Në ditën e tretë nga nisja e procesit të vaksinimit në vendin tonë, Kryeministri Edi Rama inspektoi depot farmaceutike në ambiente e QSUT-së dhe ISHP-së, për të parë nga afër kapacitetet frigoriferike për ruajtjen e vaksinave antiCOVID-19.
I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirlitu, Kryeministri Rama u ndal fillimisht në depon farmaceutike të QSUT-së ku kapacitetet ftohëse janë gati për të pritur seritë e vaksinave që do të vijnë. “Tashmë janë instaluar dhe frigoriferët -70 gradë dhe janë gati për të pritur seritë e vaksinave. Aktualisht, vaksinat e Pfizer që kemi janë në Institutin e Shëndetit Publik dhe aty ruhen në standarde ultra të ftohta, ndërkohë që këtu janë kapacitetet e tjera që ne kemi. Ne tërësinë e tyre, kapacitetet aktuale për të ruajtur në temperaturë -70 gradë janë 250 mijë doza vaksinë në mënyrë të menjëhershme. Sigurisht, edhe për llojet e ndryshme të vaksinave, për ato të Moderna-s që do na vijë, -20 gradë, kemi kapacitetet për të pritur 950 mijë doza njëkohësisht. Përsa i përket kapaciteteve frigoirke për vaksina të llojeve të tjera, për ato që kërkojnë 2 deri në 8 gradë, kemi kapacitete për të pritur 7 milionë doza”, – tha ministrja Manastirliu.
Frigoriferët me kapacitet ftohës deri në -80 gradë janë të gjithë me çelës, komplet të sigurta, me kamera dhe gjithë elementët e tjerë të nevojshëm të sigurisë. Kryeministri evidentoi edhe investimet e bëra në zinxhirin e ruajtjes së vaksinave. “Me atë depo që ishte këtu, vaksinat do ishin në dorë të Zotit”, – u shpreh Kryeministri.
Pas vizitës në depon e QSUT-së, Kryeministri u ndal dhe në ambiente e Institutit të Shëndetit Publik ku aktualisht po ruhen vaksinat e para Pfizer. I gjithë zinxhiri ftohës në ISHP është rinovuar, teksa investimet për kapacitetet ruajtëse po vijonë edhe me qendrat shëndetësore. “Edhe në qendrat shëndetësore është investuar për kapacitetet e zinxhirit ftohës, ndaj jemi gati që edhe në rast të një vaksine që kërkon një temperaturë standarde, kapacitetet janë deri në 7 milionë doza”, – theksoi Manastirliu.
Dozat e para të vaksinës Pfizer, të siguruara për të vaksinuar mjekët, infermierët dhe epidemiologët dërgohen konform çdo standardi ruajtës në ambiente e Stadiumi “Air Albania”, ditë pas dite, ku procesi i vaksinimit vijon sipas një grafiku të paracaktuar.