Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë përkujtimore për 30-vjetorin e vizitës së Kryeministrit të Landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss:

Faleminderit,

Të nderuar,

Z. Kryetar i Kuvendit,

Zëvendëspresident i Bundestagut,

z. Ambasador,

I dashur Max,

Është një moment i veçantë, me pak fjalë dëshiroj të them në këtë moment, -duke nisur nga ajo që tha ambasadori, – se 30 vjet më parë nuk do të imagjinonte kurrë se do të ishte ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

Në fakt, unë besoj që ndër të gjithë ne që jemi sot, i vetmi njeri që mund ta imagjinonte të ishte këtu, mbas 30 vitesh, është Max-i. Asnjërit nga ne të tjerëve nuk na ka shkuar në mendje, në vitin 1984, se në 2014-ën mund të ishim në këtë sallë dhe mund të ishim në këto pozicione që jemi tani, që nga kryetari i Kuvendit, te unë, deri te kamerierët e sallës. Po të ishte paraardhësi im këtu, do të thoshte “This is a miracle of freedom”.

Por unë them që pa as më të voglin dyshim, në vitin 1984, kur Kryeministri i Bavarisë, Z. Strauss u shfaq në Shqipëri, paralelisht u krijua një legjendë e madhe urbane, sepse ishte një ndër liderët evropianё që Enver Hoxha e kishte sulmuar personalisht dhe në mënyrë të përsëritur.

Por, në fakt, sigurisht, ne në atë kohë nuk kishim mundësi të shikonim ato imazhe, gjë që e bënte edhe më të thellë misterin, edhe më pjellor terrenin e imagjinatës se çfarë do të ndodhë tani që Strauss-i erdhi, ndoshta këtë herë gjermanët erdhën të na çlirojnë dhe mua më kujtohet që në atë periudhë, sapo kisha mbaruar studimet në Akademinë e Arteve dhe një fare Foto Çani na mblodhi artistëve dhe shkrimtarëve, që të na fliste se ç’ishte kjo që kishte ndodhur. Këtu lidhet ajo që tha ai, me atë që tha Max-i, se, në fakt, vizita e parë ishte një vizitë e rastësishme turistike, për të kaluar në Hanin e Hotit dhe për të parë Shqipërinë. Dhe, pastaj filloi e gjithë marrëdhënia dhe Foto Çani tha: “Dëgjoni, është krijuar një situatë që çoç ka ndodhur, por, në fakt, ne ai na erdhi në Hanin e Hotit dhe ne i hapëm derën, që të shikonte sukseset e socializmit.”

Por e vërteta është që më pas, Franz Josef Strauss-i bëri përpjekje reale për të krijuar një marrëdhënie konkrete me regjimin e atëhershëm, por u desh që të rrëzohej muri i Berlinit që të fillonte transformimi i madh historik, që bën që ne sot të jemi pjesë e atij komuniteti të madh vendesh të lira dhe demokratike të Europës, ku Franz Josef Strauss-i tentoj të na afronte përpara kohe.

E, unë besoj që edhe ky kremtim që ne i bëjmë atij momenti është shprehje e një vullneti, jo thjesht për të kujtuar një njeri që u bë papritur mik i shqiptarëve, por edhe për të shprehur dëshirën tonë të madhe, që të forcojmë vazhdimisht marrëdhëniet me Gjermaninë dhe pse jo, në mënyrë të posaçme, edhe me Landin e Bavarisë.

Max-i më ka treguar që i ati ra në sevda me Shqipërinë, në atë kohë. Edhe pse Shqipëria nuk është ajo që ishte në atë kohë, në disa aspekte, në shumë aspekte është padyshim, një vend me të cilin bavarezët dhe gjermanët mund të bien lehtë në sevda, në qoftë se do të vijnë në Shqipëri. Dhe ky është edhe qëllimi ynë, se sa do ia arrijmë nuk e di, por do të bëjmë çmos, që sa më shumë gjermanë të bien në sevda me Shqipërinë.

Shumë faleminderit.

Edhe një herë, mirë se keni ardhur! Ju e dini më mirë se gjermanët e tjerë, se këtu jeni si në shtëpinë tuaj. Tani tua mësojmë edhe të tjerëve.

 

***

Kryeministri Edi Rama ishte sot në mbrëmje, i pranishëm, në pritjen e organizuar me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Shqipëri, të ish Kryeministrit të Landit të Bavarisë në Republikën Federale të Gjermanisë, Franc Josef Strauss.

Vizita e Z. Strauss në Shqipëri, në vitin 1984, u kujtua sot, me një ceremoni në selinë e Kryesisë së Kuvendit, me praninë edhe të delegacionit të parlamentarëve gjermanë, të kryesuar nga Nënkryetari i Bundestag-ut Johannes Singhammer. I pranishëm në këtë event ishte edhe Max Strauss, djali i ish Kryeministrit bavarez.

Ky kremtim u vlerësua nga folësit jo vetëm si shprehje e mirënjohjes, por edhe e vullnetit të fortë për të forcuar më tej, marrëdhëniet me Gjermaninë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.