*Konferenca për median e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në Shkup:
Kryeministri Zoran Zaev: I dashur miku im Edi Rama!
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë!
Sot jam këtu me mikun tim, Edi Ramën. Sot, Europa ka një problem. Ideja e madhe vizionare e Europës së bashkuar ka një problem sot dhe problemi është vetë Bashkimi Europian. Brukseli porositi se Bashkimi Europian nuk ia del të gjejë e të sigurojë integrimin e premtuar të Ballkanit Perëndimor e ky është problemi. Ajo që 27 vende anëtare të Bashkimit Europian nuk ia dalin të pengojnë bllokadën e një vendi anëtar është problem i Europës dhe i shkaktuar nga Bashkimi Europian.
Por ne nuk jemi të vetëm, nuk do mbetemi të vetëm dhe të izoluar. Këtu jam me mikun tim, koleg, shok, vëlla, Edi Ramën dhe që populli jonë maqedonas dhe populli shqiptar para vetes kanë rrugëtimin e njëjtë, kemi vizionin e njëjtë, ndajnë vlera të njëjta e këto janë vlerat europiane e jo politikat e mureve e ndarjeve. Ne nuk ndalemi këtu dhe në këtë rrugë me ne janë së bashkë edhe Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Ne jemi Europë, pavarësisht nëse Europa do të ia dalë të mënjanojë bllokadat ose jo.
Popujt tanë dhe qeveritë tona në mes të Ballkanit demonstrojnë vlera dhe mënyra europiane. Ne, me shpejtësi të madhe jemi nis në mënjanimin e pengesave e kufijve mes nesh që qytetarët, shërbimet dhe mallrat të lëvizin lirshëm. Kemi ide të përbashkëta, sfida të përbashkëta, kultura të përbashkëta dhe popujt tanë vëllazërorë të rajonit. Këtu jam me Kryeministrin Rama, të paralajmërojmë që edhe më shumë do t’i afrojmë popujt tanë
Kemi mesazhe dhe për qytetarët tanë dhe për qytetarët e Europës, politikanët vendas dhe ata të Europës. Alarmi është … [e padëgjueshme] Esenca dhe vlera e bashkëpunimit europian është në pikëpyetje. Vlerat europiane janë të përbashkëta për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por edhe vendet anëtare, vendet për anëtarësim, të cilët pranuan t’i zhvillojnë ato. Këto vlera i afirmojmë nga Ballkani Perëndimor dhe ato janë: inkluziviteti, mobiliteti, toleranca, drejtësia dhe solidariteti. Të gjithë nga Bashkimi Europian duhet të dinë cilat janë ato vlera që janë pranuar dhe i promovojnë si pjesë përbërëse të mënyrës së jetesës europiane dhe se në asnjë mënyrë dhe në asnjë akt, ato vlera nuk duhen të sillen në pikëpyetje, dinjitetin e njeriut, barazinë dhe solidaritetin, sundimin e të drejtës dhe të drejtat e njeriut.
Javën e kaluar, unë dhe delegacioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut shkuam në Sofje me zemër të hapur, me dorë të shtrirë dhe të gatshëm për të bërë një hap pozitiv në drejtim të Republikës së Bullgarisë. Para saj, Kryeministri Rama ishte këtu në Shkup, për të koordinuar punët. Edhe pse bëmë një hap pozitiv përpara, fatkeqësisht, edhe pse mesazhet tona ishin të qarta dhe pa ekuivoke, nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar se tani është momenti të gjendet forca për të thyer bllokadat. Kolegët bullgarë nuk ia dolën të mbledhin fuqi të mjaftueshme për të mundësuar fillimin e negociatave për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Pavarësisht se ishim të vetëdijshëm në pritshmërinë tona, vendimi i Bashkimit Europian për të mos e caktuar konferencën e parë ndërqeveritare me ne dhe me Shqipërinë, megjithatë ishte një dëshpërim i madh, por dhe një mossukses jashtëzakonisht i madh i politikës së Bashkimit Europian për zgjerim dhe është një mesazh i keq për tërë rajonin. Vota e Bullgarisë për të mos e lejuar kornizën negociuese, përkundër qëndrimit të njëzëshëm të 27 vendeve anëtare, mendojmë se nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Pozicioni ynë është i qartë. Ne vlerësojmë se integrimet europiane nuk mund të jenë peng i çështjeve bilaterale. Negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të shndërrohen në negociata me Bullgarinë. Progresi ynë në drejtim të integrimit europian kryesisht duhet të varet nga reformat tona të lidhura me kapitujt, legjislacionin europian dhe arritjen e standarteve europiane. Pikërisht për këtë mendojmë dhe vlerësojmë se negociatat se në këtë kornizë nuk guxojnë të vendosen çështje bilaterale, është një precedent i rrezikshëm dhe ky është qëndrim që e ndajnë të gjitha vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Identiteti kombëtar maqedonas thjesht nukështë e mundur të jetë temë dhe subjekt i negociatave. Treguam guxim dhe vullnet të sinqertë për të zgjidhur marrëdhëniet bilaterale nëpërmjet respektimit të ndërsjellë dhe mbrojtjes së dinjitetit kombëtar. Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe u ul në tavolinë me shtetet më të fuqishme të botës, në krye me SHBA-në. Sot jemi anëtarë të NATO-s dhe partnerë me Shqipërinë dhe vende të tjera të grupit që u bënë anëtare të NATO-s. Vetë Bashkimi Europian mbetet alternativa e vetme strategjike e qëllimeve tona kombëtare, për të cilat ne angazhohemi dhe bëjmë përpjekje të sinqerta.
Vlerat europiane janë edhe të shenjta, sa dhe vetë Bashkimi Europian, nëse nuk ia del t’i mbrojë . Bashkimi Europian nuk ka ekskluzivitet mbi Europën. Liderët europianë duhet seriozisht të marrin parasysh se dështimet, dëshpërimet e pafundta e të përsëritura padyshim se do t’i hapin derën dhe do të inkurajojnë euroskeptikët. Pikërisht për këtë, Bashkimi Europian duhet të gjejë formulën se si ta mbajë fjalën dhe të vazhdojë me zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Ne ende i japim shans procesit dhe mbetemi të përkushtuar në qëllimet tona strategjike për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe implementim të plotë të vlerave dhe standarteve europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëri.
Kam edhe një mesazh. Ata që më njohin, mirë e dinë që unë nuk heq dorë lehtë. Ata që nuk më njohin, le ta dinë se unë nuk do heq dorë. Do shkoj edhe një herë në Sofje, sërisht e sërisht e do të kërkoj zgjidhje. Ne do t’ia dalim ta arrijmë këtë qëllimi. Maqedonia është Europë, Shqipëria është Europë, Ballkani është Europë.
Kryeminisri Edi Rama: Rastësia e solli që në të njëjtën ditë kur duhet të flisnim për atë që nuk ndodhi në Bruksel, të jemi këtu në një Forum të rëndësishëm Ekonomik. Unë besoj që kjo është një mundësi për të thënë se çfarëdo ndodh apo nuk ndodh në Bruksel, ne jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë me të gjitha forcat të rrisim ekonominë, të rrisim mirëqenien, të rrisim krenarinë dhe forcën e dinjitetit të popujve tanë. Bashkimi Europian mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, mund të caktojë data, por BE-ja nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Europës, as kulturën tonë dhe identitetin tonë europian, as të ardhmen e popujve tanë si popuj europianë, në familjen europiane, në shtete europiane, me standarde politike, institucionale, ekonomike europiane.
Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe e ka rikonfirmuar zgjedhjen e saj qysh në epokën e Rilindjes Kombëtare. Për shqiptarët, dielli lind aty ku perëndon dhe e ardhmja jonë është aty ku Zoti na ka caktuar të kemi tokën tonë, në zemër të Europës.
Për mua në fakt, në këtë pikë, kemi një dallim jo problematik me Zoranin, sepse për mua nuk ka ndodhur asgjë tjetër, përveç se Bashkimi Europian ka dështuar përsëri të mbajë premtimin, t’i rrijë angazhimit dhe të jetë në qëndrimin e duhur. Jeta vazhdon dhe progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat, sepse ai nuk është i imponuar nga jashtë, por është i imponuar nga brenda nesh.
Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë të gatshme të shtynë përpara, pa rezerva, sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e Bashkimit Europian dhe nëse ne nuk e ndryshojmë dot mënyrën e funksionimit të Bashkimit Europian – në raport me ne, – ne mund, duhet dhe do të ndryshojmë vijimisht mënyrën e funksionimit tonë në raport me njëri-tjetrin. Dhe shkrirja e kufijve mes nesh, për ta kthyer rajonin tonë në hapësirën e zbatimit të plotë të të katër lirive të Bashkimit Europian, lirisë së lëvizjes së njerëzve, lirisë së lëvizjes se mallrave, lirisë së lëvizjes së shërbimeve dhe të kapitaleve, do të vazhdojë pa u ndalur sepse ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të forta duke qëndruar të ndarë nga njëri-tjetri dhe përndryshe, ne jemi mjaftueshëm të mëdhenj, nëse me njëri-tjetrin e kthejmë rajonin në një hapësirë të përbashkët ekonomike.
– Pyetje [e padëgjueshme]
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka të bëjë me ne, aspak. Ka të bëjë me vetë Bashkimin Europian. Edhe një herë, nuk jam i shqetësuar dhe nuk është se sinqerisht po humbas gjumin për këtë, sepse kam gjëra shumë më të rëndësishme për të mbetur pa gjumë. Ajo çfarë është thelbësore është se kemi bërë punën tonë dhe si ne, ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë thënë që kemi bërë punën tonë dhe kaq është e gjitha. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sepse puna jonë nuk ka mbaruar dhe kur ata të jenë gati, duhet të na e thonë.
Sfida për ne është të ndërtojmë një shtet europian, institucione europiane, standarde europiane, ekonomikisht dhe nga pikëpamja sociale, këtu në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo është ajo çfarë kërkojnë fëmijët tanë dhe kjo është ajo çka meritojnë vendet tona. Më pas, nëse vendosin që të ecim më përpara në proces, jemi shumë të lumtur. Nëse jo, sinqerisht nuk jam i palumtur.
– Pyetje [e padëgjueshme]
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk do të thoja qëndrimi bullgar. Çdo vend, çdo shtet në BE mund të ketë momentet e veta të shkëputjes nga pjesa tjetër e familjes së Bashkimit Europian, por, siç e tha Zorani, kjo nuk ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut dhe Europën. Kjo lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Kaq e thjeshtë dhe kjo është arsyeja, pse kjo është një përvojë e tillë. Megjithatë mendoj që unë dhe Zorani jemi lexuesit më të mëdhenj të Samuel Beckett, “Në pritje të Godosë”, por në të kundër të krijesave të Samuel Beckett, Vladimiri dhe Estragoni, ne nuk po presim, ne po ecim përpara. Ne po shtyjmë gjithmonë e më përpara, për ta bërë jetën e popujve tanë, jetën e vendeve tona më të mirë e për t’i bërë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë shtete europiane, me standardet e një vendi anëtar. Në rregull? Pra, çfarë mund të bëjmë më shumë? Ne e duam Bashkimin Europian, i duam të gjithë. Ata na thonë që na duan, por nuk janë gati të martohen. Në rregull, ne shijojmë lirinë, derisa të martohemi.
Kryeministri Zoran Zaev: Mund t’i shtoj vetëm diçka asaj çka tha Edi. Jam shumë dakord me të, sidomos është e padrejte karshi Shqipërisë. Edhe për ne është e padrejtë por sidomos është e padrejtë për Shqipërinë, sepse, siç e përmenda, është një çështje europiane e duhet ta gjejmë zgjidhjen përmes Bashkimit Europian, pasi është vetëm hapi i mëtejshëm drejt integrimit në Bashkimin Europian. Siç e përmendi Kryeministri Rama, e dimë që nuk do të jemi që nesër vende anëtare. Do duhen 5, 7, 15 vjet, por ka të bëjë me të mbajturit të motivuar, për të vijuar europianizimin përmes procesit europian, përmes kapitujve, përmes të gjithë aspekteve të kapitujve përmes metodologjisë së re, sepse ideja është të europianizojmë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kur Europa të jetë gati, ne jemi gati që dikur të bëhemi shtete anëtare. E për shkak të kësaj do të vazhdojë të europianizojmë vendet tona, pasi kjo është ajo çka qytetarët, të rinjtë, fëmijët tanë presin prej nesh.
Kryeministri Edi Rama: Të kërkosh drejtësi nga procesi i integrimit të Bashkimit Europian është njësoj si të kërkosh një punë të lumtur nga Samuel Beckett. Po, presim Godonë.
Kryeministri Zoran Zaev: Do të jap përgjigje, së pari me Tweet-in për përfaqësuesit tanë. Ka lojtarë maqedonas, ka lojtarë boshnjakë, ka lojtarë të tjerë dhe maqedonas janë ata që luajnë dhe që përfaqësojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kjo është e vërtetë, bazuar në Marrëveshjen e Prespës. Por kjo nuk është arsye për të shtyrë memorandumet e marrëveshjet në parlamentin grek, sepse kemi pritur për dy vjet që këto memorandume e marrëveshje të kalojnë në parlamentin grek. Mund të presim edhe tre muaj të tjerë, por qytetarët tanë, maqedonas, grekë e presin një gjë të tillë, sepse kjo është çështje e bashkëpunimit ekonomik, sepse është çështje e mbulimit të hapësirës ajrore nga forcat greke në përputhje me standardet e NATO-s dhe e treta ka të bëjë me mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për integrimin në BE që grekët e bënë në fakt, dje në mbledhjen e Këshillit kanë bërë të njëjtën gjë. Gjithashtu, e kanë bërë dhe përpara, kanë luftuar për fqinjët, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Natyrisht, unë përcjell një mesazh përherë miqësor, sepse besoj në Marrëveshjen e Prespës. E kam bërë bashkë me mikun tim të mirë, Alexis Tsipras. Ajo ka përfitime për të dyja palët, për të dyja vendet, për të dy popujt dhe jam i pari që e zbatoj këtë Marrëveshje. Ndonjëherë bëjmë edhe gabime, saktësisht për shkak të kësaj Marrëveshjeje. Megjithatë unë jam 47-vjeçar. Kështu që, për një gjë që ka ndodhur 47 vjet është e vështirë që, si të thuash, ta përsëritësh apo ta …[e pakuptueshme]. Megjithatë është më e rëndësishme, sepse Marrëveshja e Prespës sjell përfitim të ndërsjellë ndaj qytetarëve tanë. Dje ka patur një reagim zyrtar nga qeveria. Ne nuk ulemi të flasim me kolegun Ali Ahmeti për këtë çështje. Na duhet të përqendrohemi tek çështjet ekonomike, tek programi i gjelbër. Këtu jemi të dedikuar. Duhet të përqendrohemi tek europianizimi i Maqedonisë së Veriut. Kjo është vëmendja kryesore.
– Pyetje [e padëgjueshme]
Kryeministri Edi Rama: Po ta shihja do të isha magjistar. Askush nuk e shikon. Por jam i sigurt që Zorani është 10 vjet më i ri se unë dhe ka 10 vjet kohë për ta zgjidhur.
– Pyetje [e padëgjueshme]
Kryeministri Edi Rama: Shengeni Rajonal, siç e quaj unë – sepse këto me “mini” nuk i kam pjesë të sfidave të mia, – nuk është alternativë e BE-së, por është domosdoshmëri për të ardhmen e ekonomive tona, e fëmijëve tanë dhe e paqes së sigurt në këtë zonë. Kush ngatërron Shengenin Rajonal, pra, zbatimin e katër lirive të BE-së me një alternativë të vetë BE-së ose nuk kupton, ose nuk do të kuptojë sepse është absurde të mendosh se duke qenë se ne duam të gjithë të jemi pjesë e BE-së, duhet të rrimë me kurriz nga njëri-tjetri në këtë rajon. Është absurde të mendosh se duke qenë se ne të gjithë duam të integrohemi në BE, mallrat, eksportet, importet, brendapërbrenda rajonit duhet të presin në radha të pafundme, duke e goditur drejtpërdrejtë organizmin e ekonomisë sonë. Është absurde të mendosh se duke qenë se ne duam të bëhemi shtete anëtare të BE-së, atëherë nuk duhet të merremi me lëvizjen e lirë të njerëzve brendapërbrenda rajonit tonë.
Kjo është absurditet. Por e thashë, këta njerëz që i fryjnë këtij absurditeti ose nuk kuptojnë, ose nuk duan të kuptojnë. Me ata që nuk kuptojnë, do të vazhdojmë të shpjegojmë. Me ata që nuk duan të kuptojnë, do t’i lëmë të vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre paralele me realitetin e ekonomive e shoqërive e hapësirës sonë të përbashkët, që fatkeqësisht, akoma nuk është e përbashkët dhe patjetër duhet të bëhet e përbashkët në të gjithë rajonin. Shumë e thjeshtë.
*Përkthim simultan