Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në Konferencën e dytë Ndërkombëtare të organizuar nga Akademia e Sigurisë:

Shumë të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë të dytë ndërkombëtare të organizuar nga Akademia e Sigurisë!

Ju falënderoj për ftesën!

Dua ta nis me premisën e qartë se lufta kundër krimit është një luftë që në radhë të parë zhvillohet në fushën e inteligjencës së mirëfilltë, në kuptimin e mendjes.

Roli që po merr përditë e më tepër Akademia e Sigurisë në funksion të rritjes së kapaciteteve në këtë fushë është vërtetë kyç dhe rëndësia e vendimit për t’i kthyer Policisë së Shtetit, Akademinë e saj, në vitin 2015, pas 7 vitesh mungese të pashpjegueshme, provohet përditë e më tepër në cilësinë e re dhe efektivitetin në rritje të policimit në çdo skaj të vendit.

Unë jam shumë mirënjohës, shumë sinqerisht, të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve të kësaj Akademie për rilindjen e një vatre kaq të rëndësishme, saç është kjo Akademi, në funksion të rritjes të një gjenerate tjetër kuadrosh të Policisë së Shtetit, korrektesa e sjelljes dhe profesionalizimi i të cilëve janë një domosdoshmëri e vazhdueshme për Policinë  e Shtetit.  E pa asnjë diskutim, ne të gjithë shohim me kënaqësi përparimet në këtë aspekt dhe presim me padurim brezat e rinj të Akademisë të Sigurisë, që t’i bashkëngjiten përpjekjes në terren të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit.

Jetojmë në një kohë, kur zhvillimet revolucionare në fushën e teknologjive krahas shumë mundësive të mëdha përbëjnë edhe sfida më vete për institucionet ligjzbazuese. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se falë këtyre zhvillimeve nuk është vetëm shteti, nuk janë vetëm institucionet, nuk është vetëm trupa e angazhuar në luftën kundër krimit që mund të përfitojë, por edhe vetë krimi, nga ana tjetër.

Sot është e bërë e mundur që kushdo të ketë mundësi aksesi në teknologji shumë të avancuar, që tradicionalisht kanë qenë gjithnjë monopol i shteteve. Për këtë arsye, elementët apo grupet kriminale, sot kanë një kapacitet të lartë keqpërdorues të teknologjive në funksion të qëllimeve të tyre të mbrapshta, që e bëjnë punën e institucioneve ligjzbatuese shumë më  të ndërlikuar dhe shumë më komplekse dhe pa diskutim e bëjnë rolin e kësaj Akademie shumë më kyç për të ardhmen e përpjekjes së Policisë së Shtetit dhe të institucioneve ligjzbatuese, në tërësi, në fushën e betejës me krimin.

Në kuadrin e një sërë reformash rrënjësorë që qeveria ka ndërmarrë pas pothuajse tre dekadash stanjacioni dhe letargjie, në raport me mekanizmat dhe funksionet e shtetit, reforma në fushë e sigurisë është padyshim një nga më të rëndësishmet. Shteti modern ka një katalog të madh përgjegjësish dhe detyrash për të plotësuar përballë qytetarëve të tij. Pikërisht në funksion të sigurisë dhe në varësi të qasjeve dhe shkollave politike, spektri i përgjegjësive që shteti tenton të plotësojë, ndryshon. Në disa qasje, shteti mban pak dhe në disa të tjerë shumë më tepër rol dhe përgjegjësi. Megjithatë ka një konstante që i bashkon si karakteristikë të gjitha shkollat politike, përgjegjësia e pandashme e shtetit për sigurinë publike mbetet një kontribut i dorës së parë në çdo shtet.

Siguria është një e mirë publike, e cila nuk mund të krijohet nga aktorët privatë, sepse siguria nuk shitet dhe nuk blihet. Nga ana tjetër, kur ajo ekziston, askush nuk mund të privohet nga përfitimet e saj. E kjo natyrë e posaçme e bën sigurinë publike, produktin më të veçantë, mbase, që mund të ofrojë dhe e ka për detyrë të ofrojë shteti. E mira publike e parë dhe më e rëndësishme është siguria publike. Sipas Hobsit, vetë shteti sovran u krijua për të ofruar pikërisht sigurinë publike.

Reformat tona në siguri synojnë një strategji të  re dhe të pandarë të shtetit në këtë fushë. Natyrisht që koha ime, sado unë të abuzoj me të, duke abuzuar me mikpritjen tuaj, është e kufizuar, ndërkohë që ju takon juve të organizoni gjatë debateve tuaja, temën e kësaj përgjegjësie, por në pamundësi për t’u thelluar sa duhet, unë dua të prek vetëm disa aspekte.

Së pari; Si një produkt i ndërlikuar shtetëror, siguria publike nuk mund të krijohet nga qasja apo nga procese të izoluara. Për këtë qëllim, ne do ta fillojmë procesin e krijimit të kapaciteteve dhe do të nxisim procese që mundësojnë një përpjekje të përbashkët të institucioneve ligjzbatuese, në funksion të sigurisë dhe patjetër në përballjen me krimin si një prioritet i pandryshueshëm.

Përvoja  e shkëlqyer në funksionimin e disa Task-forcave, si ato kundër kanabisit, për mbrojtjen e pyjeve, për energjinë, për territorin, janë një provë e pakundërshtueshme e nevojës për sinergji ndërmjet aktorëve të ndryshëm që kanë për detyrë, – apo të cilët i lidhin funksionet e tyre, – krijimin e mjedisit të sigurtë për qytetarët.

Fillimi i Operacionit “Forca e  Ligjit”, i cili mbështetet po në të njëjtën qasje, do të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë. Në një të ardhme të afërt, ne do të përpiqemi të kalojmë në një nivel të ri koordinimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve, që do të synojë krijimin e mekanizmave të përhershëm për këtë qëllim, të cilët mbase mund ta plotësojnë në kohë dhe me qëndrueshmëri nevojën e shpeshtë për Task-forca të bazuara në objektiva shumë të veçanta.

Së dyti; Modernizimi i vazhdueshëm i strukturave ligjzbatuese është prioritet. Organizimi dhe sofistikimi i krimit, mpleksja e tij jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar dhe burimet financiare e kapacitetet teknologjike të tij mund të përballen vetëm nëpërmjet një modernizimi të shpejtë dhe sa më të thellë të të gjithë sistemit të sigurisë kombëtare, ku modernizimi i Policisë së Shtetit është nevoja dhe prioriteti parësor.

Në këtë kuadër, Akademia e Sigurisë ka një rol prijës dhe ne do të vijojmë ta mbështesim dhe do të bëjmë çmos që në një kohë relativisht të shpejtë ta ngremë në një nivel të ri, duke mundësuar një revolucion të vërtetë në kurrikula dhe në teknologji, i cili duhet të udhëhiqet prej jush, prej drejtuesve dhe pedagogëve të kësaj Akademie, që janë njerëz të lidhur me shkollën, nga njëra anë, por dhe me shkollën e eksperiencës, nga ana tjetër. Duhet të sigurojmë që punonjësit e rinj të Policisë dhe ata më të vjetër, po ashtu, të zotërojnë mjeshtërinë e vërtetë të përdorimit të shkencës dhe të teknikës në funksion të luftës kundër krimit. Kjo konkurrencë vjen në kohën e duhur si një nxitje në këtë aspekt.

Së treti; Pastërtia e radhëve të Policisë dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese, integriteti i lartë i punonjësve të këtyre institucioneve është parakusht i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm. Ne kemi bërë sa kemi mundur, jo sa kemi dashur, në funksion të rritjes së shpërblimit moral dhe financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit, do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë, por procesi historik i pastrimit të Policisë së Shtetit. Ashtu sikundër dhe pastrimi i sistemit gjyqësor nga elementë të kriminalizuar, të korruptuar, apo thjesht të paaftë për plotësimin e detyrës do të vijojë me vendosmëri dhe ekzigjencë të shtuar së pari në radhët e Policisë së Shtetit e pastaj të të gjitha strukturave të tjera ligjzbatuese.

Jam i bindur që procesi i Vetting-ut që është organizuar dhe që do të fillojë të zbatohet në Policinë e Shtetit, duke filluar nga muaji janar, do të japë rezultate të qenësishme, ashtu sikundër kam shumë besim se brezat që do të dalin prej Akademisë, duke filluar nga së shpejti dhe në vijim vit pas viti, do të jenë një burim i jashtëzakonshëm transformimi dhe transfuzioni të gjakut të Policisë së Shtetit.

Së katërti; Vijimi i goditjeve për të shkatërruar grupet e rrjetet kriminale mbetet një prioritet kryesor operacional për Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese.

I kthehem edhe njëherë operacionit “Forca e Ligjit”, si një ndërmarrje shumë e rëndësishme, e cila do të synojë katet më të larta dhe nyjet më të thella të krimit të organizuar që, për hir të së vërtetës, për shumë vite kanë qënë larg fokusit të goditjeve të mirëfillta. Por çka është më e rëndësishme, besoj unë, në këtë operacion është shenjestrimi i aseteve dhe i financave me origjinë kriminale, duke i zhveshur këto rrjete dhe këta elementë nga mundësia e rikthimit dhe duke bërë të mundur një mesazh shumë të qartë, që kush përfiton nga krimi nuk i gëzon dot ato që përfiton.

Shumë të dashur miq dhe të nderuar pjesëmarrës, ndërmarrja e reformave të thella në një vend ku rënia e komunizmit u shoqërua me një boshllëk të madh në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik, me institucione të reja demokratike, ishte një proces jashtëzakonisht i vështirë, që u vështirësua edhe për shkak të mungesës së vizionit dhe të aftësive tona për të bërë më të mirën në një kohë të arsyeshme. Por sot jemi, besoj, në një moment kur mund të themi me plot gojën se kemi shumë arsye për të besuar në suksesin e objektivave të mëtejshme. Mjafton t’ju jap një shifër, 4 vrasje për 100 mijë banorë kishte Shqipëria në vitin 2013, ndërsa sot, kjo shifër është 1.5. Më lejoni t’ju kujtoj se mesatarja e këtij treguesi, sipas EUROSTAT-it, në Bashkimin Europian është 1.7. Pra, jemi nën mesataren e Bashkimit Europian, përsa i përket vrasjeve.

Nga ana tjetër nuk diskutohet se aty ku jemi larg mesatares së Bashkimit Europian është cilësia dhe qëndrueshmëria në cilësi e trupave të Policisë së Shtetit dhe të të gjithë mekanizmave, përfshirë edhe mekanizmin bazë që ka të bëjë me inteligjencën e Policisë së Shtetit. Këtu mbetet një sfidë e hapur për të gjithë ne sëbashku, duke shprehur bindjen se kjo është një sfidë ku fjala “sëbashku” ka një kuptim vërtetë të plotë, pasi pa Akademinë e Sigurisë, pa rritjen e kapaciteteve falë kësaj Akademie, pa fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të kësaj Akademie, përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në këtë Akademi, ne do ta kemi të pamundur aspektin tjetër.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.