Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Qershor 2020:

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 510 240 000 (pesëqind e dhjetë milionë e dyqind e dyzet mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ato individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në Bashkitë Kamzë dhe Kavajë.

2. Efekti financiar sipas pikës 1 të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Kamzë dhe Kavajë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi prej 163 890 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e tetëqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 346 350 000 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë dhe Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

VE N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR KUSHTET TEKNIKE DHE GARANTIMIN E SIGURISË SË INSTALIMEVE ELEKTRIKE TË TENSIONIT TË LARTË, MBI 1 KV”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 3, të ligjit nr.8734, datë 1.2.2001, “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe të instalimeve elektrike”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullit teknik “Për kushtet teknike dhe garantimin e sigurisë së instalimeve elektrike të tensionit të lartë, mbi 1 kV”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Kushti teknik i projektimit (KTP) pika 19, e lidhjes nr.2, miratuar me vendimin nr.68, datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve dhe të kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministria përgjegjëse për energjinë dhe inspektorati përgjegjës shtetëror për energjinë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPËRNDARJEN DHE DETAJIMIN E FONDIT PREJ 950 295 959 LEKËSH, NË PROGRAMIN “MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË UJITJES DHE KULLIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpërndarjen dhe detajimin e fondit prej 950 295 959 (nëntëqind e pesëdhjetë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, për projektet e ujitjes, sigurinë e digave dhe mbrojtjes nga përmbytja, sipas bashkive, përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Projektet për rehabilitimin e digave, para fillimit të procedurës së prokurimit, të jenë të miratuara në Komitetin Kombëtar të Digave të Mëdha.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHTYPJEN, BOTIMIN, SHPËRNDARJEN DHE SHITJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE TË SISTEMIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19 e 47, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ministria përgjegjëse për arsimin miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit. Kriteret dhe procedurat e konkurrimit e të përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

2. Procesi i shtypjes, botimit, shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar bëhet nga shtëpitë botuese. Shtëpitë botuese, të cilat marrin përsipër ta kryejnë këtë proces, paraqesin tekstet, për miratim, në bazë të kritereve e të procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për arsimin. Shpenzimet për tekstet shkollore të dërguara në institucionin arsimor ose Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar (në vijim ZVAP) për të konkurruar në përzgjedhjen e tyre përballohen nga shtëpia botuese.

3. Tekstet shkollore shpërndahen/shiten në mjediset shkollore. Drejtoritë e institucioneve arsimore ofrojnë një ose dy mjedise shkollore, që përdoren nga të gjitha shtëpitë botuese, që lëvrojnë tekste në institucionin arsimor në fjalë.

4. Çmimi i shitjes është ai i vendosur në kopertinën e tekstit shkollor të certifikuar. Çmimet e teksteve shkollore, të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, indeksohen çdo vit, në përputhje me rritjen e inflacionit, të publikuar nga INSTAT-i.

5. Tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë të certifikimit, të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Pulla me hologramë u shitet botuesve nga ministria përgjegjëse për arsimin, kundrejt pagesës. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

6. Kategoritë që do të përfitojnë mbështetje buxhetore për kompensimin në masën 100% të çmimit të teksteve shkollore janë, si më poshtë vijon:

6.1. Nxënësit në arsimin bazë që:

a) i përkasin kategorisë së pakicave kombëtare;
b) janë fëmijë, i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.

6.2. Nxënësit në arsimin parauniversitar që:

a) kanë përfituar statusin e jetimit;
b) vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit;
c) janë me aftësi të kufizuara, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
ç) vijnë nga familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
d) vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti shteti;
dh) vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;
e) i përkasin kategorisë rome dhe egjiptiane. Drejtoritë përkatëse të institucioneve arsimore, ku mësojnë këta nxënës, duhet të dorëzojnë në ZVAP-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të këtyre kategorive. Mënyra e shpërndarjes së teksteve, për këto kategori nxënësish, përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin;
ë) gëzojnë statusin e të verbrit. Nxënësit pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar, të cilat janë pronë e shkollës. Administrimi i kërkesave për prodhimin/shumëfishimin e teksteve në brail dhe në shkrim të zmadhuar literal, si dhe pajisja me libra e nxënësve të verbër të realizohen nga Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë, në Tiranë. Drejtoritë përkatëse të institucioneve arsimore, ku mësojnë këta nxënës, duhet të dorëzojnë në ZVAP-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie;
f) janë viktima të trafikimit, të cilëve u ofrohet ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës, sipas kërkesës zyrtare për sasinë e teksteve shkollore të nevojshme;
g) gëzojnë statusin e viktimës dhe të viktimës së mundshme të trafikimit, në përputhje me vendimin nr.499, datë 29.8.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit”.
gj) janë të moshës shkollore të arsimit parauniversitar, të cilët janë në institucionet e paraburgimit/vuajtjes së dënimit;
h) janë të shtruar në Shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kërkesa dhe sasia për tekstet shkollore dërgohet nga ky shërbim në muajin gusht të çdo viti;
i) janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;
j) janë përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencës. Drejtoritë përkatëse të institucioneve arsimore, ku mësojnë këta nxënës, duhet të bashkërendojnë punën me drejtoritë e institucioneve të sipërpërmendura dhe të dorëzojnë në ZVAP-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie. Mënyra e shpërndarjes së teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

6.3. Nxënësit që ndjekin arsimin bazë në klasën e parë në institucionet arsimore publike, të cilëve u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. Nxënësve, që ndjekin arsimin bazë në institucionet arsimore publike nga klasa e dytë deri në klasën e shtatë, u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Institucionet arsimore publike si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e shtatë.
Blerja e teksteve të reja shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë deri në klasën e shtatë në institucionet arsimore publike, në emër të prindërve ose të përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor publik, për llogari të zyrës vendore të arsimit parauniversitar.
Likuidimi i faturës tatimore ndaj shtëpive botuese dhe/ose distributorëve realizohet nga zyra vendore e arsimit parauniversitar, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit. Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve, për këtë kategori nxënësish, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

7. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore për kategoritë e përcaktuara në këtë vendim mbulohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin, në formën e “Transfertës tek individët” dhe “Transfertës te shtëpitë botuese”, sipas rastit, në masën 100% të tij.

8. Shitja e teksteve shkollore bëhet përkundrejt faturave. Për kategoritë e nxënësve, që përfitojnë sipas pikës 6, të këtij vendimi, pagesa bëhet nëpërmjet llogarive buxhetore të ZVAP-ve ose të vetë institucionit arsimor, kur ka llogari të tillë, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët” në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.

9. Procedurat e përdorimit dhe të shpërndarjes së fondeve buxhetore për blerjen e teksteve shkollore, si dhe mënyra e pagesës për kategorinë e nxënësve përfitues përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për arsimin.

10. Vendimi nr.107, datë 10.2.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, i ndryshuar, shfuqizohet.

11. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I DY FIDERAVE TË RINJ KABLLORË FIDERI F9 DHE FIDERI F10, ME IZOLACION 20 KV, NËNSTACIONI I RI 110/20 KV, PLASMASI, LUSHNJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i dy fiderave të rinj kabllorë fideri F9 dhe fideri F10, me izolacion 20 kV, nënstacioni i ri 110/20 kV, Plasmasi, Lushnjë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.).

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “Arë” dhe tokë “Truall”, me vlerë 26 407.92 (njëzet e gjashtë mijë e katërqind e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 26 407.92 (njëzet e gjashtë mijë e katërqind e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekë, të përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.), si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a).

8. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.) të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga OSHEE, sh.a.-ja.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.), brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë në favor të OSHEE, sh.a.-së.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të OSHEE, sh.a-së.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “KRIJIMI I QENDRAVE TË FSHATRAVE ME SIPËRFAQE QËNDRIMI, PUSHIMI, PARKIMI DHE LULISHTE NË FSHATIN MBRAKULL”, POLIÇAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Krijimi i qendrave të fshatrave me sipërfaqe qëndrimi, pushimi, parkimi dhe lulishte në fshatin Mbrakull”, Poliçan.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Poliçan.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit tokë “Arë” + “Truall” + “Ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 664 617 (një milion e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 664 617 (një milion e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë) lekësh, të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Poliçan.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Poliçan.

8. Bashkia Poliçan të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Poliçan.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Poliçan, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasurinë e shpronësuar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, dhe Bashkia Poliçan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT OPEC PËR ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (OFID), PËR PROJEKTIN E PUNIMEVE PËR RIPARIME EMERGJENTE TË AUTOSTRADËS TIRANË–ELBASAN, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.62/2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), për projektin e punimeve për riparime emergjente të autostradës Tiranë–Elbasan, të ratifikuar me ligjin nr.62/2018, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.387, DATË 13.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT TREGTARE PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË TREGTARËVE OSE SHOQËRIVE TREGTARE PËR TË MUNDËSUAR FINANCIMIN E NEVOJSHËM PËR RIMËKËMBJEN E AKTIVITETIT TREGTAR TË NDIKUAR NGA SITUATA E KRIJUAR NGA COVID-19, SI EDHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në marrëveshjen e garancisë (Format tip), bashkëlidhur vendimit nr.387, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ndryshimi, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të reflektohet në marrëveshjet e garancisë të lidhura me bankat tregtare përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.108, DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE NË PUNË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 98, pika 4, 99, pika 3, 102 dhe 103, pika 3, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.108, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimet “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe “Ministria e Shëndetësisë” zëvendësohen, përkatësisht, me fjalët “… ministria përgjegjëse për punën …” dhe “… Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale …”.

2. Pas pikës 4, të nenit 6, të tekstit të rregullores, bashkëlidhur vendimit, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Për identifikimin dhe kontrollin e formave të punës së ndaluar të fëmijëve, inspektorët e punës zbatojnë udhëzuesin praktik, sipas shtojcës nr.II, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

3. Në titullin e shtojcës I, bashkëllidhur vendimit, referenca “… në nenin 7, pika 2 …” zëvendësohet me “… në nenin 6, pika 2 …”.
4. Pas shtojcës I, bashkëlidhur vendimit, shtohet shtojca II, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA TIRANË, TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL DHE TË DISA OBJEKTEVE, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.99, ME EMËRTIM “ISH-REPARTI USHTARAK NR.5011/45”, ME VENDNDODHJE NË SURREL, FARKË, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe të disa objekteve, me sipërfaqe të përgjithshme prej 3 300 (tre mijë e treqind) m², nga trualli funksional i pronës nr.99, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5011/45”, me vendndodhje në Surrel, Farkë, Tiranë, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Hiqen trualli funksional dhe objektet, sipas planrilevimit, me sipërfaqe të përgjithshme prej 3 300 (tre mijë e treqind) m², nga trualli funksional i pronës nr.99, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5011/45”, me vendndodhje në Surrel, Farkë, Tiranë.
b) Përmasat e pronës nr.99, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5011/45”, me vendndodhje në Surrel, Farkë, Tiranë, zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin standard të inventarizimit dhe në planrilevimin që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

3. Për sigurinë dhe ruajtjen e pronës, para fillimit të punimeve, Bashkia Tiranë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës dhe çdo element që lidhet me rrethimin, duke i kthyer në gjendjen e tyre të mëparshme, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e sipërfaqes së pronës e cila i kalon në pronësi, sipas parametrave e kushteve teknike dhe për këtë të hartohet aktmarrëveshje, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të përfaqësuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Komanda Mbështetëse.

4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1481, DATË 12.11.2008, NR.286, DATË 18.3.2009, NR.450, DATË 6.5.2009, NR.611, DATË 11.6.2009, NR.677, DATË 18.6.2009, NR.706, DATË 23.6.2009, NR.805, DATË 22.7.2009, NR.1038, DATË 14.10.2009, NR.1134, DATË 18.11.2009, NR.1657, DATË 24.12.2009, NR.125, DATË 17.2.2010, NR.404, DATË 26.5.2010, NR.549, DATË 7.7.2010, NR.646, DATË 28.7.2010, NR.118, DATË 17.2.2011, NR.359, DATË 4.5.2011, NR.512, DATË 1.8.2012, NR.513, DATË 1.8.2012, NR.472, DATË 30.5.2013, NR.615, DATË 7.7.2015, NR.850, DATË 7.12.2016, NR.871, DATË 14.12.2016, NR.89, DATË 8.2.2017, NR.293, DATË 21.5.2018, NR.316, DATË 15.5.2019, NR.575, DATË 28.8.2019, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1481, datë 12.11.2008, nr.286, datë 18.3.2009, nr.450, datë 6.5.2009, nr.611, datë 11.6.2009, nr.677, datë 18.6.2009, nr.706, datë 23.6.2009, nr.805, datë 22.7.2009, nr.1038, datë 14.10.2009, nr.1134, datë 18.11.2009, nr.1657, datë 24.12.2009, nr.125, datë 17.2.2010, nr.404, datë 26.5.2010, nr.549, datë 7.7.2010, nr.646, datë 28.7.2010, nr.118, datë 17.2.2011, nr.359, datë 4.5.2011, nr.512, datë 1.8.2012, nr.513, datë 1.8.2012, nr.472, datë 30.5.2013, nr.615, datë 7.7.2015, nr.850, datë 7.12.2016, nr.871, datë 14.12.2016, nr.89, datë 8.2.2017, nr.293, datë 21.5.2018, nr.316, datë 15.5.2019, nr.575, datë 28.8.2019, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në vendimin nr.1481, datë 12.11.2008, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve për 1 (një) parcelë ndërtimore me nr.pasurie 19/185, ndryshon sipërfaqja e parcelës për 2 (dy) pasuri me nr.pas. 19/186, 10/232, si dhe ndryshon nr. i pasurisë për 2 (dy) pasuri me numër 19/185 , 10/232, sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Në vendimin nr.286, datë 18.3.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve dhe sipërfaqja për 1 (një) parcelë ndërtimore, me nr.pasurie 2/656, sipas lidhjes AB, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Në vendimin nr.450, datë 6.5.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve për 2 (dy) parcela ndërtimore, me nr.pasurie 3/627, 3/587 dhe ndryshon sipërfaqja për 5 (pesë) parcela ndërtimore me nr. pasurie 3/627, 4/274, 4/273, 3/587, 1/257, si dhe ndryshon nr.i pasurisë për pasuritë 4/274, 4/273, sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Në vendimin nr.611, datë 11.6.2009, ndryshohen gjenealitetet e poseduesve për 4 (katër) parcela ndërtimore me nr.pasurie 2/607, 2/627, 2/527, 2/498, ndryshon sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 2/607, sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

5. Në vendimin nr.677, datë 18.6.2009, ndryshohet sipërfaqja për parcelën me nr. pasurie 8/404, sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

6. Në vendimin nr.706, datë 23.6.2009, ndryshohen gjenealitetet për 2 (dy) parcela ndërtimore me nr.pasurie 11/520, 20/135, ndryshohet sipërfaqja për 2 (dy) parcela me nr.pas. 3/500, 400/265, sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

7. Në vendimin nr.805, datë 22.7.2009, ndryshohen gjenealitetet për 4 (katër) parcela me nr.pasurie 7/385, 708/1, 11/585, 11/583, dhe ndryshon sipërfaqja për 2 (dy) parcela me nr.pas. 11/585, 11/583, sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

8. Në vendimin nr.1038, datë 14.10.2009, ndryshohen gjenealitetet për 2 (dy) parcela ndërtimore me nr.pasurie 2/625, 8/522, ndryshon sipërfaqja për parcelën, me nr.pasurie 8/522, anulohet pasuria me nr.4/203 dhe ndryshon numri për pasurinë me nr.8/522, sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

9. Në vendimin nr.1134, datë 18.11.2009, ndryshohen gjenealitetet për parcelën me nr.pasurie 51/136, sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

10. Në vendimin nr.1657, datë 24.12.2009, anulohet vendimi për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 45/21, sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

11. Në vendimin nr.125, datë 17.2.2010, ndryshohen gjenealitetet për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 4/515, dhe ndryshohet sipërfaqja për parcelat me nr.pasurie 4/515, 2/449, sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

12. Në vendimin nr.404, datë 26.5.2010, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit për 5 (pesë) parcela ndërtimore, me nr.pasurie 4/190, 258/95, 438/38, 11/201, 258/96, ndryshon sipërfaqja për 6 (gjashtë) parcela me nr. pasurie 4/190, 258/95, 438/35, 11/201, 1/903, 258/96 dhe ndryshon numri i pasurisë për 2 (dy) pasuri me nr.pas. 258/96, 1/903, sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

13. Në vendimin nr.549, datë 7.7.2010, anulohet parcela ndërtimore me nr.pasurie 231/647, ndryshohen gjenealitetet për 2 (dy) pasuritë me nr.231/648, 8/707 dhe ndryshon sipërfaqja për 2 (dy) pasuritë me nr.231/648, 8/707, sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

14. Në vendimin nr.646, datë 28.7.2010, ndryshohen gjenealitetet e poseduesit për 2 (dy) parcela ndërtimore me nr.pasurie 400/1433, 4/403, anulohet parcela me nr.pasurie 16/101, ndryshon sipërfaqja e parcelës për 5 (pesë) pasuri me numër 400/1433, 4/403, 5/850, 5/590, 5/586 dhe ndryshon numri i pasurisë për parcelën 5/850, sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

15. Në vendimin nr.118, datë 17.2.2011, ndryshohen gjenealitetet për 2 (dy) parcela ndërtimore me nr.pasurie 19/209, 7/468, dhe ndryshon sipërfaqja dhe numri i pasurisë për parcelën me numër 19/209, sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

16. Në vendimin nr.359, datë 4.5.2011, ndryshohen gjenealitetet për 3 (tre) parcela ndërtimore, me nr.pasurie 2/898, 40/117, 3/1123, ndryshon numri i pasurisë për parcelën me nr.7/495 dhe ndryshon sipërfaqja për 2 (dy) parcelat me nr. pasurie 2/898, 7/495, sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

17. Në vendimin nr.512, datë 1.8.2012, ndryshohen gjenealitetet dhe sipërfaqja për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 4/203, sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

18. Në vendimin nr.513, datë 1.8.2012, ndryshohen gjenealitetet për 2 (dy) parcela ndërtimore me nr.pasurie 7/448, 1/723, anulohet parcela me nr.pasurie 15/1/2, sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

19. Në vendimin nr.472, datë 30.5.2013, ndryshon sipërfaqja për 2 (dy) parcela me nr.pasurie 13/72, 13/74, sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

20. Në vendimin nr.615 datë 7.7.2015, ndryshon sipërfaqja për parcelën me nr.pas. 2/916, sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

21. Në vendimin nr.850, datë 14.12.2016, ndryshon sipërfaqja për parcelën me nr. pasurie 5/287, sipas lidhjes T, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

22. Në vendimin nr.871, datë 14.12.2016, ndryshon zona kadastrale për parcelën me nr. pasurie 28, sipas lidhjes U, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

23. Në vendimin nr.89, datë 8.2.2017, anulohet parcela me nr. pasurie 183/375, sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

24. Në vendimin nr.293, datë 21.5.2018, anulohet parcela me nr.pasurie 3/121, sipas lidhjes X, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

25. Në vendimin nr.316, datë 15.5.2019, ndryshon sipërfaqja për parcelën me nr.pasurie 3/121, sipas lidhjes XH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

26. Në vendimin nr.575, datë 28.8.2019, ndryshon zona kadastrale për parcelën me nr. pasurie 11/157, sipas lidhjes Z, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

II. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.