Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e lejeve të legalizimit falas për banorët e bashkisë së Finiqit:

 

Shumë faleminderit dhe kalimera të gjithëve!

Unë jam shumë i kënaqur që jam këtu sot sepse realisht kjo është një zonë ku për shumë vite, njerëzit u harruan, edhe problemet u harruan, e u lanë pa zgjidhur.

Kjo është një zonë ku në procesin e legalizimeve ka një shembull shumë kuptimplotë për çfarë ishte procesi i legalizimeve në të shkuarën dhe çfarë është sot.

Në të shkuarën, në 8 vjet, qeveria e vjetër bëri 21 mijë legalizime, nga të cilat mbi 80 % ishin biznese, hotele, motele, magazina, pishina, trampolina dhe kryesisht në hapësira publike, anës rrugëve, në zona të rëndësisë së veçantë, të mbrojtura, në parqe, në oborre shkollash, në oborre spitalesh. Ndërsa këtu, në 8 vjet janë bërë vetëm 6 legalizime. E nga këto të gjashta, 4 janë klube, 1 është karburant dhe vetëm 1 është shtëpi. Jam shumë kurioz të di se e kujt është ajo shtëpi, por e vërteta është se legalizimet janë bërë gjithmonë në të shkuarën për biznes. Legalizonin bizneset dhe bënin biznes, me para mbi dorë sepse legalizimi nuk ishte falas, por edhe me para nën dorë. Pra 21 mijë legalizime në 8 vjet.

Ne  kemi arritur deri tani në 130 mijë dhe nëse në 8 vjet ishin mbi 80 % siç e thashë legalizime për biznes, në 130 mijë legalizime që kemi bërë, 93 % janë shtëpi. Shtëpi të ndërtuara me mund, me sakrifica me kursimet e emigracionit dhe me punën e palodhur të njerëzve që kanë kërkuar dhe kërkojnë një jetë më të mirë.

Gjashtë legalizime në Finiq për 8 vjet. Ndërkohë që në dy vjet e gjysmë që ne punojmë për këtë proces,  – pasi na u desh një vit njëherë që të sistemonim dokumentet që ishin lënë në mëshirën e fatit dhe të minjve të ALUIZNI-t, – ne këtu arrijmë në 300 legalizime sot dhe të gjitha shtëpi. Pothuajse, se mund të ketë tek-tuk që mund të jetë edhe ndonjë dyqan.

Por, sigurisht që kjo nuk mjafton sepse unë e kam shumë të qartë se problemi themelor në këtë zonë nuk është vetëm të legalizoni shtëpitë, por është regjistrimi i tokës. Sepse për shumë e shumë vite, jo këtu, por në të gjithë Shqipërinë, toka jo vetëm nuk u regjistrua, por as nuk u bë azhornimi, as nuk u bënë hartat, as nuk u vendosën koordinatat se ku e ka njëri e ku e ka tjetri.

Unë iu them këtë gjë, që jo vetëm ne do të mbarojmë të gjithë procesin e legalizimit deri kur shtëpia e fundit të ketë marrë titullin e pronësisë, por do të çojmë përpara edhe procesin e regjistrimit të gjithë tokave dhe do t’i japim titullin e pronësisë mbi tokën çdo familjeje.

E nuk diskutohet që këtu për ne kjo është edhe një sfidë morale sepse shumë janë folur, shumë llogje dhe shpifje janë bërë në lidhje me raportin tonë me minoritetin, por llogjet dhe shpifjet bëhen nga ata që minoritetin e kanë përdorur dhe e përdorin për politikë.

Ndërkohë e vërteta është ne që, jo vetëm kurrë nuk na shkon në mënd që të cenojmë të drejtat e pronës së minoritetit, por përkundrazi ne kemi bërë të mundur që si askund në rajon, as në Greqi nuk ndodh kjo, asgjëkundi tjetër, ne ti njohim zonave minoritare të drejtën që të kenë bashkinë e tyre.

Ju sot keni bashkinë e Finiqit që është një njësi administrative e drejtuar nga njerëz të zgjedhur prej jush dhe duke qenë shumicë minoritare këtu, gjithmonë garantohet që përfaqësuesi juaj në bashki qoftë këtu, qoftë në Dropull të jetë një minoritar.

Kjo është një gjë që ne na bën shumë krenarë. Ne nuk bëjmë lodra me reformën. Ne nuk kemi ndarë territorin në mënyrë që të pengojë minoritetin që të ketë zgjedhjen e vet, por përkundrazi e kemi unifikuar gjithë zonën, duke i bashkuar të gjithë ish komunat në një bashki të vetme që është bashkia e Finiqit dhe duke ju dhënë ju mundësi që të keni të zgjedhurit tuaj.

Dhe jo vetëm kaq, po ju e shikoni vetë. Unë  e di shumë mirë që në 20 e ca vite këtu nuk është investuar asgjë, zero. Ndërkohë që këtu ne po bëjmë investime që s’janë bërë më parë. Unë e di shumë mirë që nuk mjaftojnë. Duhet shumë më tepër akoma, por ama unë ju siguroj që me investimet tona dhe me mbështetjen  që ne do t’i japim në vijimësi bashkisë, qoftë këtu, qoftë në Dropull, dy bashkitë e minoritetit do të jenë shëmbëlltyrë e suksesit të Programit tonë Kombëtar të Rilindjes Urbane.

Kemi folur me kryetarin e bashkisë për nevojat. Në vijimësi e kemi mbështetur. Do vazhdojmë ta mbështesim bashkinë sepse është një zonë ku ne duam të ndërtojmë një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës, të respektit, të vëllazërisë mes qytetarëve me kombësi shqiptare dhe me kombësi greke, por që janë të gjithë qytetarë të barabartë të këtij vendi që quhet Shqipëri, shtetas me të drejta të barabarta.

Kemi folur edhe për shkollën, jo për godinën apo godinat, por kemi folur për tekstet dhe të jeni të bindur që ne do t’i garantojmë të gjithë fëmijëve tuaj që të kenë tekstet më të mira, t’i kenë tekstet në gjuhën tuaj të parë dhe të kenë programin ashtu siç duhet. Nga ana tjetër, unë kam marrë përsipër dhe ne jemi duke punuar për këtë, do ndërtojmë një zyrë të posaçme arsimore e cila do kujdeset për gjithë minoritetin. Pra, nuk do jetë një si shtesë e zyrës arsimore të Sarandës, por do jetë një zyrë, qoftë për bashkinë e Finiqit, qoftë për bashkinë  e Dropullit në mënyrë që problemet e pafundme që ju keni pasur me tekstet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.

Nga ana tjetër, jam i bindur se këtu në këtë zonë ne kemi shumë për të treguar dhe për të mësuar sepse këtu është një zonë ku njerëzit janë shumë punëtorë, janë shumë korrektë. Këtu është një zonë ku nuk është vjedhur ndonjëherë energjia elektrike, këtu është një zonë ku nuk është refuzuar ndonjëherë të paguhen faturat e detyrimet e për këtë arsye detyrimi ynë ndaj kësaj zone është dhe një detyrim për faktin se këtu ka një komunitet qytetarësh shumë të mirë të kësaj Republike.

Tani të vazhdojmë të japim  disa nga lejet dhe ndërkohë duhet të shpjegojmë edhe diçka se ju keni dëgjuar se thonë “po c’është kjo punë, shkon kryeministri dhe shpërndan leje legalizimi, kush kryeministër e bën këtë në Europë”. Por, në Europë nuk ka ndërtime pa leje. S’kanë çfarë të çojnë se leje legalizimi nuk ka. Por ajo, çfarë është më e rëndësishme është diçka tjetër.

Shumë njerëz mendojnë se këto leje janë thjesht për të regjistruar shtëpinë, që nesër mos ta prishë njeri. Në fakt nuk është ky thelbi. Sepse vërteta është që edhe nëse janë këto letra edhe nëse s’janë këto letra, shtëpitë tuaja nuk prishen. Ama, përsa kohë shtëpitë janë pa letra, janë strehë që nuk figurojnë asgjëkundi. Në momentin që shtëpitë bëhen me letra janë pasuri. Janë pasuri që përdoren si kolateral. Gjithë ai kapital që është investuar për shtëpitë dhe që është tulla, llaç, tjegulla është një kapital i vdekur sot, sepse shtëpia është vetëm një strehë dhe gjithë paratë janë aty nëpër mure. Në momentin kur kjo leje bëhet titull pronësie ai është një kapital i gjallë me të cilën i zoti i shtëpisë mund të marrë kredi.

Pra, është një kapital që të garanton një kredi për të hapur një biznes të vogël, për të zgjeruar fermën, për t’i dhënë ekonomisë familjare mundësinë që të zhvillohet. Pra, për ne gjithë ky proces legalizimesh, e para është një proces që të bëjmë shtet se e morëm shtetin si magazinë pa inventar. E dyta është një proces  që njerëzit të ndihen të qetë për gjithë investimet e tyre

E treta që është shumë e rëndësishme një proces që do të japë një shtytje të jashtëzakonshme ekonomisë kombëtare. Sepse në momentin kur këto 130 mijë do të jenë edhe shumë më tepër në vijim leje legalizimi, të kthehen në tituj pronësie, këto 130 mijë familje kanë një kapital në dispozicion. Nuk janë më të pafuqishëm për të marrë një kredi dhe për të zhvilluar jetën  e tyre në mënyrë normale. Përkundrazi, nëse dikush sot ka një shtëpi dhe ka një biznes të vogël me leje legalizimi dhe me regjistrimin e titujve të pronësisë mund ta zgjerojë biznesin  e tij.

Nëse dikush sot ka blegtori, ka bujqësi me lejen e legalizimit e zgjeron fermën e tij sepse banka e njeh, mirëpo ku të shkojë ajo në bankë më përpara? Sepse këtu u ndërtua një shtet që vetëm shtet nuk ishte.

Imagjinoni, s’e harroj asnjëherë kur kaloja rrugës për në Lezhë, kishte një tabelë aty dhe thoshte “shesim tokë pa letra”. Vetëm Saliu mund të bëjë shtet pa letra. E “letrat” në fjalën popullore, apo “dokumentet” në fjalën zyrtare ndajnë epokën e kaosit, të rrëmujës, të një situate, ku kush ishte më i fortë vidhte energjinë, kush ishte qytetar normal e paguante energjinë, nga një epokë ku të gjithë kontribuojnë sipas asaj që u takon dhe marrin atë që u takon nga shteti.

Përndryshe çfarë shteti është?

Dhe kur flasim për pronat është shumë  e rëndësishme që të mos e harrojmë asnjëherë që kaosi me pronat nuk është vetëm një çështje e  mungesës së vizionit dhe e mungesës së dashurisë për këtë vend dhe e cinizmit të atyre që e keqqevrisën që kanë menduar se “nuk ia vlen të lodhemi se ky vend nuk bëhet dhe shqiptarët kaq meritojnë”, por është rezultat e një sistemi drejtësie që ka 27 vjet që është pazar i gjësë së gjallë.

Ju e dini shumë mirë se si prona që të ka lënë stërgjyshi, mund të të ikë nga duart pa pritur e pakujtuar se del një gjykatë atje, dhe veçse kur të vijnë këtu pronarët e vjetër që “dreqi” e di se ç’lidhje kanë me zonën. Por, në fakt “dreqi” është në gjykatë, ”shejtani” është në gjykatë. Duhet të nxjerrim “shejtanin” nga gjykata. Kështu që është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të bëhemi bashkë për të nxjerrë “shejtanin” nga gjykata. Dhe vettingu që i ka detyruar ata të futen në çadër bashkë me Vangjelin… Nuk e di Vangjeli çfarë bën atje. Sot është Shën Thomai, jo Shën Vangjeli. Çfarë bën Vangjeli në çadër? Gjumë nuk fle ai se unë e njoh dhe e kam mik, por na ka ikur në drejtim të paditur. Vetëm ju të Kishës mund ta ktheni atë në rrugën e Zotit.

 

* * *

 

Legalizimet falas vijuan sot në jug të vendit, pikërisht në zonën minoritare, në bashkinë e Finiqit, të cilën e vizitoi Kryeministri Edi Rama, për t’ju dorëzuar personalisht banorëve, lejet e legalizimit për shtëpitë e tyre. Finiqi, një zonë e shtrirë, me shumë fshatra në përbërjen e saj, vuante problemin e mosregjistrimit në sistemin e hipotekës, një sfidë kjo e kaluar me sukses nga punonjësit e ALUIZNI-t të Sarandës. Vetëm në dy vitet e fundit në këtë bashki janë legalizuar 300 shtëpi, kundrejt vetëm 6 legalizimeve të bëra në 8 vitet e qeverisjes së kaluar, prej të cilave 4 ishin klube, 1 pikë karburanti dhe vetëm 1 shtëpi.

Ndërsa sot objekteve të legalizuara iu shtuan edhe ato të kultit, përkatësisht disa kisha, të cilat prej vitesh prisnin legalizimin.

“Ju falënderoj që na erdhe sot këtu. Na dhatë këto që ne nuk i kishim mundësinë për t’i marrë.” u shpreh Jorgo Thanasi një banor, i cili gjeti rastin të falënderonte edhe punonjësit e ALUIZNI-t për punën shumë të mirë që kishin bërë.

Vionis Xhaferri është një minoritar, i cili më lehtë mund të shprehet në gjuhën greke. Falenderimi i tij është për kryeministrin dhe ato që qeveria ka bërë për zonën ku Vionisi jeton.

Ndërsa përfaqësuesi i një prej kishave që përfiton legalizimin u shpreh i lumtur që për herë të parë një kishë e komunitetit ortodoks në zonën e tij merr lejen e legalizimit. “Si përfaqësues i kishës, falënderoj zotin Edi Rama si kryeministër dhe qeverinë  e tij. Uroj të jetë edhe kryeministri i ardhshëm.” tha ai.

Përfaqësuesi i kishës së ungjillëzimit në bashkinë Delvinë ka një kërkesë për kryeministrin: “Nga kisha e Delvinës, dhe nga të gjithë besimtarët ju urojmë suksese, por dua të kërkoj diçka për qytetin e Sarandës. Dua, nëse ka mundësi, të institucionalizoni institucionet në Sarandë. Mundësisht të gjitha institucionet që janë, tatimet, legalizimet, t’i mbledhim në një vend në qendër.”

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri sqaron se “Kemi filluar një proces për të përqendruar të gjithë shërbimet në një vend. Kemi bërë disa hapa dhe nja dy-tre modele, funksionojnë shumë mirë.  Ideja është që të gjithë marrëdhënien e qytetarëve me shtetin, ta kanalizojmë në një sportel dhe siç bëmë me ALUIZNI-n. E njëjta gjë të behet për të gjitha shërbimet që qytetarët të aplikojnë në këtë shërbim të unifikuar dhe ky shërbim i unifikuar që quhet Adisa të bëjë gjithë punën dhe qytetari ta marrë letrën që kërkon po tek ai shërbim, pra të mos ketë nevojë të shkojë mbrapa derës së hipotekës, mbrapa derës së tatimeve, për të marrë atë që i takon.”

 

Në përfundim të takimit me banorët, Kryeministri Edi Rama përcolli mesazhe lidhur me reformën në drejtësi:

 

“Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që japin këtu një shembull fantastik qytetarie. Unë jam dakord me atë që tha Damiani, që e gjithë kjo zonë është një shembull i madh i punës, i të jetuarit me punë dhe faktikisht ajo që mungon këtu është ajo që nuk e ka bërë shteti, regjistrimi i pasurive, regjistrimi i shtëpive, infrastruktura. E këto ne kemi filluar ti bëjmë, por është shumë e vështirë që vetëm në tre vjet e gjysmë të ndërtojmë atë që është prishur në 25 vjet, në çerek shekulli shkatërrim.

Kemi shumë akoma për të bërë dhe e rëndësishme është që jemi të vetëdijshëm për këtë. Nuk mendojmë që në tre vjet e gjysëm kemi bërë ndonjë mrekulli, as nuk mendojmë që në tre vjet e gjysëm kemi zgjidhur të gjitha problemet. E dimë shumë mirë dhe jemi shumë të vetëdijshëm që ka akoma shumë plagë për të shëruar, varfëri, papunësi, probleme. Por ama besoj që në tre vjet e gjysëm kemi dhënë provën që ky vend mund të bëhet dhe Shqipëria mund të bëhet shtet.

Kjo besoj është e mjaftueshme për të vazhduar të gjithë së bashku dhe për të luftuar me mish e me shpirt për të çliruar popullin nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që janë armiku numër një i këtij populli dhe që janë të lidhur si mishi me thoin me ata që janë mbyllur në çadër  nga frika e drejtësisë dhe me të njëjtin pasion, me të njëjtin vullnet, me të njëjtën këmbëngulje, siç po luftojmë për drejtësinë, të luftojmë për të rritur ekonominë, punësimin, mirëqenien.

Besoj dhe jam i bindur, e më besoni jam më i bindur sesa isha tre vjet e gjysëm përpara, që i kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë këtë vend, vendin për të cilin të jemi të gjithë të kënaqur që është vendi ku jetojmë.

Prandaj, nuk e di a do kemi mundësi të vijmë prapë deri në 18 qershor, dhe kjo nuk është se jemi këtu për fushatë, por meqë u përmend 18 qershori; o me familjen tuaj, o me çadrën. O Shqipërinë në Europë, o me Shqipërinë në çadër. O të ndërtojmë rrugët dhe urat që janë ende për tu ndërtuar, o t’ia mbyllim akoma rrugën vetes dhe të kthehemi në atë kohën që ju e mbani mend mirë se çfarë ju gjeti, kur u bë gjithë ajo rrëmujë dhe kur Shqipëria rrezikoi të mbytej fare, në ‘97. E po ata që e shkaktuan ‘97, sot për t’i ikur drejtësisë, janë gati të na ndajnë për së gjalli prapë me Europën. Kanë ndërmarrë një fushatë të paimagjinueshme sulmi dhe balte kundër SHBA, kundër BE, kundër Gjermanisë, kundër të gjithë atyre që në fakt duan të na mirëpresin në familjen europiane dhe na thonë “hiqni nga puna gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”. Ne nuk mund të lemë Shqipërinë pa punë, që të mbajmë në punë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ne duhet t’i shkarkojmë ata nga puna që të ketë më shumë punësim dhe më shumë ekonomi, për të gjithë. Kjo është shumë e qartë dhe unë ju garantoj që ne do t’ia dalim.

Mua më vjen shumë keq që një parti që lindi nga ëndrra e Shqipërisë europiane dhe që fjalinë e parë të lindjes e  kishte” E duam Shqipërinë si gjithë Europa” sot i është kundërvënë Europës dhe SHBA dhe e trajton këtë popull sikur të ishte një tufë me dele që mund t’i çojë ku të dojë duke i thënë “nuk e bëjmë ne vettingun se nuk e lemë ta kapi drejtësinë Edi Rama”.

Po pse SHBA, BE, Gjermania duan që ta kapi drejtësinë Edi Rama?!

Pse e mbështesin ata fuqimisht reformën në drejtësi?!

Pse kërkojnë ata menjëherë që të votohet për të ngritur komisionet që të fillojnë nga puna për të ndarë gjykatësit e ndershëm, -se ka edhe gjykatës të ndershëm sa të duash në Shqipëri, – nga gjykatësit e korruptuar.

Pse, si mund ti thuhet një populli “nuk e bëjmë ne vettingun se e kap Edi Rama drejtësinë”?! D.m.th. në këtë planet drejtësinë e dashkan vetëm ata që janë në çadër.

Sipas tyre, drejtësi këtu nuk dashka as qeveria jo e jo, as koalicioni jo e jo, as populli, por këtu nuk dashka drejtësi as SHBA, as BE, AS Gjermania. Të gjithë këtu dashkan diçka të keqe. Të vetmit që i dashkan të mirën këtij vendi qenkan ata që kanë frikë të përballen me drejtësinë. E përse ata kanë frikë, e di i madh dhe i vogël në këtë vend, sepse janë historitë e tyre, janë bëmat e tyre që e lanë këtë milet rrugëve. Edhe rrugët i lanë rrugëve, e jo më njerëzit, sepse 6 legalizime në 8 vjet, 4 klube, një karburant, një shtëpi, ndërsa ne për tre vjet e gjysëm 300 legalizime shtëpish.

Ne u japim njerëzve pronën, – që është e tyrja, nuk ua japim ne, – por pse nuk ua regjistruan tokat? Jo këtu, por kudo. Pse i lanë njerëzit të futen nëpër konflikte?! 8 mijë konflikte me pasojë, vrasje, plagosje, ka patur në Shqipëri që nga ‘90, vetëm për pronën, si një luftë civile. E për të gjitha këto tani ka ardhur koha që dikush të përgjigjet.

Ka ardhur koha që ata gjykatës që nxjerrin trashëgimtarë në amfiteatrin e Butrintit, – të cilët duan mbrapsh amfiteatrin për të bërë pallate, – të përgjigjen.

Po ai gjykatës në Lungomare që lejoi karburantin në mes të rrugës, do të përgjigjet ai? Shpronësohen shtëpi, shpronësohen lokale, për të hapur rrugën për njerëzit, ndërkohë që një karburant nuk shpronësohet sepse gjykata e lartë thotë “interesi publik këtu nuk ka rëndësi, ka rëndësi karburanti” sikur është Akropoli. A do të përgjigjet ky gjykatës?!

E po nuk u përgjigjën këta gjykatës, – ka mijëra raste të tilla – si do të bëjmë ne shtet?!

Si do të bëjmë ne shtet po nuk u përgjigjën ata që kanë liruar vrasës, kanë liruar përdhunues, kanë liruar grabitës me dhunë, me lekë dhe ata pasi kanë dalë, kanë dhunuar prapë, kanë vrarë prapë, kanë grabitur prapë. A do të përgjigjen këta?! Ku do të përgjigjen?!

Këta përgjigjen vetëm në qoftë se bëhet reforma, bëhet vettingu.

Pa i vënë fshesën këtyre nuk i pastrohet rruga Shqipërisë, për të bërë shtet për të patur investitorë të huaj dhe vendas, për të patur shumë më tepër investime, për të patur shumë më tepër punësim.

Prandaj miqtë e mi, të mos shohim këtu parti, të mos shohim këtu flamuj, të mos shohim këtu histori. Secili të logjikojë me mendjen e vet dhe të logjikojë për shtëpinë e vet, për pronën e vet, për fshatin e vet, për qytetin e vet.

E ju që jeni përvëluar shpesh nga lodrat politike,  e keni mësuar tani, e dini shumë mirë  se çfarë zgjedhje duhet të bëni.

Ju duhet të zgjidhni pronën tuaj, jo rrëmujën që ju vë pronën në rrezik.

Duhet të zgjidhni shtëpinë tuaj, jo çadrat që kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe kërcënojnë ekonominë tuaj.

Zgjidhni të ardhmen e vendit tuaj, jo të mbroni disa gjykatës e prokurorë që janë të lidhur si mishi me thoin me ata në çadër.  Janë bashkë, paguhen për të mbajtur çadrën në këmbë. Bashkë me të tjerë që nuk është se na e duan shumë të mirën, as ne, as ju, as shqiptarëve, as grekëve që jetojnë në Shqipëri.

E kjo është toka juaj, ky është vendi juaj, ky është vendi ynë i përbashkët. Ne jemi vëllezër, jemi motra edhe nuk na ndan dot as Vangjeli, edhe as Shën Vangjeli po të doni. Kështu që shumë faleminderit edhe njëherë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.