE PUNIMET NËNTOKËSORE TË VEPRAVE HIDROENERGJETIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.135/2016, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë, emergjencat dhe shpëtimin në veprimtarinë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores për kërkesat e ruajtjes së sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit të punonjësve në miniera dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për veprimtarinë minerare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.55, DATË 27.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE DHE SHENJAVE TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 62, 97 e 98, pika 1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.55, datë 27.1.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 7, pas nënndarjes 7.2. shtohet nënndarja 7.3. me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“7.3. Funksionet, që, për arsye pune dhe shërbimi, gjatë orarit zyrtar mbajnë veshje civile.”.
2. Në albumin bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në lidhjen nr.1, fig. nr.1, faqe nr.7, zëvendësohet me figurën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
b) Në lidhjen nr.1, fig. nr.1/1, faqe nr.7/1, zëvendësohet me figurën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
c) Në lidhjen nr.1, fig. nr.1/2, faqe nr.7/2, zëvendësohet me figurën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
ç) Në lidhjen nr.3, pas faqes 21 shtohet faqja 21/1, me artikujt “Këpucë ceremoniale për meshkuj” dhe “Këpucë ceremoniale për femra”, sipas modelit që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi;
d) Në lidhjen nr.3, faqe 22, fjalët “Këpucë me qafa dimërore për femra dhe meshkuj”, zëvendësohen me fjalët “Këpucë dimërore për femra dhe meshkuj” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
dh) Në lidhjen nr.3, faqe 22, për uniformën bazë, shtohet artikulli “Pulovër me jakë gjysmë golf”, sipas modelit që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi;
e) Në lidhjen nr.3, faqe 25, për uniformën bazë, shtohet artikulli “Këmishë blu me mëngë të shkurtra”, sipas modelit që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi;
ë) Në lidhjen nr.3, faqe 25, fjalët “Këpucë gjysma verore për meshkuj” zëvendësohen me “Këpucë verore për meshkuj” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
f) Në lidhjen nr.3, faqe 25, fjalët “Këpucë gjysma verore për femra” zëvendësohen me “Këpucë verore për femra” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
g) Në lidhjen nr.3, faqe 25, fjalët “Këpucë gjysma me qafa shërbimi” zëvendësohen me “Këpucë taktike dimërore” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
gj) Në lidhjen nr.3, faqe 30, fjalët “Këpucë tip atlete”, zëvendësohen me “Këpucë taktike për patrullë në plazhe” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
h) Në lidhjen nr.3, faqet 25 dhe 38, fjalët “Bluzë pambuku me dy kopsa” zëvendësohen me “Bluzë polo me mëngë të shkurtra për punonjësit e Policisë së Shtetit” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
i) Në lidhjen nr.3, faqe 26, fjala “Xhaketë”, te kostumi i dokut, zëvendësohet me “Këmishë blu me mëngë të gjata” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
j) Në lidhjen nr.3, faqet 27, 31 dhe 32, modelet e uniformës dimërore dhe asaj verore zëvendësohen sipas modeleve që i bashkëlidhen kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi. Për këto modele shtohen jelekët me vizibilitet të lartë, me ngjyrë të kuqe dhe blu të çelët, dhe për uniformën verore shtohet “Bluza polo me mëngë të gjata”, sipas modelit që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
k) Në lidhjen nr.3, faqet 27 dhe 31, për uniformën verore shtohet artikulli “Këpuce taktike verore për motoçiklistët”, sipas modelit që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi;
l) Në lidhjen nr.3, faqe 28, fjalët “Jelek fosforeshent” zëvendësohen me “Jelek me vizibilitet të lartë” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
ll) Në lidhjen nr.3, faqe 39, fjalët “Jelek shpëtimi fosforeshent” zëvendësohen me “Jelek shpëtimi” dhe modeli përkatës zëvendësohet me modelin që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
m) Në lidhjen nr.3, faqe 42, modeli i rripit ceremonial zëvendësohet sipas modelit që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
n) Në lidhjen nr.4, modeli i përcaktuar në faqen 45 për shenjën e mbiemrit dhe numrin e identifikimit zëvendësohet me modelin me të njëjtin numër faqeje, që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi;
nj) Në lidhjen nr.4, fig. nr.1, faqe nr.53, zëvendësohet me figurën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet kësaj lidhjeje, pjesë përbërëse e këtij vendimi.

II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga programi buxhetor “Policia e Shtetit”.

III. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT PËR SISTEMIN E DREJTËSISË, MIRATUAR PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Gjykatës së Lartë, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në zërin “Shpenzime personeli”, i shtohet fondi, prej 9 929 904 (nëntë milionë e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e katër) lekësh, për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe të personelit mbështetës të caktuar pranë tij nga Gjykata e Lartë.
2. Gjykatës së Lartë, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në zërin “Shpenzime operative”, i shtohet fondi, prej 3 300 000 ( tre milionë e treqind mijë) lekësh, për shpërblimin e ekspertëve dhe shpenzimet e tjera operative të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
3. Efekti financiar, prej 13 229 904 (trembëdhjetë milionë e dyqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e katër) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për sistemin e drejtësisë, miratuar për vitin 2019.

4. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë nga data 1 janar 2019.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.