“Kritika e etikës globale” është libri i më i ri filozofik që trajton problematikat e ndërthurjes së politikës me etikën, me autor Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazovic, i cili pavarësisht angazhimit në politikë, mbetet akademik i dedikuar e pasionant, alumni i Universitetit të Sarajevës, ku ka dëshmuar ekselencë përmes përfundimit të studimeve në kohë të shkurtuar dhe ku ka përfituar edhe gradën e Doktorit të Shkencave.
Lexuesit do të kenë mundësi të shohin të shtjelluar, jo vetëm ideologjinë e vizionin e autorit mbi temën, por të përjetojnë thellësinë e njohurive të tij doktrinore mbi shkencat politike dhe mendimin e tij filozofik.
Dritan Abazoviç është autor i disa shkrimeve analitike e studimore mbi shkencat politike e shoqërore në revista ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në promovimin e librit që vjen për lexuesin në të tre gjuhët që zotërohen nga autori; gjuhën shqipe, malazeze dhe atë angleze.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Tani për hir të së vërtetës unë nuk isha i përgatitur për një kongres kaq seriozisht të organizuar dhe nga ana tjetër ju lutem të merrni në konsideratë faktin që jam këtu si koleg edhe si mik i Abazit, se kështu e thërras unë, por jam i vetmi në këtë sallë përfshirë dhe kameramanët, që nuk kam master edhe duhet të flas tani për një doktor.
Kështu që, shpresoj që do të jeni zemërgjerë dhe do ta bëni skonton duke më toleruar nivelit e ulët akademik që kam. Por përtej kësaj besoj që do të ishte mungesë sinqeriteti sikur t’ju thoja që kam lexuar librin. Librin nuk e kam lexuar! E kam marrë përpara dy ditësh. Ka qenë një surprizë shumë e bukur për mua.
Unë nuk e dija që Dritani ishte kaq thellë në këtë fushë dhe kaq serioz në këtë angazhim dhe duke qenë që ai më kërkoi që të isha dhe të mos nguroja t’i thoja dy fjalë më dha dhe një argument që kompenson mungesën e masterit tim.
Unë jam këtu për t’ju thënë dy fjalë, të cilat nuk do të jenë domosdoshmërish për librin, që është ky, por për autorin dhe shpresoj që do ndihmojnë që të jeni më të nxitur që ta merrni dhe ta lexoni librin. Për të bërë këtë fjalë, bëra atë që bëhet zakonisht kur s’ke lexuar librin. E hapa në fillim, në mes dhe në fund. Dhe libri fillon me një copë të shpëtuar nga Fausti i Gëtes dhe po lexoj: është shkruar se në fillim ishte fjala. Si të vazhdojmë më tej? Ngela. Nuk mund ta çoj aq shumë fjalën, më duhet ta zëvendësoj me diçka tjetër. Nëse frymën e duhur po merrja. Pra po shkruaj, në fillim ishte arsyeja. Me rreshtin e parë, bëni kujdes që të mos lëvizni shumë stilolapsin. A është kuptimi që vepron dhe krijon? Duhet të shkruajmë “Në fillim ishte fuqia”, por dhe nga kjo fjalë ndahem, por ndërsa e shkruaj pendohem! Shpirti më ndihmon dhe papritmas shkruaj guximin. Pasi e shoh qartë, në fillim ishte veprimi.
Dhe nga kjo unë dua të kaloj autori, i cili është sipas meje në atë që përfaqëson mishërimi i kësaj kredoje. I kredos së veprimit dhe më duhet ta them që unë jam shumë i privilegjuar dhe besoj kështu duhet të ndjehet çdonjëri në këtë kategori njerëzish që merren me politikën në rajonin tonë, që mund ta quaj veten mik i Dritan Abazoviçit. Është privilegj të jesh mik me një person, i cili është një fenomen në politikën ballkanike, është një fenomen krejt i veçantë dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër. Dhe do t’ju them pse. Jo sepse është Doktor Shkencash, jam i bindur që ka shumë Doktorë Shkencash në Kuvendin e Shqipërisë sot, nuk i kam numëruar, por duhet të jenë shumë më tepër doktorë se sa jo doktorë, por sepse falë veprimit ka arritur të guxojë në diçka që unë nuk di dikë tjetër që të ketë guxuar, në krijimin e një lëvizjeje politike e cila është përtej etnike dhe e cila synon dhe ka synuar me sukses për hir të së vërtetës sepse i ka mbijetuar shekujve të paragjykimit për tjetrin dhe të ndasive mes njëri-tjetrit dhe të krijojë një hapësirë ku pavarësisht përkatësisë etnike, njerëzit të bashkohen si qytetarë. Qytetarë të të njëjtit vend dhe besoj që në këtë kontekst, shpresoj të mos gaboj shkencërisht, por ju ma falni gabimin sepse e kërkova këtë që në fillim, Dritani përputh përmes veprimit etikën e tij, sensin e tij etik ndaj shoqërisë, problemeve të shoqërisë dhe të ardhmes, duke u ngritur me shumë guxim përmbi ndasitë dhe duke ndërtuar një urë siç quhet edhe lëvizja, sepse për mua ajo nuk është një parti politike, ajo është një lëvizje, është një bërthamë krijuese e cila shpresoj shumë që t’i mbijetojë kohës dhe të bëhet shembull për të tjerë në të tjera territore ku bashkëjetesa mes etnive të ndryshme është përjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe është konsoliduar si bashkëjetesë mes të kundërtave. Ndërkohë që Dritani e propozon bashkëjetesën si forcë, si një bashkësi forcash komplementare që krijojnë fuqinë.
Pastaj në mesin e librit ka një kapitull që titullohet: “Qëllimet, mjetet dhe parimet e politikës globale” dhe këtu Dritanit tonë, Platoni, “do të ishte mirë sikur urtësia të ishte e atillë që të derdhej nga ena plot në atë bosh”, ose siç thotë populli shqiptar, sikur të mund të zbrazja timen, për të mbushur tënden. Proces i vështirë me rezultate modeste përgjithësisht, por që në epokën e globalizmit është komplikuar jashtëzakonisht shumë.
Në përpjekjen e Dritanit për të ndërtuar një urë, e cila e ndihmon jo thjesht çdo përfaqësues të një grupimi të ndryshëm etnik që të gjejë një hapësirë dialogu edhe ndërveprimi me të tjerët, por i ofrohet dhe shoqërisë kjo urë si një ndihmesë për të kapërcyer si një komunitet i tërë shekuj dhe për të pasur një qasje që e vë globalizmin në funksion të së mirës dhe jo të keqes, po e them kështu, ka shumë mundësi dhe kjo ura e Dritanit i ka këmbët pikërisht tek kjo urtësi që përpiqet që të derdhet me enët bosh dhe të krijojë një nivel tjetër të të kuptuar dhe të ndërvepruarit mes njerëzve.
A do t’ia dalë ura e Dritanit ta bëjë këtë dhe a do t’ia dalë Dritani që të jetë ky deri në fund? Kjo është e gjitha për t’u parë sepse forcat kundërvepruese ndaj urtësisë shtohen përditë, nuk zvogëlohen. Është urtësia ajo që zvogëlohet, mbase duke u transformuar në një kapacitet tjetër.
Ashtu sikundër, nga ana tjetër, forcat e interesave që ndërthuren në arenën e luftës së përditshme politike janë shumë për të qenë lehtësisht të kapërcyeshme, në raport me parimet dhe në raport me qëllimet dhe në raport me idealet me të cilat njerëzit qëndrojnë në arenë.
Në fund të librit, ka një tjetër citim, i cili është në njëfarë mënyrë vazhdimi i asaj që sapo thashë, pra unë prezumoj që midis këtyre dy-tre etapave libri vetë ofron mundësi që këto dilema të mund të arsyetohen bashkërisht me autorin dhe autorë të tjerë që sillen përmes autorit këtu, por tek konsideratat përfundimtare, Dritani i referohet Pierre Hadot duke thënë “Tani nuk ka më shkolla, nuk ka as dogma, filozofi ka mbetur vetëm. Si do ta gjejë udhën e vet?”
Me këtë pikëpyetje besoj që unë mund ta mbyll këtë fjalë që është një promovim i, jo i librit, por nevojës për t’u marrë pak më shumë me temën shumë të nxehtë dhe me kompleksitetin e jashtëzakonshëm të kësaj teme që trajton libri, gjë që natyrisht është shumë më e vështirë, shumë me e lodhshme dhe në dukje shumë më pa bereqet sesa për t’u marrë me llafet e përditshme, por kjo është një çështje zgjedhjeje.
Unë besoj që disa këtu mund dhe ta marrin përsipër mundimin për ta lexuar këtë libër. Jam i bindur që jo të gjithë sepse njerëz me punë jeni, nuk diskutohet, por nëse disa do ta marrin mundimin, shpresoj që ndonjëri të arrijë dhe në fund të librit dhe mbase ndër ata pak që do arrijnë në fund të librit, ndonjëri do ketë kuptuar librin dhe pastaj do të jetë një bashkudhëtar i filozofit që ka mbetur vetëm.
Nuk është Dritani. Dritani nuk është vetëm. Dritani na ka ne dhe mbi të gjitha Dritani ka shpresën të cilën ai e mishëron më së miri si një fenomen politik unikal në rajonin tonë që ka zgjedhur rrugën më të vështirë, por mbase për faktin që është i vetmi që ka zgjedhur rrugën më të vështirë, ka dhe jo pak ndjekës dhe mbase do ketë edhe më shumë sepse gjithmonë ka njerëz që presin zgjidhje të ndryshme nga ato me të cilat janë mësuar që tu ofrohen.
Dritan Abaz, unë të uroj nga zemra që ti të vazhdosh të mbetesh garanti i urës dhe që ura të bëhet gjithnjë e më e gjerë dhe që të rrezatojë, jo vetëm elektoralisht sepse kjo është ajo çka është më e pakta, por të rrezatojë rajonalisht si një pasqyrë ku të tjerë ta gjejnë veten për të ndërtuar të tjera ura, të cilat mund të jenë lëvizje politike, mund të jenë lëvizje sociale, mund të jenë lëvizje akademike, por që të krijojnë mundësinë që njerëz, të cilët janë dënuar nga historia dhe paragjykimet e historisë të jenë të ndarë, të mund ta shikojnë njëri-tjetrin si njerëz, si bashkëqytetarë apo si bashkëjetues në një kohë ku ndasitë e të shkuarës mund të prodhojnë shumë argumenta për të bërë politikën e të sotmes, por që janë themeli i shkatërrimit të së nesërmes.
Faleminderit!
E çmoj shumë durimin dhe mbi të gjitha e çmoj shumë buzëqeshjen e disave që fjalë pas fjale, nga sytë të paktën, mund të lexoj se po mendonin që ka dhe njerëz pa master që dinë të lidhin dhe ndonjë fjalë.