Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dajti është një tjetër kantier rindërtimi, ku shtëpitë e reja po ringrihen nga themelet më të forta e më të sigurta për familjet e mbetura pa strehë nga tragjedia e 26 nëntorit. Familja e Beharit prej 4 anëtarësh është njëra prej tyre, e cila aktualisht është strehuar në banesën e vëllait tjetër, që ka pësuar vetëm dëme të lehta.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Dajt, për të parë nga afër shtëpinë e re të kësaj familje, që shumë shpejt do të jetë gati për të mirëpritur banorët e saj. “Do të ndërtojmë një shtëpi ku fëmijët do të kenë dhomën e tyre dhe çifti po ashtu. Aktualisht kemi bërë derdhjen e soletës dhe po vendosen tjegullat. Pastaj do të vazhdojmë me polisterol që të bëjmë izolimin. Besoj se për dy javë do të jenë në shtëpinë e re,” – u shpreh kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Për kryefamiljarin është thuajse e pabesueshme që shtëpia do të jetë gati në një kohë kaq të shpejtë. “Kemi kaluar shumë vështirësi. S’na shkonte mendja se do të bëhej kështu kjo gjë. Ju faleminderit,” – shprehet ai.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se streha e re do të përmbushë më së mirë standardet bashkohore të banimit. “Kjo është e mira e madhe që shpëtuat njëherë  e mirë. Vitin e Ri do ta kaloni do të kaloni në një shtëpi për së mbari. Ne kemi bërë detyrën, vetem duhet durim.”

Sa i përket spekulimeve nga njerëz të caktuar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj  shprehet se përgjigja më e mirë mbetet transparenca. “Ka dhe njerez spekulatorë, që thonë nuk janë paguar, por ne i kemi ruajtur faturat e të gjithëve, raportet e të gjithëve, akt-konstatimet e të gjithëve dhe në pak minuta ne mund të verifikojmë. Por për çdo njeri që mund të jetë spekulant ka 1000 mijë njerez që janë mirënjohës dhe që kanë respektuar shtetin dhe ligjet, afatet, ertifikatat dhe hipotekën. Kështu që 99.99 % e njërëzve, si ata që përfitojnë, si ata që ndihmojnë  e paguajnë taksa janë super të ndershëm dhe korrektë. E pastaj çdo spekulant sqarohet dhe i jepet fatura.”

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj shpjegoi se në shtëpitë që kanë banuar dy kurora, secila prej tyre do të marrë shtëpi. “Duke qënë se kanë qenë 2 kurora brenda, ne do t’i rikualifikojmë dhe secila do të marrë nga dy. Me atë rast i bëjmë të dyja kurorat me shtëpi.”

Rindërtimi i shtëpive në Tiranë po ecën me ritme të shpejta edhe në Baldushk, Kashar, Pezë e Zall Herr. 850 shtëpi individuale do të ndërtohen nga e para vetëm në Tiranë.

“Në Tiranë jemi 359 kantiere që janë hapur, që janë ose shumë afër fundit, ose në nivel karabinaje. Kemi prapë mbledhje të Këshillit Bashkiak të hënën dhe kemi 250 të fundit, pastaj do të bëjmë prapë një mbledhje të Këshillit Bashkiak vetëm për të adresuar ndarjen e kurorave, që të jemi në rregull edhe me ligjet e shtetit dhe me transparencën që ju e keni theksuar që duhet të ruajmë çdo dokument. Me pallatet është bërë gara, janë kualifikuar 8 kompani. Tani do të çojmë kërkesën për ofertën financiare. Ndërsa sa i përket prishjeve do të fillojmë njëherë me shkollat, me “Qazim Turdiun”, “Lasgush Poradecin”, shkollën në Pezë Helmës dhe kemi një kalendar me prishje masive shkollash,” – tha Veliaj, duke theksuar se ai që ka marrë kontrata do të bëjë edhe prishjen dhe transportimin e inerteve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.