Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Në Kavajë vazhdon puna në Kantierin e Rindërtimit për të strehuar banorët, të cilët u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit.
300 apartamente të reja do të ndërtohen për të plotësuar nevojat e të dëmtuarve që u detyruan të zhvendosin jetën e tyre diku tjetër. E quajtur “Zona e Re për Zhvillim 1”, ajo shtrihet brenda dy blloqesh banimi, që për nga ana urbane do të ndërtohen pothuaj tërësisht të rinj.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në këtë kantier, ku tashmë ka nisur puna. Kompleksi i ri do të  përbëhet nga 7 pallate banimi dhe do të shoqërohet me ndërtimin e gjithë infrastrukturës së nevojshme, duke filluar nga rrjeti rrugor e në vazhdim me rrjetin elektrik dhe kanalizimet për ujësjellësin dhe për shkarkimin e ujërave të përdorur.
“Në muajt e parë të vitit tjetër, gjithë lagjja do marrë formë sipas projektit të plotë”, – tha ministri Ahmetaj, ndërkohë që në Kavajë janë 1209 kryefamiljarë, të cilët marrin dëmshpërblimin sipas kategorisë së dëmeve DS1, DS2 dhe DS3 të apartamenteve apo shtëpive të tyre private.
Ndërtimi i kompleksit do të shoqërohet edhe me ndërtimin e sistemimin e një sërë hapësirash publike, të cilat do shërbejnë si hapësira rekreacioni për grupmosha të ndryshme. Kryeministri gjatë inspektimit të punimeve theksoi se “duhet të nxjerrim më të mirën e mundshme”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.