Revolucioni Dixhital në Institutin e Sigurimeve Shoqërore ka bërë të mundur që falë 53 shërbimeve online të ofruara nga janari deri në gusht të këtij viti të eliminohen thuajse çerek milioni vajtje- ardhje nëpër sportelet e ISSH-së.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, në zyrat e ISSH-së, aty ku radhët nuk ekzistojnë më dhe sorrollatjet e pafundme nga një zyrë në tjetrën i përkasin të shkuarës.
Ministrja e Financave, Anila Denaj tha se platforma online, përveç eliminimit të radhëve, ka përgjysmuar kohën normale të ofrimit të një shërbimi.
“Është një nga degët tona të rinovuara rishtas edhe pas tërmetit dhe siç e shikoni nuk ka radhë. Ajo që është e rëndësishme sa i përket shërbimeve online është koha e shkurtuar në të gjithë sportelet e ISSH-së, përfshirë edhe Durrësin dhe ulja e kohës në gati 50% për të gjitha shërbimet.“
Drejtorja e Përgjithshme e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj u shpreh se shërbimet e ofruara online kanë krijuar një realitet të ri, duke lehtësuar ndjeshëm qytetarët, kryesisht ata të moshuar, që për shumë shërbime nuk kanë nevojë të paraqiten në sportel.
”Mbi 46% janë përdorur nga grupmosha mbi 60 vjeç, që do të thotë edhe mosha e tretë arrin ta përdori portalin dhe kjo na tregohet me fakte. Në disa aplikime nga më të zakonshmet, p.sh, aplikimet për pension pleqërie, kemi shmangur jo vetëm ecejaket nëpër zyra, por edhe dokumentat shoqëruese. Janë hequr 14 dokumenta shoqëruese, të cilat nuk gjenerohen më nga personi që aplikon, por nga punonjësit e ISSH-së përmes e-albania.”
Ndërkohë që transparenca është një tjetër përfitim i shërbimeve online. “Ajo që unë doja të vlerësoja është rritja e transparencës. Duke qenë të gjitha online kemi mundësinë të monitorojmë edhe punonjësit, por edhe të kontrollojmë afatet,” – u shpreh Drejtori I ISHS-së, Astrit Hado
Ndryshimi i ndodhur përmes revolucionit dixhital, vlerësoi Kryeministri Rama, është historik. “Kjo është për ata që thonë, nuk ka ndryshuar asgjë në administratë, është po ajo. Faktikisht ka ndodhur një ndryshim historik. Duhet që vetë qytetarët të shmangin kontaktet fizike me administratën, sepse tek kontaktet fizike duhet ta pranojmë që ka akoma problem, ka akoma zvarritje dhe sorollatje. Rritja e nivelit të vetëdijes dhe të edukatës së administratës kërkon kohën e vet, nuk mund të behet thjesht duke shkuar në Gjermani e në Francë e duke parë, sepse aty bëhet fjalë për qindra vjet traditë, nuk bëhet fjalë, as për dy dhe as për tre dekada. Në këtë mënyrë shteti vjen në xhep. Jo dora në xhep të një nëpunësi, por shteti të vjen në xhep, e ke në iphone, e ke në shtëpi, e ke tek kompjuteri më i afërt. Ata që thonë se e-albania është për të rinjtë gabojnë sepse e kemi parë edhe tek platforma e bashkëqeverisjes që më të moshuarit janë përdorues më të rregullt të kësaj platforme. Kursejnë ecejaket në diell e në shi, tek kompjuteri i shtëpisë, me nipin ose mbesën, tek fqinji dhe zgjidhin këtë gjë.
Këto zyra të ISSH-së deri përpara ca vitesh ishin stacione trenash. Sot, kjo gjë ka ndryshuar komplet. Duhet vetëm të mos duash ta shohësh, që të mos ta shohësh, sepse kjo është shumë e dukshme.
Të gjitha vendet që kanë patur këtë proces e kanë patur këtë problem të tranzicionit psikologjik, madje ka vende që e kanë bërë në mënyrë të “dhunshme”, duke thënë që s’ ka më sportele dhe pikë. Edhe ne do të shkojmë drejt kësaj, që s’ka më sportele dhe vetvetiu njeriu e zgjidh.
E njëjta gjë me kadastrën. Ne sot e kemi plotësisht të mundur që aplikimi të bëhet drejtpërdrejtë dhe merr përgjigje drejtpërdrejtë nga kompjuteri për të gjitha ato zona të menaxhuara. Nuk po flas për zonat që janë akoma në regjistrim e sipër, si zona e bregdetit, apo zona të tjera. Nuk mund të të shmangë një drejtor zyre dhe të të thotë “hajde nesër”, sepse gjithçka është e monitoruar nga serveri qendror dhe nga drejtoria qendrore
Mesatarisht një shërbim fizik ka qenë i lidhur me 10 shërbime të tjera. Për të marrë një shërbim duhej të merrje 10 letra në 10 cepa të qytetit. Tani nuk ke nevojë të shkosh në asnjë cep të qytetit. Ata, që deri dje në cepat e qytetit i prisnin njerëzit si dele, e kanë detyrimin që në momentin kur ju vjen kërkesa, e bëjnë ata. Letrat e shtetit i bën shteti, ndërsa çfarë janë dokumente personale, si banka etj. do t’i marrësh vetë. Ky është revolucion.”