Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në fshatin e thellë të Qinamit në Zallherr, shumë nga  familjet e dëmtuara nga tërmeti po hyjnë në shtëpitë e reja. Familja Xhixha është mes 104 familjeve të kësaj periferie malore të Tiranës, e cila sapo ka lënë kontenierin ku banonte deri më sot, për t’u zhvendosur në banesën e re 3+1.

Flamuri dhe familja e tij 6 prej anëtarësh mikpritën pasditen e sotme Kryeministrin Edi Rama, si vizitorin e parë në shtëpinë  e re. “Flamuri ka banuar në këtë kontenierin këtu. Sot, sapo kemi mbaruar shtëpinë dhe do të bëjmë transferimin. Në total janë mbi 100. Ka mbaruar loti i parë me 54. Kjo është vetëm një nga 54 shtëpitë që ka kjo zonë e thellë, që është Qinami, Kallmeti dhe gjithë zona kufitare me Bovillën. Ndërkohë këto nuk përfshijnë lagjen e re në Zallherr, që është poshtë në qendër të komunës. Ky është formati 3+1, sepse zonja e shtëpisë jeton me djalin Fatosin, bashkëshorten dhe tre fëmijët  e tij”,– shpjegoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se aksesi në zonë është shumë i vështirë për shkak të largësisë nga rruga kryesore. “Le t’i themi gjërat hapur, këtu i kemi ndërruar brigadat nja tre here, – u shpreh Veliaj, – Ju e patë nga rruga se sa larg është, por me reformën administrative, Tiranë është edhe kufiri me Bovillën, Tiranë është edhe blloku. Kështu që në disa raste, përpjekjet kanë qenë spartane, sepse vetëm ta sjellësh krahun e punës, të sjellësh mjetet. Janë 104 shtëpi, por secila është në një kodër më vete.”

Ndërkohë familjarët treguan se shtëpia që humbën ishtë një ndërtesë e vjetër, e amortizuar nga koha. “Ju faleminderit! Nuk dimë si ta përshkruajmë këtë gëzim. T’u themi “faleminderit” është shumë pak. Shtëpia  e vjetër ishte ndërtim me qerpiç e amortizuar komplet.”

Ndrësa uroi për strehën e re, Kryeministri gjeti rastin të sqarojë se vizita të tilla nuk janë propagandë, por është e nevojshme që njerëzit që gjenden në të njëjtën situatë, të informohen për ecurinë e procesit të rindërtimit

“Ne vijmë këtu që të tjerët që presin, të shikojnë që në ndërkohë po vazhdon puna dhe që njerëzit po futen nëpër shtëpi. Se ndryshe, po qe puna për televizor, në TV nuk del puna, por dalin vetëm llafet, dalin historitë  e kronikave të zeza, që janë në të gjithë botën. Por në të gjithë botën janë vetem një minutë, kurse këtu fillon dhe mbaron me kronikë të zezë. Sikur të merrej me kronikë të zezë televizori në Itali duhet t’i mbanin lajmet 6 orë. Po kështu në Amerikë, sikur të mbaheshin TV me “sa njerez u përplasën” dhe “sa njerez u goditën”, i bie të japin 24 orë lajme dhe të mos japin asnjë gjë tjetër. Kështu që këta nuk kanë si ta kuptojnë këte punë. Kjo nuk është as propaganda, as inaugurim, por është pjesë e informimit  të tjerëve se ka akoma njerez që janë në çadra, që janë në kabina, që janë në shtëpi me qera e presin apartamentet. Duhet t’i mbajmë me informacion, duhet t’i tregojmë se çfarë u bë, çfarë po bëhet dhe kështu njerëzit shohin realitetin. Sepse me fjalë është e vështirë, pasi mendojnë të gjithë kështu thonë, të gjithë kështu bëjnë, por kur ju shohin ju, shohin ku jemi, gati një orë me ardhë nga poshtë dhe kuptojnë se kjo punë vazhdon”, – u shpreh Kryeministri, i cili shtoi se sfidat erdhën njëra pas tjetrës dhe si të tilla duhen përballuar me durim. “Ne nuk kemi patur vetëm sfidën çfarë të bëjmë. Ne kemi patur sfidën të prishim çfarë është bërë keq dhe ta bëjmë mbarë. Thonë pse e doni mandatin e tretë, por mandati i tretë duhet të vazhdojnë betejat. Të gjitha këto janë beteja. P.sh, beteja me tërmetin s’ka mbaruar. Tërmeti ra, por la mbrapa gjithë ato fatkeqësi. Do mbarojmë betejën me pandeminë e COVID-it, me infektimet, me gjithë këtë siklet të madh. Gjithashtu betejën me shëndetsinë që ta bëjmë siç duhet në të gjitha drejtimet. Vaksinimin do ta bëjmë po ashtu. Fshatrat po ashtu kanë shumë punë për të bërë. Çfarë vjen për keq, duhet ta kthejmë për mirë. Tërmeti erdhi për keq, por pas gjithë kësaj vuajtje u kthye për mirë. Tani keni një shtëpi të re që ndoshta vetë nuk do ta kishit bërë dot kurrë. Është për ju, është për fëmijët tuaj. Janë mijëra familje që do të hynë në një shtëpi shumë më të mirë, më të fortë dhe më të madhe në shumicën dërrmuese të rasteve sesa ajo që kishin. Tani, fëmiljët shkojnë në shkollat më të bukura të Shqipërisë, se ishin në shkolla të vjetra, akoma të parindërtuara. Edhe për qendrat shëndetsore po ashtu, edhe për spitalet. Po kthehet për mirë e gjitha kjo, por duhet durim i madh.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.