Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Tirana mikpret për të parën herë në histori, Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që njëkohësisht zhvillohet për herë të parë në një prej vendeve të rajonit.

Samiti i mikpritur nën kujdesin e qeverisë shqiptare, zhvillohet në vijim të takimeve të mëparshme mes liderëve, ku janë konfirmuar lidhjet ekzistuese të ngushta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me synim forcimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet për të mbështetur transformimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ku udhëheqësit e BE-së kanë shprehur mbështetjen e tyre të qartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Liderët pjesëmarrës mbërritën këtë mëngjes në vendin ku u zhvillua Samiti, i cili nisi me nënshkrimin e Marrëveshjes Roaming, që parashikon fillimin e procesit për reduktimin e tarifave roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. 

Liderët u pritën nga Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh për mediat e pranishme. “Për ne, kjo është e jashtëzakonshme. Është diçka, që edhe ai me imagjinatën më guximtare nuk do ta kishte përfytyruar që po ndodhte dhe po ndodh. Është shkëlqyer vërtetë. Është një sinjal mjaft i fortë i vetëdijes së BE se Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian.

Në dy seancat plenare që do të zhvillohen në vijim, do të diskutohet ndër të tjera për bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës; për sigurinë energjetike, përfshirë pasojat e krizës globale energjetike dhe përballimin e saj në të gjitha dimensionet; për progresin e bërë në zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit; për bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës, si një faktor themelor ndihmues për vendet e Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, etj. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës.

Në përfundim të Samitit, Presidenti i Këshillit të Europës Charles Michel, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Kryeministri Edi Rama do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.