Në Farkë të Tiranës janë 126 shtëpi të reja, të cilat ditë pas dite po zenë vendin e rrënojave, duke krijuar edhe një mundësi të re për kurorat e çdo shtëpie të rrënuar, që të përfitojnë shtëpi më vete.
Gon Fusha, banor i këtij fshati, përfitues së bashku me vëllain e tij të dy shtëpive 3+1, mikpriti sot Kryeministrin Rama në shtëpinë e re, që nuk ka të krahasuar me banesën që humbën, tejet e amortizuar, rrënojat e të cilës ndodhen ende në oborrin e tyre. Shtëpia e tyre është në lotin e tretë të shtëpive që po ndërtohen në këtë zonë, ku ndodhen 49 të tilla.
“Është një familje që ka zgjidhur edhe çështjen e tërmetit, edhe të strehimit pasi të dy vëllezërit kanë qenë bashkë në një çati dhe sot kanë dy shtëpi me nga 3+1” – shprehet ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, i cili shton se “Tirana do të ketë edhe dymijë njësi individuale pas aplikimeve të dhjetorit që i hapëm edhe njëherë dhe vlerësimit që po vazhdon të bëjë Bashkia e Tiranës, duke bërë që numri i njësive individuale ta kalojë 5 mijë.”
Solidariteti dhe miqësia mes banorëve është karakteristike për këtë zonë. Shtëpia e radhës është ajo një çifti të ri nga Bulqiza, që janë të ardhur në fshat, por ndihen si të ishin prej kohësh banorë të tij, falë miqësisë së ofruar nga fqinjët. “Ju falënderojmë nga zemra”, – shprehet gjatë bisedës me Kryeministrin, fqinji i çiftit, i cili pohon se ndryshimi është shumë i dukshëm në të gjithë fshatin e tyre.