U zhvillua sot Konferenca Ndërkombëtare për sfidat dhe ambiciet e reformës së re të sistemit të pensioneve për “Shqipërinë 2030”, me pjesëmarrjen Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, si dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare, ekspertëve të fushës dhe aktorëve të tjerë me rol të rëndësishëm në këtë reformë.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Sot jemi mbledhur këtu për të diskutuar mes aktorëve institucional, ekspertëve ndërkombëtarëve, këshilltarëve prestigjioz që kemi privilegjin të kemi se çfarë duhet të bëjmë më tej me sistemim e pensioneve dhe faktikisht për të bërë një bilanc të një rruge të nisur 10 vjet më parë dhe pastaj për t’u projektuar në të ardhmen duke pasur si ambicie majën e 2030 kur Shqipëria duhet dhe unë besoj do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.
10 vjet më parë ne e kemi nisur këtë rrugë duke synuar që të bëjmë një reformë të mirëfilltë të sistemit të pensioneve dhe jo të arnojmë përsëri siç ka ndodhur në të shkuarën atë sistem, duke qenë shumë të vetëdijshëm që pensionet janë kocka më e vështirë për tu gëlltitur për një qeveri dhe në një shtet në kohët e sotme kur demografia në Europë nuk është në favor të ecurisë normale të këtij sistemi.
Ka qenë një rrugë relativisht e gjatë, por nga e cila kemi mësuar jo pak. Sot ne jemi një vend tjetër, kemi një prodhim të përgjithshëm kombëtar 2 herë e gjysmë më të lartë sesa 10 vite më parë, kur prodhimi ynë i përgjithshëm ishte më pak se sa 10 miliard euro ndërkohë që sot është më shumë se 25 miliard euro dhe jemi një vend që eksporton thuajse katërfish më shumë sesa 10 vite më parë.
Pa diskutim që duke mos qenë më ata të vegjlit dhe të dobëtit që prisnin vetëm ndihmën e të tjerëve, por një vend tanimë i pozicionuar ndryshe dhe i konsideruar edhe nga të tjerat si një vend me të ardhura mesatare, gjë që na shkëputur nga shumë mekanizma të ndihmës së huaj, jemi të sfiduar t’i përgjigjemi pritshmërisë së njerëzve e cila vetëm rritet në kushtet kur të gjithë e shohin që ka edhe më mirë, ka edhe më mirë, edhe më mirë, ka edhe më mirë, edhe më mirë dhe nuk ngushëllohen më si 10 vite më parë që jemi mirë se ka edhe më keq, ka edhe më keq, ka edhe më keq.
Më kujtohet, ose më saktë duke ardhur për këtu mu kujtua se si e kemi nisur qeverisjen në takimin e parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar që pastaj pati po atë qasje edhe kur u takuam me Bankën Botërore. Rrisni çmimin e energjisë, ulni pensionet dhe filloni paguani borxhin që i keni të tretëve.
Ishim një vend që kishim një borxh prej 1.2 miliard eurosh vetëm në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, si rezultat I gjysmës që nuk paguante dhe gjysmës tjetër që paguante edhe për gjysmën që nuk paguante. Vetëm borxhet ndaj kompanive të kontraktuara për ndërtimet në infrastrukturë kalonin shumën e 400 milion eurove.
Dhe përgjigja jonë ishte: jo, ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë, por ne do të fillojmë të vëmë rregull dhe të garantojmë që të gjithë të paguajnë energjinë. Nuk e harroj përfaqësuesin e FMN-së, i cili qeshi dhe tha unë e kam vizitën e parë në Shqipëri, por kam bërë detyrat e shtëpisë, kam lexuar procesverbalet, shënimet e të gjithë paraardhësve të mi nga takimet me kryeministrat shqiptar pas zgjedhjeve dhe të gjithë kanë thënë të njëjtën gjë, nuk do të rrisim çmimin e energjisë sepse do të reformojmë sistemin dhe do të garantojmë që të gjithë të paguajnë dhe kjo nuk ka ndodhur.
Ashtu sikundër në sistemin e pensioneve, ka vazhduar të ndodhë e njëjta gjë duke menduar vetëm sot për sot dhe duke krijuar faktikisht premisat e një skeme në prag të kolapsit.
Ndërsa drejtorja e Bankës Botërore për Evropën Juglindore në takimin e parë pati thënë; “prioriteti më i madh dhe më urgjent i qeverisë suaj të sapoformuar në atë kohë, është parandalimi i më të keqes”.
Sot natyrisht jemi në kushte absolutisht të tjera dhe patjetër që e ndjejmë, e mirëkuptojmë dhe njëkohësisht edhe e marrim përgjegjësinë lidhur me kërkesën insistuese të pensionistëve për të marrë pjesë në mënyrë më domethënëse në shpërndarjen e fruteve të reformave dhe të rritjes së përgjithshme të ekonomisë, por nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që do të ishte fatale nëse në këtë pikë ne do të vepronim pa pasur një vizion afatgjatë dhe pa pasur një plan të qëndrueshëm afatgjatë, sepse do të shkaktonim të njëjta dëme dhe pasoja shumë të ngjashme me ato që u shkaktuan nga veprimet që faktikisht na kishin vënë përpara një sistemi pensionesh tërësisht të pakuptueshëm, absurd dhe të rrezikshëm kur ne ndërmorën reformën e vitit 2014.
Në reformën e vitit 2014, ne bëmë një proces të ngjashëm me këtë që po bëjmë sot duke përfshirë sa më shumë aktorë, duke dëgjuar sa më shumë eksperienca, duke analizuar sa më shumë skenarë dhe duke bashkëpunuar ngushtësisht me eksperten kryesore që na vuri në dispozicion Banka Botërore, një histori suksesi kjo dhe nuk është e thënë që të gjitha historitë me Bankën Botërore kanë qenë një histori suksesi që të jemi të qartë, por në këtë rast ka qenë një histori suksesi që na ka dhënë mundësinë që sot të kemi dy pasqyra përballë; pasqyrën e pensioneve të të gjithë atyre që kanë dalë në pension pas 2014 dhe pasqyrën e atyre që kanë dalë në pension para 2014 dhe janë dy pasqyra që mund të shërbejnë për shumë leksione dhe për shumë mësime në shkollë lidhur me si dhe sa mund ta dëmtojë një politikë dritëshkurtër një shtresë të tërë të popullit.
E them këtë sepse pensionistë sot të cilët kanë pasur të njëjtat vite pune, kanë paguar të njëjtat sigurime shoqërore, por kanë dalë në pension në dy kohë të ndryshme, përpara reformës dhe pas reformës , marrin dy pensione të ndryshme.
Sot mjekë, mësues, ekonomistë, njerëz nga sistemi i drejtësisë që kanë dalë në pension pas 2014, marrin pensione mbi 500 mijë lekë, pra mbi 500 euro, ndërsa kolegët e tyre për të njëjtat vite pune që kanë dalë në pension para 2013 ose reformës së 2014, marrin pensione shumë më të ulëta dhe në aspektin moral, kjo është e papranueshme mirëpo në aspektin ekonomik dhe financiar kjo është e pashmangshme dhe një nga pikat që ne duhet të adresojmë është si të zbusim këtë konflikt dhe si të zvogëlojmë këtë hendek.
Ndryshimi ka ndodhur sepse me reformën e 2014 ne vendosëm kontributet në funksion të pensionit. Deri para 2014 kontributet nuk ishin premisa për marrjen e pensionit dhe niveli i pensionit ishte me një tavan prej në atë kohë, rreth 200 dollarësh, me llogaritë e sotme 240 euro dhe çfarëdo kontributesh që të kishte dhënë individi, nuk merrte dot një pension më të lartë se sa 240 euro, pra sistemi ishte një sistem asistence, nuk ishte një sistem kontributiv dhe kjo ka shkaktuar të gjithë plagën e madhe që po mbyllet dalëngadalë, por sidoqoftë në gjithë këtë proces mbylljeje, vazhdojmë të kemi një pjesë që vuajnë nga ajo plagë dhe sot pikërisht për këtë jemi këtu.
Dua të them që kur vjen puna tek pensionet, duke pasur parasysh edhe faktin që jemi afër një dite zgjedhjesh, të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë, premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme, mirëpo të premtosh gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme për pensionet, do të thotë t’i hapësh luftë fakteve. Do të thotë t’i kthesh kurrizin ekspertëve, ekspertizës, eksperiencës dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere; do të thotë që hajde të bëjmë një dite festë me gjithçka kemi dhe pastaj nesër le të bëhet qameti. Ne nuk mund ta bëjmë dot këtë dhe për këtë arsye ne do të ecim paralelisht, nga njëra në anë me bonuset të cilat janë rritur në mënyrë të ndjeshme, janë rritur në aspektin sasior, janë rritur dhe në aspektin e kohës së dhënies së tyre, pra nga një bonus të fund vitit, ne tani kemi kaluar në dy bonuse, një në fundvit dhe një në pranverë dhe i kemi lidhur këto bonuse me rritjen ekonomike dhe me performancën e ekonomisë. Duam që këto bonuse të vazhdojnë dhe që pensionistët të marrin pjesë në shpërndarjen e fryteve të rritjes, ndërkohë paralelisht duke rindërhyrë në sistemin e pensioneve, duam që të bëjmë një akselerim pa prishur në asnjë mënyrë themelet që ka sistemi. Dhe e fundit që kam, është që pa diskutim kemi akoma hapësirë të konsiderueshme në luftën kundër informalitetit të pagave. Ka një ndryshim të rëndësishme sepse ka një rritje të rëndësishme të pagave në tërësi; ka një ndryshim të rëndësishëm sepse edhe pas gjithë procesit të komunikimit që kemi pasur gjatë muajit shtator dhe tetor, është konstatuar në deklarimet e fundit të pagave një rritje e pagave të deklaruara dhe kontributeve, por ka akoma shumë hapësirë për të marrë më shumë në funksion të skemës të fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Këtu dua të falënderoj dhe të përgëzoj institucionet e përfshira, bashkëpunimin mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, midis Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe në fund fare dua të kujtoj disa pika nga udhërrëfyesi i Bankës Botërore. Edhe njëherë e përsëris, Banka Botërore nuk i ka bërë të gjitha mirë, por Banka Botërore është një burim i jashtëzakonshëm dijeje dhe eksperience dhe edhe për ato që nuk ka bërë mirë, prapë vlen për eksperiencën dhe për dijen se si nganjëherë nuk duhet bërë, por në këtë udhërrëfyes për pensionet ka disa urdhëresa që nuk duhen harruar.
Urdhëresa e parë është, “Mos rregullo një skemë që nuk funksionon, por provo diçka të re dhe anasjelltas, mos provo diçka të re kur një skemë funksionon”.
Urdhëresa e dytë është, “Të zgjedhësh mes dhimbjes afatshkurtër dhe dhimbjes afatgjatë, se reformë pa dhimbje nuk ka”. Ne, Shqipëria, nëse kemi përjetuar një dhimbje afatgjatë kjo ka ardhur si rezultat i faktit që të gjithë ata përpara nesh kanë dashur të bëjnë një reformë pa dhimbje. Ajo që nuk ka ndodhur, sepse bëhen krahasime me vendet e rajonit se nuk po diskutojmë me Europën, ajo që nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor është ajo që ndodhi në Shqipëri ku në fillim të viteve ’90 qeveria me një vendim nxori në pension të gjithë ata që dolën të papunë nga ndalimi i prodhimit industrial të komunizmit. Pra, krijoi një kategori të panjohur pensionistësh të moshës 40-45 vjeç dhe ajo kategori e panjohur pensionistësh e moshës 40-45 vjeç, pra në një moshë shumë të re, pavarësisht punëve të tjera që mund të ketë bërë në sektorin privat, rezulton sot e gjithë ditën pjesë e skemës së pensioneve. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të rajonit kështu që çdo krahasim me rajonin “se shiko se rajoni kështu e rajoni ashtu” është i sipërfaqshëm nëse nuk shohim pse-në.
Urdhëresa e tretë është “Reformimi i skemës së pensioneve është maratonë nuk është sprint”. Të gjithë sprintet na kanë çuar në situatën e 2014 ku FMN, Banka Botërore dhe të gjithë ata që na shikonin nga distanca thonin “Rrisni çmimin e energjisë, ulni më shumë pensionet, që ishte e paimagjinueshme, dhe filloni të paguani”, se ndryshe na priste kolapsi i plotë nga të katërta anët.
Sot ne jemi, që nga 1 shkurti, vendi i vetëm në vitet e fundit në këtë rajon, se në Europë prapë nuk po diskutojmë se nuk bëhet fjalë fare për ulje të çmimit të energjisë, që kemi ulur çmimin e energjisë. Një ulje me 10,5% e çmimit të energjisë që është diçka që vjen si rezultat i gjithë asaj pune të madhe të bërë edhe i zotimit të marrë për të ulur ngarkesën mbi konsumatorët familjarë.
Unë jam shumë besimplotë që ne do të arrijmë ta adresojmë këtë problematikë me të gjithë maturinë e duhur, jam shumë besimplotë që duke rritur më tutje ekonominë do të arrijmë që të rrisim më shumë, qoftë përfshirjen e pensionistëve në shpërndarjen e fryteve të rritjes, qoftë në kapacitetet e fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Dua të falënderoj edhe Ervinin, edhe bordin e këshilltarëve ekonomikë që kemi krijuar për këto qëllime, për organizimin e kësaj konference ku ka mjaftueshëm mendje të ndritura dhe burime të sigurta eksperience nga shumë këndvështrime, për të na dhënë në fund disa konkluzione që do të na shërbejnë për të dizajnuar si duhet reformën e dytë të pensioneve.
Faleminderit!