Prononcim për mediat i Kryeministrit Edi Rama pas vizitës në qendrën e vaksinimit në ambientet e stadiumit Air Albania, për Tiranën, për të ndjekur procesin e vaksinimit:
– Si po shkon procesi i vaksinimit dhe a do të nisë sot edhe vaksinimi në qendrat rezidenciale për të moshuarit në Tiranë?
Kryeministri Edi Rama: Po, ka nisur. Aty ishim më përpara, tek shtëpia e të moshuarve në Tiranë dhe të moshuar që janë në kujdesin shtetëror në shtëpitë e të moshuarve, plus, stafi, i cili ka bërë një punë heroike, sepse për dijeninë tuaj, shtëpitë e të moshuarve kanë qenë pikat e tragjedive më kolektive, po themi, në disa vende të Europës si rezultat i hyrjes së virusit. Ka pasur raste tragjike, ku janë shuar të gjithë të moshuarit, ndërkohë që këtu, stafi është mbyllur bashkë me ta që ditën e parë, kanë jetuar brenda e duke bërë këtë sakrificë, kanë shpëtuar jetët e këtyre të moshuarve. Nuk kemi pasur asnjë humbje jete si rezultat i bllokimit total dhe i karantinimit total.
Për rreth 1000 persona, vaksinimi do të përfundojë këtë javë, ndërkohë që po shtrihet në të gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Këtu janë sot prezentë mjekë, infermierë nga Durrësi, Mati, Bulqiza e ndërkohë nesër, në mos gabohem, ne do të jemi në Vlorë. Do të vazhdojmë dhe në zonën poshtë, do të vazhdojmë njëkohësisht këtu me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete, të cilat duhet t’i mbajmë me gjithçka mundemi sa më mirë e jo thjesht të kujtohemi kur të ndahen nga jeta e të mbajmë fjalime.
Presim nga dita në ditë të kemi një konfirmim të rëndësishëm për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, një orë e më parë.
Mbrëmë kemi pasur një tjetër kontakt me një tjetër shtet mik në kuadrin e kontakteve që kemi stabilizuar me disa shtete. Përsëri, edhe aty kemi shumë shpresë realiste që do të kemi një sasi tjetër. Mbetemi shumë të bindur që skenari A, ai i vaksinimit të të gjithë popullatës, natyrisht, atyre që duan të vaksinohen sepse nuk është me detyrim, të realizohet. Që do të thotë brenda 14 muajsh, ne të kemi kryer të gjithë vaksinimin.
– Zoti Rama, është parë që sa herë që vijnë vaksinat, ju i prisni kutitë e tyre në aeroport. A do e vazhdoni këtë traditë?
Kryeministri Edi Rama: Kur erdhën vaksinat në fillim e nuk i prita unë në aeroport, ju e hapët syrin shumë fort, se kështu edhe quheni dhe pretenduat të kundërtën, që pse vijnë fshehtas, pse nuk i shohim, në vende të tjera dalin vetë kryeministrat. Këta po sjellin vaksina false, po sjellin ujë fiziologjik, po bëjnë propagandë. Kur shkojmë, është e kundërta, pse shkojnë, çfarë është kjo propagandë. Duke qenë se njerëzimi dhe veçanërisht kombi ynë ndër shekuj nuk e zgjidhi dot kurrë dilemën se çfarë uji t’i japë gomarit, unë kam vendosur të bëj atë që mendoj që është e drejtë e pastaj, sipas rastit e vlerëson gomari, a duhet i ngrohtë apo duhej i ftohtë.
– Gomari në këtë rast?
Kryeministri Edi Rama: Gomari jam unë kuptohet, se unë mbaj ngarkesën, unë marr të sharat, por kam një të mirë që jam gomar që e çoj në destinacion ngarkesën, gjithmonë, pavarësisht se ata që Faik Konica i quan dembelët aktivë të Shqipërisë, nuk më lënë rehat në asnjë moment. Megjithatë jam mësuar dhe me ta se ma bëjnë më të lehtë rrugën, më japin më shumë energji, më japin më shumë vendosmëri.
Edhe një gjë tjetër do shtoja unë, kjo shprehja “fola me mjekë”. Natyrisht, këtu ka liri fjale dhe ka çdokush të drejtën të flasë. E natyrisht, në morinë e fjalëve që thuhen, ka dhe shumë broçkulla, që të jemi të qartë. Ashtu sikundër, ajo që po ndodh, është insistimi për të skandalizuar publikun me dëshmitarë që dalin tek gardhet e spitaleve, siç ishte një zonjë, përshembull, që pretendonte që as rrobat e të vdekurit nuk po ia jepnin se ia kishin vjedhur, ndërkohë që rasti ishte shumë i thjeshtë.
– E kishte gjallë personin…
Kryeministri Edi Rama: Po për çfarë po merrte rrobat, nëse e kishte gjallë?
– Ishte transferuar në një spital tjetër.
Kryeministri Edi Rama: Po flasim për dy raste të ndryshme. Jo, unë nuk e kisha për të freskëtin, e kisha për atë që ishte pak më i ndenjur dhe faktikisht, e vërteta e thjeshtë ishte se zonja nuk kishte Kartën e Identitetit me vete. Mori Kartën e Identitetit dhe mori rrobat. Ndërkohë njerëzve iu dha një informacion gjysmak, siç iu dha një informacion gjysmak për ato dy zonjat e tjera që qanin babanë tek gardhi i spitalit, të cilat i ngushëlloj për humbjen e babait, por ndërkohë pjesën tjetër të informacionit ku QSUT-ja dha saktësisht se çfarë dhe si kishte ndodhur e që nuk kishte asnjë të vërtetë me atë deklaratë dhimbjeje, por, njëkohësisht, edhe partie, nuk e dha njeri. Ju lutem shumë, është sensitivitet i lartë i njerëzve, kanë ndjeshmëri shumë me të drejtë. Natyrisht që rastet e abuzuesve dhe të batakçinjve si rasti që u demaskua dhe që vuri prapa hekurave 4 bluza të bardha, që mos qofshin fare e siç mund të ketë raste të tjera, as nuk mjaftojnë e jo më të teprojnë për të njollosur gjithë ata njerëz, gjithë atë personel që ka që një vit sot që bën një punë heroike e që nuk e meriton të gozhdohet nga balta dhe nga lloj – lloj desinformacionesh. Prandaj me shumë respekt për të gjithë njerëzit, të cilët kanë dhimbje, edhe njëherë tjetër, mos i ndodhtë kujt e i ngushëlloj të gjithë, i mirëkuptoj shumë, më tepër ata që nga dhimbja, çdo fatkeqësi ia faturojnë mjekëve, sesa juve që me dhimbjen e tyre bëni propagandë në funksion të njërit – tjetrit apo vetvetes. Për të krijuar audiencë e për të marrë ‘like’. Të jemi të qartë në këtë pikë.
Ne nuk kemi të drejtën të pretendojmë se punë janë perfektë. Punë perfektë nuk ka. Çdo punë ka defekte se përndryshe nuk do ishte punë e ne nuk do ishim njerëz, nëse jemi të pagabueshëm. Por, ju lutem shumë, me sa më shumë vetëdije që në këtë kohë e në këtë situatë, njerëzit kanë nevojë për të vërtetën më shumë se çdo gjë tjetër, për informacionin pluralist më shumë se çdo gjë tjetër e për t’i dëgjuar të dyja palët më shumë se çdo gjë tjetër. Jo çdokush që del përpara tek gardhi i spitalet e tek mikrofoni del vetëm dhe pastaj, e vërteta mbetet jetim.