Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Një tjetër investim transformues për Vlorën turistike është edhe projekti për rehabilitimin e fasadave të ndërtesave përgjatë Bulevardit “Ismail Qemali”, i cili ka nisur vetëm pak muaj më parë dhe pritet të përfundojë  së shpejti.
Kryeministri Edi Rama eci sot përgjatë Bulevardit, ku tanimë është i dukshëm  dhe i prekshëm transformimi fantastik, që do të vijojë çdo vit me rritjen e kurorave të pemëve deri në krijimin e “tuneleve” të gjelbër për këmbësorët vlonjatë e turistë, përgjatë gjithë aksit të Bulevardit.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli shpjegoi projektin, i cili ndërthuret edhe me ndërhyrje të tjera infrastrukturore, duke e shndërruar gradualisht qytetin në destinacionin më të preferuar turistik.  “Projekti i fasadave është ai që kemi menduar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Është pjesa e rehabilitimit të lagjes rreth e rrotull teatrit “Petro Marko”, që përfshin edhe projektin që diskutuam në vizitën tuaj të fundit në Vlorë për korpusin tek Universiteti “Ismail Qemali”, në zonën ku u rehabilitua gjithë konvikti. Kemi menduar që të organizojmë një hyrje të re nga Bulevardi drejtpërdrejtë në korpusin universitar që e kemi rikonceptuar të tërin, bashkë me konviktin, bashkë me godinat e universitetit. Kemi punuar me elementët dekorativë të mobilimit urban, të njëjtë me ato që janë përdorur në të gjithë projektin e Bulevardit. Në kuadër të rehabilitimit të të gjithë zonës rrotull teatrit “Petro Marko” është edhe pjesa e rrugës hyrëse në Portin e Vlorës. Këto dy zona bashkohen në të njëjtin projekt me rrugën hyrëse për në port,” – u shpreh Leli.
Ndërsa vlerësoi projekt-konceptin në tërësi, Kryeministri tha se hapësira që do të lidhë Bulevardin “Ismail Qemali” me Lungomaren do të jetë një oaz i gjelbër spektakolar, me pemë e lule, si edhe kënde fëmijësh, të rinjsh, familjesh e të moshuarish.
“Në fund të Bulevardit, aty ku merr kthesën për Lungomare, është ai, le të themi, kriptobulevard deri tek porti. E gjithë ajo hapësirë do të bëhet park dhe do të jetë një spektakël. Të gjithë korridoret e pemëve që shkojnë deri tek fundi i Bulevardit, nga një anë kthehen në rrugën e palmave dhe ana tjetër do të jetë një park urban me shumë pemë dhe aty do të dalë në pah edhe Shtëpia e Pavarësisë, që do të jetë si oaz më vetë, i supervlerësuar,” – u shpreh Kryeministri, duke theksuar se në përfundim tē projektit mund të shkosh në këmbë nga Sheshi i Flamurit deri tek tuneli, pa parë e pa prekur makinë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.