Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Britanike të Akreditimit ”Quality Assurance Agency”:

Kjo është një ditë e shënuar në rrugën e reformimit rrënjësor të Arsimimit të Lartë dhe besoj që kemi një arsye shumë të fortë për të qenë të inkurajuar dhe optimist lidhur me ecurinë në këtë rrugë, pasi faza e dytë e reformës çelet duke pasur në krahë një partner me virtyte të padiskutueshme.

U bë një punë mjaft e vështirë, por po aq e domosdoshme për të kthyer në kushtet e ligjshmërisë dhe nën autoritetin e ligjit, Institucionet e Arsimit të Lartë. Proces i dhimbshëm për shumëkënd, por jetik për të ardhmen e vendit tonë, të ekonomisë sonë, të shoqërisë sonë dhe të gjithkujt që me kursimet dhe sakrificat e prindërve ndërmerr rrugën e arsimit të lartë.

Ka shumë histori që mund të tregohen lidhur me gjendjen në të cilën ne e gjetëm arsimin e lartë, ka shumë fakte dhe shifra rrëqethëse, që janë një pasqyrë më shumë sesa bindëse për domosdoshmërinë e kësaj reforme rrënjësore, por unë do të doja të veçoja vetëm një. Faktin që nga 11 mijë emra studentësh që duhet të zhvendoseshin në institucionet e tjera të arsimit të lartë, pas mbylljes për shkak të një gjendjeje paligjshmërie të plotë të 18 institucioneve, vetëm 2800 u paraqitën me kërkesën për zhvendosje, sepse gjithë të tjerët kishin shënuar emrin në këto institucione dhe prisnin vetëm ditën kur do të merrnin diplomën, pa shkuar asnjë ditë në universitet.

Është fakt që sot ka një çlirim të përgjithshëm shoqëror nga një barrë e rëndë, me të cilën ne përshkuam një rrugë të gjatë si vend dhe për të cilën ka pasur një vetëdije të përgjithshme se ishte një barrë mbi të ardhmen, që në një pajtim hipokrit ishte rënë dakord që të mbahej. Një barrë e rëndë, heqja e të cilës na ka sjellë sot, këtu, në kushtet kur duhet të kalojmë në fazën e dytë të reformës që ka të bëjë me matjen e kritereve të cilësisë dhe jo më me hetimin e kushteve të ligjshmërisë. Bazuar në kushtet e ligjshmërisë, sot, Institucionet e Arsimit të Lartë që funksionojnë janë në rregull, por sesa në rregull janë bazuar në kriteret e cilësisë që duhet të garantojnë, këtë do të na e tregojë ky proces. Një proces jashtëzakonisht i vështirë, që pa as më të voglin dyshim do të sjellë të tjera dhimbje në rrugën e rilindjes së Arsimit të Lartë. Një proces që do të na ballafaqojë me të tjera fakte, me të tjera shifra, me të tjera prova rrëqethëse të një degradimi konstant, për vite të tëra, që iu bë sistemit të Arsimit të lartë. Por një proces i domosdoshëm.

Më kujtohet që kur në rrugëtimin tonë përpara zgjedhjeve, në tryezat e diskutimeve të hapura për programin e arsimit, përsërisnim zotimin se do të thërrisnim një agjenci ndërkombëtare për të bërë akreditimin e universiteteve, një pjesë qëndronte indiferente sepse besonte se kjo ishte loja e radhës. Nuk jemi ne të parët që e kemi premtuar këtë që po vëmë në jetë sot. Ndërsa një pjesë tjetër, e mbaj mend, nuk e fshihnin frikën, madje më kujtohet fort mirë, një pedagoge që mori fjalën dhe tha “nëse vërtet ju do të bëni këtë, duhet të përgatiteni edhe për rrezikun që të mbyllim edhe Universitetin e Tiranës”. Sigurisht që ishte një frikë, besoj unë, e ekzagjeruar, por jo e pabazuar. Fakti që në skanimin që iu bë sistemit tonë të Arsimit të Lartë për kushtet e ligjshmërisë, disa dhjetëra fakultete publike u mbyllën, flet qartë, nga njëra anë, se në çfarë katandie ishte sistemi, por nga tjetër, sesa pak të përgatitura janë hallka të tëra të sistemit për të përballuar qoftë edhe kushtet e ligjshmërisë, të përcaktuara me vullnetin tonë të lirë dhe jo me ndonjë imponim nga jashtë.

Agjencia Britanike e Akreditimit, e thashë, nuk ka nevojë për prezantim dhe as për diskutim. Është një nga agjencitë më prestigjioze, themeluese dhe anëtare e rrjetit të këtyre agjencive në nivel europian dhe promovuese e atyre vlerave që janë sot të mishëruara në një kuadër të përgjithshëm legjislativ brenda Bashkimit Europian. Por besoj, një vlerë e shtuar në këtë proces është edhe mundësia që Këshilli ynë i Akreditimit të ngrihet në një nivel tjetër dhe nga një institucion fantazmë, që faktikisht s’ka bërë asnjë punë, përveçse ka shoqëruar funeralin e Arsimit të Lartë, të kthehet në një institucion të besueshëm. Unë shpresoj dhe besoj që janë të gjitha kushtet që në kuadrin e binjakëzimeve mes institucioneve të vendeve anëtare të BE, të vendeve kandidate të BE, ne të synojmë dhe të eksplorojmë mundësinë e një binjakëzimi me Agjencinë Britanike të Akreditimit, megjithëse dihet botërisht që britanikët të të pranojnë si binjak është një histori e vështirë dhe përgjithësisht e pamundur, por ne do ta provojmë.

Ruajtja e standardeve në Institucionet e Arsimit të Lartë në Mbretërinë e Bashkuar nuk është një punë e lehtë, siç mund të duket nga larg, sepse edhe në Mbretërinë e Bashkuar, rritja  e cilësisë së arsimit mbetet një sfidë e përditshme dhe mbetet pjesë e një debati të vazhdueshëm mes qeverisë dhe opozitës dhe brenda shoqërisë. Sepse, siç e ka thënë njëri prej kryeministrave më të fundit të Mbretërisë së Bashkuar, “arsimi është politika më e mirë ekonomike” dhe nëse në fund të procesit të arsimimit të lartë, studentët dalin thjesht me një diplomë, ashtu siç kishte ndodhur për vite të tëra në Shqipëri, atëherë jo vetëm që nuk kemi gjasa të shikojmë rritje të ekonomisë dhe të mirëqenies si rezultat i arsimimit, por përkundrazi gjendemi në kushte si këto tonat, ku ballafaqohemi përditë me cilësinë shumë të ulët të burimeve njerëzore me diplomë dhe me një kualifikim shumë të ulët të forcave të punës në tërësi.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se kjo është një sfidë që fillon, por nuk mbaron me skanimin e parë të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Ashtu sikundër jemi të vetëdijshëm se lufta për cilësinë dhe për rritjen e vazhdueshme të cilësisë është një sfidë shumë më e vështirë, sesa përpjekja dinjitoze që na çoi në mbylljen e 18 institucioneve të Arsimit të Lartë, njëra ndër të cilat kishte arritur që të jepte gjysmën e diplomave të dhëna nga gjitha të tjerat, sëbashku. Madje kishte arritur të jepte diploma edhe për italianë, thuajse një mijë, pa pasur asnjë leksion në italisht dhe madje, as pa u kërkuar italianëve që të ishin të pranishëm qoftë dhe formalisht, përveçse ditën e regjistrimit.

Përsëri gjej rastin ta falenderoj Komisionin e ngritur për reformën në Arsimin e Lartë, që na dha mundësinë që të kemi një vlerësim të qartë të të gjithë prioriteteve, por edhe të hapave që duhet të ndjekim, që brenda harkut të këtyre katër viteve të kalojmë nga xhungla dhe diplomat e blera me sistemin arsimor që e kishte kthyer arsimin në një mall që shitet dhe blihet, në një gjendje ku nuk do të kemi arritur sigurisht gjithçka, po do kemi rivendosur sistemin në themelet e duhura.

Raporti përfundimtar i Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë, që mori parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e shumë aktorëve brenda sistemit, por edhe të shumë forcave progresive jashtë sistemit, faktikisht është një bazë thuajse konsensuale për të ecur më tutje, me ligjin për Arsimin e Lartë që në këto ditë po merr formën e vet përfundimtare dhe do t’i nënshtrohet pastaj, procedurës parlamentare.

Por sot e gjithë ditën, unë besoj se ashtu si edhe në thuajse gjithë sektorët, edhe në këtë fushë, ne jemi ende në kushtet e emergjencës kombëtare, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Një emergjencë kombëtare, të cilën jam krenar që Qeveria jonë po e adreson në mënyrën e duhur dhe me vendosmërinë e duhur. E në mënyrë të posaçme, Ministria e Arsimit, nën lidershipin kurajoz dhe jashtëzakonisht efikas të ministres, po e çon përpara duke arritur rezultate të prekshme, hap pas hapi.

Ne kishim arritur jo vetëm që ta transformonim dijen në mall dhe universitetin në biznes, por edhe të kishim numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë; 8 herë më shumë se Britania e madhe; 20 universitete për një milionë banorë; 1432 programe të ndryshme mësimore; 50 programe studimore në universitete publike, nota mesatare 5.5. Sikur të kishin rritje ekonomike 5.5, kjo do të ishte një shifër spektakolare, por që të kishim arritur në pikën ku notën mesatar të prurjeve të përgjithshme në sistem ta kemi 5.5, kjo do të thotë vërtet se kemi prekur fundin dhe më keq nuk mund të kishte.

Kemi arritur një tjetër rekord, – unë e besoj që është rekord europian, pa asnjë diskutim, por unë jam i bindur që edhe botërisht, pak kush mund të na konkurrojë, – 7 strategji kombëtare për arsimin në 20 vjet. Madje, ne kemi arritur që të kemi 2 strategji kombëtare brenda mandatit të të njëjtës forcë politike, vetëm sepse kemi pasur dy ministra nga e njëjta parti, që i kanë lënë vendin njëri-tjetrit dhe secili ka pasur strategjinë e vet kombëtare për arsimin shqiptar.

Sigurisht që të gjitha këto nuk mund të mos linin pasojat me të cilat po ndeshemi përditë. Por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që me gjithë vështirësitë ekonomike dhe financiare, në të cilat jemi gjendur qysh ditën e parë që kemi ardhur në Qeveri, sot kemi një raport tjetër nga ai që ishte edhe një vit më parë, mes rritjes së numrit të studentëve dhe rritjes së buxhetit në mbështetje të Arsimit të Lartë. Një raport që flet për vetëdijen tonë se këto dy shifra nuk mund të jenë të zhbalancuara deri në katandinë ku ishim vetëm një vit më parë.

Aristoteli ka një fjalë që na ndihmon shumë sot të kuptojmë atë që po bëjmë dhe atë që presim. Ai thotë: “Rrënjët e edukimit janë të hidhura, por frutat janë të ëmbla”.

Nuk mund të ketë edukim të ngritur mbi rrënjë që ushqehen nga mjalti i gënjeshtrave. Mund të ketë edukim vetëm nëse rrënjët janë të hidhura, çka në fjalë të tjera do të thotë nëse ushqehen  nga ilaçi i të vërtetave. Kjo e ka bërë Arsimin e Lartë në Britaninë e Madhe atë që ai është sot dhe nuk është thjesht niveli që është sot, por është diçka tjetër që është shumë më mbresëlënëse dhe shumë më e nevojshme për ne për të mësuar, që është një nivel që shkon në rritje të vazhdueshme si pasojë e vetëdijes së brendshme të shoqërisë dhe të përfaqësuesve të saj se nuk ka fund përmirësimi i cilësisë në arsim dhe nuk ka fund beteja për ta ushqyer trupin e këtij sistemi dhe për ta bërë të nxjerri fruta të ëmbël mbi rrënjë të hidhura.

Asnjë reformë reale nuk mund të jetë një parakalim në një pasarelë bukurie. Asnjë reformë reale nuk mund të jetë një proces pa dhimbje, sepse, nëse një reformë është reale, ajo është një terapi për të ripërtërirë, apo për të rritur fuqitë e një organizmi që ka nevojë për t’u kuruar dhe nganjëherë për t’u operuar dhe si në rastin tonë, për t’u kuruar dhe operuar thellësisht, deri në palcë.

Ka shumë thënie për arsimin, por unë dua ta mbyll me një thënie që thotë se “Edukimi është transmetim i civilizimit”. Sigurisht që për të mbledhur frutat e një reforme rrënjësore si reforma në arsim duhen vite dhe për këtë arsye, ndoshta, reforma në arsim në vendet më pak të zhvilluara hyn tek ato reforma që qeveritë i shtynë për t’ia lënë tjetrit, sepse janë reforma që janë të hidhura dhe janë fruta që nuk merren brenda një mandati qeverisës. Por për ne është e qartë, në demokraci askush, sido që të rrotullohet, duke bërë mirë apo duke bërë keq, duke bërë shumë apo duke bërë pak, nuk mund të rrijë përgjithmonë në zyrë dhe nuk mund të mbajë përgjithmonë pushtetin. Ka dy rrugë: ose ta konsumosh pushtetin, ose të konsumohesh nga pushteti. Në të dyja rastet, një gjë është e sigurt, që do të largohesh për t’ia lënë radhën të tjerëve. Por mes të larguarit pasi të tjerëve u ka ardhur në majë të hundës nga konsumi që të ka bërë pushteti dhe të larguarit pasi e ke konsumuar pushtetin për të bërë mirë, në afat të mesëm apo të gjatë, në jetën e njerëzve dhe të vendit, zgjedhja jonë është e qartë kristal: Është kjo e dyta.

Ne nuk duam të shtyjmë asgjë që është shtyrë 20 vjet dhe na ka sjellë në këtë derexhe, sepse na duhet të fitojmë zgjedhjet e radhës. Sigurisht që ne duam t’i fitojmë zgjedhjet e radhës, por pa kompromentuar asnjë reformë dhe pa shtyrë për nesër, asnjë gjë që duhet bërë sot dhe në Shqipëri çdo gjë duhet bërë sot, sepse ka 20 e kusur vjet që dëgjojmë “nuk është akoma koha; nuk janë pjekur kushtet, ta shtyjmë pak këtë, ta shtyjmë pak atë; jo po ta lëmë një çikë këtë se do na mërziten këta, do na shqetësohen ata; do humbim votat e atyre atje, s’do na votojmë këta këtu; shiko se këta janë shumë, po shiko se ata janë tanët; po mirë është që mos ngacmojmë ata të tjerët se janë në gjumë”. Këto për ne janë dokrra hini, kur thoshte At Gjergj Fishta.

Ju falenderoj shumë. I shpreh gjithë mirënjohjen ambasadorit që ka pasur një rol kyç në këtë “krushqi”, që është një nga “krushqitë” më të sigurta që janë bërë në vite, se profesorë dhe ekspertë që vijnë flasin në gjuhë të huaj këtu kemi parë shumë, seminare edhe më shumë, por këtu bëhet fjalë për një punë konkrete me një vend dhe me një Agjenci që nuk bën shaka me vlerat, me standardet dhe me cilësinë.

Faleminderit!

***

Reforma në Arsimin e Lartë hyri sot në fazën e dytë të saj, me çeljen e procesit të akreditimit dhe renditjes së Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Ky proces, që bëhet për herë të parë në Shqipëri, do të kryhet nga Agjencia Britanike e Akreditimit dhe synon të masë kriteret e cilësisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend.

Në një ceremonie të posaçme në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Canoon dhe ekspertë në fushën e arsimit, u nënshkrua marrëveshja me Agjencinë Britanike të Akreditimit, e cila për Qeverinë shqiptare u nënshkrua nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Këtë marrëveshjeje me agjencinë prestigjioze britanike, Ministrja Nikolla e quajti një lajm të mirë, për verifikimin e kritereve të cilësisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend.

Ambasadori Canoon e vlerësoi reformën në sistemin universitar si një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Qeveria shqiptare. Shqipëria, – u shpreh ambasadori Canoon, – ka disa universitete shumë të mira, me profesorë me një standard të lartë ndërkombëtar, por gjithashtu, deri vonë kanë ekzistuar disa institucione arsimore që kanë funksionuar si “dyqane” diplomash. Për këtë arsye është e qartë që qeverisja e sektorit të arsimit të lartë është bërë e papërshtatshme dhe reforma në të është e nevojshme dhe urgjente.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.