Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, pas mbledhjes së qeverisë:

Përshëndetje!

Sot dëshiroj t’i komunikoj publikut, një vendim të mbledhjes së sotme të qeverisë, sipas të cilit vendosim të shtojmë me 300 punonjës me kontratë, numrin e punonjësve të Agjencisë së Legalizimeve dhe Urbanizimit të Zonave Informale, ALUIZNI.

Kjo është pjesë e strategjisë sonë, për t’i dhënë një ritëm edhe më të lartë legalizimeve në vendin tonë.

Legalizimet mbeten një prej reformave të para, me qëllim formalizimin e ekonomisë shqiptare, e premtuar dhe e ndërmarrë nga kjo qeveri.

Reforma, shumë e zvarritur në vite, tani ka marrë një shpejtësi tjetër. Kujtoj 45 mijë legalizime të realizuara deri më tani, krahasuar me 21 mijë të kryera nga qeveria e kaluar.

Kujtoj edhe 400 vende të reja pune, të hapura pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme. Ftoj të gjithë profesionistët të bëhen pjesë e garës për këto vende pune.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.