Qeveria Shqiptare falënderon Qeverinë Japoneze, për dhurimin e 129 makinave të prodhimit më të fundit japonez. Kjo dhuratë u mundësua nëpërmjet akordimit të një granti gjeneroz prej 500 milion YEN ose 4.6 mil USD për qeverinë shqiptare, i cili u miratua nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe me shkëmbim notash më 29 korrik 2015. Qëllimi i kësaj dhurate gjeneroze është zvogëlimi i ndotjes mjedisore dhe reduktimi i gazeve që shkaktojnë efektin serrë (GHG) nëpërmjet promovimit të makinave të gjeneratës së ardhshme miqësore ndaj mjedisit. Këto makina do të shërbejnë në nxitjen e ndërgjegjësimit të institucioneve shtetërore dhe publikut për përmirësimin e cilësisë dhe perfomancës mjedisore.
Vëmendja e veçantë kushtuar Shqipërisë nga qeveria japoneze dhe Ambasada Japoneze në Romë, e veçanërisht e Sh.T. Ambasadorit japonez Z. Kazuyoshi Umemoto gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës si Ambasador i Shqipërisë qysh prej vitit 2014, bëri të mundur edhe përzgjedhjen e Shqipërisë si një ndër vendet përfitues ndër shumë vende të Botës për këtë program (Non-Project Grant Aid – NPGA) dedikuar mbrojtjes së mjedisit.
Gjithashtu dëshirojmë të falënderojmë Sistemin Japonez Ndërkombëtar të Bashkëpunimit JICS, për punën e përkushtuar gjatë gjithë procesit të zbatimit të projektit.
Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik në përputhje me nevojat e sektorit publik për mjete transporti. Projekti do të ndikojë në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizimin e shërbimeve mbështetëse administrative për institucionet qeveritare, rritjen e mobilitetit të institucioneve monitoruese dhe zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin e zonave të dëmtuara mjedisore, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e mjedisit, si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit.