Cikli i bashkëbisedimeve me qytetarët vijoi këtë të shtunë, në kryeqytet. Kryeministri Edi Rama, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj diskutuan me qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, mbi çështje, problematika shqetësuese, projekte dhe perspektivën për zhvillim të kryeqytetit.
Ecuria e procesit të rindërtimit ka marrë një vëmendje shumë të madhe nga qytetarët, të cilët bashkëbisedimin e nisën me një pyetje mbi këtë temë. Interesimit të një banoreje të njësisë 4, nëse pallatet që do të shemben në Tiranë, do të ndërtohen në të njëjtin vend apo në një lagje të re, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:
Unë besoj që është e natyrshme që secili të ketë atë ngurrimin që nga një shtëpi që ka jetuar në një pallat për shumë vite dhe është mësuar me atë destinacion, me atë komunitet, të spostohet në një shtëpi tjetër, ku ndërtohet një lagje e re nga e para. Por unë jam i bindur që të gjithë ata që do të hyjnë në këto lagje të reja do të ndihen shumë më mirë dhe në një kuptim, fatkeqësia do të kthehet në një mundësi të madhe, të re për të patur kushte shumë më të mira, jo vetëm sa i përket apartamenteve, por të gjithë zonës, të gjithë mjedisit përreth, sepse lagjet e reja që ndërtohen nga e para na japin mundësinë që qysh në projekt, qysh në themele, ne të planifikojmë gjithçka që i duhet një lagjeje, duke patur afër shërbimet esenciale, kopshtin, shkollën, qendrën shëndetësore. E sigurisht, duke patur një mjedis nga pikëpamja e hapësirës dhe përmasës së gjelbër shumë më cilësor sesa aty ku fatkeqësisht ka goditur tërmeti. Kështu që ajo që ne po bëjmë në të gjitha qytetet e goditura është që në vendet ku është e mundur dhe ku ka arsye për të rindërtuar pallatin aty ku është prishur, kjo gjë po bëhet. Në Durrës janë një numër i caktuar pallatesh që po ndërtohen po aty. Aty ku vërtetë nuk ja vlen të ndërtohet në të njëjtin vend për vetë cilësinë e jetës që ofron ai mjedis, banorëve ju jepet mundësia të marrin një shtëpi të re në një lagje të re, që sigurisht nuk është në anën tjetër të qytetit, por është përsëri në të njëjtën zone, në të njëjtin pellg.
-Lidhur me afatet e përfundimit të banesave të reja në tërësi dhe në njësinë numër 6 në Tiranë në veçanti, Kryeministri Rama u shpreh:
Unë besoj se për të qenë brenda për të gjitha afatet se puna ka gjithmonë të papriturat e veta, por përsa i përket shtëpive individuale, deri në fillim të shtatorit, pra, deri në fillim të vjeshtës, të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë e tyre individuale do të jenë kthyer në shtëpi. Normalisht, kjo gjë mund të ndodhë më shpejt, por për t’i lënë hapsirë edhe shtyrjeve të mundshme që vijnë si rezultat i rrethanave që nuk janë në dorën tonë, – p.sh, një nga kontratat që ne duhet të lidhnim u shty se në garën për shtëpitë individuale në një zonë lart nuk u paraqitën kompani si rezultat i vështirësisë së madhe të ndërtimit, pasi shtëpitë e asaj kontrate ishin në pika shumë të largëta gjeografike, në fshatra shumë të largët dhe kjo për kompanitë mesa duket ishte pa interes nga pikëpamja ekonomike, procesi u shty përsëri. Kështu që ka të tilla gjëra që e bëjnë procesin nganjëhere të jetë më i zgjatur sesa parashikimi. Normalisht, deri në qershor shumica dërrmuese do të jenë sistemuar, flas për shtëpitë individuale, por në të gjitha rastet, sido që të jetë puna, askush që ka humbur shtëpinë nuk do të mbetet pa u rikthyer në shtëpi pas fillimit të shtatorit.
Ne kemi bërë të mundur ndërkohë që të gjithë ata që sot nuk kanë mundësinë të kthehen në shtëpi të vazhdojnë të rrijnë me qera, që është një zgjidhje shumë e mire, sepse të gjithëve ju jep mundësinë që sidoqoftë të jetojnë në shtëpi. Qeraja paguhet nga shteti dhe familjet qetësisht presin që të kthehen në shtëpi. Në momentin e pare, ne kemi patur 11.200 familje në çadër. Sot janë vetëm 633 familje në çadër. Janë familje, të cilat jetojnë në zona rurale e që sidoqoftë e marrin bonusin e qerasë, por për zgjedhjen e tyre, për faktin se duan të jenë pranë truallit ku kanë gjënë e gjallë, ku kanë tokën apo për çfarëdolloj arsye tjetër, ata jane ende në çadër. Sidoqoftë ata e marrin bonusin e qerasë dhe ky bonus do të vazhdojë të paguhet një më një nga shteti për çdo familje deri në ditën kur do të hyjë në shtëpinë e re.
Sa i përket aparatmenteve, unë besoj që deri në fund të vitit të ardhshëm do të jetë mbyllur gjithë procesi i rindërtimit edhe i apartamenteve. Ҫka ne po bëjmë tani është një kontratë porosie që secili ta ketë shumë të qartë që ky është një proces detyrimesh nga ana e shtetit dhe në ndërkohë, në kontratën e porosisë do të ketë dhe afate. Për afatet e shkelura, që mund të shkelen për arsye objektive që, siç e thashë dhe më parë, mund të ketë një vonesë në kantier, do të vendosen penalitetet në dëm të shtetit, në mënyër që shteti të jetë një partner shumë korrekt i qytetarëve. Besoj se deri në fund të vitit të ardhshëm nuk do të ketë më asnjë gjurmë nga tërmeti, përkundrazi, të gjithë dëmet e shkaktuara nga tërmeti, jo vetëm do të jenë zhdukur, por ato zona e pika të prekura do të jenë dëshmia e një transformimi rrënjësor, siç e keni parë që po ndodh me shkollat. Ato po rindërtohen dhe janë të pakrahasueshme me ato që ishin. Ashtu do të ndodhë edhe me shtëpitë, ashtu do të ndodhë edhe me apartamentet.
-Pyetjes së një banori të lagjes 14, lidhur me Unazën e Madhe, konkretisht zonën e Astirit dhe faktin se kur do të jetë funksionale, Kryeministri iu përgjigj:
Dua t’i kthehem pak të shkuarës së afërt dhe duke i bërë një apel kujtesës së secilit për gjithë atë periudhë të gjatë kohe që u bllokua ajo zonë nga protestat dhe nga keqkuptimet e manipulimet e mëdha, që u bënë shkak i një tensioni absurd e që mbajti peng, jo vetëm projektin, por edhe hyrjen e qytetit për muaj e muaj të tërë. Siç e mbajnë mend të gjithë, në një orë të caktuar, qarkullimi aty bëhej jashtëzakonisht i vështirë për shkak të bllokimit të rrugës, të nyjes, si rezultat i një proteste që synonte të zmbrapste projektin, por që në thelb ishte një protestë shumë fort e ushqyer politikisht për qëllime që dihen dhe ku viktimat ishin ata që përdoreshin në këtë protestë, edhe pse dalja e tyre ishte e sinqertë dhe besonin se po bënin gjënë e duhur. Pse viktima?!
Viktima sepse ata banorë të asaj zone nga ky projekt janë përfituesit më të mëdhenj. Natyrisht, nga ky projekt përfiton i gjithë qyteti, sepse është transformimi rrënjësor i hyrjes së Tiranës, e cila kthehet në një hyrje me një fluiditet shumë të lartë të qarkullimit dhe zgjidh një problem që në vitet e fundit kishte nisur të bëhej gjithnjë e më shqetësues për shkak të fluksit shumë të lartë të trafikut. Por përfituesit më të mëdhenj janë banorët e gjithë atij pellgu, sepse infrastruktura që po ndërtohet aty do të rrisë në mënyrë të ndjeshme vlerën e pronës së tyre dhe prishjet e bëra për infrastrukturën, së bashku me të gjitha hapsirat e tjera që janë për t’u rindërtuar, do të krijojnë një potencial të madh për të ndërtuar në mënyrë cilësore dhe për të krijuar lagje që janë shumë më pranë dhe shumë më me vlerë nga pikëpamja e pronës.
Me shtyrjen përpara të procesit të zhvillimit në atë zone që vjen vetvetiu si rezultat i një infrastrukture që as nuk krahasohet fare me atë që ishte, që është komplet tjetër nga pikëpamja e standardeve, nga pikëpamja e cilësisë, do të kërkojnë njëkohësisht edhe ndërtimin e infatrukturës shkollore parauniversitare dhe të infrastrukturës shëndetsore, në sensin e qendrave shëndetsore, të shkollave, kopshteve, çerdheve.
Në thelb, unë mendoj që ai projekt do t’i sjellë atyre që protestuan dhe atyre që jetojnë aty e që nuk protestuan, një rritje shumë të ndjeshme të pronës së tyre dhe një mundësi të re për të jetuar në një lagje, në një pellg që është kaq afër qendrës së Tiranës dhe që deri dje dukej kaq larg qendrës së Tiranës, pikërisht si rezultat i mungesës në radhë të parë të këtij projekti.
U bë një debat i madh, absurd, lidhur me kostot e projektit dhe në mënyrë shumë djallëzore dhe hileqare, – “djallëzore” mbase është një fjalë shumë e madhe për t’i dhënë një vlerë mendja e atyre që nuk e ka, po në mënyrë hileqare ushqejnë të tilla konflikte absurde, – duke krijuar idenë që 1 kilometër rrugë ishte me nje kosto aq të madhe, saë bëhej fjalë për një grabitje të shekullit. Në fakt po të shikosh atë që po ndodh aty dhe po të hysh në atë kantier, i cili, kur je duke kaluar me makinë dhe e sheh në sipërfaqe, nuk duket fare, se aty bëhet fjalë për një kantier që zhvillohet 20 metra nën nivelin e Lanës. Aty bëhet fjalë për 5 tunele që po ndërtohen dhe për një projekt kaq kompleks inxhinierik, saqë e kupton fare mirë që kilometrat e rrugëve nuk janë si metrat e teritalit që kushtojnë njësoj. Kilometrat e rrugëve varen nga çfarë ndëtohet në atë kilometër, varet ku është ai kilometër, sepse mund të jetë një kilometër në mes të qytetit, ose mund të jetë një kilometër përmes një zone ish kënete, që janë dy sipërfaqe toke krejt të ndryshme. E nëse në një kilometër në mes të qytetit, ose në mes të një zone shkëmbore është tjetër struktura mbajtëse e gjithë atyre peshave që do kalojnë, në një zonë kënetore është tjetër. Pastaj varet se çfarë do të ndërtohet në atë kilometër. Është një kilometër linear rruge që shtron shtresat dhe hedh asfaltin, apo është një kilometër që ka tunel brenda, që ka urë brenda, që ka nyje e kështu me radhë. E them këtë sepse është momenti për ta sqaruar me fakte. Kjo që unë po flas është atje. Nuk është një projekt që tregohet me video apo me letra ku njerëzit, duke qenë mosbesues, thonë këto janë letra dhe janë 3D. Ky është një projekt që po ndërtohet atje. Unë shpresoj që njerezit të mos bien pre e këtyre lloj mjeteve të ulëta të propagandës kundër projekteve, ku predikohet për çmimin marramendës të një projekti, ndërkohë që thelbi është çfarë ndërtohet përgjatë atij kilometri dhe ku ndërtohet ai kilometër.
-Një pyetje tjetër mbi tregun ushqimor për zonat rurale, i cili momentalisht është i vetmi treg dhe ndodhet në Kashar, duke bërë që distanca me njësitë e tjera, Farkë, Petrelë, Baldushk, të jetë shumë e madhe. Lidhur me bujqësinë në tërësi dhe zhvillimin që po merr ky sektor, Kryeministri Rama u shpreh:
Unë besoj që ka një sërë sektorësh dhe një sërë fushash brenda sektorëve që për shkak se nuk marrin vëmendje mediatike dhe për shkak se nuk janë në fokus të interesit, debatit publik, kanë një ecuri positive. Faktikisht kanë hyrë në një fazë krejt të re zhvillimi, larg syve të atyre që nuk janë përfshirë drejtëpërdrejtë në këto fusha. Në ndërkohë, perceptimi i njerëzve që jetojnë në qytet ose që jetojnë në distancë lidhur me bujqësinë e prodhimin bujqësor është perceptimi i vjetër, kur sektori ishte realisht në krizë të madhe për 1001 arsye.
Unë do t’u jap vetëm pak të dhëna, për të thënë jo që bujqësia shqiptare po lulëzon në kuptimin e një mrekullie, por për të thënë që rruga është e duhura dhe vazhdimi në këtë rrugë është i domosdoshëm.
Sot punohet dyfishi i tokës bujqësore që punohej para 7 vitesh. Është faktikisht një e dhënë që duhet t’i mjaftojë kujtdo që do të dijë se çfarë ka ndodhur me bujqësinë, për të kuptuar ndryshimin. Kur ne kemi ardhur në qeveri, në Shqipëri punoheshin 125 mijë hektarë tokë prodhuese. Sot janë 240 mijë hektarë tokë. Kur ne kemi ardhur në qeveri, Shqipëria eksportonte 1 dhe importonte 7 në volum prodhimi bujqësor. Sot, Shqipëria eksporton 1 dhe importon 3. Është përgjysmuar ky raport sepse sot, Shqipëria prodhon më shumë, sepse ka më shumë prodhim bujqësor vendas në treg dhe ka më pak nevojë për prodhim nga jashtë.
Duhet theksuar që ky nuk është absolutisht maksimumi. Nuk jemi në asnjë fushë. Edhe bujqësia është sot si një kantier i rindërtimit. Kantieret e rindërtimit sot janë ende në një fazë që nuk garantojnë një banim dhe cilësi banimi, siç njerëzit presin, sepse nuk kanë mbaruar, nuk janë të banueshëm, por ai territor ku ka një kantier ndërtimi, sot nuk është siç ishte të nesërmen e tërmetit.
Shqipëria që ne gjetëm ishte njësoj në çdo fushë, siç ishte Shqipëria të nesërmen e tërmetit. Tërmeti në financa, tërmeti në bujqësi, tërmeti në arsim, tërmeti në shëndetësi e në çdo fushë tjetër kishte ndodhur gradualisht, nuk ndodhi me një goditje të vetme, siç ndodhi me piramidat në ’97-ën. Shumë shpejt, Shqipëria nuk do mund të paguante më rrogat dhe pensionet në rrugën që ishte futur. Sot, ne kemi pastruar shumë rrënoja të atij tërmeti, kemi hapur themelet, kemi ngritur karabinatë e na duhet të vazhojmë me armaturat, për të pasur jo më një kantier, por një vend të banueshëm qetësisht.
Në bujqësi kemi nevojë të shtyjmë fort përpara çka ka filluar me përpunimin. Kemi gjetur një territor ku pikat e grumbullimit numëroheshin me gishta. Sot kemi shumë të tilla. Duhen akoma më shumë, por kemi shumë më shumë seç kishim. Këtu çështja është që e mira harrohet shpejt. Prodhimi ka filluar të riorganizohet komplet, sepse fshatarët nuk kanë nevojë të dalin me trasta në krahë, por shkojnë në pikat e grumbullimit. Kemi një sërë fabrikash që bëjnë grumbullimin dhe kjo është rruga për të vazhduar e thelluar transformimin. Puna nuk shkon vaj gjatë rrugës, sepse ka gjëra që shkojnë keq. Janë 10900 aplikimet e para për të marrë naftën falas në bujqësi. Që do të thotë se gjithë pjesa që paguhej 3 taksa brenda naftës, e gjithë sasia që një fermer paguante për këtë, do ta marrë falas.
E di shumë mirë që kur flasim për Unazën e Madhe, për bulevardin, për qendrat e qyteteve etj., ka plot njerë që thonë që tek fshati im nuk është bërë asgjë. Ka shumë si ai, nuk është e vetmja. Sot ka shumë rrugë, qendra shëndetësore për turp. Por a ka mundësi teorike, se praktike s’ka, që në 7vjet e kusur të bëhen të gjitha ato që jo nuk u bënë, por u shkatërruan me dekada. Është turpi ynë që kemi 7 vjet e gjysëm për t’i vënë gjërat në vijë apo, është turpi i atyre që për vite e vite i lanë gjërat në rrjedhë të loirë e të shkonin deri në këtë pikë që deri në 2013 ishte si vendi si Thumana pas tërmetit, në sensin punëve të brendisë. Si bëhen brenda 7 viteve gjithë rrugët e fshatit! Nuk e kemi patur mundësinë ta bënim naftën falas më pare, sepse, nëse bëhet falas për fermerët, këtë e paguan shteti. Nëse kemi bërë një ndryshim të sistemit të taksave, barrën e ka marrë shteti, sepse për çdo taksë që ulim, heqim nga arka e shtetit para. Ndërkohë, njerëzit nuk thonë ma hiq taksën dhe mos ma bëj kopshtin, çerdhën, apo spitalin. Ato bëhen me të ardhura që vijnë nga taksat. Përmbysja që kemi bërë ka qenë e tillë që kemi hequr thuajse një miliardë nga arka, për t’ua lënë njerëzve në xhep. Deri dje, taksa ishte 10% për të gjithë. Ne e kthyem në progresive dhe të gjitha kategoritë deri në 1,6 milionë rrogë, paguajnë më pak sesa paguanin dje.
Po, ka gjëra që janë problem, por këto mund të zgjidhen vetëm duke vazhduar punën për të krijuar mundësi të reja.
Sot kisha postuar projektin e Portit të Durrësit. Ai projekt, jo thjesht do transformojë Portin e Durrësit, por do ndikojë në ekonominë kombëtare, sepse do krijojë të ardhura që nuk i kemi sot. Transformimi i tij do sjellë të ardhura të pallogaritshme. Nuk është efekti i drejtpërdrejtë tek punësimi i njerëzve aty, sa turistë do vijnë aty e do mbajnë një zinxhir të tërë shërbimesh në këmbë, por sa të tjerë do njohin Shqipërinë, do tërhiqen nga Shqipëria, jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të investuar. Para disa vitesh nuk flitej me investitorët e huaj për të ardhur e për të investuar këtu për shkak të situatës, imazhit, shtetit etj..
– Kryeministri Rama u pyet gjatë bashkëbisedimit me qytetarët edhe mbi furnizimin me ujë 24 orë në zonat e tjera të Tiranës përveç qendrës së saj, për të cilë ntha se:
Tema e ujit të pijshëm është një temë shumë e vjetër dhe unë e mirëkuptoj këdo që bën ironi dhe thotë bota çon raketat në kozmos, ju flisni akoma për ujin por si t’ia bëjmë? Si ta shmangim që mos flasim? Dhe I kthehem përsëri pikënisjes, 7 vjet më parë dhe sot. Sot ne I kemi në kantier të gjitha bashkitë për ujin e pijshëm dhe brenda 2022, prandaj është shumë e rëndësishme të thuhet se ku ishim por brenda 2022, një pjesë brenda këtij viti por brenda 2022 në të gjitha zonat urbane ne do kemi mbyllur këtë temë.
E kujt është këtu përgjegjësia? Për cilën arsye unë duhet të jap llogari edhe për çfarë nuk u bë me dekada më parë apo duhet të mbaj peshën e atyre që nuk u bënë më përpara vetëm në këtë hark të shkurtër kohe?
Edhe këtu është përsëri nevoja për të thënë që nuk ka shkop magjik. Nuk ka mundësi teorike jo praktike që në këtë hark kohor të ishin bërë të gjithë ujësjellësit e Shqipërisë. Nuk ka, se po të kishte të jeni të sigurt që do i kishim bërë por ama edhe për Tiranën, të mos harrojmë çfarë ka ndodhur me ujin. Nuk është thjesht problemi që çfarë është investuar apo çfarë nuk është investuar. Problemi është që uji në Shqipëri ka qenë një mall që është vjedhur më shumë se sa energjia dhe sistemet e trashëguara të ujësjellësve kanë dalë jashtë përdorimit në masën dërrmuese, e para sepse në bashki si Tirana apo në bashkitë ku është rritur popullsia, faktikisht nuk e kanë mbajtur dot më gjithë atë volum nevoje e detyrimisht mundësia për të furnizuar 24 orë është asgjësuar por e dyta, përveç se është rritur popullsia, shpimet e paligjshme për të marrë ujë nga sistemi, duke e vjedhur, janë qindra e mijëra.
Në këtë fushë ne kemi gjetur një zonë të minuar nga A-ja tek ZH-ja dhe nuk është e lehtë. Nëse energjia është jetike, uji është jeta e nuk është e lehtë të funksionosh siç funksionuam me energjinë elektrike që sot kemi një sistem komplet tjetër.
– Në Tiranë është e përqendruar pjesa më e madhe e ekonomisë së Shqipërisë, çfarë plani keni ju për këtë sektor të vendit, ishte një nga pyetjet që iu drejtua kryeministrit Rama, të cilës ai iu përgjigj:
Kryeministri Edi Rama: E para, për ne është shumë e rëndësishme që të stimulojmë maksimalisht individët dhe biznesin e vogël. Kur them individët do me thënë njerëzit që punojnë. Qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat. Stimulimi i punës së individit është patjetër A-ja që sjell biznesi i vogël sepse është një motor vetëpunësimi dhe punësimi. Sot ne jemi i vetmi vend në Europë e në rajon që kemi zero taksën e biznesit të vogël. Nëse ti do të hapësh një zyrë, biznes të vogël, për të ofruar shërbimet e tua, ti e ke taksën zero dhe TVSH-në zero.
E dyta, ne jemi duke finalizuar vizionin e 2030 dhe planin e veprimit për 2021-2025, ne duam të bëjmë dy ndërhyrje tek kontributet nga puna e individëve, pra tek të ardhurat që i kalojnë shtetit. Një ndërhyrje është që të rrisim në 1janar të 2023 fashën e pa tatueshme nga paga, pra sot deri në 300 mijë lekë nuk taksohesh, pra paga minimale është e pataksueshme, ta bëjmë të pataksueshme 400 mijë lekë dhe taksimi mbi pagën të fillojë mbi 400 mijë lekëshin e të shtrimë në 1 janar të 2022, jo më shpejt, të shtrimë më lart fashën e atyre që marrin deri në 2 milionë nga rroga, të vjetra, duke e cuar përtej dy milionëshit fillimin e numërimit me 23% dhe këtu dua të bëj një sqarim, që 23% i tatimit nuk është 23% i të jgithë shumës por 23% që fillon nga 300 mijëshi. Nëse ti merr sot 2 milionë, 23% është që nga 300 mijëshi deri tek 2 milionëshi.
Tjetra është që sigurisht që duam të rrisim pagën minimale e faktikisht pagën minimale sot e kemi fiksuar në 300 mijë por është shumë më pak se sa duhet të jetë. Kjo për pjesën e individëve dhe biznesit të vogël.
Tek biznesi i madh ne nuk do ndryshojmë. Për ne taksa e sheshtë është taksa e favorizimit të të pasurve dhe e goditjes së të varfërve. Këta që flasin për oligarkë duan që nëse ndodh kjo, vetëm këtë imagjinoni, nëse ndodh kjo që bëjmë llogarinë, me taksën e sheshtë 9% janë brenda një mandati, vetëm nga taksat, ulja e taksës, janë afro 250 milionë euro që nuk i marrim dot më për shkolla e për kopshte e për çerdhe e për spitale.
Ndërkohë, për të rritur më tutje ekonominë ne na duhen investime publike më shumë dhe sidomos investime private. Në aspektin e investimeve publike ne po bëjmë e do vazhdojmë të bëjmë volumin më të madh të investimeve publike që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Në aspektin e investimeve private, ne shikojmë një perspektivë shumë pozitive tanimë, sepse tanimë është krijuar besimi i investitorëve dhe investimi tek projekti i portit të Durrësit është domethënës në këtë drejtim, është investim që do ta rrisë më tutje besimin që në Shqipëri mund të investosh për gjëra të mëdha.