Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Moslinjëzimi i parë me Bashkimin Europian në 10 vjet dhe çfarë duhet bërë sot, që nesër konflikti i Banjskës të mos kthehet në një konflikt të armatosur në krejt veriun e Kosovës

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Për herë të parë, në të paktën 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian. 

Ky fakt ka shkaktuar për hir të vërtetës, një pështjellim të kuptueshëm kur ia kemi përcjellë Brukselit si një qëndrim të Shqipërisë pasi jemi përpjekur qysh pardje paradite, përpara moslinjëzimit, që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit, konkretisht vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit të Kosovës, si dhe shpalljen e zisë kombëtare në Beograd për të vrarët në operacionin e forcave të sigurisë të Republikës së Kosovës.

Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë pasi deklarata që edhe u publikua pastaj dje ishte në fakt, konfirmimi nga blloku i vendeve anëtare të Bashkimit Europian i qëndrimit publik të datës 20 shtator, në mos gabohem, nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel.

Ne jemi përgjigjur se nuk kemi asnjë rezervë për deklaratën në vetvete, lidhur me kritikat dhe kërkesat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës, të cilat sipas nesh, qëndrojnë plotësisht dhe Kosova duhet t’i reflektojë në pozicionin e saj në dialogun e normalizimit, por njëkohësisht kemi theksuar domosdoshmërinë, sipas nesh, që publikimi i kësaj deklarate duhet të bëhej njëkohësisht apo të paktën të pasohej, pa humbur kohë, nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme që sapo përmenda.

Na u tha se kjo nuk është e mundur momentalisht dhe se deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë tanimë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare, sipas procedurës së tyre dhe Shqipërisë i kërkohej linjëzimi me të, si gjithmonë në 10 vitet e fundit. Përgjigja jonë ishte negative dhe ky qëndrim i yni natyrshëm nuk është pritur mirë nga Brukseli. Ne jemi të keqardhur për këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon dhe dua ta përsëris; kjo nuk ka të bëjë aspak me përmbajtjen e deklaratës së publikuar dje, me të cilën e përsëris atë që u kemi thënë edhe miqve në Bruksel, jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim dhe besoj jo vetëm ne, për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë, por ky qëndrim ka të bëjë me zhbalancimin total që deklarata e djeshme krijon në këto momente kaq dramatike, kur situata mund të përkeqësohet nga ora në orë, nga dita në ditë apo nga java në javë.

Sidoqoftë, unë nuk kam dalë sot për të shpjeguar edhe njëherë atë që me pak fjalë e shpjegova dhe dje gjatë konferencës së shtypit në Itali për moslinjëzimin me deklaratën e BE-së, por kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz, si asnjëherë më parë në këto 10 vjet, për rrezikshmërinë e lartë të situatës në veriun e Kosovës.

E dëgjuam me shumë vëmendje edhe prononcimin e djeshëm të zëdhënësit të Brukselit, i cili tha se nuk mund të ketë një deklaratë tjetër pa pritur më parë rezultatet e një hetimi mbi si ka rrjedhur ngjarja e Banjskës. Edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi kriminal që i mori jetën efektivit të Policisë së shtetit të Kosovës dhe do të kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur, por fatkeqësisht në vend të hetimit të ngjarjes kriminale, të provokuar nga grupi kriminal serb dhe jo nga Policia e Kosovës, Republika e Serbisë zgjodhi nderimin për të vrarët nga Forcat Speciale të Kosovës duke shpallur një ditë zie kombëtare.

Atëherë, çfarë hetimi pret BE-ja? Nga kush? Nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë? Edhe me këtë do të ishim dakord sigurisht, por nuk e dëgjova zëdhënësin e BE-së ta thotë një gjë të tillë dhe nuk besoj se BE-ja do t’i pranonte si të mirëqena rezultatet e një hetimi të palës së sulmuar, pra shtetit të Kosovës, përderisa edhe Kosova është palë në këtë ngjarje pavarësisht se ata që e provokuan ngjarjen ishin serbë dhe jo shqiptarë të Kosovës dhe pavarësisht se Forcat Speciale të Kosovës shkuan në vendngjarje për të ndaluar përshkallëzimin e terrorit të iniciuar nga grupi kriminal serb. A mos po heton vetë BE-ja në mënyrë të paanshme dhe të pavarur? Shumë mirë do të ishte dhe kjo pa diskutim, por as këtë nuk e dëgjova nga zëdhënësi i BE-së dhe nuk e dimë nëse BE-ja ka angazhuar ndonjë mekanizëm në këtë drejtim.

Sikur ta dëgjonim këtë do të lehtësoheshim disi, por vetëm në këtë drejtim sepse gjithsesi çka ne kërkuam në komunikimin me miqtë në Bruksel dhe çfarë kërkojmë prapë sot, nuk është rezultat i një hetimi që është i mirëseardhur padyshim, por është dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të Policisë në veriun e Kosovës nga një grup kriminal dhe gjithashtu, dënimi i aktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake, jo shtetërore dhe të armatosur deri në dhembë, të cilët u shfaqën në Banjskë për një demonstrim force të paligjshme, me gjuhën e armëve të rënda dhe u asgjësuan nga mbrojtësit e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Çdo hetim i mundshëm dhe i imagjinueshëm nuk i ndryshon dot këto fakte sa të thjeshta aq dhe të mjaftueshme për t’u klasifikuar si fakte, në kundërshtim ekstrem me çdo vlerë, çdo parim demokratik të Europës ku ne jetojmë dhe për t’u dënuar me plot gojën si të tilla nga Bashkimi Europian ku ne jemi shpirtërisht pjesë dhe ku duam të bëhemi zyrtarisht pjesë.

Udhëheqja e Kosovës mund të ketë dhe me siguri i ka të gjitha kusuret e veta në procesin e dialogut të normalizimit për të cilat qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë, si dy pika uji me qëndrimin e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara dhe nuk ndryshon as sot në asnjë pikë, në asnjë presje, por asnjë nga ato kusure ama nuk e relativizon dot peshën e jashtëzakonshme të këtyre zhvillimeve të rënda të cilat, të paktën në kujtesën time, nuk krahasohen me asgjë të keqe të ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë qysh nga viti 1999.

Këtu jemi përpara derdhjes së gjakut të pafajshëm dhe nuk është gjaku i një kalimtari që u vra në rrugë nga një makinë me targa serbe, por është gjaku i një efektivi të Policisë së Shtetit të Kosovës, i cili nuk vrau veten se pa disa civilë serb të armatosur me çifte, por u vra nga njerëz të veshur ushtarakisht dhe të armatosur rëndë që për Beogradin zyrtar janë të denjë për ta ulur në gjysmë shtize flamurin e Serbisë.

Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal aq edhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave dhe parimeve të BE që nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim me zë të lartë dhe me gjuhë të qartë. Jo vetëm sepse familjarët e policit të vrarë, populli i Kosovës, Republika e Kosovës e meritojnë ta dëgjojnë autoritetin e lartë moral dhe politik të BE, jo për të shtatat, as për të dyzetat e vdekjes së shërbëtorit të pafajshëm të shtetit të Kosovës po sepse këtë e meriton dhe e pret ta dëgjojë i gjithë ky rajon, që boll ka vuajtur në historinë e vetë nga degradimet e hajvanllëkut politik në konflikte vrastare etnike, të cilat kjo histori na ka mësuar se mund të përshkallëzohen sa hap e mbyll sytë në përplasje të armatosura etnike.

E kam paralajmëruar prej kohësh, ju jeni ndër dëshmitarët, mundësinë e shtjellimit të këtij skenari tragjik dhe fatkeq në veriun e Kosovës qoftë nga kjo tryezë, qoftë nga instancat më të larta europiane dhe qoftë dhe në tryezën e fundit të Samitit të NATO-s në Vilnius. Jo se jam më i mençur se të tjerët se nuk jam, as sepse kam ndonjë dhunti që të lexoj të ardhmen se nuk e kam, por thjeshtë sepse nuk jam aq i zënë me hallet e gjithë botës siç janë të mëdhenjtë e kësaj bote dhe as nuk jam aq i mbyllur brenda qerthullit të së shkuarës sa ç’janë të mbyllur për arsye të ndryshme natyrisht njëra nga tjetra, qoftë udhëheqësit e sotëm të Kosovës, qoftë udhëheqësit e sotëm të Serbisë.

E di që në këtë sekondë sikur i shoh në faqet e mia të rrjeteve sociale plumbat e trimave. Jam mësuar me trimat e klubeve mediatike të Tiranës. Më tregojnë me gisht sa herë ka një krizë edhe si kjo e orëve të fundit në veriun e Kosovës. Jam mësuar dhe me ata të Kosovës që më tregojnë me gisht si vëllain e Vuqiqit sa herë flaka e nacionalizmit ndizet nga udhëkryqi i veriut të Kosovës. Ata në Kosove që siç thonë matanë bjeshkëve “më bëjnë tokë”, sinqerisht i mirëkuptoj pa asnjë problem.

Ndërkohë që të tjerët, këta që bëjnë biznes politik dhe mediatik në Tiranë me thonjtë e krizave në veriun e Kosovës, thjeshtë i neveris, por të jeni të gjithë të bindur që asgjë nga këto dhe askush nga këta, as nuk ma ndryshojnë vizionin, as nuk ma lëkundin bindjen dhe as më lëvizin nga pozicionin në istikamin e paqes, të dialogut, të bashkëpunimit dhe të shpëtimit një herë e mirë nga e shkuara që e persekuton këtë rajon prej shekujsh dhe në këtë pikë dua të jem shumë i qartë. Mund të vazhdojnë sa të duan, nuk i kam fare në defterin e llogarive të mia biznesmenët e llogjeve, thashethemeve dhe konspiracioneve, as kur mendojnë për Shqipërinë, as kur mendojnë për Kosovën sepse detyra ime është të bëj çmos për paqen dhe për bashkëpunimin në këtë rajon dhe njohjen përfundimtare të Kosovës si fryt i paqes dhe i bashkëpunimit, jo t’i fryj zjarrit të nacionalizmit dhe të shkoj pas berihait konflikteve që pjellin njëri tjetrin derisa përfundojnë në gjakderdhje dhe mos e dhëntë Zoti në luftë.

Detyra ime është të shoh më larg sesa një hap dhe të pyes në çdo hap veten: po tani? Po më tej? Ç’duhet pritur më tej? Ç’duhet shmangur më tej? Ç’duhet bërë e mundur më tej? Dhe këto janë pyetje të cilat duan përgjigje sot, që ajo që ndodhi dje të mos përsëritet nesër dhe larg qoftë edhe më keq dhe që veriu i Kosovës të mos degradojë në një arenë luftimesh të herëpashershme të cilat mund ta kthejnë në një Donbas të vogël, por ama mjaftueshmërisht të madh për ta kthyer të djeshmen në të sotmen dhe të ardhmen në të djeshmen duke i humbur Shqipërisë në radhë të parë, se unë jam kryeministër i Shqipërisë për kujtesë për të gjithë, Kosovës njëkohësisht pa dyshim dhe pastaj dhe gjithë këtij rajoni dhe kushedi sesa vite të tjera, për tu rikthyer këtu ku jemi sot, lëre pastaj për të shkuar atje ku duhet me doemos të jemi nesër.

Prandaj nëse kohë përpara këtyre zhvillimeve kaq dramatike e kam thënë dhe e kam kërkuar disa herë publikisht, zyrtarisht në instancat më të larta të komunitetit euroatlantik se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në nivelin e një konferencë të normalizimit me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve të pandërprera.

Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog, duhej ngritur dhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë në nivelin e Presidentit dhe të Kancelarit, si bashkëautore të këtij plani. 

Sot besoj që është e qartë për të gjithë, që minimalisht formati i derisotëm i Brukselit, ku “venë e vijnë” dy burra nga këtej dhe “hyjnë e dalin” dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë.

Nga ana tjetër, dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë lart dhe mund të shkojnë shpejt. Shumë më shpejt se sa ç’mund të mendosh në një ditë si kjo kur s’ndodh asgjë sepse është vetëm ajo që duket. Prandaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik në dialog duhet ngritur lart dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet, se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve ca të firmosura, ca të pranuara gojarisht, por përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë largqoftë edhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur dhe sigurisht, pikërisht për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.

Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi.

Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia , madje disa zëra e kanë kërkuar edhe nga pala serbe, por kjo është puna e tyre, sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon. Këtë e kërkon situata sot, po të ishte bërë më parë nuk do kishte ndodhur kjo që ndodhi dje, pardje, tjetërpardje.

Të gjitha këto nuk do kishin ndodhur. Pak vonë sipas meje, por është më mirë pak vonë sesa shumë vonë. Me vjen mirë po ashtu që dje presidentja Osmani ka kërkuar publikisht ndihëm e SHBA për draftin e asociacionit. Unë nuk e di cili është mendimi i aleateve të mëdhenj strategjikë të Kosovës dhe të Shqipërisë për këtë kërkese, por në thelb kërkesa e presidentes së Kosovës është pozitive dhe është një hap më në fund, në drejtimin e duhur nga ana e Kosovës.

Një draft i asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të vihet në tryeze një orë e më parë , dhe unë e përsëris atë që kam thënë këtu kur kam folur për draftin që unë i kam dërguar autoriteteve më të larta në Bashkimin Europian, Francë dhe Gjermani. Nuk ka pikë rëndësie kush e shkruan, me kë e shkruan, me kë e propozon. Ka rëndësi vetëm një gjë; drafti të përmbushë kërkesën legjitime që ka procesi i dialogut, bazuar mbi një marrëveshje të nënshkruar mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, se qeveritë shkojnë e vijnë, shtetet serioze nuk shkojnë e vijnë, i rrinë marrëveshjeve që kanë nënshkruar dhe e përsëris, të përmbushë nevojën që të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në mbyllje dua të them, Kosova sot, më shume së para se të ndodhte tragjedia që ndodhi, duhet ta kërkoje me këmbëngulje dialogun, duhet ta besojë me gjithë mend dialogun, duhet ta synojë me të gjitha energjitë përfundimin me sukses të dialogut. Plani franko-gjerman është akoma në tryezë. Them akoma sepse historia mëson që kur i bën shumë naze një marrëveshjeje se do më shumë edhe pse marrëveshja mund të jetë shumë e mirë, tjetra që vjen më prapa, mund të jetë më e keqe. Këtë mëson historia. Është historia e konflikteve, është historia e zgjidhjeve të konflikteve, është historia e atyre që në fund i vënë vulën mënyrën si zgjidhen konfliktet dhe duam ne, s’duam ne, janë fuqitë e mëdha që për fat të mirë, ata që duhen ndër ta, Kosova i ka me vete. Të besosh të kundërtën dhe të presësh që të bëhet më keq se do bëhet më mirë, është iluzioni më fatal në këtë situatë dhe në këtë kontekst gjeopolitik dhe historik ku ndodhemi ne shqiptarët, ku ndodhet rajoni, ku ndodhet Europa.

Këto kisha unë po jam i hapur edhe për disa pyetje brenda kësaj teme.

* * *

– Nga deklarimet tuaja të fundit duke sikur ka një klimë të re të komunikimit apo i marrëdhënies suaj me Kosovën. Është kjo  rezultat i drejtësisë së munguar në diplomacinë e BE, po e shikoni ju po themi konfliktin në veri me syrin e Kosovës, apo Albin Kurti së fundmi në raport me ndërkombëtarët kanë ndryshuar dhe është përmirësuar siç ju prisnit?

Kryeministri Edi Rama: Aftësia juaj për t’i kthyer në telenovela ku patjetër duhet të ketë krisje dashurie dhe klithma urrejtjeje mes personash, gjërat kaq serioze është mbresëlënëse.

Unë nuk kam ndryshuar në asgjë. 1000 herë të kthehem prapa, 1000 herë do bëja të njëjta gjëra, do thoja të njëjtat gjëra dhe sot nuk po bëj asgjë tjetër, veçse po bëj një bilanc të gjërave që kam thënë përpara dhe njëkohësisht, po bëj atë që bëj gjithmonë. Unë them atë që mendoj dhe unë mendoj atë që më fryjnë në vesh dy forca që më kanë kapur mua që kur kam marrë këtë detyrë. Njëra është kjo këtu, shqiponja dy krenare e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, tjetra forcë është kjo këtu dhe ëndrra dhe përpjekja ime është që kjo të fluturojë sa më lart dhe të futet këtu.

Mund të kem të drejtë, mund të kem dhe gabim, por këto janë forcat që më kanë kapur mua dhe unë me këto forca punoj në mendimet e mia dhe në emër të këtyre forcave formuloj dhe mendimet e mia. Të tjerat janë histori telenovelash që s’kanë asnjë lidhje me mua. Këtu s’ka as klimë të re, as klimë të vjetër. Këtu s’ka lidhje as me persona, as me emocione.

Këtu ka lidhje me qëndrimet strategjike dhe me veprimet për të çuar përpara një strategji të caktuar. Nuk është qëndrim strategjik të më thuash mua ‘’vëllau i Vuqiqit’’. Është qëndrim emocional. Është plotësisht i mirë kuptueshëm. Pse? Sepse ata që ma thonë, i kanë të freskëta akoma kujtimet e tmerrshme nga barbaria e regjimit diktatorial në Beograd, por nga ana tjetër, unë jam këtu për qëndrime strategjike. Nuk jam këtu për ballafaqime emocionale. Pse po më thua kështu, dhe unë po të them kështu. S’ka lidhje.

– Zoti kryeministër ju thatë që është koha që KFOR-i  të marrë nën kontroll kufirin e Kosovës. Më 19 qershor në Twitter ju keni shkruar që nëse situata agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës, atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë dhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojë një republikë të KFOR-it në veriun e Kosovës. Duke iu referuar këtij statusi tuaj në Twitter…

Kryeministri Edi Rama: Nuk jemi akoma aty, por mund  të shkojmë aty. E shikoni ju çfarë ndodh?! Kjo është diçka që e thashë, nuk duhet ndonjë mençuri e veçantë, as nuk duhet ndonjë dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim te vija historike dhe te vija e sjelljes së aktorëve në fushë, për të kuptuar se si mund të shkojnë gjërat. Akoma nuk jemi aty, por nëse sot nuk ka reagim, do shkojmë aty. Nuk ka ndryshe. Do shkojmë aty. Me facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike, mund të nisësh avionët, helikopterët, raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh një herë e mirë armikun në realitetin e gjeopolitikës edhe të ballafaqimit të sotëm. Punohet me strategji dhe punohet me mençuri dhe me diplomaci.

– Zoti kryeministër, mbajtjen e zisë nga ana e Serbisë, e shikoni vetëm si karshillik apo përgjegjësi të Beogradit zyrtar për sulmin e 24 shtatorit në veriun e Mitrovicës?

Kryeministri Edi Rama: Karshillëku është shprehje e përgjegjësisë. Kështu që mos ma bëni si ata që thonë jo po pse i thua kriminel, pse s’i thua terrorist, se ti je vëllau i Vuqiqit. Mësoni pak më mirë shqip.

– Zoti kryeministër, ju së fundmi keni dënuar disa veprime nga Serbia. A keni pasur komunikim me zotin Vuçiç dhe a ja keni shprehur atij personalisht, apo marrëdhëniet vijojnë të jenë të ngrira dhe një pyetje të dytë, çfarë doli jashtë parashikimeve në zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë duke qenë se dhe ju vetë e keni pasur bindjen se nuk do të ketë asnjë të shtënë.

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam thënë nuk do të ketë asnjë të shtënë. Unë kam thënë të kundërtën. Unë kam thënë që veriu i Kosovës mund të degradojë në një Donbas dhe Donbasi është me të shtëna, nuk është me sherre kafenesh. Unë kam thënë nuk futet dot ushtria serbe, ushtria e rregullt serbe nuk futet dot në Kosovë dhe e them prap.

Pyetja e parë është vazhdim i pyetjes që bëri kolegia që ke në krah, janë marrëdhënie të ngrira, janë marrëdhënie të shkrira. Unë jam Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Dua ta përsëris këtë, jo se nuk e dini, po sepse marrëdhëniet në këto nivele janë marrëdhënie që kalojnë nga pikësynimet strategjike, nga interesat kombëtare, nga nevojat e vendit që unë sot kam privilegjin të udhëheq. Presidentin e Serbisë as nuk e zgjedh dot unë, as nuk e zgjedh dot Albin Kurti, as nuk e zgjedhin dot të gjithë ata që do të donin që të ishte dikush tjetër. Serbinë as nuk e paketojmë dot ta nisim për ndonjë kontinent tjetër, ashtu sikundër as vetë nuk mbledhim dot bagazhet e të nisemi për ndonjë kontinent tjetër. Duam, s’duam Serbia është aty, fqinje me ne.

Zgjedhja është shumë e qartë. Shqipëria nuk ka asnjë arsye tjetër përveç 1001 arsyeve që vijnë nga interesat e saj strategjike, kombëtare dhe nga detyrimi i saj për të qenë një vend gjithmonë e më i mirë për fëmijët e vetë për të vazhduar të kërkojë në rrugën e marrëdhënieve të komunikimit të dialogut, paqen përfundimtare mes të gjithëve në këtë rajon. Kush në Kosovë sot mendon dhe thotë që ç’ ka bëj unë është kështu e është ashtu, është për këtë e është për atë, nesër do ta kuptojë që Shqipëria kështu është më e nevojshme dhe më e vlefshme se kurrë në krah të Kosovës. Jo duke bërë shteti komentatorin e Facebook-ut, po duke u bërë një shtet gjithmonë e më serioz, gjithmonë e më i fortë, gjithmonë e më i respektuar siç jemi sot.

– Zoti Rama, në këto kushte ku ndodhet Kosova aktualisht dhe situata e saj me Serbinë, a mendoni se ka ardhur koha që të bëni publik draftin që keni dorëzuar sa i takon asociacionit tek ndërkombëtarët, referuar Francës dhe Gjermanisë dhe së dyti, pas ngjarjes së 24 shtatorit, keni patur ju një komunikim me homologun tuaj në Kosovë, Albin Kurti? 

Kryeministri Edi Rama: Po pse duhet ta bëj publik draftin? Jo, më fal se po i bëj pyetje që ta kuptoj pyetjen. Pse duhet ta bëj publik draftin?

Për t’iu ardhur në ndihmë të dyja vendeve meqenëse ju në fjalët tuaj edhe e përgëzuat ditën e djeshme deklaratën e zonjës Vjosa Osmani.

Kryeministri Edi Rama: Jo, e përgëzova sot deklaratën. Po si ndihmohen vendet duke bërë unë publik draftin?

 -A është vënë në dijeni Kosova dhe Serbia sa i takon draftit tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Po si ndihmohen duke bërë unë publik draftin?

-Duke qenë se ne nuk jemi në dijeni dhe as Kosova dhe Serbia po ashtu,  vetëm ndërkombëtarët, pra Franca dhe Gjermania.

Kryeministri Edi Rama: Që ai është një draft që i adreson, me një kompetencë shumë të lartë profesionale, që nuk është kompetenca ime dhe as kompetenca e palës shqiptare të përfshirë në hartimin e draftit, por është kompetencë shumë e lartë profesionale e rangut botëror, kjo nuk diskutohet. Që drafti im është kundërshtuar që në sekondën e parë, thjesht si fakt që ekziston, jo si përmbajtje, këtë e dini shumë mirë të gjithë. Është kundërshtuar edhe nga Kosova, është kundërshtuar edhe nga Serbia sepse është normale. Unë nuk kam pritur që të ndodhte ndryshe. E treta, që drafti im nuk është bërë për të shtuar më shumë materiale për thashethemnajën dhe për biznesin politik dhe mediatik në Shqipëri e në Kosovë edhe kjo nuk diskutohet. Drafti është një kontribut që ka shkuar në duart e duhura sepse, siç dhe ju e dini, siç dihet dhe nga procesi, drafti nuk do jetë një draft i njëanshëm që do ta çojë njëra palë dhe pala tjetër do ta pranojë, por do të jetë një draft që në fund fare do të mbajë peshën e përgjegjësisë së fuqive të mëdha që janë të angazhuara në këtë proces, të Bashkimit Europian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kaq. Për çfarë duhet ta publikoj unë draftin apo se duhet material për telenovelën në vazhdim?

-Ju thatë, dhe është e vërtetë në fakt, që fqinjët nuk i zgjedh dot, por gjithsesi, a mendoni se Albin Kurti ka pasur të drejtë në qëndrimet e tij karshi Alexander Vuçiç për qëndrimet e Vuçiç të mëparshme, por edhe deklaratat e fundit dhe vendimin e fundit të Serbisë për mbajtjen e zisë kombëtare për të rënët e grupit terrorist në Kosovë?

-Së dyti, një pyetje e dytë, Shqipëria si vend anëtar i NATO-s a do ta shtojë prezencën e saj ushtarake në Kosovë, në kuadër të KFOR-it?

 Kryeministri Edi Rama: Ju sugjeroj të shikoni një film, e kam shumë sinqerisht dhe shumë seriozisht këtë se ma nxiti pyetja, është një film që ka dalë së fundmi që titullohet “Golda”. Ju sugjeroj ta shikoni dhe ju sugjeroj të shikoni momentin e uljes në tryezë dhe e firmosjes së paqes mes Golda Meir dhe Anwar Sadat, pas njërës prej kasaphanave më të mëdha në historinë e përplasjes mes shtetit të Izraelit dhe Egjiptit; kasaphane e përmasave katastrofike, me viktima të panumërta, nën udhëheqjen e këtyre dy njerëzve. Personalisht, jo të dy njerëzve në të shkuarën, por personalisht dhe ju sugjeroj të shikoni komunikimin e tyre se kjo nuk është pjesë e filmit, është pjesë e arkivës që përdor filmi. Nuk është Hellen Mirren aty, është Golda e vërtetë bashkë me Anwar Sadat. Shikoni komunikimin mes tyre. Është e mundur kjo të imagjinohet? Po, sepse ka ndodhur dhe për këtë duhen liderët.

Ndërsa pyetjes tjetër nuk kam çfarë i them sepse nuk funksionon kështu. Qëndrimet politike të një kryeministri nuk janë qëndrime të një personi ndaj një personi, janë qëndrimi të një shteti ndaj një shteti, në këtë rast, dhe varet çfarë qëllimi ke, varet çfarë objektivi strategjik ke. Nëse objektivi yt strategjik është paqja është një gjë, nëse objektivi yt strategjik është konflikt i ngrirë permanent është një gjë tjetër; nëse objektivi yt strategjik është lufta është një  gjë tjetër. Varet se çfarë objektivi strategjik ke. Ajo që unë kam thënë dhe që nuk e kam problem ta përsëris prapë është se unë nuk shoh strategji në të gjithë procesin por shoh lëvizje taktike të vazhdueshme që nuk çojnë asgjëkund. Mund të jetë kjo strategjia? Mbase, por unë flas për objektivat e shpallura. Objektivi i shpallur është normalizimi përfundimtar dhe njohja reciproke de facto, sipas meje. De juro është një histori tjetër, por de facto sepse njohja reciproke de facto çon në njohjen nga të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Europian ndërsa Serbia si ta ketë punën, nuk ka ndonjë problem. Nuk është punë personash kjo “Se ti ia the, ai ia tha, se ia kishte thënë, pse e kishte thënë”. Fjalët duhen thënë siç janë dhe duhen thënë atëherë kur peshojnë. Po të përsërisësh gjithmonë të njëjtat gjëra, humbet dhe peshën, nuk ka as vlerë.

Zoti kryeministër, kur dëgjojmë presidentin Alexander Vuçiç që thotë “Derisa të vdesë serbi i fundit, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës”, a është i mundur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për aq kohë sa në krye të këtij shteti qëndron një president i tillë apo do të kërkohet….

 Kryeministri Edi Rama: E di sesa njerëz kanë thënë “Derisa të vdes nuk do bëj këtë, nuk do bëj atë dhe e kanë bërë?”

 –Ta çoj pyetjen deri në fund? Apo do të kërkohet një lider më i moderuar i Serbisë për të mundësuar dialogun? 

-E dyta, po kur dëgjojmë përsëri këtë deklaratë, a i jepni sot të drejtë Albin Kurtit dhe të gjithë paraardhësve të tij që kanë refuzuar Ballkanin e Hapur dhe duket kanë patur të drejtë?

Kryeministri Edi Rama: Njëmijë herë të kthehesha, njëmijë herë do ta bëja nga e para dhe siç e kam thënë edhe më parë, fokusi tek Procesi i Berlinit nuk do të thotë që ne nuk do të kemi aktivitete të tjera trilaterale, katërlaterale, kjo nuk diskutohet fare. Unë habitem pse mi bëni këto pyetje. a nuk do ishte mirë të ishte një lider më i moderuar në Serbi? Po mo, patjetër por çfarë buron nga kjo dëshirë, buron një politikë? Mund të bëhet një politikë e bazuar mbi një dëshirë të tillë? Mund të ndërtohet një strategji e një shteti e bazuar mbi një dëshirë të tillë? Do të ishte bërë paqe në ndonjë vend të botës po të niseshin palët nga dëshira të tilla që “shiko se aty do ishte mirë të ishte dikush tjetër dhe ne s’po bëjmë paqe. S’vjen kurrë ai dikush tjetër. E ti çdo bësh? Do tërheqësh këmbën zvarrë? Paqja nuk bëhet për interesin e Serbisë. Paqja bëhet për interesin e shqiptarëve.

Procesi i normalizimit dhe i ndërtimit të marrëdhënieve më Serbinë për mua si kryeministër i Shqipërisë, për Shqipërinë është strategjik. Për Shqipërinë, për shqiptarët, nuk është për Serbinë, Serbia ka interesat e veta nuk diskutohet. Secili ka interesat e veta, pse çfarë u bë këtu? “A do ishte mirë të ishte një …”. Po patjetër po si bëhet kjo? Do ishte mirë të ishte dhe një tjetër më i mirë se unë por derisa të jetë ai, jam unë. Edhe një më i mirë se ai tjetri. Nuk është kjo logjika prandaj ju them: shikoni filmin Golda.

 – Për rastësi unë e kam parë filmin “Golda” dje dhe në fakt një nga themelueset e shtetit të Izraelit dhe kryeministrja që ka drejtuar luftën, ajo kërkoi dhe bëri të njëjtën gjë që po kërkon sot Albin Kurti. Pra nuk pranoi presionin e ndërkombëtarëve deri në momentin që Sadati nuk fillonte negociatat direkte me Izraelin dhe nuk njihte shtetin e Izraelit. Është e njëjta gjë që kërkon sot kryeministri Albin Kurti. Pra të bëhet asociacioni, por në këmbim nuk premtohet njohja as nga shtetet e tjera. Tani në kushtet ku jemi ekziston rreziku, se ju jeni pro asocacionit, që me bërjen e asocacionit në krye të këtyre komunave serbe të vendosen persona si ata që ushtruan terror në veriun e Kosovës.

-Dhe pyetja e dytë, ju thoni që nuk keni ndryshuar qëndrim por ajo që ndodhi në veri të Kosovës, vrasja e një polici ishte kronike e një ngjarje të paralajmëruar duke iu referuar faktit që kemi pasur dhe rrëmbimin e tre policëve më parë ndërkohë që ju në atë kohë flisnit në gjuhën e ndërkombëtarëve, le të themi kishit një gjuhë neutrale. Pse u desh që të kishim një dëshmor që ju të dilnit në krah të Kosovës dhe t’ju kërkonit ndërkombëtarëve të mos e trajtojë njësoj agresorin me viktimën?

Kryeministri Edi Rama: E para punës një herë nuk i kam kërkuar asnjëherë një gjë të tillë një herë, ky është keq interpretim. Asnjëherë! Dhe asnjëherë BE nuk ka trajtuar njësoj agresorin me viktimën, asnjëherë! Nëse ju natyrisht një pjesë, mendoni që Serbia është akoma sot agresor, shtet agresor në lëvizje, atëherë jetojmë në dy kohë të ndryshme.

-Nëse nuk fshihet Serbia pas sulmit apo nëse nuk e mbështet sulmin pse duhet të shpallte ditë zie?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në debat, jam në përgjigje.

-As unë por për ta kuptuar. Ju i kërkoni BE të mbajë një qëndrim më të ashpër përkundrejt Serbisë apo jo?

Kryeministri Edi Rama: Për ta kuptuar duhet të më lije të mbaroja përgjigjen. Nuk jemi në debat. Për ju Serbia është agresori që është në agresion të vazhdueshëm. Për mua Serbia është shteti që ka humbur luftën me Kosovën, a e kuptoni sesa larg jemi ne me njeri tjetrin? Është shteti që ka humbur luftën, e ka humbur. Disave iu duhet që të jetë kështu, e kuptoj. Dhe e thashë në fillim disa për biznes këtu politik dhe mediatik që as nuk duan të dinë fare për Kosovën, fare. Se po të donin të dinin do kishin harxhuar pak më shumë qeliza të trurit para sesa të hapin gojën, por që çfarë t’ju dalë përpara e duan për të luftuar me regjimin tim këtu. Dhe patjetër dhe disave në Kosovë që e shohin ashtu për arsye të tjera kuptohet që lidhen dhe me kujtesën e freskët të atyre që kanë ndodhur. Serbia është vendi që ka humbur luftën. Kosova është vendi që sot ka shansin të marrë atë që ka kërkuar kaq shumë vite, e ka në tavolinë, unë nuk heq dorë nga kjo, e ka në tavolinë.

Këtë që ndodhi e kam paralajmëruar unë me kohë kur kam thënë që mos lini të degradojë Kosova, veriu i Kosovës në një arenë përplasjeje që të katandiset deri në një Donbas të vogël. Dhe prapë thashë sot të njëjtën gjë dhe e përsëris, mund të shkojë më keq. Synimi strategjik cili është? Kjo është pyetja. Çfarë synimi strategjik është që të merret në bisedime ajo që është dhe arritja e dytë historike e Kosovës pas fitores së luftës falë aleatëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atëherë ajo merret në tavolinë. Ajo merret me ata që ju i quani ndërkombëtarët të cilëve po i reziston Albin Kurti. A jeni në vete apo jo? A jeni në metro se çfarë flisni apo jo? Si ato historitë e të kaluarës me imperializmin. Pa Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara , Kosova s’do ekzistonte fare si shtet. Si u bë Kosova shtet? Kush e bëri Kosovën shtet? Kush e njohu Kosovën? Kush e ka bërë planin franko-gjerman? Kush e ka vënë në tryezë zgjidhjen përfundimtare? Më të mirën e mundshme që mund të bëhet. Kush i ka bërë të gjitha këto. Ndërkombëtarët! Ndërkombëtarët, sigurisht patjetër.

 -Më duket se nuk e kuptuat pyetjen. Nuk mora një përgjigje për ta kuptuar. Ju jeni duke kritikuar ndërkombëtarët që nuk janë duke mbajtur një qëndrim të drejtë përballë kësaj situate. Ndërkombëtarët edhe në presidentët e mëparshëm sepse rrëmbimi i tre policëve ishte një lloj paralajmërimi, prapë nuk kanë ushtruar një lloj presioni Serbisë por i kanë trajtuar palët si të jenë njësoj. Pse ju nuk e keni mbajtur këtë qëndrim që në atë kohë, por rreshtoheshit përkrah tyre dhe kritikonit Albin Kurtin duke anuluar edhe mbledhjen e dy qeverive të përbashkët.

Kryeministri Edi Rama: Dhe një herë tjetër dhe e fundit se po abuzon me mikrofonin. Dorëzoje mikrofonin tani se nuk ka më kohë, mos i merr kohë kolegëve te tjerë se si gjithmonë po abuzon. 1000 herë të kthehem mbrapa, 1000 herë të njëjtën gjë do bej, jo për kokëfortësi, por sepse është e drejtë. Nuk mund ta ketë gjithë bota gabim gjithmonë dhe ta ketë Albin Kurti të drejtë gjithmonë. Nuk është e mundur kjo. Aq më tepër kur dihet se kush janë palët dhe sot unë po bëj atë që kam bërë dhe herë të tjera, por se keni patur mendjen, mbase. Unë nuk jam një njeri që sy mbyllur pranon çdo gjë që thonë miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, që ju i quani ndërkombëtarë si forca të errëta që po ju pengojnë juve që të merrni Ballkanin nën kontroll.

Kur është momenti për të thënë diçka, është momenti për të thënë diçka. Europa është një vend, një hapësirë demokratike, nuk është një hapësirë ku për çdo gjë bien dakord të gjithë. Dhe këtu nuk është çështja që e bën një herë, nuk kanë bërë asgjë asnjëherë ata. Kanë bërë gjënë e duhur gjithmonë në kërkesat e tyre duke i besuar ata atij objektivi strategjik që kanë që të mbarojnë dialogun me ato rezultate që janë të shkruara aty. Nëse plani franko – gjerman do të ishte një plan që do ti kishte të dyshimta qëllimet, unë do ta kisha thënë patjetër. Por i ka shumë të qarta qëllimet. Atëherë çdo me thënë kjo? Ndërkohë e thashë për këtë herë që ne nuk kemi asnjë kundërshtinë në asnjë pik e asnjë presje me deklaratën e ndërkombëtarëve për Kosovën.  

Asnjë! 100% dakord, por momenti kërkon që të adresohet dhe kjo pjesë. Ajo deklaratë është rezultat i një procedure teknike atje që pasi bëhet deklarata e shefit të politikës së jashtme, shkon në vendet anëtare dhe kështu me radhë dhe vendet anëtare e aprovojnë dhe vjen dhe del deklarata. Dakord, por duhet të këtë dhe një deklaratë tjetër për këtë pjesë tani dhe këtu s’është çështja që doli e vërteta dhe tani ata u demaskuan. A jeni në metro apo i keni lëshuar të gjithë pëllumbat kundër regjimit?

– Zoti Kryeministër, a keni bërë tentativa për të ndërmjetësuar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë? A jeni gati të bëni ndërmjetësin duke shfrytëzuar edhe Samitin ne Berlinit? A mund të shfrytëzohet samiti i Berlinit në Tiranë për të bërë një ndërmjetësim mes palëve?

Kryeministri Edi Rama: Asnjëherë! Unë nuk mund të bëj ndërmjetësim midis Kosovës dhe Serbisë sepse unë jam në konflikt të hapur interesi. Është shumë e thjeshtë, pavarësisht se për disa jam vëlla i Vuqiqit, por Vuqiqi e di shumë mirë që unë jam në konflikt të hapur interesi dhe nuk mund të bëj ndërmjetësim.

-Edhe një pyetje për transparencë; Protokolli ju solli dy letra ndërkohë që ishit duke mbajtur konferencën. A mund të dimë se çfarë përmbanin sepse u duk sikur ju ndyshuan…

Kryeministri Edi Rama: Njëra ishte për inceneratorët, tjetra  për sterilizimin. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.