Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Ministrja Kumbaro në bilancin vjetor: “Turizmi, ka qenë ambasadori ynë më i mirë”.Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duke u konsideruar si një prej motorëve kryesorë të zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Nga janari në dhjetor 2023 Shqipëria është vizituar nga 10,1 milionë turistë, duke shënuar një shifër rekord sa i takon turizmit. Në raportin e saj, Banka e Shqipërisë evidenton se të ardhurat nga sektori i turizmit për 9-mujorin arrijnë 3,2 miliardë euro, shifër që tejkalon krejt vitin 2022 kur ekonomia përfitoi në total 2,8 miliardë euro.

Ministrja e Mjedisit dhe Turizimit Mirela Kumbaro në komunikimin me gazetarët për bilancin vjetor tha se Shqipëria përgjatë 2023 është vizituar nga turistë nga të gjitha kontinentet si: Australia e Zelanda e Re, Arabia Saudite, Kina, Japonia, Korea e Jugut e India; Brazili, Argjentina e Kili; Shtetet e Bashkuara, Kanadaja; Egjipti, Maroku, Gana e Nigeria, Meksika dhe Kolumbia. Ndërsa vizitorët nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut përbëjnë patjetër pjesën e konsoliduar dhe bazën e turizmit gjithëvjetor.

Gjithashtu, viti 2023 konsiderohet i suksesshëm edhe për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë në disa nga eventet e organizuara si Forumi për Turizmin e Qëndrueshëm në bashkëpunim me UNWTO – i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në ITB, Berlin.

Ministrja Kumbaro u shpreh se me hartimin për herë të parë të kalendarit të unifikuar të eventeve turistike nga Agjencia Kombëtare e Turizmit – Aplikacioni TEA është vendosur një standard të ri me 1,100 evente të promovuara dhe 25 mijë instalime të aplikacionit TEA, nga vizitorë prej 76 vendeve të botës.

Një tjetër moment i rëndësishëm për turizmin është edhe promovimi mediatik që i është bërë Shqipërisë në mediat më prestigjoze botërore.

“Kemi pasur mbi 100 artikuj dhe kronika nga CNN, në New York Times, Rai e Mediaset, La Repubblica, Corriere, The Guardian, Die Zeit, mediat në Holandë, Spanjë dhe vendet nordike po ashtu. Sikundër është realizuar një seri dedikuar Shqipërisë në BBC nga Butrinti deri ne Theth, dhe Channel 4, me një audiencë 500 milionë shikues në vit, në programin “Treasures of the World” dhe këtë vit do të jetë edicioni i dytë po në BBC që promovon destinacione të tjera, si Liqeni i Pogradecit, Apolonia, Porto Romano, Berati, Kruja apo Iso-Polifonia”– u shpreh Ministrja Kumbaro.

Një tjetër lajm i mirë është edhe përfshirja e Shqipërisë në 10 destinacionet e sugjeruara për 2024 nga ABTA – një prej shoqatave më të njohura të turoperatorëve britanikë.

“Pjesë e rëndësishme e punës për vitin 2024, do të jetë edhe hartimi i Strategjisë së re të Zhvillimit të Turizmit 2024-2030, që po bëhet me mbështetjen nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) përmes një agjencie ndërkombëtare siç është “Horwath HTL” që ka hartuar strategjinë e turizmit për Kroacinë dhe Slloveninë. Ndërsa javën e ardhshme do të kalojmë në qeveri projektligji e ri të Turizmit.”- theksoi Ministrja Kumbaro.

Investimet strategjike në sektorin e Turizimit kanë shënuar statistika optimiste duke ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Aktualisht në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre 17 hotele të brandeve globale me katër dhe pesë yje sipas vlerësimeve ndërkombëtare, nga zero që ka qenë kjo shifër vetëm pesë vite më parë.

Përsa i përket sektorit të Mjedisit, Ministja Kumbaro e konsideroi vitin 2023, si viti i Vjosës duke e shpallur Vjosën “Park Kombëtar” dhe duke u finalizuar studimi i fizibilitetit, në një proces ndërkombëtar të certifikuar nga IUCN.

“Për vitin 2024 Me EU4Nature do të rishikojmë Planet e menaxhimit të zonave të mbrojtura, do të kryejmë vlerësimet e biodiversitetit sipas kërkesave të Natura 2000, ku janë përzgjedhur 10 zona të mbrojtura për rishikime planesh menaxhimi dhe investime në restaurime ku ndër Fushat prioritare primare janë përzgjedhur: Park Kombëtar Lumi Vjosa, Parku Kombëtar Lurë – Mali i Dejës, Parku Kombëtar Shebenik, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli dhe Parku Natyror Zagori” – deklaroi Ministrja Kumbaro.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.