Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Lura, një nga zonat më të bukura jo vetëm të Shqipërisë, i përfshirë nga qeveria në projektin e “100 Fshatra +” ofron edhe shembujt e parë të suksesit në agroturizëm. Bujtina e ngritur nga Llesh Doçi mikpriti sot Kryeministrin Edi Rama. I zoti i shtëpisë ka rrëfyer se pikërisht për këto vlera që ofron Lura, ai i është rikthyer vendit të tij lindjes pas 35 vitesh dhe sot, pas 9 vitesh punë, në bujtinën e tij vijnë grupe turistësh shqiptarë dhe të huaj. “Kam jetuar në Tiranë prej 35 vitesh. Kam ikur që në moshë të vogël 10-vjecare dhe jam kthyer këtu duke dhënë kontributin tim bashkë me time shoqe si mësues të diplomuar dhe bëra mirë. Kthimi im ka qenë jo i rastësishëm, i menduar mirë. Pasi jam kthyer, kam ndërtuar këtë bujtinë me kursimet e mia dhe të time shoqeje. Kam formësuar dhe një fermë peshku, të cilin deri në 100-120 gram e ushqej me ushqim industrial dhe pastaj e ushqej me bio, i cili është një mrekulli. Të gjithë të huajt që kanë ardhur janë mrekulluar. Ndjej kënaqësi se kanë filluar të vijnë dhe grupe shqiptarësh. Kanë filluar menjëherë të bëjnë prenotime,” tha ai.

Doçi thotë se tashmë po mendon që ta zgjerojë edhe më tepër aktivitetin e tij me rindërtimin e një kulle tjetër me një histori 100-vjeçare. “Kam dhe shtëpinë e vjetër 100-vjecare, që është shpallur monument kulture nga Ministria e Kulturës dhe mendoj që ta kthej në një bujtinë të mirëfilltë, kullë të mirëfilltë autoktone siç ka qenë, ku mendoj që dhe këtë dhe atë t’i cilësoj si oxhaku i Doçit,” shprehet ai.

Kryeministri Rama siguron se qeveria do mbështesë me një projekt restaurimin e të gjithë shtëpive e kullave karakteristike. “Për bujtinën e vjetër mund të bësh një aplikim tani, jo nesër, sot. Ne kemi thirrjen e re për agroturizmin, sepse thirrja e parë nuk na dha rezultat siç dëshironim. Kemi mundësinë që të financojmë direkt, jo kredi, por me para në dorë gjysmat dhe në rast se ju arrini që ta bëni projektin, – brenda një muaji është thirrja, – ne do t’ju mbështesim. Ashtu sikundër, ne do bëjmë për këtë fshat këtu, atë që po bëjmë për Vunoin e për Dhërmiun. Me një fond nga FSHZH do ndërhyjmë vetë për të bërë të gjithë restaurimet e nevojshme, që janë pjesa e jashtme, muret, çatia dhe për t’iu dhënë mundësi njerëzve pastaj që me mobilimin e thjeshtë, tradicional, ta kenë gati,” u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri shprehet optimist se brenda dy vitesh Lura do të pësojë një transformim rrënjësor, falë shembujve të tillë të suksesshëm. “Këtu jam i bindur që mund të bëhet një mrekulli nga pikëpamja ekonomike për njerëzit, siç keni bërë ju. Por ne duam mbështetjen njëherë tek ata që i kanë krijuar këto modele dhe e kanë idenë se për çfarë bëhet fjalë, që të tjerët të shohin dhe të imitojnë. Plus që kjo duhet bërë e koordinuar me fermën, ju keni peshkun, bletët, pastaj me mishin me djathin, etj. dhe krijohet një zinxhir që punëson njerëz dhe që i rrit të ardhurat. Unë jam i bindur që brenda 2 vitesh këtu do të jetë tjetër situatë nga kjo pikëpamje. Patjetër që do ketë nevojë përsëri për më shumë më tepër,” deklaroi Kryeministri.

Sa i përket rrugës mjaft të amortizuar që të çon në këtë fshat, Rama siguron se qeveria po shikon çdo mundësi për financimin e saj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.