Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sot, në ambientet e COD në Kryeministri u shpall ankandi për ngritjen e parqeve eolike në vend. Ky hap i rëndësishëm shënon çeljen e një tjetër kapitulli në diversifikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, krahas parqeve fotovoltaike, të cilat synojnë ta kthejnë vendin tonë në një eksportues neto të energjisë elektrike në rajon. Me mbështetjen e ambasadës zvicerane është zhvilluar studimi që përcakton zonat me fizibilitetin më të lartë për prodhimin eolik në vend, që zënë 20% të territorit të vendit dhe nisin nga një lartësi 150 metra mbi nivelin e detit, si dhe të gjitha zonat e mbrojtura ku nuk mund të ndërtohen parqet eolike.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të Shqipërisë 2030 dhe në përmbushjen e ambicies sonë për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht, eksportues të një energjie të gjelbër, të rinovueshme.

Besoj që kujtimi i kohës, kur Shqipëria ishte një zonë rreziku permanent, përsa i takon stabilitetit të saj energjetik, është ende i freskët, ndërkohë sot, ne, jo vetëm prodhojmë 100% energji të rinovueshme, por kemi hyrë në fazën e një transformimi shumë të rëndësishëm të sistemit tonë elektroenergjetik, duke menduar, projektuar dhe realizuar diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike.

Sigurisht që varësia nga moti është një varësi, të cilën e kemi bashkudhëtare në këtë rrugë, si rezultat i prodhimit të përqendruar tërësisht tek shfrytëzimi i fuqisë ujore. Por edhe në këtë aspekt, projekti i hidrocentralit të Skavicës është një lajm shumë i mirë për faktin se na krijon mundësinë që ta ulim në mënyrë drastike këtë varësi nga moti, si rezultat i shfrytëzimit të Skavicës për të krijuar rezervë për kohën kur nuk ka shi dhe nga ana tjetër, për të penguar përfundimisht fatalitetin e përmbytjeve të detyruara.

Sot që flasim, jemi në kantier me parkun fotovoltaik të Karavastasë. Së shpejti do jemi në kantier me parkun fotovoltaik të Spitallës. I pari, një park prej 140 emgavatësh, i dyti prej 100 megavatesh. Të dy sëbashku, një fuqi e re e sistemit tonë elektroenergjetik, të cilës tani i shtohet edhe shfrytëzimi racional i burimeve të energjisë së erës.

Mendoj që kjo do të ishte absolutisht e pamundur të imagjinohej vetëm disa vite më parë, por njëkohësisht do të ishte jo lehtësisht e realizueshme me standardet, me transparencën dhe me cilësinë që po realizohet, në rast se lidershipi i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk do të kishte pasur partnerët e duhur, në vendin dhe kohën e duhur, ku Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbetet një partner konstant. Ndërkohë, përsa i takon kësaj faze të re, ne kemi nderin të kemi dhe partneritetin e qeverisë zvicerane me të cilën kemi një marrëdhënie të materializuar në një proces mbështetjeje financiare, përmes Agjencisë së Ndihmës Zvicerane që na ka garantuar jo vetëm burime financiare, por mbi të gjitha, burime dijeje të çmuara dhe realisht, shumë të nevojshme.

Dua të theksoj që gjithë kjo rrugë transformimi dhe e gjithë kjo qasje e dedikuar në 360 gradë, jo vetëm për të ndërtuar, por dhe për të ndërtuar mirë, jo vetëm për të ndërtuar mirë, por dhe për të ndërtuar në mënyrë të besueshme nga pikëpamja e procesit, si dhe sukseset e pamohueshme të ankandeve të mëparshme, e kanë bërë Shqipërinë sot, në këtë fushë, një destinacion interesi për emrat më të mëdhenj në tregun global të energjisë. E nëse deri përpara jo shumë vitesh do të ishte absolutisht e pamundur të imagjinohej që në Shqipëri të bëheshin ankande e në këto ankande të merrnin pjesë kompani prestigjioze, sot, kjo është një rutinë e një procesi zhvillimi dhe transformimi.

Përfundimisht besoj që i kemi vendosur bazat e po vazhdojmë të ngjitemi drejt asaj maje ku shqiptarët meritojnë e ku ne mund të arrijmë falë edhe shfrytëzimit me mençuri e profesionalizëm të të gjithë këtyre burimeve kaq të pasura natyrore, që do të thotë, në sektorin e energjisë, kthimi i vendit tonë në një eksportues neto i energjisë së pastër në rajon e bën pa diskutim Shqipërinë e vitit 2030 një horizont jo vetëm të arritshëm, por edhe një horizont perspektive të re për gjithë fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.