Në Qendrën e Vaksinimit në Arenën Kombëtare, një ekip i ri prej 400 inferemierësh po trajnohen për t’ju bashkuar radhëve të skuadrës së vaksinatorëve në territor, në gatishmëri për vaksinimin masiv të popullatës këtë pranverë, me sigurimin e dozave të reja. Mes tyre, janë edhe 100 infermierë të forcave të armatosura, të cilët sipas ditëve të përcaktuara do të kryejnë trajnimin nga ekspertët e shëndetit publik. Kryeministri Edi Rama ishte sot në mjediset e qendrës së vaksinimit në Arenën Kombëtare, së bashku me Ministren e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu për të përshëndetur dhe falenderuar vaksinatorët e rinj.
“Përshëndetje të gjithëve! Thjeshtë dëshirova që së bashku me ministren të jemi këtu për t’ju falenderuar për gatishmërinë, për t’ju përgëzuar për seriozitetin me të cilin po ndiqni trajnimin dhe për t’u siguruar për mbështetjen deri në fund në këtë proces, ku ne duam të jemi të superpërgatitur që në sekondën e parë që ne do të disponojmë një sasi të konsiderueshme vaksinash, menjëherë në të gjithë territorin të shtrijmë rrjetin e vaksinatorëve të fushatës “Shqipëria buzëqesh” që duhet të jenë më shumë sesa vaksinatorët që kemi në territor në qendrat shëndetsore.
Për këtë arsye, i jemi drejtuar Forcave të Ushtrisë dhe ju falenderoj nga zemra që jeni këtu, të gjithë infermierët dhe infermieret e Forcave të Armatosura. I jemi drejtuar atyre të tjerëve ndër të gjithë grupin e njerëzve që kanë hyrë në këtë rrugë, që janë shkolluar dhe që janë të gatshëm të përfshihen dhe sigurisht kjo është një eksperiencë e paharrueshme në jetën profesionale të një vajze apo të një djali që ka vednosur që t’ja dedikojë jetën profesionale bluzës së bardhë dhe studentëve të masterit, të cilët po ashtu janë në gjendje që të përfshihen dhe kanë një mundësi që të bëjnë një eksperiencë kaq të paharrueshme, sepse ju e dini që kjo është një luftë botërore, është një luftë që nuk ndodh shpesh.
Është një luftë që mund të mos ndodhë në jetën e disa gjeneratave dhe që fatkeqësisht pas 100 vjetësh nga epidemia vrastare e gripit spanjoll është rikthyer si sfidë për njerëzimin.
Ju e dini besoj mirë se çfarë ndodh me vaksinën, ju e shihni që problemi i vaksinës është një problem botëror për shtete shumë më të mëdha, shumë më të fuqishme, sepse kërkesa është gjigande, është marramëndëse, është e paimagjinueshme, ndërkohë që prodhimi është ai që është. Kështu që me këtë pamje besoj që bëhet e qartë sesa sfiduese është kjo për Shqipërinë.
Janë sot 70 % e vaksinave të prodhuara në duart e vetëm 10 shteteve dhe numri i shteteve që ende nuk kanë marrë asnjë dozë dhe nuk kanë bërë asnjë injeksion akoma është mbi 120 sot. Ne kemi filluar, fatmirësisht kemi mbyllur vaksinimin me injeksionin e parë për të gjithë mjekët dhe inferemierët. Tani po shtrihemi në të gjithë pjesën tjetër të stafeve mjeksore, sanitarët e të gjithë të tjerët. Kemi nisur me hapa të vegjël, por sidoqoftë kemi nisur me moshat më madhore +80 vjeç. Presim së shpejti, në mes të marsit, sipas impenjimit të Astra Zeneca një numër të mirë do të thosha vaksinash rreth 14 mijë që menjëherë do t’i fusim në punë për mësuesit dhe vaksinimi i mësuesve do të bëhet nëpër shkolla direkt.
Jam shumë optimist që nga dita në ditë mund të marrim një lajm shumë të mirë për një sasi tjetër të konsiderueshme që pastaj do të na duhet të angazhohemi masivisht. E për këtë angazhimin masiv, ju jeni vlera e shtuar.
Kështu që, edhe njëherë shumë faleminderit! Mirënjohës për gatishmërinë sepse askush këtu nuk ka ardhur me zor.
Të gjithë këtu ju jeni me iniciativën tuaj dhe mirënjohje për këtë angazhim. Besoj që profesionalisht do të jetë një eksperiencë po ashtu e pasur dhe ju uroj nga zemra gjithë të mirat! Ju uroj shëndet juve për familjet tuaja, shëndet për njerëzit tuaj më të dashur dhe natyrisht mbani maskën, ruani distancën, lani duart dhe keni besim se drita e shfaqur në fund të tunelit është duke u forcuar çdo ditë dhe ndjehuni mirë që ju keni rreze të kësaj drite!” – u shpreh Kryeministri Rama në fjalën e tij drejtuar infermierëve.