Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Komitetin Teknik të Ekspertëve mbi situatën Covid-19 në Shqipëri. Drejtorja e Institutit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino bëri një raportim mbi situatën në vend, duke nënvizuar se janë izoluar të gjithë të dyshuarit për Covid dhe janë karantinuar të gjithë personat e kontaktit. “Në rastin e sëmundjeve infektive që transmetohen nga ajri përmes spërklave është e rëndësishme të bëhet gjurmimi i rasteve dhe ne rastet i kemi kapur përmes 127, spitaleve, mjekut te familjes dhe të gjitha llojeve të orientimeve dhe këto raste janë gjurmuar,”- tha Bino.
Lidhur me strategjinë e testimit, Bino tha se strategjia është hetimi kontakteve të ngushta, e personave të rrethit shoqëror, e personave shumë të ekspozuar dhe identifikojmë edhe personat me risk më të lartë, d.m.th, personat me sëmundje shoqëruese, të moshuar etj.. Raporti i kontakteve identifikuara të një të infektuari është mesatarisht 1 me 15. Bino raportoi gjithashtu situatën pas vizitës qe kishte bërë në Shkodër ku janë shënuar një numër tastesh, duke nënvizuar se rastet atje janë zbuluar fale hetimit të kontakteve, edhe pse asimptomatikë dhe se të gjithë këta persona janë izoluar.
Kryeministri kërkoi mendimin e eksperteve në lidhje me strategjinë e testimeve, nëse do vazhdojë të jetë e njëjta, apo duhet të ndryshoje. Albana Fico, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik, sqaroi se i kemi të gjitha kapacitetet për të testuar çdokënd që ka nevojë dhe furnizimi me elementët testues bëhet rregullisht. “Të vetëizoluarit janë 43%, ndërkohë që të shëruarit i kemi 29%. Në një total, 72%, ne kemi një popullatë në dukje pozitiv, të mirëkontrolluar. Edhe raporti midis fataliteteve dhe të shërbyerve është 1 me 47.5. Unë mendoj se të gjithë këta elementë janë të mjaftueshëm për të mos ndryshuar në mënyrë eksponenciale testimin, por të vijojmë duke kryer atë në bazë të çfarë na ofron dita”.
Kryeministri Rama shtoi se po mendohet një strategji masash lehtësuese me pikatore dhe për këtë kërkoi një konsultim me ekspertët në ditët në vijim. “Do doja të bënim një konsultim me ju, ndoshta nesër, pasnesër kur të jemi gati, sepse duam që të shohim një strategji masash lehtësuese me pikatore. Që mos të shqetësohet asnjëri nga ju, nuk kemi ndërmend të bëjmë hapje krahu për armikun, por duam të projektojmë, ose më saktë të kolaudojmë me ju një seri hapash që i kemi hedhur në planin e strategjisë që në fillim e do kisha shumë nevojë që të marrim si gjithmonë dhe për këto një konfirmim nga ana juaj për të axhustuar kohën, ritmin, sepse sigurisht që duhet të ecim paralelisht, por prioriteti është korsia e luftës”, – theksoi Kryeministri.
Newsroom
Dëgjesa me Komitetin Teknik të Ekspertëve antiCOVID19