Shkolla “Neim Babameto” në Durrës do të jetë shkolla e dytë më e madhe e rindërtuar në vend, e cila, siç edhe u premtua, do të mirëpresë 1060 nxënësit e saj në nëntor. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ishin në kantierin e shkollës “Neim Babameto” që sot po rilind më e madhe e më e bukur.
Shkolla e re do të ketë 28 klasa, 7 laboratorë, ambiente sportive si dhe bibliotekën, duke e bërë kështu një nga shkollat model në vend. “Pas “Sami Frashërit” në Tiranë, kjo është shkolla më e madhe. Edhe si ndërtim është e dyta në metër katror dhe do jetë një nga shkollat me standardet më të larta, jo thjesht europiane, por praktikisht do jetë shembull”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
Punimet tanimë janë në një fazë të avancuar dhe shkolla, e projektuar nga arkitekti italian, Mario Cuccinella, këtë nëntor do të jetë gati për të pritur nxënësit e saj në ambientet e reja.
Ndërkohë puna vazhdon edhe për shkollat e financuara nga donatorë të tjerë si PNUD-i dhe Bashkimit Europian. “Në fund të shtatorit do kemi gjithë partinë e parë të shkollave, që janë 22 objekte arsimore dhe kështu bëhemi gati për partinë e dytë që janë donacion i Komisionit Europian”, – u shpreh ministri i Shtetit për Rindërtimin.
“Me procedurat dhe me ritmin tonë, ne jemi duke shkuar drejt përfundimit dhe me ritmin e Bashkimit Europian, akoma jemi në vigjilje të fillimit të punës. Faktikisht, ne jemi le të themi 6 muaj përpara, që do të thotë që kemi punuar me një ritëm marramendës dhe po bëjmë maksimumin e mundshëm. Mirëkuptojmë edhe njerëzit që çdo ditë u duket një vit, për shkak se duan të kthehen në shtëpi”, – tha Kryeministri Rama.
***
Një tjetër shkollë që po ringrihet krejtësisht e re nga Programi i Rindërtimit është shkolla 9-vjecare “Hasan Koçi” në Durrës, e cila një vit pas tërmetit shkatërrues, në nëntor do të hapë sërish dyert për nxënësit e saj.
“Edhe këtu, afati i përfundimit është data 26 nëntor. Ambientet do të kenë 18 klasa për nxënësit dhe 8 laboratorë, si dhe hapësira për komunitetin”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit
E veçanta e kësaj shkolle është se të gjithë korridoret që bëjnë shpërndarjen nëpër klasa të nxënësve do të jenë me dritë natyrale. Kjo shkollë shtrihet në 4500 m2 ndërtim, ku përveç klasave dhe laboratorë do të ketë po ashtu ambiente të gjelbëruara dhe terrene sportive, një standard që po zbatohet për të 32 shkollat që do të rindërtohen në Durrës.