Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Alketi është një fermer fierak, i cili ka arritur sukses në ndërtimin dhe zgjerimin e serave të tij, falë mbështetjes së ofruar nga Skema Kombëtare përmes AZHBR-së. Me këtë mbështetje, ai  ka trefishuar hapësirat, duke përdorur edhe teknologjinë e fundit për prodhimin e fruta –perimeve.

Investimet në serat e tij i ka nisur në mënyrë modeste me investimin personal në vitin 2017 dhe i ka zhvilluar dhe modernizuar brenda një kohe të shkurtër, me punën e tij të palodhur dhe me mbështetjen e përfituar në këto vite.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier, së bashku me drejtoren e AZHBR-së, Frida Krifca, për të parë nga afër ecurinë e investimeve pikërisht në serat e Alketit, ku diferenca në vite që nga investimi i parë flet qartë.  “Ky është një investim që ka filluar në vitin 2017. Është një investim që është bërë me kapitalin e Alketit, i cili ka dëshirë të na tregojë diferencën mes asaj ku nisi gjithçka, me standardin e asaj të krijuar me mbështetjen e dy programeve që kemi patur ne. Me Programin  e mbështetjes së investimeve nga buxheti i shtetit në vitin 2019 ka nisur serën e dytë dhe më pas kemi serën e përfunduar me mbështetjen e programit IPARD me një teknologji të avancuar me ngrohje. Është një shembull  sesi investitorët arrijnë të bëjnë një ekonomi të mirë dhe një aktivitet tregtar, nëpërmjet serave, të prodhimit primar bujqësor“, – shpjegoi Krifca, e cila shtoi ndër të tjera se për fermerët e Fierit mbështetja ka qenë e madhe. “E kemi mbështetur shumë mbjelljen e serave në Qarkun Fier në të gjitha njësitë administrative. Po të shohim ka investime të kryera qoftë nga programi IPARD, qoftë nga skema kombëtare e mbështetjes. Kjo është sera e mbështetjes me 9,5 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit. Procesi i ndërtimit është përmirësuar ndjeshëm që nga investimi i parë”, – u shpreh ajo.

Duke falënderuar për mbështetjen e përfituar, Alketi tregoi se falë teknologjisë së lartë me të cilën janë pajisur serat, është rritur ndjeshëm edhe prodhimi i përfituar prej tyre dhe po ashtu janë shtuar kërkesat për eksport. “Ne jemi në fazën e mbjelljes së se sezonit të ri. Jemi në marrëveshje me disa tregtarë italianë. Ky produkt do të shkojë në Itali dhe e ka periudhën nga tani deri në tetor. Ndërsa në periudhën e dimrit do të kultivojmë për tregun vendas. Këto sera që janë investuar nga fondi kombëtar dhe nga IPARD- i kanë të gjithë klimën e nevojshme për të kultivuar produkte gjatë gjithë periudhës së vitit, pa ndalim gjatë 12 muajve. Gjithçka është kompjuterike. Ushqimi është i kontrolluar nga të gjithë parametrat kimikë dhe kushtet atmosferike. Në mbjellim dy sezone në vit. Një serë në një sezon shkon në 100 apo 120 ton produkt, po varet edh nga lloji i produkteve”, – u shpreh ai.

Dëshira e Alketit është të zgjerojë investimin, që do të sjellë njëkohësisht edhe rritjen e punësimit me fermerë të zonës. “Dëshira jonë është të vazhdojmë me sera të tjera, pasi ne kemi marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga AZHBR-ja. Vlen për t’u falënderuar pasi përtej të gjithë problematikave në fund mbetet vepra. Bujqësia është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e zonës këtu. Ne në mënyrë permanente kemi 5 apo 6 punëtorë që janë përditë këtu. Nga prilli do të kemi nevojë për minimumi për 12 apo 13 punëtorë në mënyrë konstante.”

Ndërsa vlerësoi investimin e suksesshëm, Kryeministri Rama tha se objektivi i qeverisë në vijim do të jetë që eksportet e prodhimeve bujqësore të kapin shifrën e 1 miliardëve. “Ne kemi shkuar deri në 400 milionë euro eksport  dhe objektivi është që në mandatin e tretë te kalojmë 1 miliardë, – u shpreh Kryeministri. – Është një objektiv shumë realist sepse bujqësia ka hyrë në një cikël tjetër tani dhe të gjithë farat që u mbollën gjatë mandatit të parë kanë filluar të nxjerrin realisht një rrjet që vetëm zhvillohet, rrjet prodhimi, rrjet përpunimi, rrjete eksporti që vetëm zhvillohet dhe objektivi për të kaluar 1 miliardëshin është shumë realist.”

Po ashtu, drejtorja e AZHBR-së Krifca bëri të ditur se në datën 24 Mars hapet thirrja për aplikime për Skemë Kombëtare të Mbeshtetjes 2021 për fermerët dhe blegtorët shqiptarë, duke aplikuar në e-Albania.  “Në datën 24 mars, ne çelim thirrjen e Skemës Kombëtare të mbështetjes në bujqësi dhe në blegtori që janë 9 masa mbështetëse të drejtpërdrejta ndaj fermerëve, si për fermerët që mbajnë të imta, apo gjedhë. Mund të marrin mbështetjen 1200 lekë për krerë të imta, mund të zëvendësojnë plastmasën për serat diellore, për serat e vogla. Po ashtu për ata që duan të mbjellin bimët medicinale, për fermerët që duan të fokusohen në organizimin e shtëpive të tyre në zhvillim të turizmit rural. E kemi mbajtur këtë masë të pandryshuar çdo vit, sepse duam të shtojmë strukturat akomoduese në fshat. E më pas të mbyllim skemën deri në datën 15 prill. Aplikimi do të bëhet në e-albania, pasi vjet rezultoi shumë efektiv. Transparenca është maksimale dhe ka zero kosto. Gjithashtu kemi mundësi t’i alokojmë fondet në një kohë shumë të shkurtër tek fermerët.” – u shpreh ajo.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.