Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Dhjetor 2018: 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM
NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000,datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2019, sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë.

2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

3. Paga bazë minimale orare të jetë 149 (njëqind e dyzet e nëntë) lekë.

4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.

5. Vendimi nr.399, datë 3.5.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2019.

 

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

PUNËSIMIN E STUDENTËVE TË EKSELENCËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Për vitin 2019, pozicionet vakante specialist dhe të barasvlefshëm në institucionet e administratës shtetërore jashtë shërbimit civil të plotësohen me prioritet nga studentët e ekselencës të diplomuar duke filluar nga viti 2017 e në vijim, nëpërmjet punësimit të tyre me kontratë të përkohshme 1 (një)-vjeçare. Përjashtohen nga ky rregull pozicionet e kësaj kategorie për të cilat legjislacioni specifik përcakton kritere të posaçme në lidhje me vjetërsinë dhe zotërimin e certifikimeve të ndryshme.

2. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

a) “Institucione të administratës shtetërore jashtë shërbimit civil”, institucionet e varësisë së Kryeministrit apo ministrave, për të cilat marrëdhëniet e punësimit të nëpunësve/punonjësve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës;
b) “Studentë të ekselencës”, studentët të cilët kanë përfunduar studime universitare në secilin prej cikleve të arsimit të lartë me mesatare 9.00 – 10.00 ose ekuivalent, në:
i. institucionet e arsimit të lartë jashtë Shqipërisë;
ii. institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik apo institucionet /programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Republikën e Shqipërisë.

3. Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit menaxhohet nga Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë.

4. Kryeministria dhe ministritë e linjës shpallin publikisht në faqet e tyre zyrtare, thirrjen për shprehjen e interesit të studentëve të ekselencës që duan të punësohen përkohësisht në institucionet e tyre të varësisë, sipas kërkesës së këtyre të fundit, përkatësisht brenda muajit janar 2019 dhe muajit gusht 2019.

5. Shpallja publike për shprehjen e interesit sipas pikës 4, të këtij vendimi, përmban këto të dhëna:

a) Pozicionet vakante, të grupuara bazuar në kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës (fusha e studimit) që kërkon pozicioni i punës;
b) Dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre;
c) Mënyrën dhe afatin e dorëzimit, të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
ç) Mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve;
d) Datat e daljes së rezultateve;
dh) Mënyrën e njoftimit dhe të komunikimit me kandidatët.

6. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Kryeministrisë apo ministrisë që ka bërë shpalljen publike në mënyrën e përcaktuar në të, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në faqen përkatëse zyrtare.

7. Kryeministria/ministritë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dokumentacionit, bazuar në mesataren e studentëve të cilët kanë shprehur interesin sipas pikave 5 e 6, të këtij vendimi, krijojnë listat përkatëse duke i renditur ata për secilin nga grupet e përcaktuara në pikën 9, të këtij vendimi, dhe për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara mbi bazën e kriterit të nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës. Studentët, të cilët kanë diplomë të niveleve më të larta se ai që kërkon pozicioni i punës, renditen në të gjitha grupet e pozicioneve të fushës përkatëse të studimit, pavarësisht nivelit të diplomës të kërkuar për grupin përkatës.

8. Kryeministria/ministritë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga krijimi i listave sipas pikës 7, të këtij vendimi, i publikojnë ato në faqet respektive zyrtare.
9. Brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e krijimit të listave sipas pikës 7, të këtij vendimi, Kryeministria/ministritë thërrasin studentët të cilët, duke filluar nga ai me mesatare më të lartë brenda grupit përkatës, përzgjedhin pozicionin ku duan të emërohen në mënyrë të përkohshme. E drejta e përzgjedhjes është sipas precedencës, si më poshtë vijon:

a) Studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së;
b) Studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri;
c) Studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së ose BE-së.

Diplomat e përfituara jashtë vendit duhe të jenë të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas legjislacionit në fuqi.

10. Në rastet e studentëve me mesatare të njëjtë, e drejta e përzgjedhjes përcaktohet me short në prezencë të tyre.

11. Kryeministria/ministritë, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i procesit sipas pikës 9, të këtij vendimi:

a) publikojnë në faqet e tyre zyrtare listat e studentëve që kanë përzgjedhur pozicionet e punës;
b) dërgojnë pranë institucioneve të tyre të varësisë listat e studentëve të cilët kanë përzgjedhur pozicionet e punës për secilin institucion.

12. Institucionet përkatëse lidhin kontratat e përkohshme të punës me studentët, sipas listave të dërguara nga Kryeministria/ministritë, të cilat respektojnë përputhshmërinë e nivelit dhe të fushës së studimit me kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës për pozicionin respektiv të punës.

13. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që:

a) të vërë në dispozicion të Kryeministrisë/ministrive listën e institucioneve/programeve të akredituara të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe në vazhdimësi sa herë ka ndryshime;
b) të bëjë ekuivalencën e mesatares së studentëve që kanë përfunduar studimet jashtë Shqipërisë, në rast se përdoret sistem i ndryshëm vlerësimi, rast pas rasti, sipas kërkesës së Kryeministrisë/ministrive.
14. Ngarkohen Kryeministria dhe të gjitha ministritë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.903, DATË 21.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE NGA FONDI I MBËSHTETJES STUDENTORE PËR STUDENTËT E SHKËLQYER, STUDENTËT QË STUDIOJNË NË PROGRAME STUDIMI NË FUSHAT PRIORITARE DHE STUDENTËT NË NEVOJË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 112, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 12, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.903, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitojnë bursë, në masën e përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, studentët e pranuar në vitin e parë akademik, për çdo program studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore mbi 9 (nëntë) nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, të përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe dërgohet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Gjithashtu, përfitojnë bursë në masën e përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, studentët e regjistruar në çdo program studimi, në vitet pas të parit, me kriterin e notës mesatare mbi 9 (nëntë), të përllogaritur nga institucionet e arsimit të lartë, vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe studimi dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit.”.

b) Aneksi 1, që i bashkëlidhur vendimit në fuqi, zëvendësohet me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.484, DATË 10.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME DHE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE TE KOMISIONERI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT DHE MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE, KOMISIONERI PËR MBIKËQYRJEN E SHËRBIMIT CIVIL DHE AVOKATURA E SHTETIT, TË MJEDISEVE NË GODINËN E ISH-HOTEL “DRINIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 2, të vendimit nr.484, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… në përgjegjësi administrimi …” shtohen “… kati i parë, kati i dytë, kati i tretë …”;
b) Paragrafi i fundit shfuqizohet.

2. Planimetritë e katit të parë, të dytë dhe të tretë, të godinës 5-katëshe, pjesë e godinës së ish-hotel “Drinit”, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Avokatura e Shtetit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D i M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN nR.490, DATË 31.7.2018, tË KËSHILLIT Të MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR PAGESËN E SHËRBIMEVE JURIDIKE PËR PËRFAQËSIMIN DHE MBROJTJEN NË GJYKATËN ITALIANE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.190/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, dhe të neneve 4, pika 7, 5, pika 1, shkronja “b”, 12, pikat 2 e 6, 15, pika 8 dhe 18, pika 2, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pas pikës 1, të vendimit nr.490, datë 31.7.2018, të Këshillit të Ministrave, shtohen pikat 1.1 dhe 1.2, me këtë përmbajtje:

“1.1. Autorizimin e Ministrisë se Financave dhe Ekonomisë që nëpërmjet Avokaturës së Shtetit të lidhë shtesë kontrate me firmën avokatore italiane për përfaqësimin e interesave të shtetit shqiptar në çështjen “Iliria SRL”, zhvilluar në gjykatat italiane, të iniciuar nga shoqëria “Iliria SRL”, në vlerën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

1.2. Shtesa e kontratës të rregullojë përfaqësimin e interesave të shtetit shqiptar, për të gjitha proceset gjyqësore në gjykatat italiane, që rrjedhin nga çështja e “Iliria SRL”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË INDIVIDËVE QË PLOTËSOJNË KRITERET PËR ULJE TË TARIFËS VJETORE TË STUDIMIT NË PROGRAMET E CIKLIT TË DYTË TË STUDIMEVE, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të neneve 2 e 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të neneve 1 e 15, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, të ligjit nr.9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës, “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të dytë të studimeve, sipas kategorive të mëposhtme, paguajnë 50% të tarifës vjetore të studimeve të miratuar nga institucionet publike të arsimit të lartë:

a) Studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe studentët fëmijë të personave/familjes me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të KMCA-së për punë, familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë nga ligji nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) Studentët, familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, si dhe studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve;
c) Studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;
ç) Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
d) Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore;
dh) Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria/institucioni përgjegjës;
e) Studentët romë dhe ballkano-egjiptianë, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale;
ë) Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
f) Studentët që fillojnë vitin e parë të ciklit të dytë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë);
g) Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë), të regjistruar në vitin e parë pas të parit dhe që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitin akademik paraardhës.

2. Studentët sipas kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij vendimi, paguajnë tarifën vjetore të studimeve në masën 50%, pas paraqitjes së dokumentacionit vërtetues për statusin e tyre ligjor, me vendim të Bordit të Administrimit të institucionit publik të arsimit të lartë.

3. Bordi i Administrimit të institucionit shqyrton dhe miraton për çdo vit akademik, jo më vonë se muaji dhjetor, listën e studentëve të kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij vendimi.

4. Vendimi i Bordit të Administrimit të institucionit publik të arsimit të lartë i njoftohet Agjencisë Kombëtare së Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendimit.

5. Institucionet publike të arsimit të lartë rimbursohen me fonde grant nga buxheti i shtetit për vlerën e tarifës vjetore të reduktuar sa më sipër.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, si dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

* * *

V E N D I M

PËR

KONTROLLIN ANTIPLAGJIATURË TË DISERTACIONEVE PËR FITIMIN E GRADAVE SHKENCORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “e”, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e arkivit digjital të disertacioneve të përdorura për fitimin e gradave shkencore në institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, në Republikën e Shqipërisë, pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin apo institucioneve të ngarkuara prej saj.

2. Arkivi digjital të jetë pjesë e regjistrit të gradave shkencore, në kuptim të ligjit për arsimin e lartë.

3. Institucionet e arsimit të lartë si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin që, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin kopje të njësuar me origjinalin të disertacionit, si dhe materialin në formë elektronike.

4. Ministria përgjegjëse për arsimin kryen kontrollin digjital antiplagjiaturë të disertacioneve të përdorura për marrjen e gradës shkencore, në institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik.

5. Për kryerjen e kontrollit digjital antiplagjiaturë, ministria siguron software për kontroll automatik si dhe programe apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë të disertacioneve të paraqitura për fitimin e gradës shkencore.
6. Ministria përgjegjëse për arsimin i përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave do të bëhet rivlerësimi përfundimtar mbi gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.

7. Institucioni i arsimit të lartë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga vënia në dispozicion e gjetjeve të kontrollit antiplagjiaturë, i njofton ministrisë përgjegjëse për arsimin vendimin e rivlerësimit përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik, dhe institucionet e tjera shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R i
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR

 

VLERËSIMIN E PERFORMANCËS NË MËSIMDHËNIE TË PERSONELIT AKADEMIK NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, EDHE NËPËRMJET SONDAZHIT KOMBËTAR TË STUDENTËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 104, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë vlerëson procesin dhe performancën në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, me qëllim sigurimin, promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së procesit të mësimdhënies në këto institucione.

2. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë të ndjekë të gjithë procedurën e njoftimit të IAL-ve, ngritjes së grupeve të punës që do të realizojnë procesin e vlerësimit të performancës në mësimdhënie të personelit akademik, deri në hartimin e raporteve përfundimtare.

3. Procesi i vlerësimit të mësimdhënies monitorohet në mënyrë të vazhdueshme edhe përmes sondazhit kombëtar të studentëve, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë harton metodologjinë dhe instrumentet e sondazhit kombëtar të studentëve për cilësinë e mësimdhënies.

4. Në procesin dhe grupet e vlerësimit, të ngritur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, marrin pjesë dhe përfaqësuesit e studentëve të propozuar nga institucionet e arsimit të lartë.

5. Raporti përfundimtar, i përgatitur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, i paraqitet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucionit të arsimit të lartë që i është nënshtruar procesit të vlerësimit të performancës në mësimdhënie.

6. Strukturat përgjegjëse në institucionet e arsimit të lartë shqyrtojnë dhe marrin në konsideratë rezultatet e raportit për vlerësimin e punës mësimdhënëse të çdo anëtari të personelit akademik.

7. Vlerësimi përfundimtar, për çdo anëtar të personelit akademik, bëhet pjesë e dosjes së tij personale, së bashku me vlerësimet e tjera gjithëvjetore.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe institucionet të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES SË ANËTARËVE TË BORDIT TË ADMINISTRIMIT, PËRFAQËSUES TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR ARSIMIN, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 1, shkronja “b”, 47 dhe 48, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e kritereve e të procedurave transparente të përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Bordit të Administrimit, përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në institucionet publike të arsimit të lartë, me qëllim garantimin e profesionalizmit, të pavarësisë dhe të integritetit etik të anëtarit të bordit.

2. Bordi i Administrimit, si organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij, përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme.

3. Anëtarët, përfaqësues të institucionit publik të arsimit të lartë, përzgjidhen nga senati akademik i institucionit përkatës.

4. Anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin do të jenë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike e juridike dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin.

5. Përbërja e Bordit të Administrimit përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të institucionit publik të arsimit të lartë, të miratuar nga Bordi i Administrimit.

6. Një nga anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin përzgjidhet nga studentët e IAL-së përkatëse, të cilët i paraqesin ministrit tri kandidatura. Ministri përgjegjës për arsimin emëron një prej kandidaturave të paraqitura nga studentët. Kandidaturat e paraqitura nga studentët duhet të plotësojnë të njëjtat kritere si dhe anëtarët e tjerë të bordit përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

7. Njoftimi për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, mënyra e vlerësimit të kandidatëve bazuar në kriteret e parashikuara në këtë vendim dhe afati i dorëzimit të dokumentacionit përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

8. Njoftimi i konkurrimit për anëtar të bordit përmban këto të dhëna:

a) Një përshkrim të shkurtër të kompetencave e të funksionit që do të mbulojë anëtari;
b) Kërkesat për pranimin e kandidatëve;
c) Listën e dokumenteve që duhet të paraqiten, vendin dhe afatin deri kur do të paraqiten dokumentet;
ç) Mënyrën dhe kohën kur do të shpallet lista e kandidatëve që do të kualifikohen.

9. Njoftimi publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

10. Çdo kandidat për anëtar të bordit duhet të jetë person me profil publik dhe arritje të shquara brenda apo jashtë vendit, në fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike dhe juridike.

11. Kriteret për t’u emëruar anëtar i bordit janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë integritet etik dhe profesional;
b) Të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
c) Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) Të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për parandalimin e konfliktit të interesave.

12. Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të bordit kryhet nga një komision ad-hoc i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, i cili shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore.

13. Komisioni ad-hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit, shqyrton dokumentacionin dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim, të shoqëruar me një relacion përmbledhës, i cili i paraqitet për miratim ministrit përgjegjës për arsimin.

14. Ministri përgjegjës për arsimin emëron anëtarët e bordit për secilin institucion të arsimit të lartë.

15. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R i
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.17, DATË 12.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2018”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca 2, bashkëlidhur vendimit nr.17, datë 12.1.2018, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet, për vitin 2018.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.269, DATË 29.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË INDIVIDËVE QË PLOTËSOJNË KRITERET E PRANIMIT NË NJË PROGRAM TË CIKLIT TË PARË TË STUDIMEVE, NË NJË PROGRAM TË INTEGRUAR TË STUDIMEVE OSE NË NJË PROGRAM TË STUDIMEVE PROFESIONALE, QË PËRJASHTOHEN NGA TARIFA VJETORE E SHKOLLIMIT” , TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të neneve 2 e 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të neneve 1 e 15, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronjat “f” dhe “g”, të pikës 1, të vendimit nr.269, datë 29.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“f) Studentët që rezultojnë me notën mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë). Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës;
g) Studentët e pranuar në vitin e parë akademik në institucionet publike të arsimit të lartë, me notë mesatare vjetore 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë) nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, të përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe dërgohet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.”.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR NGRITJEN E PIKAVE TË PËRBASHKËTA TË KALIMIT KUFITAR, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DHE KRYERJEN E VEPRIMTARIVE TË PËRBASHKËTA TË KONTROLLIT KUFITAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.607, DATË 27.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E MJEDISEVE TË NDËRTESËS “GODINA E INOVACIONIT” NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 3, të vendimit nr.607, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… deri më 31 dhjetor 2018 …” zëvendësohen me “… deri më 30 qeshor 2019 … ”.

2. Ngarkohen Kryeministria, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *

V E N D I M
PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE ZNJ. INA GAVROSH NUKA, INSPEKTOR, PUNONJËS POLICIE I PLAGOSUR NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës financiare, në masën e 12 (dymbëdhjetë) pagave mujore, znj. Ina Gavrosh Nuka, inspektor, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme, motorist, në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e plagosur në krye të detyrës për vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike.

2. Efekti financiar, në vlerën 792 000 (shtatëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE BRENDA PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2018 PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor 07220, “Shërbimet e kujdesit parësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente, të brendshme”, të pakësohet fondi prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh;
b) Në programin buxhetor 07330, “Shërbimet e kujdesit dytësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente, të brendshme”, të shtohet fondi prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE BRENDA PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2018 PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

3. Në buxhetin e vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

c) Në programin buxhetor 07220, “Shërbimet e kujdesit parësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente, të brendshme”, të pakësohet fondi prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh;
d) Në programin buxhetor 07330, “Shërbimet e kujdesit dytësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente, të brendshme”, të shtohet fondi prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekësh.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

GARANTIMIN E TRANSPARENCËS NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”, dhe të neneve 7, shkronjat “b” e “e”, dhe 116, pika 2, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Me qëllim garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë bën publike të dhëna/ informacione në kuadër të programit të transparencës dhe të trajtimit të ankesave ndaj institucioneve të arsimit të lartë, përmbajtja e të cilave do të publikohet nga Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar në portalin e transparencës dhe të trajtimit të ankesave.

2. Portali të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të të publikohen on-line:

a) të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo institucioni të arsimit të lartë, sipas formatit të miratuar me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për financat.
Duke filluar nga viti buxhetor 2019, bordi i administrimit të institucionit të arsimit të lartë, nëpërmjet administratorit, të përcjellë çdo tre muaj, për publikim, pranë Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, të dhënat e detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare, sipas përcaktimit të kësaj shkronje;
b) të dhëna për buxhetin afatmesëm (PBA), buxhetin vjetor, grantin nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e tjera, të gjitha shpenzimet operative, shpenzimet për kërkim shkencor dhe shpenzimet kapitale të çdo institucioni publik të arsimit të lartë;
c) informacion për procedurat e prokurimit publik (parashikim/realizim) apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat;
ç) vendimet e bordit, të senatit dhe organeve të tjera drejtuese/ vendimmarrëse;
d) kuotat e parashikuara për çdo vit akademik;
dh) instrumentet dhe programet e shkëmbimit studentor dhe procedurat përkatëse;
e) instrumentet e financimit të studimeve dhe procedurat përkatëse (bursat publike dhe ato specifike për çdo IAL);
ë) marrëveshjet dy-apo shumëpalëshe në nivel IAL-je apo institucione të tjera;
f) të dhënat për bursat dhe stimujt financiarë të ofruar nga shteti për studentët;
g) CV-të e pedagogëve;
gj) rezultatet e kontrollit dhe të verifikimit të titujve shkencorë;
h) mekanizmat dhe procedurat për bërjen e kërkesave dhe paraqitjen e ankesave në lidhje me veprimet ose mosveprimet e drejtuesve/ organeve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, procedurën, nëpërmjet së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të institucionit të arsimit të lartë.

3. Për trajtimin e ankesave në platformën e transparencës on-line, kontrollin e transparencës dhe pajtueshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë krijohet struktura përgjegjëse për kontrollin e transparencës së arsimit të lartë.

4. Misioni i kësaj strukture është të kryejë verifikimin e zbatimit të ligjshmërisë së veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë, të ankimeve dhe/ose kallëzimeve për veprimtari abuzive, korruptive apo arbitrare, të identifikojë punonjësit e IAL-ve, të cilët, me veprime apo mosveprime pretendohet se kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi, rritjen e efiçencës e të përgjegjësisë në zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore.

5. Rregullat e detajuara për organizimin dhe funksionimin e strukturës përgjegjëse për kontrollin e transparencës në arsimin e lartë miratohen me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË VENDIMIN NR.288, DATË 21.5.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUFIRIT MAKSIMAL TË TARIFËS VJETORE TË SHKOLLIMIT PËR STUDENTËT QË NDJEKIN STUDIMET NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, NË NJË PROGRAM TË CIKLIT TË PARË TË STUDIMEVE, NË NJË PROGRAM TË INTEGRUAR TË STUDIMEVE OSE NË NJË PROGRAM TË STUDIMEVE PROFESIONALE ME KOHË TË PLOTË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.288, datë 21.5.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:

a) Pika 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“1. Kufiri maksimal i tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë, për vitin akademik 2018-2019 dhe në vijim, paguhet nga studentët në masën 50% të vlerave të pasqyruara në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Institucionet publike të arsimit të lartë rimbursohen me fonde grant nga buxheti i shtetit për vlerën e tarifës vjetore të reduktuar, sa më sipër.”.

b) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Studentët, të cilët rezultojnë me notë mesatare nën 6 (gjashtë) në përfundim të vitit të parë akademik, nga viti akademik 2019-2020 e në vijim paguajnë tarifën e plotë të studimit, të pasqyruar në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

PUNËSIMIN E STUDENTËVE TË EKSELENCËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

15. Për vitin 2019, pozicionet vakante të kategorisë ekzekutive (specialist dhe të barasvlefshëm), në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, të plotësohen me prioritet nga studentët e ekselencës të diplomuar duke filluar nga viti 2017 e në vijim, nëpërmjet punësimit të tyre me kontratë të përkohshme 1 (një)-vjeçare. Përjashtohen nga ky rregull pozicionet e kësaj kategorie për të cilat legjislacioni specifik përcakton kritere të posaçme në lidhje me vjetërsinë dhe zotërimin e certifikimeve të ndryshme.

16. Në kuptim të këtij vendimi, me termin “studentë të ekselencës” nënkuptojmë studentët të cilët kanë përfunduar studime universitare në secilin prej cikleve të arsimit të lartë me mesatare 9.00 – 10.00 ose ekuivalent, në:

iii. institucionet e arsimit të lartë jashtë Shqipërisë;
iv. institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik apo institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Republikën e Shqipërisë.

17. Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit menaxhohet nga Departamenti i Administratës Publike, në bashkëpunim me institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil.
18. Departamenti i Administratës Publike shpall publikisht në faqen e tij zyrtare thirrjen për shprehjen e interesit të studentëve të ekselencës që duan të punësohen përkohësisht në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, përkatësisht brenda muajit janar 2019 dhe muajit gusht 2019.

19. Shpallja publike për shprehjen e interesit sipas pikës 4, të këtij vendimi përmban këto të dhëna:

e) Pozicionet vakante, të grupuara bazuar në kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës (fusha e studimit) që kërkon pozicioni i punës;
f) Dokumentet që duhet të dorëzohen dhe mënyrën e dorëzimit të tyre;
g) Afatin e dorëzimit të përcaktuar me datë të saktë kalendarike;
ç) Mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve;
h) Datat e daljes së rezultateve;
dh) Mënyrën e njoftimit dhe të komunikimit me kandidatët.

20. Dokumentacioni duhet të dorëzohet elektronikisht në portalin e rekrutimit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në faqen zyrtare të DAP-it.

21. DAP-i, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dokumentacionit, bazuar në mesataren e studentëve të cilët kanë shprehur interesin sipas pikave 5 e 6, të këtij vendimi, krijon listat përkatëse duke i renditur ata për secilin nga grupet e përcaktuara në pikën 9, të këtij vendimi, dhe për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara mbi bazën e kriterit të nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës. Studentët, të cilët kanë diplomë të niveleve më të larta se ai që kërkon pozicioni i punës, renditen në të gjitha grupet e pozicioneve të fushës përkatëse të studimit, pavarësisht nivelit të diplomës të kërkuar për grupin përkatës.

22. DAP-i, brenda 24 (njëzet e katër) orëve pas krijimit të listave sipas pikës 7, të këtij vendimi, i publikon ato në faqen e tij zyrtare.

23. Brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e krijimit të listave sipas pikës 7, të këtij vendimi, DAP-i thërret studentët të cilët, duke filluar nga ai me mesatare më të lartë brenda grupit përkatës, përzgjedhin pozicionin ku duan të emërohen në mënyrë të përkohshme. E drejta e përzgjedhjes është sipas precedencës, si më poshtë vijon:

d) Studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së;
e) Studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri;
f) Studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së ose BE-së.

Diplomat e përfituara jashtë vendit duhe të jenë të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sipas legjislacionit në fuqi.

24. Në rastet e studentëve me mesatare të njëjtë, e drejta e përzgjedhjes përcaktohet me short në prezencë të tyre.

25. DAP-i, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i procesit sipas pikës 9, të këtij vendimi:

c) publikon në faqen e tij zyrtare listat e studentëve që kanë përzgjedhur pozicionet e punës;
d) dërgon pranë institucioneve të administratës shtetërore pjesë të shërbimit civil, listat e studentëve të cilët kanë përzgjedhur pozicionet e punës për secilin institucion.

26. Institucionet e administratës shtetërore pjesë të shërbimit civil lidhin kontratat e përkohshme të punës me studentët, sipas listës së dërguar nga DAP-i, e cila respekton përputhshmërinë e nivelit dhe të fushës së studimit me kriterin e nivelit dhe llojit të diplomës për pozicionin respektiv të punës.

27. Në përfundim të kontratës 1-vjeçare të lidhur sipas këtij vendimi, ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit civil, do t’i nënshtrohen procedurave të konkurrimit sipas legjislacionit të shërbimit civil.

28. Nëse në përfundim të procedurës së përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi, ka ende pozicione të lira të kategorisë ekzekutive të paplotësuara, DAP-i vijon procedurat e plotësimit të këtyre pozicioneve për vitin 2019, sipas legjislacionit të shërbimit civil.

29. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që:

c) të vërë në dispozicion të Departamentit të Administratës Publike listën e institucioneve/programeve të akredituara të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe në vazhdimësi sa herë ka ndryshime;
d) të bëjë ekuivalencën e mesatares së studentëve që kanë përfunduar studimet jashtë Shqipërisë, në rast se përdoret sistem i ndryshëm vlerësimi, rast pas rasti, sipas kërkesës së DAP-it.

30. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.142, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRSHKRIMIN DHE KLASIFIKIMIN E POZICIONEVE TË PUNËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE DHE INSTITUCIONET E PAVARURA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në rubrikën “Kërkesa të posaçme”, të ndarjes 2/2, të lidhjes 2, të vendimit nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, për klasat I.1, I/2, I/3, II/1, II/2, III/1, III/2, fjalët “… Master shkencor …” zëvendësohen me “… Master shkencor apo Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike …”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E TË PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2018-2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit të punës”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Nxënësit, të cilët ndjekin studimet në institucionet arsimore, publike, të arsimit parauniversitar, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

2. Nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë, përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:

2.1. Sipas kriterit ekonomik:

a) Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre dhe që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, të cilët akomodohen në konvikte publike dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1.

2.2. Sipas rezultateve të arritura:

Nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).

2.3. Jashtë kriterit ekonomik:

a) Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d) Nxënësit, fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit, të cilët përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;
dh) Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e) Nxënësit, të cilët janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;
f) Nxënëset (vajza), të cilat ndjekin drejtimet mësimore mekanikë, elektroteknikë, përpunim druri, gjeodezi, shërbim mjete transporti, termo-hidraulikë;
g) Nxënësit/fëmijët me një prind.

Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2018, për këto kategori nxënësish, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike duhet të dërgojnë në njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore përkatëse, ku ata ndjekin studimet, listën e nxënësve përfitues, sipas pikës 2.3, të këtij vendimi.

2.4. Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm, nxënësit, të cilët ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional:

a) në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit;
b) me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.

3. Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:

a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) shpallen ngelës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.

4. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në konsultim me institucionet arsimore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe të arsimit profesional, të cilët ndjekin vitin e parë akademik 2018-2019, dhe ua dërgojnë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, jo më vonë se data 1 dhjetor 2018.

4.1. Drejtorët e shkollave profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet me kohë të plotë në vitin e parë shkollor 2018-2019, sipas pikës 2.4, u dërgojnë informacion njësive bazë të vetëqeverisjes vendore jo më vonë se data 20 nëntor 2018.

5. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, me vendim të këshillit bashkiak, miratojnë dhënien e bursave sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve nga shtresat, kategoritë sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/miratojnë për nxënësit dhe 1/2 (gjysmë) burse.

5.1. Nxënësit e shkollave profesionale, të cilët ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, dhe nxënëset (vajza), sipas shkronjës “f”, të pikës 2.3, të cilët kanë përfituar bursë në vitin e parë dhe në vitin shkollor 2017-2018 nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.

5.2. Bursat e nxënësve për vitin e parë shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.

5.3. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale e administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore, sipas planit të bursave të miratuara në vitin paraardhës nga këshilli bashkiak i njësive të vetëqeverisjes vendore.

5.4. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të miratuara për vitin akademik 2018-2019, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar, vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale e konvikteve, në të cilat janë vendosur nxënësit.

6. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, detyrimisht, duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31 janar 2019, drejtorive të shkollave profesionale për arsimin profesional dhe drejtorive rajonale arsimore/zyrave arsimore vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë zyrtarisht, çdo tre muaj, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte dhe bursa.

7. Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale paraqesin/dërgojnë zyrtarisht në njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkesat për miratimin e bursës për nxënësit, të cilët përfitojnë bursë sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi. Nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë vitin e parë me vendim të këshillit bashkiak ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, të cilëve nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës, e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.

8. Nxënësit, të cilët gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore kanë përfituar bursë nga njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, e përfitojnë atë dhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose të kuotës financiare, drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit/prindërit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë.

8.1. Për nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2018-2019, drejtorët e shkollave profesionale si dhe të shkollave të tjera të arsimit parauniversitar dërgojnë zyrtarisht, në datën 5, të çdo muaji, pranë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, informacion të detajuar për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë.

9. Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë institucionet shtetërore.

9.1. Nxënësve, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet pas paraqitjes së librezës, kartës shëndetësore dhe epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.

9.2. Nxënësit jetimë, të cilët ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.

9.3. Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas kuotës financiare të përcaktuar në pasqyrën nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

9.4. Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psikosociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit, me një kuotë ushqimore (drekë) me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë, sipas kuotës financiare të përcaktuar në pasqyrën nr.4.

9.5. Nxënësve të arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km dhe që akomodohen në konvikte publike, bursa u jepet në formën e kuotës ushqimore. Në asnjë rast bursa nuk jepet në formën e kuotës financiare.

10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.

11. Nxënësve, të cilët përfitojnë bursë sipas rezultateve të arritura, jashtë kriterit ekonomik, që janë akomoduar në konvikte ose jo, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve/prindërve.

12. Nxënësve, të cilët përfitojnë bursë në arsimin profesional, sipas shkronjave “dh” e “f”, të pikës 2.3, dhe shkronjës “a”, të pikës 2.4, e nxënësve romë e egjiptianë, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve/prindërve.

13. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës mujore për nxënësit përfitues vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale konfirmojnë zyrtarisht, brenda datës 5, të çdo muaji, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, informacionin për ndjekjen e shkollës/mësimit për nxënësit që përfitojnë bursë.

14. Nxënësve, të cilët nuk ndjekin mësimin/shkollën apo praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore, u ndërpritet bursa menjëherë.

15. Masa e bursës dhe kuota financiare ushqimore ditore për nxënësit jepet, respektivisht, sipas pasqyrave nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

16. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, që ndjekin shkollat profesionale, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri shkollor 2018-2019, të japë 2 100 (dy mijë e njëqind) bursa.

17. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të gjitha kategoritë e nxënësve, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar, të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri shkollor 2018-2019 të japë 800 (tetëqind) bursa.

18. Efektet financiare të vitit akademik 2018-2019 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë Financave dhe Ekonomisë, për vitet 2018 e 2019.

19. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është data 31 janar 2019. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara jashtë këtij afati, janë të pavlefshme.

20. Vendimet e njësive bazë të vetëqeverisjes vendore bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit për nxënësit, komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.

21. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA) dhe shkollat e arsimit të mesëm profesional për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN, KOMPETENCAT, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT E TË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË MUZEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 37, pika 2, e 197, pika 4, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. QËLLIMI

Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e përbërjes, të kompetencave, mënyrës së funksionimit e të shpërblimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Muzeve, në vijim KKM.

II. PËRBËRJA E KËSHILLIT KOMBËTAR TË MUZEVE

1. Këshilli Kombëtar i Muzeve është organi kolegjial vendimmarrës në fushën e muzeve, që kryesohet nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe përbëhet nga 11 anëtarë. Anëtarët e KKM-së përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

2. Këshilli Kombëtar i Muzeve ka në përbërje të tij përfaqësues të institucioneve shtetërore të specializuara dhe specialistë në fushën e trashëgimisë kulturore materiale e muzeore brenda dhe jashtë sistemit të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.

3. KKM-ja përbëhet nga:

a) Ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore;
b) Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Kulturës pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
c) Drejtori i Zhvillimit të Programeve të Kulturës pranë ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
ç) Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar;
d) Drejtori i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore;
dh) Drejtori i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura;
e) Drejtori i Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Pasurive Kulturore;
ë) Përfaqësuesi i Akademisë së Studimeve Albanologjike;
f) Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave;
g) Përfaqësuesi i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës;
gj) Një personalitet i shquar në fushën e muzeologjisë.

4. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar ushtron edhe funksionin e sekretarit të KKM-së.

5. Mandati i anëtarit të KKM-së jashtë sistemit të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore është 2 vjet, me të drejtë riemërimi. Anëtari qëndron në detyrë dhe përmbush funksionet deri në emërimin e anëtarit të ri.

6. Anëtari i KKM-së mund të japë dorëheqjen në çdo kohë, duke njoftuar me shkrim kryetarin. Anëtari i dorëhequr është i detyruar të përmbushë të gjitha detyrat e lëna deri në miratimin e urdhrit të ndryshimit.

7. Anëtarët e KKM-së duhet të deklarojnë çdo rast të konfliktit të mundshëm të interesit, në përputhje me ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.

III. KOMPETENCAT E KËSHILLIT KOMBËTAR TË MUZEVE

Këshilli Kombëtar i Muzeve, krahas kompetencave të përcaktuara në nenin 197, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, ka edhe këto kompetenca:

a) Miraton kritere për emërimin e drejtorëve të muzeve qendrorë, vendorë dhe autonomë;
b) Miraton masat për ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, administrimin, tjetërsimin dhe qarkullimin e objekteve muzeore e të koleksioneve muzeore;
c) Përcakton rregullat dhe procedurat për krijimin, plotësimin e përditësimin e Katalogut të Fondit Muzeor Kombëtar;
ç) Shqyrton dhe miraton kërkesën për pasurim të fondeve muzeore, të paraqitur nga ana e muzeve publikë e privatë, duke konfirmuar edhe vlerën financiare të koleksioneve në kohën e blerjes së tyre, pas marrjes së mendimit nga ana e Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Pasurive Kulturore;
d) Miraton shkëmbimin e fondeve muzeore ndërmjet muzeve.

IV. MËNYRA E FUNKSIONIMIT E KËSHILLIT KOMBËTAR TË MUZEVE

1. Këshilli Kombëtar i Muzeve drejtohet dhe thirret nga kryetari. KKM-ja mblidhet jo më shumë se 4 herë në vit, përveç rasteve përjashtimore, të thirrura nga kryetari i saj.

2. Kryetari cakton datën dhe orën e mbledhjeve të radhës. Anëtarët e KKM-së njoftohen 5 ditë para mbledhjes për çdo ndryshim në datën dhe orën e mbledhjes. Njoftimi për thirrjen e një mbledhjeje duhet të tregojë në mënyrë të qartë e të detajuar çështjet për të cilat do të diskutohet.

3. Kryetari është i detyruar të thërrasë një mbledhje kur kjo kërkohet me shkrim, nga, të paktën, 1/3 e anëtarëve me të drejtë vote, duke përcaktuar çështjet për të cilat thirret kjo mbledhje.

4. Njoftimet për thirrjen e mbledhjeve bëhen brenda 15 ditëve, përpara datës kur do të zhvillohet mbledhja.

5. Kryetari vendos për rendin e ditës së çdo mbledhjeje. Rendi i ditës duhet të përfshijë çështjet që i janë propozuar atij nga anëtarët e KKM-së me të drejtë vote dhe që janë në kompetencë të këtij organi. Kërkesa për të përfshirë një çështje në rendin e ditës duhet të bëhet me shkrim, të paktën, 5 ditë përpara datës së vendosur për mbledhjen. Rendi i ditës duhet t’u shpërndahet të gjithë anëtarëve, të paktën, 48 orë përpara datës dhe orës së mbledhjes. Bashkëngjitur rendit të ditës, anëtarëve u shpërndahen edhe materialet e dokumentacionet që do të diskutohen në mbledhje.

6. Mbledhjet e KKM-së zhvillohen gjithmonë në prani të kryetarit dhe janë të vlefshme kur në to marrin pjesë 50 + 1 për qind e anëtarëve.

7. Në rast të mosplotësimit të shumicës së kërkuar, sipas pikës 6, të këtij kreu, kryetari e thërret mbledhjen pasardhëse jo më vonë se 24 orë nga data e anulimit të mbledhjes.
8. Vendimet merren me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm.

9. Vendimet merren me votim të hapur.

10. Kryetari i KKM-së voton i fundit. Në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë, vota e kryetarit është përcaktuese.

11. Vendimet e KKM-së nënshkruhen nga kryetari dhe siglohen nga sekretari.

12. Sekretaria teknike e KKM-së përbëhet nga përfaqësues të Muzeut Historik Kombëtar dhe kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Regjistron kërkesat e paraqitura;
b) Përgatit ose bashkërendon hartimin e materialeve për çështjet që do të diskutohen në mbledhjen e këshillit;
c) Përgatit mbledhjet;
ç) Kryen njoftimet përkatëse dhe shpërndarjen e materialeve;
d) Mban procesverbalin e mbledhjes, në të cilin bëhet përmbledhja e të gjitha çështjeve që u diskutuan në mbledhje, me datën dhe vendin e mbledhjes, anëtarët që morën pjesë, vendimet që u morën si dhe formën dhe rezultatin e votimeve;
dh) Mban protokollin;
e) Harton vendimin e KKM-së.

13. Përfaqësuesit e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM-Shqipëri), përfaqësuesit e Këshillit Ndërkombëtar në Monumentet dhe Sitet (ICOMOS-Shqipëri) dhe përfaqësuesit e specialistët në fushën e muzeologjisë ndjekin mbledhjet e KKM-së pa të drejtë vote.

V. SHPËRBLIMI I ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË MUZEVE

Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas përcaktimeve të bëra në vendimin normativ të masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohen Akademia e Studimeve Albanologjike, Akademia e Shkencave dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, t’i propozojnë ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore anëtarët e tyre përfaqësues në Këshillin Kombëtar të Muzeve.

2. Ngarkohet ministri i Kulturës, që, brenda 10 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të nxjerrë urdhrin nominal për përbërjen e anëtarëve të KKM-së.

3. Ngarkohen ministri i Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Muzeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR LUFTËN KUNDËR TRAFIKIMIT TË PERSONAVE 2018 – 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2018 – 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KËSHILLIT TË STABILIZIM – ASOCIIMIT BASHKIMI EVROPIAN – SHQIPËRI, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ME CILËSINË E VËZHGUESES, NË PUNËN E AGJENCISË SË BASHKIMIT EVROPIAN PËR TË DREJTAT THEMELORE DHE MËNYRËN E KËSAJ PJESËMARRJEJE NË KUADRIN E RREGULLORES SË KËSHILLIT (KE) NR.168/2007

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Stabilizim – Asociimit Bashkimi Evropian – Shqipëri, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë, me cilësinë e vëzhgueses, në punën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore dhe mënyrën e kësaj pjesëmarrjeje në kuadrin e Rregullores së Këshillit (KE) nr.168/2007, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V e n d i m
PËR

KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË NDËRMARRJEVE SOCIALE DHE FORMAT E MBËSHTETJES NËPËRMJET SUBVENCIONIT PËR NDËRMARRJET SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 26, të ligjit nr.65/2016, “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e Fondit në Mbështetje të Ndërmarrjeve Sociale, me vlerë të përgjithshme 249 760 000 (dyqind e dyzet e nëntë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për periudhën 2019-2021.

2. Vlera e fondit për vitin e parë të jetë 61 600 000 (gjashtëdhjetë e një milionë e gjashtëqind mijë) lekë, për vitin e dytë, 82 920 000 (tetëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e njëzet mijë) lekë dhe për vitin e tretë, 105 240 000 (njëqind e pesë milionë e dyqind e dyzet mijë) lekë.

3. Fondi në Mbështetje të Ndërmarrjeve Sociale subvencionon:

a) veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale;
b) vendet e reja të punës të krijuara për punësimin e individëve nga grupet e pafavorizuara;
c) sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara.

4. Fondi në Mbështetje të Ndërmarrjeve Sociale të shpërndahet, si më poshtë vijon:

a) 135 000 000 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë) lekë për subvencionimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve sociale;
b) 37 000 000 (tridhjetë e shtatë milionë) lekë për krijimin e vendeve të reja të punës;
c) 7 776 000 (shtatë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara.

5. Fondi në Mbështetje të Ndërmarrjeve Sociale financohet nga:

a) buxheti i shtetit;
b) burime të tjera financimi (donatorë, institucione financiare ndërkombëtare etj.).

6. Fondi ka për qëllim mbështetjen e subjektit që i është njohur statusi i ndërmarrjeve sociale.

7. Nga Fondi në Mbështetje të Ndërmarrjeve Sociale përfitojnë ndërmarrjet sociale që paraqesin një projektpropozim ose plan biznesi, duke demonstruar se zërat e parashikuar për mbështetje janë të rëndësishëm për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre.

8. Subvencionim për zhvillimin e veprimtarisë përfitojnë ndërmarrjet sociale që paraqesin një plan biznesi, i cili justifikon arritjen e objektivave të synuar. Fondi mbulon deri në 70% (shtatëdhjetë për qind) të kostove të pranuara, por jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë, në rast se subjekti është në gjendje të financojë pjesën e mbetur të investimit.

9. Në kostot e pranuara, sipas pikës 8, të këtij vendimi, përfshihen kostot:

a) për investime në makineri dhe pajisje për realizimin e prodhimit/shërbimit;
b) për kualifikimin dhe trajnimin për rritjen e aftësive profesionale të punonjësve të rinj nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara;
c) për mbulimin, deri në 50% (pesëdhjetë për qind) të pagës minimale, për punonjësit e rinj nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara, për një periudhë gjashtëmujore.

10. Për të përfituar subvencione për zhvillimin e veprimtarisë, një ndërmarrje sociale duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

a) t’i jetë njohur statusi i ndërmarrjes sociale me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet sociale;
b) të ketë një plan biznesi ose një projekt dhe të jetë e aftë për zbatimin e plotë dhe në kohë të veprimtarive/aktiviteteve të propozuara;
c) Të punësojë minimalisht 3 (tre) punonjës të rinj nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga momenti i përfitimit të subvencionit për zhvillimin e veprimtarisë në ndërmarrjen sociale.

11. Pagesa e subvencionit të përfituar, sipas përcaktimeve të pikës 8, të këtij vendimi, bëhet 70% (shtatëdhjetë për qind) me miratimin e aplikimit dhe 30% (tridhjetë për qind) në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave, e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera. Një ndërmarrje sociale, gjatë gjithë kohës së ushtrimit të veprimtarisë së saj, përfiton vetëm një herë subvencionin, sipas përcaktimeve të pikës 8, të këtij vendimi.

12. Subvencione për krijimin e vendeve të reja të punës përfitojnë ato ndërmarrje sociale që paraqesin propozime, të cilat reflektojnë rritjen e numrit të të punësuarve me përfaqësues nga grupet e pafavorizuara dhe kanë nevojë për fonde që mbulojnë pjesërisht kostot e krijimit të vendit të ri të punës. Për çdo vend të ri pune, ndërmarrjet mund të përfitojnë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, të cilat duhet të përdoren për mjete pune, lëndë të parë dhe materiale konsumi. Dhënia e subvencionit kushtëzohet me punësimin e personave nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara dhe kohëzgjatja e kontratës të jetë jo më pak se dy vjet.

13. Pagesa e subvencionit të përfituar, sipas përcaktimeve të pikës 12, të këtij vendimi, bëhet 50% (pesëdhjetë për qind) me miratimin e aplikimit dhe 50% (pesëdhjetë për qind) pas realizimit të shpenzimeve, kundrejt faturave të paraqitura, të cilat vërtetojnë shpenzimet e kryera. Një ndërmarrje sociale mund të përfitojë për hapjen e deri 20 (njëzet) vendeve të reja të punës.

14. Ndërmarrjet sociale, të cilat punësojnë persona nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara, mund të përfitojnë subvencione të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Ndërmarrja sociale mund të përfitojë një financim vjetor në masën deri në 100% (njëqind për qind) të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit dhe punëmarrësit, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se dy vjet. Ky financim bëhet drejtpërdrejt në degën e sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse.

15. Ndërmarrjet sociale, që aplikojnë për subvencione të formave të ndryshme të përcaktuara në këtë vendim, nuk duhet të kenë shkelur legjislacionin e punës dhe atë tatimor lidhur me detyrimet ndaj punëmarrësve, për aq kohë sa kryejnë veprimtarinë.
16. Subvencionimi i ndërmarrjeve sociale, në një nga format e përcaktuara në këtë vendim, nuk kushtëzon të drejtën e tyre për të përfituar nga forma të tjera të mbështetjes nëpërmjet:

⦁ Fondit Social;
⦁ Fondit të Ekonomisë Kreative (Artizanatit);
⦁ Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë;
⦁ Fondit të Sipërmarrjes Turistike;
⦁ Fondit të Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural;
⦁ Fondit në Mbështetje të Mikrondërmarrjeve, Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike;
⦁ Fondeve të tjera që mbështesin e financojnë ndërmarrjet sociale dhe fushat e veprimtarisë së tyre;
⦁ Programet e nxitjes së punësimit për kategoritë e grupeve të pafavorizuara.

17. Vlera totale e ndihmës së dhënë një ndërmarrjeje sociale, e siguruar nga format e mbështetjes nga buxheti i shtetit, të përcaktuara në pikat 4 e 16, të këtij vendimi, nuk do të kalojë shumën 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë për një periudhë prej tre vjetësh.

18. Ndërmarrjet sociale, që aplikojnë për ndonjë nga format e subvencionimit, duhet që, së bashku me kërkesën dhe projektpropozimin, të paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin si organizatë jofitimprurëse;
b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);
c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organi tatimor përkatës;
ç) Numrin e llogarisë bankare;
d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku organizata jofitimprurëse ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare nga çasti i aplikimit;
dh) Informacionin për:

i) numrin e të punësuarve;
ii) llojin e veprimtarisë që kryen;
iii) nivelin e pagës së dhënë për çdo person;
iv) akte të inspektimit, nëse ka;
v) forma të tjera të mbështetjes së siguruar nga shteti;
19. Ministri përgjegjës për çështjet sociale ngre komisionin vlerësues të aplikimeve të ndërmarrjeve sociale për përfitimin e subvencioneve dhe përcakton përbërjen, rregullat e organizimit dhe të funksionimit të tij.

20. Ndërmarrjet sociale që përfitojnë subvencione raportojnë pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale lidhur me përdorimin e subvencionit të përfituar. Afatet dhe format e raportimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

21. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë për çështjet sociale, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim.

22. Ngarkohet ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të nxjerrë udhëzimin për kriteret e dhënies dhe mekanizmin e monitorimit të ndihmës shtetërore, si dhe parashikimin e sanksioneve, në rast të mospërmbushjes së kërkesave e detyrimeve nga ndërmarrjet sociale.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT 2019-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 6, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2019-2021, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.646, DATË 29.12.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË VEPRIMTARISË SË QENDRËS SË REALIZIMIT TË VEPRAVE TË ARTIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës publike”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shfuqizimin e vendimit nr.646, datë 29.12.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare të veprimtarisë së Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit”.

2. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 15 shkurt 2019.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për bashkëpunimin ekonomik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E ZONAVE ARKEOLOGJIKE “A” DHE “B”, TË QYTETIT TË DURRËSIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të nënparagrafit “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e zonave arkeologjike “A” dhe “B”, të qytetit të Durrësit, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN DHE PUBLIKIMIN ZYRTAR TË NOMENKLATURËS SË KOMBINUAR TË MALLRAVE, 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 12, të ligjit nr.9461, datë 21.12.2005, “Për nomenklaturën e mallrave dhe tarifën doganore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin dhe publikimin zyrtar të nomenklaturës së kombinuar të mallrave, 2019, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.799, datë 29.12.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin dhe publikimin zyrtar të nomenklaturës së kombinuar të mallrave, 2018”, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2019 dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.34, DATË 7.1.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE DHE TRAJTIMIN E PERSONALITETEVE TË LARTA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.34, datë 7.1.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Ofron shërbime si agjenci udhëtimesh, për shitjen e biletave në fushën e transportit ajror dhe rezervimin e akomodimin në hoteleri jashtë vendit, për institucionet e larta shtetërore, Kryeministrinë e ministritë e linjës dhe, me kërkesë të tyre, për Presidencën dhe Kuvendin e Shqipërisë.”;

b) Në pikën 3, fjalët “… shkronjat “a” e “b’ …” zëvendësohen me “… shkronjat “a”, “b” dhe “ë”…”.
2. Ngarkohen institucionet e përmendura në pikën 1 dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.